l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kreu i shtetit vlerësoi mbrojtjen dhe mbajtjen gjallë të idealit atdhetar në drejtim të OBVL-së

KOLONEL MYFIT GUXHOLLIT I JEPET “DEKORATA E ARTË E SHQIPONJËS”


HALIL RAMA

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi më 8 Qershor 2020 Kolonelin veteran Myfit Guxholli me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacion: “Për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë në krijimin dhe konsolidimin e artit të luftës dhe shkencës topografike ushtarake shqiptare. Në vlerësim të mbrojtjes dhe mbajtjes gjallë të idealit atdhetar në drejtim të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të L.A.N.Ç.-it”
Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë anëtarët e Kryesisë së OBVL dhe familjarë e të afërm të kol.Guxhollit, duke iu drejtuar të pranishmëve Presidenti Meta u shpreh:
“Është kënaqësi e veçantë për mua t’i akordoj sot Kolonelit Myfit Guxholli, ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për kontributin e çmuar si luftëtar i lirisë në radhët e Brigadës IV partizane, për rolin e tij në krijimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare dhe si themelues e drejtues i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Kolonel Guxholli, një ish-student i Liceut të Korçës, në momentet më të vështira dhe të errëta për vendin, i shtyrë nga atdhedashuria dha një kontribut patriotik, u bashkua me armë në dorë në Luftën e lavdishme Nacional-Çlirimtare duke shërbyer edhe si kuadër i forumeve më të larta të Brigadës IV Sulmuese.
Si një ndër pedagogët më të shquar dhe Shef Katedre në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Tiranë, dhe tani si kryetar i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, kontributi dhe puna e Kolonel Guxhollit në shërbim të vendit është e jashtëzakonshme dhe tejet e vyer.
Familja e nderuar Guxholli, Kolonel Myfiti, babai i tij Nevruzi së bashku me tre vëllëzërit, Bexhetin, Qemalin dhe Arefiun, jo vetëm që u rreshtuan si partizanë në krah të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, por shkrinë dhe dhuruan të gjithë pasurinë e familjes së tyre për Luftën.
Të gjithë së bashku ata luftuan përkrah Heroit të Popullit Reshit Çollaku me çetën partizane të Mokrës.
Kjo familje është shembulli më i shkëlqyer i patriotizmit dhe atdhedashurisë e cila na krenon të gjithëve dhe do mbetet e paharruar në historinë e vendit tonë dhe shembull frymëzimi për brezat e rinj.


Më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare.
Është i njohur kontributi juaj si kryetopograf, shef seksioni dhe Nënkryetar i Degës së Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare; si bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë, në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/ 1954); si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.
Por sot, unë dua të vlerësoj edhe aktivitetin tuaj të pasur shkencor e pedagogjik, si autor i tekstit mësimor ‘Gjeodezia’ të përshtatur për studentët e specialitetit ‘topograf’ në Akademinë ‘Skënderbej’, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme që studiojnë gjeodezinë në këtë Akademi.
Këto janë një trashëgimi e çmuar që zënë vend nderi në analet e historikut të Forcave tona të Armatosura.” – nënvizoi Presidenti Meta.
“Më lejoni të shpreh sot konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të Luftës së Lavdishme Antifashiste Nacional-Çlirimtare; për kontributin që ka dhënë dhe jep kjo organizatë në mbrojtjen e idealit të luftës për liri dhe transmetimit të brezave të rinj të vlerave, sakrificave dhe vetëmohimit të treguar gjatë epopesë së lavdishme të Luftës Nacional-Çlirimtare.


Ju, si bashkëthemelues i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, me Dr.Ymer Dishnicën, Gjeneral Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e shumë të tjerë, në drejtimin e kësaj organizate, i keni bërë shërbimin më të mirë kombit dhe popullit shqiptar, duke nderuar sakrificën sublime, gjakun e dëshmorëve, heroizmin e luftës partizane, që ishte dhe mbetet lufta më e madhe patriotike që ka zhvilluar populli shqiptar për lirinë e Atdheut.
Kjo luftë e lavdishme që realizoi çlirimin e atdheut nga okupatori nazifashist dhe e shpëtoi vendin tonë nga planet për ndarjen, duke e radhitur Shqipërinë në anën e Aleancës së madhe të popujve kundër Aksit të së keqes, është padyshim një meritë për Shqipërinë europiane, që sot është anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtare të BE-së, sepse në themel të Europës së Bashkuar qëndrojnë vlerat demokratike dhe çlirimtare të Luftës së Dytë Botërore.
Më lejoni që me këtë rast t’ju uroj përzemërsisht ditëlindjen tuaj të ‘90-të! Ju uroj një jetë të gjatë, me shëndet të plotë, dhe me këtë vitalitet e shpirt krijues që keni sot.
Ju jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin tuaj shumë të çmuar për Shqipërinë, për ushtrinë tonë dhe kombin shqiptar!”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës para se t’i dorëzonte dekoratën e lartë luftëtarit të lirisë, veteranit të LANÇ-it, Kolonelit Myfit Guxholli.
Duke e falenderuar Presidentin Meta për vlerësimin, Kolonel Myfit Guxholli në fjalën e Tij përshëndese theksoi ndër të tjera se “kjo Dekoratë e lartë i takon të gjithë atij brezi që e nisi jetën nga lufta për të kontribuar për çlirimin e Atdheut dhe përparimin e tij”.

Familja Guxholli, si ua mohoi pushteti komunist kontributin në luftë

Kolonel Ing.Myfit Guxholli i përket familjes së njohur pogradecare që shkriu pasurinë e saj për luftën Antiofashiste Nacionalçlirimtare.
Në vitet 1920-1940, pogradecarët lundronin përmes liqenit për në Ohër e Strugë dhe merrnin mallra që andej me tragetin “Ylli i bardhë”. Trageti, në pronësi të Nevruz Pasho Guxhollit, transportonte misër e grurë, çimento, dërrasa e materiale të tjera ndërtimi. Kur sapo ishte fuqizuar ekonomikisht, Familja Guxholli, më 1930 kishte blerë në Greqi një fabrikë mielli, e cila siguronte miell për qytetin e rrethin e Pogradecit, por edhe për Korçën, Bilishtin e Ersekën.
Në koherencë me realitetin e atyre viteve, Nevruz Pasho Guxholli ishte aksioner edhe në shoqërinë private të sjelljes së dritës elektrike në qytetin e Pogradecit. Dhe jo vetëm kaq, por si një nga biznesmenët e njohur, krahas fuqizimit ekonomik të familjes, kishte filluar të merrej edhe me politikën provinciale të kohës. Ai ishte marrë me tregti e njëkohësisht kishte qenë edhe këshilltar në administratën vendore qysh në vitin 1923. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo familje, si dhe gjithë fisi Guxholli, e kundërshtuan pushtimin e atdheut. Për veprimtari patriotike dhe për qëndrimin e tij kundër okupatorit fashist, Nevruzi burgoset në Korçë në vitin 1943.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste arratiset nga burgu së bashku me shokët e tij dhe me armë në dorë i bashkëngjitet Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ndërkohë që djemtë e tij, Bexheti, Qemali, Arefiu dhe Myfiti, si partizanë u rreshtuan në krah të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. U burgosën si antifashistë tre vëllezërit, të cilët kishin lënë shkollën dhe ishin lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në Luftën Antifashiste, qysh në fillimet e saj, u përfshi e gjithë familja Guxholli, ndërsa me armë në dorë luftuan tre djemtë e kësaj familjeje.
Është i njohur aktiviteti i tyre: Bexheti, që në maj 1943, me çetën e Mokrës e batalionin “Reshit Çollaku”; Myfiti, si kuadër në Brigadën e IV-t S; Qemali, në qytet me grupet antifashiste dhe Arefiu i vogël, korrier me partizanët e Mokrës. Por gjithsesi, edhe kjo familje që shkriu pasurinë për luftën, do të përballej me represionin e pushtetit komunist. Pas çlirimit, Nevruzi ishte anëtar i të parit këshill vendor në Pogradec, ndërkohë që prej vitit 1946 -1947, burgoset për mospagimin e tatim-fitimit. Do të rehabilitoheshin disi më vonë, kur falë intelektit, zgjuarsisë dhe përkushtimit ndaj atdheut, do të dilnin katër oficerë nga kjo familje: Bexheti e djali, Iliri, Myfiti e djali, Artani.

VEPRIMTARIA KRIJUESE E SHKENCORE E ING.MYFIT GUXHOLLIT

Ka përgatitur cikle të plota të leksioneve ushtarake në gjeodezinë e lartë, në gjeodezinë inxhinierike si dhe leksionet e gjeografisë ushtarake për Akademinë e Mbrojtjes dhe atë “Skënderbej”. Në vitin 1986 boton tekstin mësimor “Gjeodezia” të përshtatur për studentët e specialitetit topograf në Akademinë “Skënderbej”, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme që studiojnë në këtë Akademi gjeodezinë, si xhenio etj. Po ashtu, ai është bashkautor i hartave të territorit shqiptar të shkallëve 1 : 26000 – 1: 50000 (projektet në IGU Tiranë).
Ing. Myfit Guxholli është autor i dhjetëra artikujve shkencorë, ndërkohë që ka përgatitur Rregullore të ndryshme dhe ka mbajtur referate e kumtesa cilësore në disa simpoziume e konferenca shkencore. Duke vlerësuar aktivitetin e pasur të tij në vitin 1973 Katedra e Topografisë e Akademisë Ushtarake “Skënderbej” propozoi që Ing. Myfit Guxhollit t’i jepej titulli “docent”, por pas ngjarjeve të atyre viteve të “stuhishme” propozimi i asaj katedre u pezullua.
Me ndryshimin e sistemit komunist, Myfiti familjarisht përfshihet në proceset demokratike duke dhënë një kontribut të shquar në fitoren e demokracisë. Ai ka qenë një nga organizatorët e krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), së bashku me Dr.Ymer Dishnicën, gjeneral Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e dhjetra personalitete të tjera të LANÇ e të Ushtrisë Shqiptare. Për kontributin e tij kol.ing.Guxholli është zgjedhur zv/kryetar i kësaj organizate që nga themelimi i saj para 26 vitesh dhe që nga data 1 Nëntor 2019 është kryetar i saj, duke punuar me përkushtim për edukimin patriotik të brezave. Për të gjitha këto merita kryesia e OBVL-së i ka propozuar edhe Këshillit të Bashkisë që ta shpallë atë “Qytetar Nderi të Pogradecit”.

Kush është Kolonel Ing.Myfit Guxholli

Ka lindur në Pogradec më 7 qershor 1930. Ishte vetëm 9 vjeç, kur iu bashkua lëvizjes së rinisë pogradecare që kërkonte armë për të shkuar në Durrës që të luftonin kundër pushtimit fashist të vendit.
Po ashtu, pas një viti, nga urrejtja për inxhinierin italian që ishte major i Simit dhe që punonte në minierën e kromit “Guri i Kuq”, e qëllon atë më një gur në bel. Myfiti i shpëtoi arrestimit pasi e fshehu rinia pogradecare ndërmjet protestuesve. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe më pas studioi për dy vjet në Liceun e Korçës. Myfiti rrjedh nga një familje e pasur atdhetare dhe patriotike. Gjatë okupimit nazifashist të vendit, familja e tij u përfshi e tëra në luftën kundër okupatorit, madje babai i tij u burgos për aktivitet antifashist.
Myfiti, megjithëse në moshë fare i ri, që në shkurt 1944 u rreshtua në radhët e ushtrisë partizane në Brigadën e IV-të Sulmuese, si kuadër i kësaj brigade. Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist, me hapjen e Shkollës “Skënderbej” mbaron me rezultate të mira dy vite mësimore të kësaj shkolle dhe më pas mbaroi Shkollën e Lartë të Topografisë Ushtarake në Leningrad (ishBashkimi Sovjetik). Pas diplomimit u emërua në Degën e Topografisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Krahas detyrës së tij funksionale ai vazhdoi studimet dhe në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, në mbarim të të cilave u titullua “Inxhinier topograf”.
Ai ka kryer detyra të rëndësishme në Ushtri. Pasi u gradua N/toger u emërua kryetopograf, më vonë shef seksioni dhe N/kryetar Dege të Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Gjatë viteve 1952-1961 ka marrë pjesë në organizimin, projektimin dhe zbatimin në terren të të gjitha punimeve topogjeodezike për sigurimin topografik të Ushtrisë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Është bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/ 1954).
Nga viti 1961 deri në 1985 shërbeu në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (sot Akademia “Skënderbej”) si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, me gradë major. Gjatë kohës së mësimdhënies dhe drejtimit të katedrës në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Ing. Myfit Guxholli ka një aktivitet të pasur shkencor e pedagogjik.

OBVL Durrës uron kolonel Guxhollin në 90-vjetorin e ditëlindjes

Kryetari i OBVL, Dega Durrës Z.Genci Ballanca, i shpreh urimet më të përzemërta kolonel Myfit Guxhollit me rastin e 90-vjetorit të ditëlindjes së tij. Në mesazhin e urimit ai vlerëson kontributin e kol.Myfit Guxhollit si partizan me armë në dorë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare sidhe për organizimin e konsolidimin e ushtrisë shqiptare. Një vlerësim të veçantë z.Ballanca shpreh për rolin e kol.Guxhollit në krijimin, organizimin dhe drejtimin e OBVL-së, si ish-nënkryetar dhe tani si kryetar i kësaj organizate.
Me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës Z.Ilir Meta me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” kryetari i OBVL, kol.Myfit Guxholli ka marrë mesazhe urimi nga nënkryetari i OVLANÇ të Kosovës Z.Bashkim Hisari, nga kryetari i OBVL, Dega Shkodër, kol.Ali Demushi, nga studjuesi Xhemal Meçi - “Mjeshtër i Madh”, si dhe nga qindra nga veteranë e pasardhës nga të gjitha rrethet e vendit.





 





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes