l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

ZBARKIMI I TRUPAVE TË NATO-s NË KOSOVË DATË HISTORIKE PËR SHQIPTARËT

NATO-ja i dha fund një konflikti të tmerrshëm në Kosovë

Nga Bashkim Hisari

21 vjet më parë, më 12 qershor 1999, forcat ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupat shumëkombëshe të KFOR-t i dhanë fund një konflikti të tmerrshëm në Kosovë. Por, në Kosovë, kjo datë, nuk ka statusin e festës zyrtare. Si zakonisht në Kosovë gjithëçka po polemizohet, pra edhe dita e lirisë dhe e çlirimit. Mospajtime dhe dilema ekzistojnë rreth asaj se cila është data e çlirimit: dita kur kapituloi Federata Jugosllave me aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, apo dita kur në Kosovë u zbarkuan trupat shumëkombëse të NATO-s bashkë me luftëtarët e Ushtris Çlirimtare të Kosovës (UÇK-s), ose dita kur nga Kosova u largua ushtari i fundit serb? Megjithëatë, për kosovarët, 12 qershori është ditë e veçantë, ditë e lirisë dhe e çlirimit. Datë historike për shkak se përfundoi periudha e gjatë që ishte shumë e vështir për popullin shqiptar të Kosovës i cili përjetoi krimet më mizore.
Në këtë periudhë, dhuna dhe terrori serb ndaj popullit shqiptar është manifestuar në mënyra të ndryshme. Ato kanë qenë të organizuara nga shteti me pjesmarrjen e formacioneve ushtarake, policore, paramilitare dhe nga një pjesë e serbëve lokal të cilët kanë vrarë shqiptarët duke mos kursyer fëmijë, gra dhe burra të moshuar.
Faktet për krimet e serbëve tregojnë se në Kosovë janë kryer rreth 400 masakra, janë vrarë 1.393 fëmijë shqiptarë,1.379 gra shqiptare dhe mbi 13.510 civilë. Kriminelët serb kanë zhvendosur kufomat, kanë plaçkitur, djegur shtëpitë dhe kanë shkatërruar pronën private e fetare. Llogaritet se rreth 20 mijë femra kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Dhunshëm nga Kosova janë dëbuar afro një milionë njerëz. Në varrezat masive në Batajnicë, Peruçac, Petrovo Selo, Rudnicë të Rashkës në Serbi janë gjetur trupat e viktimave shqiptarë. Mbi 1.600 persona janë ende të pagjetur.
Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi bëri hetime të plota të krimeve të luftës në Kosovë. Me akt-akuzën e Gjykatës kundër Slobodan Milosheviq, presidentit të ish Jugosllavisë dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë, ata u akuzuan për vrasje, persekutime dhe dëbime nga Kosova.
Përkundër kësaj, institucionet dhe liderët politikë në Kosovë, nuk janë angazhuar sa duhet që kriminelët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara. Në anën tjetër Serbia nuk pranonë se është përpjekur të kryej akte gjenocidi në Kosovë, nuk po i dënon kryesit e krimeve dhe asgjë nuk po bënë ta ndriçojë fatin e të pagjeturve dhe t’i riparojë dëmet e shkaktuara.
Pos fushatës 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, dhe luftës së UÇK-s kundër forcave ushtarako policore serbe, lirisë dhe çlirimit të Kosovës i kanë parapri edhe disa ngjarje të rëndësishme.
Më 9 qershor 1999, në qytetin e Kumanovës, u arrit marrëveshja e cila njihet si Marrëveshja ushtarako-teknike, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitulluar krimineli Sllobodan Millosheviq. Një ditë më pas, më 10 qershor, NATO pezulloi operacionet. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Në të njëjtën ditë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244 e cila përcaktoi statusin politik të Kosovës.
Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish - Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.
Por, që të arrihet kapitullimi i Serbisë dhe që të përmbyllet çlirimi dhe pavarësia e Kosovës kanë ndikuar edhe një varg ngjarjesh historike dhe veprime të mahershëme të cilat fatëkeqësisht jo rrallë nënvlersohen, minimizohen dhe relativizohen.
Pjesëmarrja e kosovarëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) që u zhvillua në kushte të vështira të eksploatimit shekullor të popullatës shqiptare, ka pasur një rol të veçant. Duke parë perspektivën e çlirimit, shqiptarët u inkuadruan që në fillim të luftës kundër fashizmit dhe bashkë me luftëtarët e Shqipërisë dhanë kontributin e tyre të madhë,

Me pjesëmarrjen e shqiptarëve në LANÇ u vendosën bërthamat e para të shtetësisë së Kosovës.

Konferenca e Pestë e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) që u zhvillua në tetor të vitit 1940 mori qëndrim që edhe Kosova të ketë pozitën e njëjtë juridiko shtetërore si krahinat tjera. Më vonë, kur u shtrua çështja kombëtare, funkcionari i lartë i PKJ, bashkëpunëtori më i afërt i Titos, njëri prej përpiluesëve të vendimeve të AVNOJ -it dhe Kushtetutës së RFPJ Mosha Pijade, theksoi se zhgjidhja e çështjes kombëtare mund të arrihet me “ formimin e republikës së Kosovës së lirë punëtore-fshatare, nëpërmjet përmbysjes revolucionare të regjimit serbomadh fashistoimperialist”. Këto qëndrime parimore patën ndikim vendimtar që në ndërdijen e masave të gjëra të depërton e vërteta jo vetëm se LANÇ është luftë për çlirimin e plotë kombëtar, por njëherit edhe për një shoqëri të re dhe përparim të ri shoqëror. Kjo ndikoi që të shtohet numri i njësive partizane të armatosuru dhe të themelohen organet e pushtetit popullor respektivisht bërthamat e para të pushtetit të ardhshëm të Kosovës. Rreth 53. kosovarë u përfshinë në LANÇ prej të cilëve mbi 6200 ranë dëshmor për lirinë e vendit. Shqiptarët ishin të bindur se në të ardhmen do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë në federatën e ardhshme Mirëpo, disa komunistë me orientim ekstremist, kërkuan me lënë mënjan këtë qëndrim. Në mbledhjen e parë e as në të dytën të KAÇKJ, shqiptarët – si popull i tretë në Jugosllavi – nuk u ftuan të marrin pjesë. Kosova nuk u përfshi si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi. Andaj, në Konferencën e Bujanit, u kundërshtuan vendimet AVNOJ -it dhe u diskutua për të ardhmen e Kosovës. Vendimi kryesor i Bujanit ishte nxitja e popullit shqiptar të Kosovës që të marrin pjesë bashkë në LANÇ dhe se ajo ishte luftë për të ardhmen e Kosovës për vetëvendosje.
Në Kosovë, gjatë luftës nacionalçlirimtare u krijuan zona të cilat kanë qenë nën kontrollin e këshillave nacionalçlirimtare dhe ato nuk kanë qenë nën komandën e Serbisë. Pikërisht nga kjo buron shtetësia e Kosovës sipas vullnetit të popullit.
Ndërhyrjes në Kosovë të forcave perëndimore që në atë kohë u quajt si “ndërhyrje humanitare” e që kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe, pak a shumë i kanë paraprirë edhe disa ngjarje tjera.
Në pranverë të vitit 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimua autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë, kurse popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidit. Në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës minatorët e “Trepçës” organizuan grevën që lëkundi themelet e ish Jugosllavisë.
Çlirimi dhe shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht edhe me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 e shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën.
Me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, iu hapë rruga veprimeve të mëtutjeshëm me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës.
Në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtatorit 1990, u shpall Republika e Kosovës. Një vjet më vonë u organizua Referendumi për Pavarësi, pastaj edhe zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës. Në atë kohë me rëndësi ishte edhe funkcionimi i institucioneve të Kosovës. Edhe pse ishte vetëm Republika e Shqipërisë që e njohi pavarësine Kosovës, Qeveria në egzil e mbante gjallë jetën institucionale të Kosovës.
Ngjarja më e rëndësishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishte 17 shkurti i viti 2008 Kosovës. Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme, atë ditë, në Prishtinë, duke u përgjegjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve, përfaqësuesit legjitim të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës të zgjedhur në mënyrë demokratike, njëzëri shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Në të njëjtën kohë qeveria serbe miratoi vendimin për anulimin e deklaratës për pavarësinë e Kosovës.

E vërteta e vdekur serbe për Kosovnë

Në Serbi e vërteta për Kosovën është e vdekur, ndonëse nuk ka ekzistuar kurrë. Vështir është që Serbia të gjejë mundësi për të tejkaluar arrogancën e habitshme të liderëve të saj politikë, karshi Kosovës të krijoj një politik të drejtë dhe të ketë vullnetin për të gjetur zgjidhje të pranueshme për shqiptarët dhe serbët, për dy shte fqinjë.
Mbi 100 shtete anëtare të OKB-së e njohën pavarësinë e Kosovës. Serbia e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar“. Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, se pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur Rezolutën 1244 si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK. Mirëpo, Serbia investon shumë që disa shtete të tërheqin vendimin e njohjes, dhe të bllokojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kosova i është përgjigjur duke futur taksa të larta për mallrat nga Serbia, të cilat tani janë shfuqizuar në mënyrë që të ofroj mundësi për dialog me Serbinë për të gjetur zgjidhje që është e përshtatshme për të dy palët.

Prezenca e NATO-s në Kosovë faktor i sigurisë në rajon
Dislokimi i trupave të NATO-s, 21 vjet më parë, nga populli i Kosovës cilësohet si ditë e veçantë, sepse gjithmonë sipas tyre, kujtohen emocionet që përjetonin derisa trupat e NATO-s hynin në Kosovë. NATO-ja me trupat e saj në Kosovë vazhdon misionin që mbetet i pandryshuar si faktor i domosdoshëm i stabilizimit për të ardhmen e Kosovës, për zhillim ekonomik dhe për sigurinë rajonale. Por, në Serbi, edhe pas 21 viteve mungojnë informata për vërasjet dhe varret masive të shqiptarëve të pafajshëm. Ato janë të panjohura për opinionin e gjerë serb sepse një pjesë e mirë e tyre nuk e dinë ose nuk dëshirojnë të dinë për këto krime. Gjatë gjithë kohës nga vitet kur në Kosovë u zbarkuan forcat e NATO-s e deri më sot, në Serbi ka mbizotruar ligji i heshtjes, sipas të cilit, askush nuk thotë asgjë, dhe të gjithë e dinë gjithçka. Sikur të gjithë të flisnin hapur, atëherë do të tregonin se duke luftuar për idenë e Serbisë së Madhe, Serbia okupoi dhe u grindë pothuaj me të gjitha republikat dhe krahinat e ish Jugosllavisë.
Sikur opinioni serb do të artikulonte sinqerisht këto ngjarje, duke filluar nga udhëheqësit politik e deri te mediat, atëherë do tregonin për dëbimet, vrasjet, përndjekjet politike, racore dhe fetare, për veprime ç’njerëzore, zhvendosjet me forcë, shfarosjet, torturat, burrgosjet e paligjshme, shkaktimet e vuajtjeve, përvetësimet e pronës, trajtimet mizore të civilëve shqiptarë, për plaçkitjet, shkatërrimet dhe dëmtimet e monumenteve historike, institucioneve arsimore, fetare...Sikur të kishte drejtës ata do të dënonin luftërat e turpshme të nacionalistëve të ushtrisë, policisë, paramilitarëve dhe forcave profashiste serbe. Dita e çlirimit të Kosovës do duhej të ishte ditë zie për Serbinë, ditë turpi dhe flamujt e tyre do duhej të ulet në gjysmë-shtizë. Ndaj, 12 qershori duhet të shërbej si ditë kujtimi për viktimat, sakrificat e shumë brezave, si ditë mirënohjeje ndaj NATO-s për ndihmën e saj për lirin e shqiptarëve dhe çlirimin e Kosovës, por të shërbej edhe si obligim për ndërtimin e një shoqërie demokratike.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes