l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Edhe në Kosovë, u shënua 75 vjetori e fitores së Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore


Mahmut Bakalli, i pari shqiptar që qeverisi Kosovën në mënyrë autonome

Nga Bashkim Hisari

Më 9 maj, si në tërë Evropën ashtu edhe në Kosovë, u shënua 75 vjetori e fitores së Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore dhe fillimi i krijimit të Bashkimit Evropian, pesë vjet më von. Për shkak të pandemisë COVID 19, sivjet u ndërpre tradita e kremtimeve të kësaj date që për shqiptarët është më shumë se fitorja dhe një datë simbolike.
Kjo ngjarje kaq madhore në historinë e shqiptarëve, sivjet u përkujtua me modesti. Me krenari u nderuan të gjithë ata që u renditën me dinjitet në krahun e fitores botërore ndaj nazifashizmit.
Veteranët e LANÇ nga Kosova dhe Shqipëria dhanë ndihmë të madhe në këtë fitore. Që nga fillimi i LANÇ në Kosovë, njësitë e para partizane të udhëhequra nga komandanti i tyre Fadil Hoxha, e dinin se çfarë i priste në atë luftë. Në saje të vendosmërisë dhe qëllimeve të qarta ia dolën të mobilizojnë masat, të masovizojnë radhët e veta me rreth 53 mijë luftëtarë prej të cilëve mbi 6.200 flijuan jetën për liri.
Menjëherë pas luftës u formuan organet revolucionare demokratike të pushtetit dhe organet e tyre përfaqësuese që mbështetnin qëllimet themelore liridashëshe të luftës dhe vizionin për vetëvendosje që ishte e pranishnme nga fillimi i luftës. Luftëtarët që sollën fitoren e lavdishme mbi fashizmin, arritën rezultate të para në të gjitha sferat e jetës shoqërore, ekonomike e kulturore. Veteranët e luftës zellshëm punuan që të sigurojnë kuadro të reja të cilët u vurën në shërbim për ngritjen e standardit jetësor, të arsimit e kulturës.
Në jetën politika u aftësuan shumë personalitete të cilët u angazhuan në ndërtimin e marrëdhënieve demokratike dhe për të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Ndaj, kjo datë e rëndësishme historike, është rast i mirë që të përkujtohen edhe figurat të cilët pas

LDB me përkushtim u angazhuan në proceset e zhvillimit dhe avansimit të statusit të Kosovës dhe krijimit të bazës për realizimin e endërrës shekullore të shqiptarëve për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Njëri prej figurave që u dallua me cilësi të larta politike, humane e njerëzore në këto procese dhe që gëzonte respektin e qytetarëve ishte Mahmut Bakalli. Populli i Kosovës vazhdimisht nderoi dhe shprehi mirënjohje e respekt për figurën dhe veprën e tij në zhvillimin e mendimit politik, historik e kulturor të shqiptarëve në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas pavarësisë së Kosovës.
E gjithë jeta e Mahmut Bakallit kaloi nëpër shtigje me shumë vështirësi ku pati ulje dhe ngritje të fuqishme. Ai radhitet ndër politikanët më të mire dhe më të njohur të politikës Kosovare që iu bashkua kauzës së luftës për lirin e popullit shqiptar dhe për pavarësinë e Kosovës. Ishte politikan me karierë dhe eksperiencë të gjatë, pjesëmarrës në shumë zhvillime politike në periudha të ndryshme dhe i pari shqiptar i cili qeverisi Kosovën në mënyrë autonome afro 10 vjet.
Mahmut Bakalli shkollimin e mesëm e kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin e shkencave politike në Beograd. Punoi si pedagog në Universitetin e Prishtinës. Ishte kryetar i rinisë në Prizren, në Prishtinë dhe kryetar i rinisë së Kosovës, kryetar i Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, anëtari më i ri në moshë në Kryesinë e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë nga viti 1971 deri më 1981 dhe një ndër të preferuarit e Titos. Kjo dhe momenti politik në Jugosllavi ndihmuan që të realizoi autonominë e Kosovës brenda federatës jugosllave. Kërkoi statusin e republikës por nuk arriti dot të realizoj.
Më vitin 1974 Kosova e mori statusin e Krahinës autonome, aprovoi një kushtetutë liberale dhe filloi ndërtimin e strukturave shtetërore të pavarura. Kosova me këtë Kushtetutë quhej Krahina autonome por fare mirë mund të quhej edhe shteti i Kosovës.
Me miratimin e Kushtetutës së vitit 1974, Kosova fitoi të drejtën e përfaqësimit në të gjithë organet e administratës dhe të pushtetit ekzekutiv dhe kishte të drejtën e vetos në Federatën e atëhershme jugosllave, sikurse gjashtë njësitë tjera federale. Kuadrot e Kosovës kanë patur funksione më të larta në Federatën jugosllave. Pa Kuvendin e Kosovës nuk ka mundur të aprovohet asnjë vendim që kishte me qenë i rëndësishëm për sistemin jugosllav në përgjithësi.
Efektet pozitive politike dukeshin qartë në të gjitha sferat e jetës. Arsimi, kultura, ekonomia, industria, shëndetësia, tregtia u bënë prioritet kryesor të zhvillimit. Veprimtaria informative përjetoi ekspanision. Filloi emetimi i programit të Televizionit të Prishtinës. Në veprimtarinë botuese, përveç botimeve të librave në gjuhën shqipe, filluan të botohen edhe përkthime të autorëve të huaj. Krijimtaria artistike mori hov. Veprat nga lëmia e letërsisë, pikturës, muzikës, kinematografisë, filluan të tejkolojnë nivelin lokal. U krijuan kushte të volitshme për bashkëpunim me Shqipërinë në fushën e arsimit dhe kulturës. Në Prizren, në mënyrë madhështore u festua 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Filloi të zbatohet gjuha e njësuar letrare shqipe me standarde të përbashkëta me atë të shqiptarëve në Shqipëri dhe kjo u bë udhërrëfyese për punën e qindra mësuesve të shqipes, studiuesve të saj, për nxënësit dhe studentët, institucionet dhe mediat. Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin mbi punën shkencore-kërkimore dhe në bazë të këtij ligji, Enti i Historisë u ngrit në Institut. Në organet e Federatës dhe diplomacisë jugosllave u emëruan edhe kuadrot shqiptarë. Kufiri që ndante Kosovën prej Shqipërisë ishte më shumë ideologjiok se sa ndërshtetëror. Në këto rrethana, Mahmut Bakalli ishte i pari shqiptar i cili pati fat të drejtoj pothuaj shtetin e pavarur të Kosovës.
Megjithëatë, në kohën kur Kosova ishte bërë faktor në federatën Jugosllave, Mahmut Bakalli kërkonte që Kosova të pavarësohet. Ai, me delegacionin e Kosovës kishin shkuar në Beograd ku në Beli Dvor (Pallati mbretëror), ishin takuar me Titon ku kishin biseduar 4 orë me të dhe kishin marrë përkrahjen e tij për atë që bëhej në Kosovë. Por, jo edhe kërkesat e delegacionit që Kosova të udhëheqë vetë financat, bankat, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, kulturën, shërbimin sekret …pra, të ndahet prej Serbisë. Tito ishte përgjegjur se e di cilat janë synimet e shqiptarëve dhe se i kupton ato, por se nuk është në gjendje të japë përkrahje që Kosova të ndahet plotësisht prej Serbisë. Megjithatë, kishte thënë që të gjitha propozimet të shkruhen për Kushtetutën e re. Delegacioni kishte bërë një raport për këtë vizitë që ishte prezantuar në Komitetin Krahinor. Kuadrot serbe në Komitetin Krahinor, këtë raport dhe vizitën e delegacionit e kishin vlerësuar të pavlefshëm me arsyetim se në biseda me Titon nuk ka marrë pjesë dikush nga Serbia.

Mahmut Bakalli-Titos: “Ne duam Republikë”

Në një takim tjetër te Tito, në vitin 1974 në Brione, Mahmut Bakalli kishte thënë: “Duam të kemi sa më pak apo fare lidhje me Serbinë dhe ekziston synimi që Kosova të jetë Republikë”, por Tito kishte pyetur: -Ç’ka ju duhet republika?
Duke folur për media lidhur me këto kërkesa, Mahmut Bakalli tha se fillimi i diskutimeve rreth amendamenteve në Kushtetutën e atëhershme në vitin 1971, ka qenë fillimi i avancimit të Kosovës dhe se aty ka filluar procesi i ndarjes së Kosovës nga Serbia. Ai përkujtoi bisedën që kishte zhvilluar me Titon:
–Tito më pyeti a je i kënaqur me diskutimet që po bëhen për Kushtetutën e 74-ës. Unë i thashë po, por kemi pengesa mjaft të mëdha.
Ai më pyeti: mirë, por a po më tregon pse ju duhet juve Republika? Unë i thashë se ne faktikisht jemi të gjithë për Republikën e Kosovës.
Tito më tha e çka ju nevojitet Republika?
I thashë se ne duhet të sundojmë me ekonomi, me kulturë, me polici, me arsim, me politikë të jashtme me mbrojtjen territoriale.
Ai ma tha: –Krejt ç’ka i the, dhe ato që nuk i ke thanë thuaj komisionit tënd le t’i paraqet si kërkesë.
I thashë por ato kërkesa janë për Republikë, a je ti që ne te jemi për Republikë, ai thotë: –Jo se do të hynim në telashe të mëdha me shovinizmin serb.
Kur udhëheqja serbe synonte që të rihapte në nivel të ish-federatës jugosllave diskutimet për heqjen e autonomisë së Kosovës që ishte siguruar me Kushtetutën e vitit 1974, Mahmut Bakalli bashkë me polikanët tjerë shqiptarë të Kosovës Fadil Hoxha, Kol Shiroka, Xhavid Nimani etj., shprehën indinjatën dhe u deklaruan kundër kësaj forme të presionit me qëllime ekspansioniste serbe ndaj Kosovës, dhe kërkuan përgjegjësinë e iniciatorëve për ndryshime kushtetuese.
Lidhur me pretendimet serbomëdha dhe hogjemoniste të shprehura në “Librin e Kaltërt”, udhëheqësit e Kosovës, Mahmut Bakalli bashkë me Fadil Hoxhën dhe Xhavit Nimani, kishin biseduar me personin e dytë politik në ish Jugosllavi, Edvard Kardel. Atij i kishin prezantuar qartë qëndrimet e udhëheqjes së atëhershme të Kosovës duke shprehur indinjatën për formën e presionit dhe për qëllimet ekspansioniste serbe ndaj Kosovës. Ata kishin arritur ta bindin Kardelin se kërkesat e Serbisë për revidim të Kushtetutës së vitit 1974 të Kosovës janë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme për popullin e Kosovës.
Mahmut Bakalli me fakte të padiskutueshme, kritikonte ashpër pushtetin serb i cili me vendime jokushtetuese dhe me veprime të dhunës, shfuqizoi Autonominë dhe integritetin e Kosovës, suprimoi Kuvendin dhe të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës dhe instaloi pushtetin e vet okupues, i cili përdori masat drakonike represive ndaj popullit shqiptar, me vrasje, rrahje dhe tortura brutale, burgosje masive, gjykime të montuara politike etj.
Për Mahmut Bakallin, kusht që shqiptarët e Kosovës, t’i jetësojnë të drejtat e tyre, ishte Kosova të jetë e pavarur si Republikë, sepse sundimi i Serbisë mbi Kosovën nënkuptonte robërim për kombin shqiptar, i cili shpie kah gjenocidi kombëtar, rrezik i cili për popullin shqiptar nuk është vetëm hipotetik, apo vetëm virtuel, por real. Prandaj, ai vlersonte se ngelja e rreth dy milionë shqiptarëve të Kosovës nën sundimin e Serbisë, apo çfarëdo lloj autonomie nën sundimin e Serbisë, nuk mund të sigurojë lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe njerëzor të shqiptarëve. Të gjitha këto çështje të hapura të pozitës së kombit shqiptarë sipas tij duhej dhe mund të zgjidheshin me metoda paqësore, me negociata dhe dialog politike mes palës shqiptare dhe asaj serbe, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

Mospajtime me qëndrimet e Kryesisë së KQ të LKJ-së lidhur me demostrat e viti 1981

Kur u shfaqën shkënditë dhe tronditjet më serioze në një zinxhir mbi mllefin e akumuluar prej vitesh, më vitin 1981 kur shpërtheu revolta e studentëve shqiptarë në Prishtinë.
Udhëheqja kosovare ishte kundër ndërhyrjes të forcave policore ushtarake jugoslave. Mahmut Bakalli që atëherë ishte kryetari i Komitetit Krahinor të LK në Kosovë pat deklaruar: –”Unë dhe Xhavid Nimani që ishte kryetar i Kryesisë së Kosovës, ishim tepër deçidiv që ata mos të ndërhyjnë, thamë se nuk kanë çfarë të kërkojnë në Kosovë... problemet i zgjidhim ne... ndërhyrja do ishte shkelje e parimeve kushtetuese... mirëpo, ata ndërhyrën ilegalisht pa lejen tonë... në radhët e tyre kanë qenë të involvuar edhe forcat tjera ilegale staliniste të finacuara nga jashtë”.
Pas shpërthimit të demonstratave studentore-gjithëpopullore në tërë Kosovën, gjatë vitit 1981, Mahmut Bakalli shprehu mospajtime me qëndrimet e Kryesisë së KQ të LKJ-së lidhur me shpërthimin e demostratave studentore -gjithëpopullore në tërë Kosovën dhe dha dorëheqje nga funksionet politike-partiake. Me këtë veprim ai u distancua nga programet dhe aktivitetet për implementimin e strategjisë së LKJ-së, serbo-komuniste, për Kosovën dhe qëndrroi për shumë vjet i mbyllur në shtëpinë e tij deri në vitin 1991.
Kur çështja e pavarësisë së Kosovës u vu në rend të ditës, Mahmut Bakalli nisi aktivitetin intensiv. Si këshilltar i Rugovës ai theksonte se mbrojtja e mirëfilltë e të drejtave dhe e lirive të njeriut në Kosovë duhet të jetë e drejta e tij për vetëvendosje, deklarimi demokratik plebishitar i popullit shqiptar për republikën e pavarur dhe neutrale të Kosovës.
Gjatë viteve vijuese, Mahmut Bakalli është pjesëmarrës i denjë, si politikolog dhe intelektual, në jetën dhe zhvillimet politike-publike brënda dhe jashtë Kosovës, si strateg dhe mbështetës i zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe, në veçanti, të Kosovës në Ballkan.
Në vitin 1998 bashkë me Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin, Veton Surroin, Rexhep Qosjen etj., ishte që në Rambuje negocoi me Millosheviqin për të ardhmen e Kosovës,
Gjatë viteve 2001-2004 ishte deputet i AAK-së, i përbërjes së parë pas luftës, në Kuvendin e Kosovës. Në ndërkohë, pas zgjedhjeve të dyta qendrore në Kosovë, me formimin e Qeverisë së koalicionit LDK-AAK, ishte këshilltar politik i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, poashtu edhe këshilltar politik i ish kryeministrit Bajram Kosumi.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes