l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Largohet nga jeta, nëkolonel Shefqet Sejamini, specialisti i talentuar i xhenjos, shef Katedre në Akademinë Ushtarake

Për tim vëlla, Shefqetin!

Nga Agron Sejamini

Më shumë se sa një homazh për tim vëlla…
Mu dhimbs shumë, ikja e tim vëllai… Më theri në shpirt! Vazhdoj të mbetem peng i një mjegullnaje dëshpërimi dhe dhimbjeje. Kurrë nuk e besoja, se do të ulesha për të shkruar diçka… Më e pakta, do të mërzisja dhe vetë atë që nuk i ka dashur lëvdatat dhe mburjet. Mirëpo, shkak dhe shkëndijë frymëzimi, u bë një status i hedhur në facebook, nga kolegu i tij, Zabit Cuku. Dhe në vijim, shumë komente që shprehnin keqardhje dhe konsiderata. Ndaj këtyre personave, ndjehemi borxhli dhe i falenderojmë që u bënë pjesë e pikëllimit tonë. Gëzime të kenë në familjet e tyre!
Por, edhe më shumë na emocionuan dhe ngushëlluan shpirtin tonë të lënduar, kolegët dhe miqtë e tij, me ato fjalë të thjeshta, sa edhe të sinqerta. Mes tyre, Muharrem Dardha, shpreh konsiderata për një “…ushtarak të nderuar!”; Aleks Nasto, pohon se “Ishte një njeri me vlera!”; Ibrahim Gargaj, e kujton, si “Ushtarak i shkëlqyer dhe pedagog shëmbullor në Akademi. Jepte taktikë xhenjere… I paharruar, i nderuari pedagog!”; Agim Muhollari, përcjell pikëllim për humbjen e vëllait të xhenjos, “Ngushëllime familjes së Çetit, siç e thërrisnim ne shokët dhe vëllezërit xhenjer. Ngushëllime për vëllain tonë xhenjer! Thjeshtësia, dashuria për armën e xhenjos ka qenë vlera, virtyti i Çetit tonë të dashur që ne shokët e tij, do ta kujtojmë gjatë, sa të rrojmë!”; Bajram Mane, mëson me “…keqardhje të madhe për largimin nga jeta të xhenjerit të talentuar dhe pedagogut të rrallë, Shefqet Sejamini!”
Vazhdojnë, më pas, me nota trishtimi për këtë lajm të padëshiruar, Syl Ismaili, Ramazan Leka, Hysni Bahiti, Gjergj Tako, Leonard Xhani, Baki Zyla, Sali Frengu, Muhamed Tabaku, Qamil Çipa, Perparim Veliu, Maksim Fejzulla, Alim Sula, Petrit Rama, Dine Xheka, Jashar Basho, Arben Oshafi, Luan Saliko, Mustafa Dervishi, Ali Bushi, Bernard Zotaj, Telha Dorzi, Nazmi Çela, Saba Duçkallari, Agim Lleshi, Arqile Kokëdhima, Nikollë Tushi, Dalan Jaupaj, Fitim Kumani, Bujar Pasmaçiu, Hekuran Rapaj, Hamit Gojani, Bibë Kaza, Arben Sopaj…


Nuk do e desha kurrë këtë mënyrë prezantimi me Ju, por edhe nuk mund të heshtja pas xhestit tuaj fisnik, ndërsa rreshtuat këto ndjesi të sinqerta njerëzore për njeriun tonë të dashur, vëllain tim të madh, më shumë se vëlla-Shefqetin. Për të mira dhe për gëzime ua shpërblefshim që na lehtësuat dhimbjen. Në këto momente edhe shpirti i Shefqetit, gëzon nga ndjeshmëria juaj…
Ne të afërmve dhe pjesëtarëve të familjes, kjo prezencë shpirtërore, na e “ngjall” njeriun e shtrenjtë që humbëm. Nga kjo, përshpirtje shoqërore, natyrshëm të pushton një ndjesi e fortë pozitiviteti. Vëllai është vëlla sepse je i lindur nga një nënë, por kur vëlla e bëjnë edhe kolegët apo njerëzit që ai ka njohur në jetë, doemos edhe krenohesh. Në rastin tim, madje edhe “të detyrohesh” dhe të frymëzohesh, për t’u ulur dhe hedhur këto rreshta. Sepse më shumë se sa një homazh për tim vëlla, ky shkrim do desha të ishte mesazh. Gjithkush, duhet të motivohet në përditshmërinë e tij, nga virtytet dhe vlerat më të vyera njerëzore. Kusht moral, që të bën të ndjehesh i vlerësuar dhe i respektuar dhe akoma më tepër, të mbetesh në kujtesën e të gjallëve, i nderuar dhe i paharruar.

 

Kur mikëpritja tradicionale shqiptare ishte një hap para varfërisë dhe skamjes…
E thashë më sipër, pse mu ndez frymëzimi, por ama ndjehem edhe me fat sepse kam plot detaje për t’i dhënë jetë këtij shkrimi…


Shefqeti, ishte më i madhi, i dy motrave dhe pesë vëllezërve. Shtatë fëmijë që shtatëfishuan shqetësimet dhe detyrimet për babanë tone, i lindur për të qenë punëtor! Plotësimi i nevojave më elementare të jetesës, e detyronin atë, të ishte në më të shumtën e 24 orëve jashtë shtëpisë. Shpesh herë, pa i mjaftuar edhe koha fizike, për t’i kryer të gjitha proceset e punës që përfshinte dita. Duke qenë i vetëm mashkull në familjen tonë, të bekuar me shumë fëmijë, por dhe të rënduar me aq shumë varfëri, i duhej të mbante plugun dhe parmendën për të pluguar dhe mbjellë; të prashiste dhe të vadiste; të korrte atë pak misër e grurë që kultivonte; të mbarështonte dhe të kujdesej për atë tufë dhensh e dhish që jepnin qumështin për bulmet, mishin për pastërmanë e dimrit dhe leshin për të bërë shtrojet e veshjet e domosdoshme, për të përballuar të ftohtit. Të një dimri shumë të ashpër që në Rehovën time, zgjaste deri në pesë muaj... Ishte koha, kur për tim Atë, qyteti i Korçës, pesë orë larg më këmbë, ishte bërë më “i afërti” front pune, për të tregtuar sasi të pakta artikujsh bulmeti, dru zjarri dhe fije të holla pishe… Me ato pak të holla që siguronte nga kjo tregti, kthehej në shtëpi me atë pak sasi kripe, sheqeri apo orizi të domosdoshëm, më shumë për të pritur dhe përcjellë bujarisht mysafirët, se sa për të ushqyr fëmijët e shtëpisë. Kanë qenë kohë kur mikëpritja tradicionale shqiptare ishte një hap para varfërisë dhe skamjes.
Në të tilla vështirësish mbijetese dhe ngarkesë punësh fizike, më e madhja lehtësi dhe më e dëshiruara mbarësi, për ata prindër do të ishte lindja sa më shpejt i një fëmije. Fatlumë për atë vatër dhe prag shtëpie, nëse vinte në jetë djalë... Edhe në rastin tonë, sa më shpejt të rritej Shefqeti, aq më shpejt do të zvogëlohej pesha dhe lodhja e babait. Mirëpo, për tim Atë, kjo ditë nuk erdhi asnjëherë! Me largpamësinë dhe mënçurinë e tij, ai e largoi edhe më shumë, duke e pozicionuar djalin e madh në frontin e dijes dhe të shkollimit. Për vete dhe për babanë, Shefqeti, e realizoi këtë ëndërr atërore, në nivelet më të larta të mundësisë, duke mbërritur deri në pedagog të Akademisë Ushtarake.

Por, le ta përshkruajmë sadopak këtë udhëtim dinjitoz të Shefqetit tonë…
Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin e lindjes, Rehovë të Vithkuqit, ai kreu me rezultate të shkëlqyera shtatëvjeçaren në Lubonjë. Kjo ishte edhe arsyeja e akordimit të një burse studimi për në Shkollën Pedagogjike në Shkodër. Pas përfitimit të njohurive bazë pedagogjike, natyrisht jo program i plotë, por i shkurtuar për arsye të nevojave shumë të ngutshme që kishte sektori i arsimit, në moshën 17 vjeçare, ai bëhet pjesë e stafit pedagogjik të shkollës shtatëvjeçare në Lubonjë. Tashmë, nxënësit e klasës së parë që ai kishte në kujdestari, janë të moshës mbi 70 vjeçare… Vetëm kaq pak, ishte kontributi i tij në fushën e arsimit, sepse për tjetërkund u ndez pasioni dhe dëshira e djaloshit rehovar…


I lindur dhe rritur, në periudhën e luftës për liri, ku familja jonë ka qenë mbështetëse dhe kontribuese e lëvizjes çlirimtare, doemos edhe ai fëmijë ka ushqyer adhurim dhe simpati për partizanët me uniformë e armatim ushtarak. Kujtojmë se Makërza, sheshi mes pishave, ku u rreshtua për herë të parë në formacion ushtarak Brigada e Parë Sulmuese, ndodhet dhjetë minuta larg fshatit dhe është pjesë e territorit të Rehovës. Për fëmijët e asaj kohe kjo jehonë e jashtëzakonshme dhe ajo pjesëmarrje masive partizanësh, natyrisht që la mbresa të pashlyera në kujtesën e tyre. Tema kryesore e bisedave në çdo familje, ishte lufta dhe Atdheu. Pa harruar edhe tjetrën, që treva jonë e Kolonjës, në këtë epope të lavdishme pati luftëtarë trima, një pjesë e të cilëve pak vite më vonë, do bëheshin gjeneralë të shquar në ushtrinë tonë popullore. Kjo jehonë trimash dhe strategësh ushtarakë, me sa duket do ketë nxitur atë dëshirë të zjarrtë të Shefqetit, duke e detyruar të lërë mësuesinë, për të filluar në Tiranë, Shkollën e Bashkuar të Oficerave. Me sa më kujtohet, për garanci në miratimin e dokumentacionit zyrtar, im Atë, është ndihmuar edhe nga njëri prej gjeneralëve kolonjarë, mik i familjes tonë. Kjo “braktisje” e mësuesisë, nuk e trishtoi tim Atë, i cili më e pakta, do të humbiste një rrogë shteti, ndihmë e madhe në përballimin e nevojave ekonomike për familjen. Në largpamësinë e tij prindërore, ecuria e mbarë e Shefqetit, do të ishte edhe një mundësi e artë për t’u shkëputur nga fshati edhe djemtë e të tjerë, në atë kohë ende të vegjël. Ashtu, sikurse ndodhi në të vërtetë!


Kishte peshë dhe autoritet, sikurse ishte dhe shumë e preferuar nga tërë brezi i ri, uniforma e ushtarakut në shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Në rastin e Shefqetit, shtatlartë dhe simpatik, shtohej edhe më shumë hijeshia dhe madhështia e ushtarakut shqiptar në sytë e publikut të gjerë.
Pas diplomimit oficer, Shefqeti, nisi udhëtimin e gjatë të ushtarakut, pozicionuar në specialitetin e xhenjos. Vendshërbimet e para kanë qenë Erseka, Maliqi, Korça dhe Pogradeci. Në çdo detyrë që iu besua, ai shfaqi vetitë e ushtarakut të disiplinuar, të papërtuar dhe mbi të gjitha, të drejtuesit të talentuar dhe të pasionuar në profilin e tij. Repartet që ai drejtoi, u shquan në shumë misione ushtarake dhe civile, siç ishin asgjesimi i fushave të minuara gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe kontributi i vyer në shumë objekte të rëndësisë së veçantë, ku volumi më i madh i proceseve të punës, përballohej nga specialiteti i xhenjos.
Aftësitë e tija drejtuese dhe njohuritë bashkëkohore për armën e xhenjos, të aplikuara me aq efikasitet dhe mjeshtëri në terren, tërhoqën vëmendjen e dikasterit qendror të Mbrojtjes, për t’i krijuar mundësinë këtij ushtaraku të talentuar, që të njihej edhe me programet më elitare në fushën e vet, duke i ofruar shansin e shkëlqyer, për të vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake. Në këto auditore, zelli dhe dashuria për specialitetin e xhenjos, u shfaqën sistematikisht gjatë përvetësimit të programit dyvjeçar dhe u shpërblyen ditën e diplomimit, kur Shefqetit, iu akordua Çertifikata me vlerësimin “Shkëlqyer”. Nuk u mjaftua me kaq komanda e Akademisë Ushtarake, por atë javë i dha jetë urdhërit, ku bënte të ditur emërimin e Shefqet Sejaminit, pedagog në Katedrën e Xhenjos të këtij institucioni të lartë mësimor dhe shkencor ushtarak. Pas disa muajsh, ai hodhi një tjetër hap cilësor, duke u bërë drejtues i kësaj katedre, niveli më i lartë që mundi të gëzonte meritueshëm në karrierën ushtarake, 38 vjeçare.

Në krye të Ciklit të Specialiteteve në Shkollën e Zall Herrit
Në zbatim të strategjisë dhe projekteve të shumta që ideoi sistemi i asaj kohe, për shtimin e masave mbrojtëse, ndaj ndonjë “sulmi të mundshëm imperialisto - revizionist” u çel Shkolla e Kuadrove Rezervistë në Zall Herr, efektivi i të cilës e kalonte numrin e një mijë kursantëve, përgjatë dy viteve që shteronte programin e plotë mësimoro - stërvitor. Një pjesë e konsiderueshme e këtij kontigjenti që arrinte rezultate të larta, emëroheshin oficerë aktivë në forcat tona të armatosura. Që në ditën e çeljes së kësaj shkolle ushtarake, në krye të Ciklit të Specialiteteve që përfshinte, degët e xhenjos, kimisë dhe nderlidhjes, u emërrua Shefqeti, mision të cilin ai e përmbushi me sukses të plotë duke justifikuar plotësisht besimin e drejtuesve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Natyrisht, me idenë dhe mbështetjen e tij, edhe unë munda të jem kursant i kësaj shkolle në ciklin mësimor 1977-1979, me synimin për tu bërë oficer aktiv. Sigurova rezultatet e larta në degën e Artilerisë Tokësore, por dëshira finale, nuk plotësua për shkak të kërkesave të shumta. Atëherë u dëshpërova shumë, ndërsa më pas nuk ndjeva pendesë, sepse si dhuratë nga Zoti, m’u krijua mundësia të realizoj ëndrrën e fëmijërisë që ishte… gazetaria!
As për Shefqetin dhe as për mua, nuk ishte e lehtë ajo bashkëjetesë dyvjeçare. Vërtetë, ndjeheshim të lumtur dhe të ngopur shpirtërisht, por po aq ndjeheshim edhe të detyruar për të qenë në vendin dhe lartësitë e duhura, para të tjerëve, tek të cilët ngjallnim sa kureshtje aq edhe vëmendje. Unë, më e pakta, nuk duhej t’i krijoja shqetësime dhe më e shumta, me disiplinën ushtarake dhe rezultatet e larta në mësime, duhet ta bëja krenar para kolegëve të vet. Ia dola ta lumturoj! Ia dola t’i ledhatoj sedrën dhe krenarinë që në individualitetin e tij ishte pasion. Ia dola që në çdo hap suksesi që arrita në atë shkollë ushtarake, të dalloja që isha vëllai i Shefqetit. Deri sa një ditë, ishim në krah të njëri - tjetrit me fotografitë tona në Këndin e Emulacionit të Shkollës, saktësisht në stendën “Oficerë dhe kursantë të dalluar”.


Dola kaq shumë nga modestia ime, sepse desha të mbërrija në një “pakënaqësi” timen ndaj tij. Kur gjithë shokët e mij, në gjashtëmujorin e parë, kishin shkuar pranë familjeve deri edhe dy herë, paçka rezultateve që kishin arritur, mua të dalluarit, Shefqeti, ma kishte refuzuar disa herë kërkesën për të shkuar dhe u takuar me prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Madje, kujtoj se në një rast, ai e kishte grisur “Fletë lejën” shtatëditore që më kishte plotësuar komandanti i baterisë. Derisa një ditë, vendosa t’i trokasë në zyrë, shefit të Shtabit të Komandës së Shkollës, zemërbardhit Hysen Shehu, për t’u “ankuar” për Shefqetin dhe lutur të respektohet e drejta ime, si gjithë të tjerët. Mbaj mënd si tani që më ka mbushur në moment, një “Fletë lejë” dhjetëditore dhe më ka dhënë “urdhër ushtarak” për t’u nisur atë ditë drejt Korçës. Pjesë e urdhërit ushtarak, ishte edhe këshilla “Mos e tako as Shefqetin!”… Ika, u çmalla me familjen dhe u ktheva për të përjetuar gjatë qefmbetjen e Shefqetit, duke mos më takuar për disa javë si ndëshkim i ikjes “pa lejë”… Ky ishte im vëlla - Shefqeti!
Busulla e drejtimit në udhën e mirësisë dhe të dinjitetit


Natyra strikte dhe individualiteti i jashtëzakonshëm, e kishte pajtuar përjetësisht me korrektësinë, ndershmërinë, pastërtinë dhe drejtësinë. Shefqeti nuk pati shumë miq, ose thënë ndryshe me listë, por ata që kishte, të vjetër dhe të rinj, nuk iu larguan deri në fund të jetës së tij. Ai ishte për rrethin e ngushtë miqësor, busulla e drejtimit në udhën e mirësisë dhe të dinjitetit, ai ishte për ata, i pari konsulenti i pagabueshëm në përballimin e çdo situate të vështirë dhe udhëkryqi, ai ishte i pari që do të trokiste në dyert e tyre, për të uruar një gëzim apo ndarë një shqetësim të tyre. Ai edhe në këto vite të demokracisë, jetoi “jashtë mode”, duke mos ua harruar shtëpinë në të mirë dhe në të keqe, ashtu si “…e do zakoni dhe meriton Miku!”.
I tillë ishte Shefqeti edhe për ne! Me dashurinë dhe përgjegjshmërinë e vëllait të madh, ai u pozicionua në rolin e Babit, për kujdesje dhe mbështetje duke na ideuar dhe orientuar në udhën e dijes dhe të përparimit të kohës. Shtëpia dhe familja e tij u bënë streha e parë për gjithë ne të tjerët, pasi u shkëputëm nga vendlindja. Deri sa ne çelëm familjet tona për asnjë çast nuk na ka munguar dhëmbshuria dhe ndihma e tij e gjithanshme. Dhe më shumë se kaq, ishte më i miri udhërrëfyes dhe frymëzues për të qenë të respektuar dhe të nderuar në çdo hap të jetës dhe mbi të gjitha dinjitozë në familjet tona.


Me pak fjalë, Shefqeti, ishte modeli i përkryer njerëzor! I edukuar dhe me kulturë intelektuali, në çdo detaj të përditshmërisë së vet; pasionant dhe i përkushtuar në pedagogjinë dhe praktikën xhenjere; korrekt dhe i disiplinuar në marrëdhëniet njerëzore me miq dhe shokë; i papërtuar dhe i pakursyer për të ndihmuar të afërmit dhe ata që kishin nevojë për angazhimin e tij, i dhimbshur dhe i ndjeshëm në çdo moment ndaj bashkëshortes dhe dy djemve.
Iku pa lajmëruar, pa u ndjerë! Ashtu si u shfaq në 83 vite jetë, duke mos dashur të binte në sy. Një jetë e përmbushur më së miri, me sukses dhe dinjitet njerëzor që na bën krenar dhe na largon mungesën e tij.
Do desha shumë t’i ngjaja tim vëllai, për mua më shumë se vëlla - Shefqetit!





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes