l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

LIBRI

HISTORI TRAGJIKE NGA LUFTA SHQIPTARO - SERBE

“Akuzohet për gjenocid; bashkëpunim në gjenocid; dëbim; vrasje; përndjekje politike, racore ose fetare; veprime çnjerëzore/ zhvendosje me forcë, shfarosje; burgosje; torturë; vrasje të qëllimshme; burgosje të paligjshme; shkaktim të vuajtjes së madhe të qëllimshme; dëbim apo zhvendosje të qëllimshme; shkatërrim të gjerë dhe përvetësim të pronës, e pajustifikuar nga domosdoshmëria ushtarake dhe e kryer në mënyrë joligjore dhe pa arsye; trajtim mizor; plaçkitje të pronës publike ose private; sulme ndaj civilëve; shkatërrim ose dëmtim të qëllimshëm të monumenteve historike dhe institucioneve arsimore ose fetare; sulme të paligjshme mbi objekte civile; shkaktim të qëllimshëm të vuajtjes së madhe”.
(Nga Aktakuza e Tribunalit penal ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kundër
Sllobodan Millosheviqit në lidhje me krimet e kryera në Kosovë)

Dr. Hajri Mandri

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, një histori tragjike që i ndan një lum gjaku, rrjedh nga luftëra e reprezalje të pandërprera që shovinistët serbë kanë bërë mbi shqiptarët e Kosovës. Nuk kanë munguar evidentime të kësaj beteje të gjatë e të përgjakshme nga mjaftë autorë kosovarë e të huaj, por në mënyrë të përmbledhur dhe profesionale, një tablo të luftës së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-s për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, e gjejmë të pasqyruar në mënyrë të plotë e panoramike në këtë libër, nga diplomati me përvojë dhe publicisti i shquar Bashkim Hisari.
Në këtë libër të tij, autori na paraqet si në një ekran filmi, imazhe dhe fakte të gjalla nga Lufta në Kosovë, ku me profesionalizëm fikson momentet më kulmore dhe pikante, si në një ese të gjatë përshkruese, me të dhëna dhe argumente shkencorë, me gjetje dhe burime të sakta nga fronti i luftës. Libri përbën një rrjedhë narrative intriguese që të trondit, të shtang dhe të mban pezull me fakte rrëqethëse, duke provuar tortura makabre, deri në çmenduri të pakuptimta të bëra mbi shqiptarët nga barbarët sadistë serbë, si nerv i lig i urrejtjes shekullore etnike. Lënda e pasur e librit me mendime relevante të personaliteteve të shquar, si dhe të viktimave të gjalla e të drejtpërdrejta të Luftës, skenat përshkruese të të vrarëve, përbëjnë imazhe trishtuese që ngjallin presion shpirtëror dhe kuptimin e njëmendtë se kjo barbari duhej të marrë fund në shekullin e paqes dhe të jetës së lirë të kombeve dhe popujve të qytetëruar.


Publicisti Bashkim Hisari ka një qasje të apasionuar për paraqitjen e realitetit me vërtetësinë e kohezionin e plotë politik e historik, në hapësira dhe terrene të identifikuara. Në relacionin kohë -hapësirë, autori është korrekt dhe i saktë, si në një punim shkencor, ku skedon një databazë kronoligjike me shumë vlerë për shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. Autori, dëshmitar okular i ditëve të vështira që përjetoi shoqëria kosovare, nuk resht të na kapërcejë nga një aksion luftarak në tjetrin, nga një betejë në tjetrën, nga një terren i përgjakur në tjetrin. Me mjeshtëri, na sjell shembëlltyrën e skenave si “rrëfim brenda rrëfimit”, ku insertet dhe digresionet krijojnë te lexuesi emocion, duke e vozitur atë nga tabloja në tablo, të shushatur nën ngërthesa dramatike kontekstuale.
Libri të tërheq, të përmbush estetikisht me shtresëzimet analogjike dhe simbolike në një shkrirje harmonike dhe natyrale të objektives dhe subjektives, në rrëfimin herë sintezë, herë polifonik. Monologu e dialogu, fjala e drejtpërdrejtë e protagonistëve kallëzues të intervistuar, enumeracionet dhe evidencat situative, koncepti kohë-hapësirë, analogjia dhe aluzioni, zbërthimi i karaktereve të luftëtarëve qëndrestarë dhe heronj, përbëjnë kronotoposin e autorit, si kod kulturor e referencial të tij.
Lexuesi do të ndjekë në paragrafë dhe kapituj të strukturuar me kujdes linjën e pandaluar të Luftës dhe qëndresës që lidhen me këtë hulumtim përmbledhës të korpusit të masakrave serbe mbi popullatën shqiptare. Stili i publicistit është një gërshetim i formës së shkrimit duke kaluar nga teksti klasik - i lexueshëm (lisibël), në tekstin modern - i shkrueshëm (scritibël). Në këtë rast lexuesi shndërrohet jo thjeshtë vëzhgues, por prodhues refrektiv i situatave psiko-morale dhe estetike duke provokuar ndjenjën e trishtimit, keqardhjes, urrejtjes, dhe krenarisë kombëtare si qëndresë sublime dhe stoike.

Përshkrimi i situatave të luftës dhe skenave makabre që ofron autori, në të gjitha krerët e këtij libri, detajohet, interpretohet, analizohet dhe ilustrohet me të dhëna konkrete, si burime parësore nga terreni konkret. Në ballafaqimin e ngjarjeve dhe fakteve, padyshim që autori mban qëndrim ideoemocional duke i dhënë veprës mish, gjak e jetë nga botëvështrimi human e atdhetar, i formimit mental dhe shpirtëror të tij. Libri është një rrëfim epik mbi Luftën për Pavarësi e Çlirim të Kosovës që përngjan me poemat homerike të betejave antike. Për ata që shkruajnë, e dinë se sa e vështirë është të kërkosh zanafillën e rrëfimit në kohë, sepse vetë koha e ka zanafillën te rrëfimi. Merita e autorit është se nga një shumësi episodesh, na ka dhënë një ligjërim të njëzëshëm, të rrjedhshëm dhe të pandalshëm që përshkon librin kryefund. Lexuesi do të ndjekë një rrjedhën rrëfimore, një ujëvarë të trishtë gjaku që derdhet mbi shkëmbenjtë dhe tokën e zhuritur të Kosovës së etur për liri.
Brezat e ardhshëm do marrin nga libri mesazhin e luftërave të drejta e të padrejta, ku forcat e kundërta ushtarako-politike, në përleshje homerike dhe sfidë historike, gjeneruan lirinë e shumëpritur të Kosovës dhe çlirimin e saj nga okupatori historik.
Autori Bashkim Hisari, duke ofruar skena prekëse, të përveçuara me mjeshtëri, ndikon mjaftueshëm tek lexuesi duke sugjeruar besnikërinë e asaj ç’ka sheh dhe dëgjon në lidhje me historinë e rrëfyer apo me karakterin e luftëtarit kosovar. Në diskursin e tij, Hisari është eksplicid por lexuesi duke u bërë përjetues i rrëfimit, nxjerr vetë përfundime, qëndrime dhe vlera.

 

Kush është Bashkim Hisari
Bashkim A. Hisari-Dauti u lind në Prizren më 1945. Arsimin themelor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje, studimet e shkencave politike në Universitetin e Beogradit, kurse studimet pasuniversitare i ka vijuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë ku fitoi titullin akademik Magjistër.
Prej vitit 1966, kur në kuadër të Televizionit të Beogradit filloi për herë të parë emitimi i programit televiziv në gjuhën shqipe, punoi në sajimin e emisioneve dhe emitimin e programit.
Në këtë institucion informativ, së pari si gjirues e pastaj producent, realizator e edhe gazetar reporter, punoi plot 10 vite. Me fillimin e punës së Radio Televizionit të Prishtinës, menjëherë u inkuadrua në këtë institucion, ku në redaksinë inforamativo-politike punoi si gazetar dhe reporter i lirë e më vonë edhe si drejtor i Televizionit të Prishtinës. Dy vite ishte edhe Kryesues i Këshillit programor të Radio Televizionit Jugosllav. Ishte edhe njëri prej themeluesëve të Radio-stacionit regjional të Prizrenit.
Ka ligjeruar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës në Prizren dhe ka ushtruar funksione shoqëroro politike. Ka punuar në shërbimin diplomatik të ish Jugosllavisë. Ishte Konsul në Konsulatën e përgjithëshëme në Hamburg dhe Stuttgart-RF e Gjermanisë dhe Sekretar i parë i Ambasadës në Bern-Zvicër.
Në Kongresin XIV të LKJ ku ishte delegate, kritikoi politikën e asaj kohe. Regjimi i atëhershëm e largoi nga puna dhe plot nëntë vite mbeti i pa punë respektivisht deri në fillim të vitit 1998 kur punësohet në organizatën ndërkombëtare Humanitarian Laë Center (HLC). Në te, deri në korrik të vitit 2008, punoi si shef i zyrës dhe koordinator i projekti për hulumtimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të krimeve të luftës në Kosovë. Në këtë periudhë bëri hulumtime për krimet e serbëve në Kosovë siç janë masakrimet, dhunimet, burgosjet, keqëtrajtimet dhe dëbimet e shqiptarëve nga trojet e tyre. Për këto krime foli në shumë konferanca, tribuna, tryeza të rrumbllakëta dhe debate që u organizuan në Kosovë dhe jasht vendit. Rezultatet e hulumtimeve i publikoi në mediat vendore dhe ato të huja.
Është autor i shumë punimeve shkencore dhe publicistike në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e huaja dhe anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (International Federation of Journaliste- IFJ) me seli në Bruxel. Ishte shef i Zyrës së Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë. Është nënkryetar i Organizatës së veteranëve të LANÇ të Kosovës dhe këshilltar politik në partin Eko Lëvizja e të Gjelbërve të Kosovës.






 





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes