l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në vitin 2010 Presidenti i Republikës e ka dekoruar me Urdhërin «Naim Frashëri i Art»



Shaqir Rexhvelaj, zë i spikatur i kulturës sonë kombëtare

Nga Halil RAMA

Një diplomë e datës 26 Dhjetor 1962, firmosur nga ish Drejtori i Radiotelevizionit Thanas Nano, me motivacionin «Për pjesëmarrje dhe kontribut të vlefshëm në Festivalin e Parë të Këngës në Radio » është treguesi më sinjifikativ i evidentimit para gjysmë shekulli të një zëri të spikatur të kulturës sonë kombëtare…
Ky vlerësim për Shaqir Rexhvelajn vinte pesë vite pas pjesëmarrjes së tij aktive në veprimtaritë e Festivalit Folklorik të Qarkut të Shkodrës...Shtypi i asaj kohe (30 qershor 1957), krahas kronikës së zhvillimit të festivalit folklorik të qarkut Shkodër, botonte edhe disa foto, midis të tjerave edhe atë të një djaloshi, vetëm 17 vjeç. Ishte Shaqir Saiti (Rexhvelaj), me zymare, nga Grizha Nr.2, rrethi i Koplikut, Malësi e Madhe. Jeta e një djaloshi të ri vetëm 17 vjeç, plot ëndrra e pasion për të ardhmen, ishte e natyrshme që të ndryshonte tërësisht.
Në këtë festival me pjesë të zgjedhura që u dhanë në sallën e teatrit të vjetër ”Migjeni”, në Shkodër, Shaqiri njeh për herë të parë Prof. Ramadan Sokolin, i cili ishte anëtar i jurisë, i caktuar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Ata kishin ardhur për të përcaktuar numra të zgjedhur që do të merrnin pjesë në Festivalin e Gjashtë Botëror të Rinisë e Studentëve, që do të zhvillohej në Moskë në muajt korrik–gusht 1957, ku spikati edhe 17-vjeçari Rexhvelaj.
Nga Qarku i Shkodrës juria kishte përzgjedhur katër veta si instrumentistë dhe rapsodë popullorë: Shaqir Saiti (Rexhvelaj), me zymare, nga Grizha Nr.2, rrethi i Koplikut, Malësi e Madhe; Tom Nikolla, këngëtar, rapsod i mrekullueshëm me një za të rrallë, me çifteli nga rrethi i Pukës; Gjin Shkoza, nga fshati Gomsiqe, rrethi Shkodër, mjeshtër i papërsëritshëm në interpretimin e melodive në çifteli (ai u jepte magji tingujve të çiftelisë së tij) dhe Gjergj Gega, fyelltar shumë i mirë nga fshati Kallmet, rrethi Lezhë.

Rrëfime brilante për një kohë të largët
Gjatë tre vjetëve, nga viti 1954 deri 1957, në mënyrë krejt intuitive, Rexhvelaj zhvilloi disa prirje artistike që kishte. Zoti i kishte falë një zë brilant dhe këndonte shumë bukur një këngë karakteristike që quhet “Kangë maje krahit”. Kjo kangë këndohej shumë ndër dasma dhe ditë festash. Ai rrëfen me nostalgji se si “Në odën e madhe të miqve, në dy anët e oxhakut, në njerën anë varej çiftja dhe në anën tjetër varej lahuta. Baba, Sait Bishja, qe një lahutar i shkëlqyer, por edhe një gjuetar shumë i mirë. Në odën e madhe të miqve, kur nuk ishte askush në shtëpi unë merrja lahutën i bija melodive që kisha ndigjue nga baba dhe kendoja me gjithë fuqinë e zanit sidomos një kangë që më pëlqente shumë, por edhe dukej sikur më përkiste vetëm mua. Ajo ishte “Kanga e Shaqir Grizhes”, nji ngjarje e vërtetë që i kushtohej këtij trimi, që e kishin rrethue “suharitë”, por edhe pse i vetëm e i kapun në befasi, kishte luftue pa ja ba syri “terr” tue ça rrethimin. Në netët e gjata të dimrit, baba pothuaj çdo natë mbas darke, pranë oxhakut në odën e miqve, për rreth një orë e më shumë këndonte rregullisht rapsodi nga cikli i “Mujit e i Halilit” dhe kangë të tjera trimnie si kangë për Gjergj Elez Alinë, për Oso Kuken e për gjithë trimnitë e “Lahutës së Malësisë” të poetit tonë kombëtar Gjergj Fishta , por edhe rapsodi të tjera. Baba do ta niste kangën në lahutë gjithmonë me vargjet: “Merre i herë Kaçel Lahutën/ e na e thuej nji kangë shqiptare/ S’mbajm na Zi, pa na qitë faret......”.

Nga llogaritar i kooperativës “Kim Ir Sen”, në Moskë si artist
Në fund të muajit mars 1957 Kooperativës bujqësore Grizhë iu vu një emër shumë i çuditshëm “Kim Ir Sen”, Grizhë. Ky ishte emri i kryetarit të Partisë Komuniste të Koresë së Veriut. Atëherë ishte bërë si modë që të vendoseshin për emërtesa të institucioneve të reja emrat e kryetarëve të shteteve komuniste të kampit socialist. Asambleja zgjodhi kryesinë e kooperativës si dhe përgjegjësit e sektorëve. Kryetar i kooperativës u emërua nga Komiteti Ekzekutiv i K P të Qarkut Shkodër një ekonomist që quhej Met Metani. Llogaritar të kooperatives (përkohësisht) caktuan Shaqir Sait Rexhvelajn, që në atë kohë ishte më i shkolluari i fshatit.
Në një nga ditët e Majit 1957, nga drejtori i shkollës së Grizhës, Muhamet Heqimi, i erdhi një letër. Drejtori i lutej që të merrte pjesë në festivalin folklorik të rrethit në Koplik, me grupin folklorik të fshatit, si instrumentist popullor me zymare. Kjo qe ndoshta shkëndija e parë që do të shërbente që Shaqir Rexhvelaj të përzgjidhjej në rang kombëtar për të përfaqësuar vendin në veprimtari kaq të mëdha siç ishte Festivali i VI-të Botëror i Rinisë dhe Studentëve.
Në një reportazh të shtypit të asaj kohe shkruhej: “Dielli mëngjesor lëshoj mbi Tiranë rrezet e tij të kuqremta. Ajri i freskët përkëdhelte lehtas fytyrat e qeshura të njerëzve. Kolona të rinjësh e të rejash, burra e gra, pleqë e fëmijë kishin marrë rrugën për në stacionin e trenit.”…… Ata kanë ardhur për të përcjellë delegatët e rinisë sonë për në festivalin e Moskës….. Midis turmës ndodhen 183 delegatët e rinisë sonë që shkojnë në festivalin e Moskës…. Fytyrat e tyre shkëlqejnë nga gëzimi dhe krenaria për nderin e madh që u është bërë, duke i zgjedhur përfaqsonjës të rinisë sonë në këte takim të madh të paqës e miqësisë.”
Moska, nuk i kishte shkuar kurrë në mendje, por ja që talenti i lindur e bëri evident artistin dhe muzikologun e mëvonshëm Shaqir Rexhvelaj, i cili në më shumë se pesë dekada ka hyrë me dinjitet në analet e historisë së artit e kulturës sonë kombëtare.
Nga ai Festival e kanë pikënisjen dhe fillesat e gjithë jeta e tij artistike në rrugën e gjatë e të vështirë, por shumë të bukur të artit muzikor dhe të shkollimit artistik. Në fillim në Liceun Artistik ”Jordan Misja” (1958-1962 ku hynë edhe Ansambli Artistik i Ushtrisë ) si dhe studimet e larta në Konservatorin Shtetëror të Tiranës (1962- 1967). Ia vlen të shënojmë me këtë rast se kur ishin në vitin e tretë të studimeve, të gjitha degët e artit u bashkuan (muzika, piktura, drama) dhe shkolla e lartë e artit në vendin tonë mori emrin ”Instituti i Lartë i Arteve”. Në diplomën e tij është e shënuar: ”Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve – Dega e Muzikës, specialiteti – Flautist”.
Karierë e pasur artistike e shkencore
Rexhvelaj, që e mbylli karierën e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në MTKRS para pesë vitesh, krahas Konservatorit Shtetëror te Tiranë (Sot Akademia e Arteve) është diplomuar edhe për gazetari në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike. Ai ka një përvojë të gjatë profesionale si flautist në Orkestrën Simfonoke të Radios dhe Kinematografisë dhe në Televizionin Shqiptar si Redaktor Përgjegjës në Redaksinë e Muzikës.
Në vitet 1977 – 1989 si Përgjegjës i Redaksisë së Programeve Artistike në RTV dhe Udhëheqës Artistik është ideues dhe bashkerealizues i shumë emisioneve, programeve, dhe spektakleve televizive. Po ashtu si Drejtor i Krijimtarisë Muzikore në Radiotelevizion dhe Udhëheqës Artistik i Orketrës Simfonike të Radiotelevizonit ka realizuar: Festivalin e 28 – të të Këngës në RTV (1989 ) si Udhëheqës Artistik i Festivalit ; Koncertet e Pranverës në RTV (1989 dhe 1990) dhe Festivalin e Parë të Interpretuesve të Këngës Popullore (1989) po si Udhëheqës Artistik.
Në harkun kohor të 10 viteve (1990-2000) Shaqir Rexhvelaj kryen me kopetencë e profesionalizëm funksionet: Shef i Seksionit të Kulturës në ish Komitetin Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tiranës dhe Sekretar i Pergjithshëm i Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit të Tiranës ; Shef i Arteve dhe Drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve në Bashkinë e Tiranës. Kariera e tij artistike pasurohet me aktivitet intensiv si Laurat i Festivalit të Parë Folklorik Kombëtar organizuar në Tiranë, si instrumentist popullor, pjesëmarrës interpretues në Festivalin e 6-të Botëror të Rinisë e Studenteve në Moskë; pjesëmarrës interpretues në Festivalin Folklorik të Vendeve të Ballkanit dhe Zonës së Adriatikut, me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Bukuresht, Rumani dhe si pjesëmarrës interpretues në Festivalin Folklorik Botëror, me Ansamblin Shtetëror të Këngeve dhe Valleve Popullore, në Kajro – Egjipt.
Veprimtaria krijuese e Shaqir Rexhvelajt i përket kryesisht gjinive televizive dhe gjendet e regjistruar pranë Arkivit të Radiotelevizionit Shqiptar, bashkë me fillimet e tij si televizion profesional me programe të rregullta në vitin 1971. Ka realizuar kryesisht emisione muzikore artistike, programe, spektakle si «Bashke me Ju», «Fituesja e Fitueseve», «Këndon për Ju», «Portrete Artistësh», «Koncrete Varjete» e Filma muzikorë etj. Herë pas here ka shkruar edhe në shtypin periodik të kohës për veprimtari kulturore artistike dhe probleme te artit, kultures, folklorit etj.
Pas viteve ‘90 ka marrë pjesë në seminare të organizuar nga organizma ndërkombëtare si brenda dhe jashtë vendit në fushën e kulturës si nga BE, CEI, UNESCO etj si: ne France, Bullgari, Itali, Maqedoni, Serbi etj.
Në 2010, me propozim të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhërin «Naim Frashëri i Artë». Shaqir Rexhvelaj është një emër i spikatur edhe në politikën shqiptare të këtyre 20 viteve të fundit, si sekretar i Përgjithshëm dhe nënkryetar i Bashkimit Socialdemokrat dhe Bashkimit Liberal Shqiptar.
Më 13 Maj Shaqir Rexhvelaj festoi 80-vjetorin e lindjes. Përzemërsisht i uroj mikut tim të ngushtë, bashkëudharë të pandarë kto 25 vitete fundit: Arritsh dhe kapërcefsh një shekull jetë, me këtë vitalite e shpirt krijues që keni aktualisht, me shëndet të plotë e mendje të kthjellët!.








Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes