l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

DOKUMENTARI

Lamtumirë Qerim Sula!


Nga Muharrem GJOKA
Nënkryetar i OBVL

Bilbilin e këngës popullore dibrane Qerim Sula e përcollëm për në botën e përtejme ashtu siç na e kishte lënë amanet: në Zall Dardhë, vendlindjen e tij, tek varret e të parëve. Qe vërtetë një ndarje e trishtë me mikun më të ngushtë, shokun e fëmijërisë e të gjithë jetës, Qerim Sula, të cilin me meritë Presidenti i Republikës e ka dekoruar me Titullin “Mjeshtër i Madh”.
Miqtë e përbashkët, Latif Miha e Defrim Methasani që treguan përkujdesje maksimale e interesim të vazhdueshëm tek mjekët kompetentë për t’ia zgjatur atij jetën, ishin me mua e të afërmit e tij në përcjelljen e arkivolit me trupin e pajetë të Qerimit nga Tirana për në Zall Dardhë, edhe atë të dielë të trishtë të 31 Majit 2020. E përcollëm me të gjitha nderimet siç e meritonte, madje edhe nën ritmin e këngës së tij hymn “Na k’nojn pushkët nëpër kulla”, siç na e kishte lënë amanet për ditën e ceremonisë së tij mortore. Ishte një përcjellje dinjitoze e njeriut legjendë, vdekjen e të cilit, edhe Presidenti i Republikës SHT Z.Ilir Meta e konsideroi një lajm trishtues për të gjithë vendin. Për vdekjen e mjeshtrit të këngës dibrane, një prej zërave më të spikatur të muzikës popullore shqiptare, këngët e të cilit do të kumbojnë përjetë në zemrat tona, si frymëzim për mbrojtjen e lirisë dhe sovranitetit të Atdheut, kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta është shprehur: “Ndarja nga jeta e rapsodit të shquar dibran dhe njërit prej zërave të spikatur të muzikës popullore shqiptare, Qerim Sula është një lajm trishtues. Këngët epike për trimërinë e dibranëve dhe hymnet e krenarisë kombëtare të interpretuara mjeshtërisht prej Tij do kumbojnë përjetë në zemrat tona, si frymëzim për mbrojtjen e lirisë dhe sovranitetit të Atdheut. Ngushëllime familjes Sula, artdashësve dhe të gjithë komunitetit dibran! Lamtumirë Mjeshtër!’.
...Një lamtumirë që ia dhanë atij me lotë në sy e dhimbje të thellë në zemër, qindra e mijëra shokë e miq nga Zall Dardha, Dibra e gjithë Shqipëria…. Jo vetëm ata që ishin të pranishëm në ceremoninë mortore, por edhe ata që shprehën ngushëllimet nëpër rrjetet sociale, brenda vendit e nga hapësira mbarëshqiptare në botë.
Qerim Sulën nuk e kemi më fizikisht mes nesh, por ai rron e do të rrojë në zemrat tona. Ashtu si edhe kënga e tij që do të jehojë e kumbojë fuqishëm në dasma e gëzime familjare, si dhe në veprimtari të ndryshme promovuese.
Qerim Sula e humbi betejën me jetën pas një sëmundje të rëndë. Ai mban titullin “Mjeshtër i Madh”. Këngëtari i këngëve epike dhe traditës u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare. Amaneti i tij qe “Më varrosni në Zall-Dardhë, aty ku linda”, dhe tani ai prehet i qetë pikërisht pranë të parëve të tij.
Qerim Sula lindi në 12 prill 1951. Edhe pse mbaroi shkollën mekanike, ai ishte i dashuruar dhe i përkushtuar për muzikën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zall Dardhës, ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”. Më 1978 bën prezantimin e parë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me këngën epike “Na knojn pushkët nër kulla”, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000.
Ai është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble, si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë. Ka kënduar në shumë skena të vendit por edhe jashtë shtetit, si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj.
Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kukësi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së Veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitete kombëtare. Ka realizuar dy albume me këngët më voluminoze dibrane.

Lamtumirë kushëriri im më i mirë!
U prefsh në paqe. Parajsa qoftë vendbanimi yt i përjetshëm!



 





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes