l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL


PETRIT R. OSMANI, SKËNDERBEGASI QË RA NË HIDROCENTRALIN E KOMANIT

SAKIP CAMI

Petrit Osmani lindi në vitin 1960 në Gjoricë të Dibrës. Mbasi mbaroi shkollën 8 vjeçare të Gjoricës me rezultate të shkëlqyera merr të drejtën për të studiuar në Shkollën e Mesme Ushtarake Skënderbej, shkollë që parapërgatit studentët që ndjekin Shkollën e lartë ushtarake dhe që dalin oficerë të Ushtrisë shqiptare. Petriti ishte rritur në një familje atdhetare. Babai i Petritit, Ramizi, kryetar i kooperativës bujqësore për dhjetra vjet kishte dalur që 15 vjeç partizan në Br. 18 Sulmuese. Ibrahim Osmani ishte pushkatuar nga fashistët italianë në Durrës në vitin 1943, ndërsa Zyberi ishte internuar nga fashistët në kampin e Beratit që në vitet 1939- 1940. Dhe Petriti dëshironte të ecte në gjurmët e të atit dhe të parardhësve të tij, por fati nuk e deshi që Petritit t’i realizohej dëshira për t’u bërë oficer.

Fill pas mbarimit të Shkollës së mesme “Skënderbej” ai së bashku me shokët e tij shkojnë për të kryer stazhin e punës në prodhim në Hidrocentralin e Komanit, vepër e madhe për prodhimin e energjisë elektrike. Ishte vetëm 19 vjeç, kur shkon në Komanin e largët dhe të panjohur për të punuar dhe përshpejtuar mbarimin e kësaj vepre që do të thoshte më shumë dritë për popullin, që vetëm në vitin 1975 kishte arritur të siguronte energjinë elektrike aq shumë të dëshiruar e të nevojshme. Ishte vetëm 19 vjeç dhe kishte shumë ëndrra.


E dashura e tij, Denisa, që shumë shpejt do të njihej edhe me familjen e tij, e telefononte shpesh dhe e porosiste që të bënte kujdes. Nëna Nete e kishte pikë të dobët djalin e vogël që rritej me uniformë ushtarake. Në një letër që i dërgonte familjes dhe prindërit në vitin 1979, ai i merrte me rradhë të gjithë pjesëtarët e familjes dhe i siguronte që ai ishte mirë, por kishte merak për ta. Unë jam mirë, shkruan ai, jam me shokët e mi të shkollës dhe të klasës.
Me 3 shtator 1979, kujton vëllai i madh i tij, Qemali, mjek stomatolog ishte biseda jonë e fundit në shtëpi në Gjoricë sepse ai u nis në drejtim të Komanit ku do të takoheshin i gjithë grupi i skënderbegasve që do të punonin në Koman. Edhe unë u nisa për në Tiranë, për në Fakultetin e mjekësisë. Rrugës deri në Tiranë e bëmë bashkë dhe ushqimet që na kishte përgatitur nëna i hëngrëm së bashku në një lokal te Farmacia Numër 10 pranë Fakultetit të mjekësisë. Takimi i fundit. Sikur na e ndjente zemra që nuk do të shiheshim më. U përqafuam fort dhe ai u nis në drejtim të Shkodrës e të Komanit. Vetëm një muaj më pas me 3 tetor 1979 ndodhi aksidenti në hidrocentral. Më lajmërojnë në dekanat dhe më thonë se duhet të nisesh për në Dibër. U nisa me një skodë kromi. Rrugës shihja një autokolonë ushtarake që vinte nga Shkodra dhe që shoqëronte një kortezh. E mora vesh kur po arrija pranë shtëpisë se ishte kortezhi i vëllait tim, Petritit. Petriti im, ai që e kishte emrin Petrit dhe që Petrit mbeti. Të gjithëve na ra si bombë kjo e papritur. Edhe babai ndodhej në një fshat të largët, edhe motrat Donika dhe Leftetria ndodheshin në aksionin për shkuljen e patateve në Klenjë. U shkul e gjithë ushtria dhe Shkolla “Skënderbej” në Gjoricë për të nderuar efektivin e saj, e gjithë Dibra nderoi heroin e ushtrisë dhe heroin e dritës.


Edhe sot sa herë hap çelësin e dritës elektrike në shtëpi apo kudo që hap një aparat me energji elektrike më shfaqet Petriti, shpirti i tij. Shpirti i tij u shëndrrua në dritë për të gjithë.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes