l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

NJË PËRGJITHËSIM ARTISTIK ORIGJINAL TRADICIONAL SHQIPTAR


KUVENDI I KRESHNIKËVE NË TROJET ARBËRORE

Xhemal MEÇI,
Studiues & “Mjeshtër i Madh”


EPOSI YNË HEROIK, KUVENDI I KRESHNIKËVE , i përcjellë në shekuj nga breza rapsodësh në ato vise ARBËRORE,shqiptare, ku KUVENDI ishte organi më i lartë LEGJISLATIV dhe EKZEKUTIV në organizimin e tërë jetës së vendit, sigurisht që është ndikuar në këtë drejtim, aq sa ky ndikim është përcaktues sepse, në një truall të tillë ruajtjeje, sadoqë roli që lot KUVENDI në jetën e kreshnikëve, jepet disi i zbehtë; por kjo zbehtësi e KUVENDIT vjen si rrjedhim i veçorive historike të eposit tonë heroik, nga që është parë nga një kënd i ngushtë vështrimi. Është parë i tillë nga që është në funksion të zbulimit të aftësive dhe forcës së protagonistit, duke i shërbyer këtij si pikënisje për ndërmarrje luftarake kolektive e individuale në çetime e dyluftime me antagonistin e palës kundërshtare barbare tepër armiqësore sllave. Siç do ta shohim te këngët “Omeri i ri” e “Basho Jona”. Në to tregohet se kreshnikët janë mbledhur në Kuvend për të shqyrtuar kërkesën e Plakut të Moçëm dhe të plakut Basho Jona, të cilët kërkojnë ndihmë kundër kundërshtarëve që po i grabisin dhe po u cenojnë nderin. Kuvendi i Kreshnikëve i dëgjon me vëmendje dhe vendos duke mos ua plotësuar kërkesat. (Kjo gjë bëhet për çështje artistike, për të treguar vetitë e jashtëzakonshme të Omerit të Ri, çikës së Plakut të Moçëm, që arrin me zgjuarsinë dhe trimërinë e saj të dalë fituese mbi të gjitha pengesat dhe të vrasë bajlozin e zi. Kurse në rastin tjetër i jep shkas Mujit të tregojë forcën e tij gjatë luftimit me antagonistin e fortë sllav, (Behurin).
Në KUVEND del qartë roli mbrojtës i çetës së KRESHNIKËVE si mbi baza farefisnore, por edhe mbi lidhje më të gjera vendore, rrjedhojë e një tradite me mbrojtje fqinjësore krahinore e ndërkrahinore.
Kurse te kënga “Muji dhe Behuri” kemi një Kuvend të Kreshnikëve ku rrahet plot shqetësim çështja e ruajtjes së unitetit të çetës. Kërkesa e padrejtë e plakut Dizdar Osman Aga për ndarjen e çetave dhe kundërshtimi i Mujit, që shprehte dëshirën e të gjithëve, merr formën e një Kuvendi plot debat për ruajtjen e unitetit të çetave. Më në fund, kreshnikët e çetës simotër, i binden plakut Dizdar Osman Agës për ndarjen e çetave vetëm e vetëm nga detyra që kanë ata ndaj prijësit të tyre, gjë që flet në dobi të një tradite të krijuar më parë.
Kënga “Halili merr gjakun e Mujit” jep pamjen e një Kuvendi, ku rrahet çështja e organizimit të çetimit. Muji në mungesë të tij dërgon Halilin, të cilin njëri nga rivalët e fyen para Kuvendit të kreshnikëve duke e paraqitur si të paaftë për drejtimin e çetës. Halili, sado i zemëruar shumë nga kjo, e përmban veten, se “Nuk hjek kurrë burrni në log të kuvendit m’u pre!”. Ky qëndrim i Halilit tregon se kjo normë (dokesore) zakonore është rrënjosur thellë në ndërgjegjen e malësorëve dhe është kthyer në virtyt si një nga traditat e mira të popullit tonë.


Në një këngë tjetër, “Omeri prej Mujit”, ku Omeri nga bedenat e kullës dallon diçka të bardhë në Fushë të Jutbinës. E ëma i tregon se ata janë Kreshnikët në Kuvend, që “për gjithë ditë qaty qi m’bashkohen” ( në kuvend). Omeri, s i i vesh rrobat e bukura të Halilit dhe ngjesh armët e tij, shkon në Kuvend te Kreshnikët, ku merr përsipër dyluftimin me bajlozin e dalë nga deti. I prekur në sedër prej njërit nga rivalët e Mujit, vendos të sulmojë në Kotorre për të liruar babë e mixhë nga burgu i shkjeve. Këtu zë filli i bëmave të lavdishme të Omerit 7-vjeçar.
Mbledhja e çetës, KUVENDI edhe në mungesë të Mujit, prijësit të saj, tregon faktin shumë të rëndësishëm se është KUVENDI i Kreshnikëve ai që drejton dhe mban të organizuar çetën, sepse roli i KUVENDIT është i madh në këtë drejtim për vetë traditën e krijuar kohë më parë. Gjithashtu, siç e shohim në pjesëmarrjen e trashëgimtarit të Mujit, Omerit, kjo traditë do të vazhdojë edhe më pas në brezat e ardhshëm.
Përveç këtyre Kuvendeve të zakonshme, eposi ynë heroik përmban edhe Kuvende të JASHTËZAKONSHME, të mbledhur me kushtrim në kuadrin e organizimit luftarak popullor të çetës. Kjo shihet qartë te kënga “Muji shpëton Talen”. Muji hip në bedena të kullës dhe “shpraz PUSHKËN HABERTARE”. Kreshnikët ngrihen nga dreka ku ishin ulur dhe vrapojnë për tek kulla e Mujit. Ky u shpjegon për Talen, shokun e tyre kreshnik, i cili na qenkësh zënë rob nga shkjetë dhe për turp të kreshnikëve është ende rob, por kreshnikët e VENDOSËN për ta çliruar menjëherë, me forcën e shpatës, duke çliruar Talen dhe nderuar veten.


Një Kuvend tjetër i jashtëzakonshëm, por me përmasa të mëdha ndërvisnore e dëgjojmë tek kënga “Martesa e djalit jabanxhi”. Në përgjigje të kushtrimit luftarak të dhënë nga bedenat e kullës së Mujit, “dymdhetmijë vetë...fill te Muji...kanë shkue...” Kur e shohin kullën të rrethuar nga krajli i shkjeve, e pyesin si të revoltuar, sepse i kishte tubuar pa nevojë të gjithë. MUEJI bën objekt Kuvendi martesën e çikës së Kurt Agës, që ishte nga trungu i tij, por penguar nga shkjau Burc Eleze Krajli, për marre të të gjithë kreshnikëve “skaj më skaj.” Prandaj Muji i kërkon KUVENDIT dy gjëra: e para: njëri prej kreshnikëve t’i dalë çikës për zot dhe ta marrë për grua, dhe, e dyta, martesën ta bëjnë menjëherë duke e shpenguar nga krajli me forcën e armëve të bashkuara. KUVENDI nuk vendosë dot, sepse tek kjo ndërmarrje kundër një krajli me forca shumë të mëdha dhe për një martesë mund të vinë pasoja shumë të rënda për vendin. Më në fund, vetëm një e treta i bashkohet çetës së MUJIT, kurse tri pjesë të tjera nuk i ndjekin pas, sepse jo vetëm që nuk duan të binë në kurthin e provokimeve të tilla të rrezikshme të antagonistit të palës kundërshtare sllave, por edhe se nuk shohin ndonji mundësi përfitimi plaçke. Kështu,ky vendim tregon karakterin demokratik të KUVENDIT dhe praninë e dy klasava brenda kreshnikëve. Klasa e herëshme feudale me interesa vetiake personale, që priret nga çetime kryesisht për plaçkë lufte.
Kurse klasa tjetër janë kreshnikët, që përfaqësojnë atë shtresë të hershme kalorësiake feudale, që të ballafaquar me trysnitë dhe grabitjet shkatërrimtare të asimiluesve sllavë, u lidhën ngushtë me interesat e vendit të vet dhe u bënë gardë e përhershme për një mbrojtje legjendare, gjë që i bëri popullorë ashtu siç do të bëhen më vonë( bile, shumë më tepër) nën drejtimin e Skënderbeut me dukagjinët, arianitët, muzakajt, golemët etj. që përjetësohen me krijime të bukura artistike me jehonë brenda e jashtë Atdheut në favor të unitetit ushtarak të çetës për këtë mbrojtje që është mbajtur qëndrim, i cili shprehet me figura kaq të fuqishme në epos, si mbështetje të rolit të çetës në përpjekje të saj për zgjidhjen dhe kapërcimin e këtyre kontradiktave, por sado që rritet e forcohet roli i saj me 30 a 300 kreshnikë agallarë, bile, deri në “dymdhet mijë luftëtarë”,me të cilët ruhet roli i Kuvendit si institut i lashtë tradicional, ku sigurohet uniteti e solidariteti, si dhe sovraniteti i popullit duke luftuar gjithnjë për ruajtjen e karakterit demokratik të KUVENDIT mbi bazën e bashkësisë së lirë fshatare, që ka vazhduar që nga kohët ilire e te arbërve vendas dhe deri te autonomia e krahinave malore si Organi kryesor mbrojtës në drejtimin ushtarak popullor të këtyre malësive.
Në EPOSIN HEROIK dallojmë edhe ndryshime në KUVENDIN e Kreshnikëve në raport me Kuvendin e mirëfilltë të malësive tona, si: Kuvendi i Kreshnikëve është KUVEND ÇETE luftëtarësh, pra, me karakter të theksuar ushtarak, për rrjedhim, me një tematikë më të kufizuar, por që zhvillohet në kushtet e një pavarësie të jashtme politike dhe me shtrirje mbi hapësira shumë të gjera gjeografike, ndryshe nga KUVENDI i mirëfilltë, i zhvilluar në kushtet e një autonomie të organizimit shoqëror- ekonomik dhe ushtarak popullor me shtrirje mbi hapësira të kufizuara e të copëzuara gjeografike, por me tematikë shumë më të gjerë shoqërore- ekonomike . Kështu që, ndryshimet nuk vërtetojnë praninë e kuvendeve krejt të veçantë.


Përkundrazi, vërtetojnë përshtatjet e këtij INSTITUTI TRADICIONAL me kushtet e ndryshuara ekonomiko - shoqërore dhe ushtarako- politike, duke vërtetuar kështu vazhdimësinë e tij SI NJË TRADITË dhe si një REALITET ARTISTIK ORIGJINAL SHQIPTAR.
Te rritja e forcimi i çetës së kreshnikëve dhe organizimi i saj gjithnjë më i përsosur, por gjithnjë në kuadrin e INSTITUTIT të KUVENDIT, “pasqyrohen,-siç thekson prof. Alfred UÇI, -marrëdhëniet e organizimit fillestar politik, të formacioneve” të forcave të armatosura të malësive tona. kUVENDET ndodh që të jenë edhe të rastësishëm. Siç është KUVENDI “ MARTESA E HALILIT” etj.
Duke gjurmuar për krahasim në EPOSIN BOSHNJAK dhe në atë KROATO-DALMATIN (Narodna pjese muslimana u Bosni e Hercegovini...-Drugo izdanie, Sarajevo, 1933 dhe përmbledhja e Vuk St Karadzic, Srpske narodne pjesme, III, Beograd, 1929) do të bindemi se aty nuk kemi KUVEND në kuptimin e një INSTITUTI si organi më i lartë në organizimin e kreshnikëve të PALËS SLLAVE, sado që në ndonjë subjekt thuhet se heronjtë “kuvendojnë”. Heronjtë e Eposit BOSHNJAK, po ashtu edhe ata kroato-dalmatinë, nuk zhvillojnë KUVENDE, por MBLEDHJE kreshnikësh, kapedanësh e agallarësh në MJEDISE BEJLLËKU , si: në bejllëkun e MUSTAFA BEGUT të Utbinës, bejllëkun e DIZDARIT etj., ku pijnë verë e birrë dhe “kuvendojnë”, të kryesuar nga BYLYGBYSHË, DIZDARË, ALLAJBEGË e KAPIDAN, që të gjithë me ofiqe zyrtare, që komunikojnë vërejtje, udhëzime, këshilla dhe URDHËRA etj. Në këto kushte të një organizimi shtetëror, ku heronjtë e eposit boshnjak, plot tituj e ndere, të veshur me funksione të theksuara të feudalizmit ushtarak SHTETËROR OSMAN , ku janë të varur, s’ka se si të veprojë INSTITUTI I KUVENDIT, veçse mbledhje ku jepen urdhra dhe merren masa për zbatimin e tyre në interes të fesë e të sulltanit, për të cilin përgjërohen e sakrifikohen me krenari e fanatizëm fetar. KREJT ndryshe nga KRESHNIKËT SHQIPTAR të një periudhe shumë të hershme, PARAOSMANE, të cilët, pa asnjë motiv fetar dhe ndërvarësi të huajsh, luftojnë plot lavdi legjendare kundër antagonistëve sllavë, me motive krejt tjera: nga që ata u shkatërrojnë kullat, u zaptojnë bjeshkët dhe u grabisin çikat e nuset dhe përpiqën derisa vetë kreshnikët t ’i dëbojnë nga trojet e tyre ose t’i zhdukin si persona dhe si etni.


Kështu vërtetohet plotësisht se KRESHNIKËT e këngëve tona legjendare, pavarësisht nga NDIKIMET e mëvonshme të bëra, si rezultat i sundimit të gjatë OSMAN, kur në fakt janë të një periudhe shumë të hershme ARBËRORE PARAOSMANE, dhe si të tillë dyluftimet dhe çetimet e tyre zhvillohen nën trysnitë sllave dhe kundër forcimit feudal sllav dhe saraqenët, “bajloza e zinj” (maurë), që shkaktojnë në trojet ARBËRORE dhunime e fatkeqësi shkatrrimtare.
Prandaj Kuvendi i Kreshnikëve na paraqet një nga anët më realiste të eposit tonë si origjinal, sadoqë i pasqyruar nëpërmjet një përgjithësimi artistik origjinal shqiptar.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes