l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

U NDA NGA JETA VETERANI DHE VEPRIMTARI I NDERUAR, ish themelues dhe krtyetar i Degës së OBVL Shijak


Lamtumirë Osman Xhindoli!

GENC BALLANCA

SHPENDI TOPOLLAJ

Para pak ditësh mbylli sytë përgjithmonë njëri nga shokët tanë më të mirë, biri i njërës nga familjet më të respektuara dhe atdhetare të Myzeqesë dhe qytetari i dashur për këdo i Shijakut, Osman Adem Xhindoli.
I lindur në 13 gusht të vitit 1926, duke ndjekur gjurmët e lavdishme të babait të tij, bashkëluftëtar i burrave të shquar si Ismail Qemali, Isa Buletini, Omer Vrioni, Aqif Pashë Elbasani, Osman Haxhiu, Avdi Bej Toptani, Murat Toptani, Besim Nuri e Beqir Sulo Agalliu me shokë, dhe pjesëmarrës i ngjarjeve me rëndësi historike për fatet e vendit, Osmani duke vazhduar traditat patriotike nga kishin kaluar të gjithë të afërmit të tij, pasi kreu shkollën Normale të Elbasanit, duke ndierë urrejtje të pakufishme për pushtuesit italianë, jo vetëm u përfshi në lëvizjen antifashiste dhe mori pjesë në demonstratat që organizoheshin, por edhe u bashkua me lëvizjen çlirimtare së bashku me nxënësit e tjerë, qysh nga muaji prill i vitit 1943. Fillimisht u inkuadrua si partizan në çetën që komandohej nga Petrit Hakani, dhe pas krijimit të batalioneve Dumreja dhe Shpati, u caktua në këtë të fundit, ku ishin dhe kuftëtarë të njohur si Ptoleme Xhuvani, Siri Kodra, Qemal Çela, Muharrem Dollaku, Agim Daiu etj. Ka marrë pjesë aktive në luftimet e Sulovës, Gorë - Oparit, Tomorricës, Përmetit, Vithkuqit etj. Dhe kur formacionet partizane forcohen, me krijimin e Brigadave të VII - të dhe IV - S, ai aktivitetin e tij e ka në Zonën Elbasan - Librazhd - Gramsh - Skrapar - Përmet - Kolonjë - Korçë. Kudo bije në sy trimëria dhe vendosmëria e tij dhe fill pas çlirimit të vendit, qëndron në radhët e ushtrisë me gradën toger. Porsa u formua Divizioni i V - të në Gjrokastër, me komandant Shefqet Peçin, atij i caktohet detyra e zëvendës komandantit të regjimentit të Artilerisë për Prapavijën në Gërhot. Duke punuar me mish e me shpirt, edhe pse me shumë mungesa e vështirësi, ai dhe kuadri komandues, arritën të krijojnë kushtet e nevojshme për një ushtri të rregullt, gjë për të cilën në vitin 1949, Osmanit jo vetëm i jepet grada kapiten, por edhe emërohet komandant i Grupit Autonom Kundërajror. Dy vjet më pas i jepet grada kapiten i Parë dhe i premtohet dërgimi për studime në Akademinë Ushtarake në ish Bashkimin Sovjetik. Por kjo nuk realizohet, pasi nis përndjekja ndaj tij; babanë, që nuk ishte kursyer për të ndihmuar lëvizjet përparimtare, e burgosin duke i kërkuar florinjtë dhe e mbajnë nën tortura për një vit e gjysmë, prej nga del në gjendje të mjerueshme. Vëllanë, Shefqetin, që kishte qenë partizan nga të parët dhe oficer në Regjimentin e Ndjekjes e dënojnë me 15 vite burg, kurse vëllanë tjetër arsimtar, e çojnë punëtor në Gurore. Kurrë nuk e mësoi pse ndodhi kjo goditje ndaj familjes së tij, por ai e lidh me nja dy arratisje të një kushëriri dhe nipit të tij. Goditja nuk kishte sesi të mos shkonte deri tek Osmani, të cilin në vitin 1954, me arrogancë e lirojnë nga ushtria, e përjashtojnë nga partia dhe e internojnë në fshatin Labënjë të Vlorës, ku kishin dërguar më parë gjithë familjen e tij. U harrua gjithçka kishin bërë e kishin dhënë ai dhe familja e tij për lirinë e Shqipërisë, duke u vënë krejt padrejtësisht damkën e armikut. Pesë vjet me radhë ata duke kryer punë nga më të rëndat nën vëzhgimin e paprerë të njerëzve të sigurimit, jetuan në mjerim, në një barakë me katrama.
Më pas i çojnë në Tërbuf dhe më vonë, me keqardhjen e Adil Çarçanit dhe Sadik Bocajt që ua njihnin meritat, Osmani vendoset në qytetin e Shijakut. Këtu nisi punën si punëtor Hekurudhë dhe tre vitete e fundit si punëtor krahu në ndërmarrjen Karro - Qerre. Shijaku ishte i njohur si vend për dërgimin e të ndëshkuarve, por këtu populli dinte t`i dallonte dhe trajtonte me dashamirësi të gjithë ata. Mjafton të kujtojmë se miku më i afërt i Osmanit, ishte Piktori i Merituar dhe intelektuali i mrekullueshëm i kësaj treve, i ndjeri Agim Faja. Sa herë do shkonim në Shijak te Agimi, aty do e gjenim edhe Osmanin. Osmani ishte njeri i urtë, i thjeshtë, i edukuar dhe veçanërisht i ndershëm. Ai, pasi doli në pension, së bashku me shokë të tjerë, si gjeneral Ernest Jakova, Hamit Berberi, Beqir Kau, Selim Gjipali etj. krijuan degën e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtarel. Në detyrat e ngarkuara si sekretar i kësaj dege dhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës Kombëtare, Osmani pati një kontribut të madh në veprimtari të ndryshme apo gjetjen e dokumenteve nëpër arkivat e shumë institucioneve për t`u dhënë atyre dhjetra e dhjetra burrave dhe grave statusin e veteranit të Luftës dhe shpërblimin që u takonte, sipas ligjeve të miratuara nga parlamenti demokratik, të cilin sistemi monist ua kishte mohuar. Dhe jo vetëm ata, por i madh e i vogël në Shijak e donin dhe respektonin Osman Xhindolin, pasi ai përherë u gjendej atyre pranë, si në gëzime, ashtu dhe në hidhërime. Janë të shumta nekrologjitë e mbajtura nga ai apo shkrimet e ndryshme që ka botuar në shtypin periodik e sidomos te gazeta “Veterani”, ku ka evidentuar vlerat dhe meritat e shumë shokëve që i ka njohur personalisht, duke dhënë kështu ndihmesën e tij për korrigjimin e historisë. Ka qenë kjo edhe arsyeja pse ai gëzonte miqësinë dhe dashurinë e Kryetarit tonë, Heroit të Popullit, gjeneral - leitnant Rrahman Parllakut. Për gjithësa ai dha për luftën Nacional - Çlirimtare, Kuvendi Popullor i ka akorduar disa urdhëra e medalje, si atë të Çlirimit, të Trimërisë, të Kujtimit, të Dhjetë Vjetroit të Çlirimit dhe Ylli i Kuq Partizan. Në vitet e demokracisë, duke parë punën e tij të palodhur, Presidenti i Republikës i ka dhënë dekoratën e lartë “Një jetë në shërbim të popullit dhe të Atdheut”. Po ashtu Osman Xhindoli është vlerësuar edhe me titullin veteran Nderi i Republikës së Shqipërisë. Ndaj ai do të mbesë i paharruar për këdo që e ka njohur.

OSMAN XHINDOLI, NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT

Ai rrjedh nga një familje me tradita atdhetare të hershme dhe të lidhur me LANÇ-in. Nga familja e tij dolën tre vëllezër partizanë: Seit, Shefqet dhe Osman Xhindoli, të cilët u inkuadruan në formacionet e para të njësive partizane. Vet Osmani, pas mbarimit të shkollës fillore në Imshtë në vitin 1936 nisi studimet në Normalen e Elbasanit, ku drejtues ishte profesor Aleksandër Xhuvani dhe pedagogë të tillë si: Simon Shuteriqi, Sul Demiri, Azem Stringa, Ali Hashorva etj. Në vitin 1943 iu përgjigj thirrjes së Atdheut për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist, së bashku me 97 studente të tjerë normalistë, të cilët ndërprenë studimet dhe dolën në mal.
U inkuadrua në batalionin “Shpati” sëbashku me Ptoleme Xhuvanin, Siri Kodrën, Muharrem Dallaku, Agim Daiun, etj. Ndeshjen e parë luftarak e bënë në fshatin Mollas të Sulovës me forcat fashisto-balliste, luftë kjo që zgjati mbi dy orë, gjersa forcat fashisto-balliste u tërhoqën. “Batalioni ynë,-tregon Osmani,-ka marrë pjesë në shumë luftime, si në: Gorë, Oparë, Lavdar, Tomorricë, Përmet, Vithkuq, Skrapar etj. Pranë zonat e Elbasanit, Librazhit, Gramshit dhe Përmetit”. Me krijimin e Brigadës 7-të Sulmuese në Therepel të Skraparit, morën pjesë në sigurimin dhe mbrojtjen e forcave partizane që u rreshtuan në këtë Brigadë. Osmani edhe në luftë, si dhe në bangat e shkollës ishte gjithnjë aktiv, ku u inkuadrua në radhët e Rinisë Komuniste me drejtues Tomorr Sinani dhe Ptoleme Xhuvani.
Pas çlirimit, Osmani u titullua oficer dhe iu dha grada toger. Ai caktohet intedent pranë Komandës së Përgjithshme në Tiranë. Në vitin 1945 transferohet në Gjirokastër me detyrën e Zv/komandantit të artilerisë, ku për punë shëmbullore merr disa vlerësime e shpërblime. Në vitin 1949 i jepet grada kapiten dhe caktohet komandant i grupit autonom kundërajror të Divizionit në Gjirokastër. Në vitin 1951 i jepet grada kapiten i parë dhe i premtohet një bursë studimi në Bashkimin Sovjetik, por që nuk u realizua pasi i burgoset i ati, për moskallzimin e florinjëve që dispononte. Iu dënua gjithashtu i vëllai, Shefqet Xhindole, partizan i orëve të para dhe oficer i regjimenti të ndjekjes në Elbasan, me 15 vjetë burg. Gjithashtu arratiset për në Greqi djali i dajës nga Berati, i quajtur Ilmi Allajbeu.
Edhe kushëriri i tij, Hazis Xhindoli u arratis në Greqi dhe prej andej në Amerikë. Pikërisht në vitin 1954 jeta e kapitenit të parë merr rrokullisjen. Ju hoqën në mënyrë demostrative spaletat dhe përjashtohet nga Partia, duke mos pyetur për luftën dhe sakrificat që bëri gjatë luftës partizane, në tërë ato luftime të rrezikshme me pushtuesit italian e gjerman, duke e detyruar të kthehej pranë familjes të internuar në Xhyherinë të Vlorës. Në maj të vitit 1959 familja fitoi të drejtën për t’u kthyer në Tiranë, duke u vendosur me banim në shtëpinë e djalit tjetër Seit Xhindoli, në lagjen “Ali Demi”. Një vit më vonë Osmani, bashkë me nënë Dekon, gruan e tij Liljanën (me të cilën ishin martuar gjatë kohës që ndodheshin në internim, ku kishin lindur dhe djalin e parë Arjanin) dëbohen për në Shijak, ku jeton dhe sot. Në Shijak, u punësuan burrë e grua në ndërmarrjen shtetërore të Hekurudhave Durrës, prej nga në vitin 1984 dola në pension.”


Ardhja e demokracisë si kudo solli në familjen e tij tjetër stinë. Së bashku me ish-partizanët: Eqerem Kuka, Ernest Jakova, Hamdi Berberi, Beqir Kau, Selim Gjipali etj, formuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it- dega e Shijakut, ku Osmani u zgjodh unanimisht sekretar i saj, si dhe anëtar i komitetit drejtues dhe anëtar i kryesisë së OBLV-së Durrës dhe në Tiranë. Osmani është nderuar nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekorata e medalje të ndryshme. Por veprimtaria e tij u vlerësua gjatë këtyre viteve të demokracisë nga Presidenti i Republikës, Zoti Alfred Moisiu, me dekoratën: veteran “Nderi i Republikës” me motivacionin: “Një jetë të tërë në shërbim të popullit dhe Atdheut”. Me rastin e 90-vjetorit, prezenca e fëmijëve e bëri më të këndëshme dhe gazmore darkën që u përkushtua për ditëlindjen e babait, të cilën e kaluan në harmoni, dashuri e gëzim të madh familjar, duke i uruar Osmanit të jetojë edhe shumë vite, por kurdoherë me këmbë e dorë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes