l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

REPORTAZH


“Ku ka rrjedhur, do pikojë”…
DJEMTЁ e PICARIT

Nga Maksim VINÇANI
Nënkryetar i OBVL

Përgjatë rrugës Tepelenë-Gjirokastër, në të djathtë,ndodhet një tabelë: “PICAR 4km”. Nëse do të shtyhesh nga kurioziteti e do të shkosh për një kafe në qendër të fshatit nuk do të shohësh njerëz, veҫ aty-këtu ndonjë të moshuar; të gjithë janë në punët e tyre. Me “punët e tyre” zakonisht kuptojmë punët personale, por në Picar, banorët, sidomos të rinjtë, ose “Djemtë e Picarit”, konsiderojnë të tilla dhe ato veprimtari të përbashkëta vetëdashëse (vullnetare) për përmirësimin e infrastrukturës dhe zbukurimin e fshatit, vepra këto me karakter civilizues. Kjo ka qënë një karakteristikë e banorëve të këtij fshati tejendanë, por kohët e fundit këto nisma kanë ardhur duke u rritur, duke shënuar një zhvillim të vrullshëm e të mirorganizuar. Për të veҫuar është fakti se, me disa përjashtime minimale, fondet nuk janë siguruar nga arka e shtetit, por nga kontributi personal i banorëve (përfshi ata që jetojnë në emigracion) dhe pa tjetër, projektet dhe sidomos puna janë krejtësisht vullnetare. Një komision i zgjedhur “fshatҫe” organizon punën dhe administron në mënyrë efektive dhe me trasnparencë të ardhurat e grumbulluara. Punët që do të kryhen janë si rezultat i konsultimeve dhe vendimeve të komunitetit, kritere këto që të kujtojnë funksionimin e dikurshëm të shoqërisë në lashtësi, por dhe si shembull tregues i vetadministrimit lokal, demokratik të kohëve moderne. Kështu, në Picar mund të përmënden disa vepra të tilla, si: Rruga e Varrezave, mbjellja e 100 rrepëve dhe 40 pemëve dekorative, mini fusha e futbollit, ҫezma “Gurra e Picarit”, këndi i lojrave për fëmijë, etj. Janë në proҫes punimet për sistemimin e ujrave dhe përcjelljen me tubacion tek burimi i quajtur “Mëma”, si dhe janë planifikuar mjaft të tjera. Ndërkohë, fshati ka nevojë të domosdoshme për disa investime që e tejkalojnë mundësinë dhe dashamirësinë e vetë banorëve. Këto janë, jo detyrë, por detyrim, bile “detyrim me përcaktim” për pushtetin vendor apo qendror ndaj votuesve taksapagues dhe jo si “dhurata elektorale” e aq më pak si premtime elektorale, të cilat, jo rrallë harrohen mbas votimeve. Të tilla janë disa kërkesa funksionale-elementare, e jo luksi, si përshembull: Rrugët e qarkullimt të brëndëshëm, kanale vaditëse, vatra e kulturës, përmirësimi i rrjetit elektrik difektoz, kosha për mbeturinat, ndriҫimi brënda fshatit dhe furnizimi me ujë të pijshëm... Të tilla probleme ka dhe në mjaft fshatra të tjerë apo qendra të banuara të vendit, temë e madhe kjo për diskutim, që në këtë rast nuk është objekt i këtij reportazhi.


Organizata e Bashkuar e Veteranëve (OBVL), e cila ka në themel të misionit të saj evidentimin, mbrojtjen dhe propagandimin vlerave të trashëgimnisë patriotike të popullit tonë, përgëzon banorët e Picarit dhe veҫanërisht rininë, (ndryshe “Djemtë e Picarit”) për këto vepra, duke i vlerësuar këto si një veprimtari patriotike me arsyetimin se: “Me patriotizëm, në kuptimin e thjeshtë popullor, konceptohen qëndrimet dhe veprimet që i shërbejnë mbrojtjes së lirisë dhe përparimit e mirëqënjes së Atdheut; të cilat burojnë e frymëzohen nga dashuria e vetvetishme për vendlindjen tonë, për vendin e origjinës të të parëve tanë”... Karakteristikë është se kontribute të tilla kemi dhe në mjaft fshatra të tjera të Shqipërisë, por duke i bërë jehonë rastit të Picarit duam të inkurajojmë dhe banorët, sidomos rinine e të gjithë fshatrave tanë që të ndjekin këtë shembull. Është detyrë e organeve të pushtetit lokal që të këmbëngulin pranë qeverive për të siguruar fonde, jo vetëm për disa rrugë kryesore të zonave të caktuara (të cilat nganjëherë bëhen me qëllime propogandistike, për vota), por edhe për vepra të vogla në dukje, por të rëndësishme nga pikpamja e lehtësimit dhe zbukurimit të jetës së fshatarëve. Këto, veҫ anës praktike për përmirësimin e kushteve të jetesës, kanë një influencë pozitive në nxitjen e ndjenjës së dëshirës për të jetuar në fshatrat tona, që u braktisën në masë si rezultat i lëvizjeve drejt qendrave të mëdhaja urbane apo jashtë shtetit..... Shumë prekës dhe domethënës është mesazhi i Djemve të Picarit: “Ju lutemi! Përkushtohuni fshatit tonë, sa nuk është vonë. Jeta jonë është këtu. Ne vazhdojmë të ndërtojmë me mish e shpirt për këtë fshat, por janë shumë dhe këto që ne po bëjmë”....


Edhe në kohët e kaluara ka qënë prezente tradita e punëve me kontributin e vetë banorëve të mjaft fshatrave të vendit tone, ku një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe të emigruarit, e për këtë mund të sillen mjaft shembuj. Por e veҫanta e Picarit qëndron në faktin se edhe ne të kaluarën e largët, këtu ka qënë e zhvilluar kjo traditë. Sikundër dihet, nga ky fshat ka qënë i famshmi Ҫelo Picari, i cili përveҫ veprimtarisë patriotike, ka lënë gjurmët e tij dhe në organizimin e disa punime me karakter civilizues në shërbim të fshatit, të ndërtuara nga vetë banorët. I tillë ishte dhe ndërtimi i një rruge me kalldrëm rreth 4 km që lidhte fshatin me rrugën kryesore, ku një pjesë ka rezistuar deri më sot ( mos harrojmë se bëhet fjalë për rreth 170 vjet përpara). Nga mongrafia e Picariotit Mete Peҫi, ”Kapedan Ҫelo Picari –Bota e Guximtarëve”, lexojmë: “....Kalldrëmi ishte rreth 3-4 metra i gjërë dhe u ndërtua në një terren malor nga 200 deri 900 metra lartësi mbi nivelin e detit..... Gjurmët e kalldrëmit duken edhe sot....” Pra, këto tradita të të parëve vazhdohen edhe më vone në këtë fshat dhe sidomos kohët e fundit, ku gjithë djemtë e fshatit kontribuojnë ekonomikisht e fizikisht për të mirën e përbashkët; si një bashkësi që e vlen të merret si shembull. Do të ishte e pa vend të përmëndnim emra të veҫantë. Merita është e gjithë banorëve që kanë edukuar bijtë e tyre,” ku ka rrjedhur,do pikojë“. Ta gëzoni fshatin tuaj, o Djem të Picarit!






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes