l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kolonel Ing. MYFIT GUXHOLLI – Kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar:

Kontributi i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore

Në historinë e Shqipërisë, pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore përbën një ndër ngjarjet historike më të rëndësishme kombëtare. Shqipëria u rreshtua në krah të Kombeve të Bashkuara Antifashiste dhe u trajtua si një aleat i cili luftoi në Koalicionin e fitimtarëve të Luftës për kontributin real që dha në këtë Luftë kombi shqiptar. Historianë vendas dhe të huaj, në vlerësimin që i kanë bërë historisë së Shqipërisë për këtë periudhë kohore dhe kontributit të vendit tonë, janë shprehur se kontributi i Shqipërisë është domethënës jo nga numri i popullsisë dhe i forcave që u angazhuan në luftë, por i mesazhit, i rreshtimit të drejtë që bëri, në një moment të rëndësishëm historik. Gjithashtu, shqiptarët, në respekt të traditës së besës së dhënë, kanë meritë dhe kontribut të veçantë si kombi që mbrojti hebrenjë dhe nuk ua dorëzoi ata pushtuesve nazistë, duke hyrë në historinë e Luftës së Dytë Botërore si ‘komb i nderit. Në Luftën e Dytë Botërore u derdh gjaku edhe i qindra shqiptarëve ku u tregua me fakte ndihmesa shqiptare për çlirimin e popujve të Ballkanit, si dhe kontributi real i kombit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Kur na ndajnë vetëm pak kohë nga 75-vjetori i përfundimit të luftës më të përgjakshme që kishte parë njerëzimi ndonjëherë, kacafytja kundër nazifashizmit, shqiptarët kanë të drejtë të krenohen me kontributin e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
9 maji – dita e fitores kundër fashizmit shënon triumfin e rezistencës popullore kundër makinerisë vrasëse, të emancipimit kundër errësirës ideologjike të nazifashizmit, të popujve kundër perandorisë, të barazisë kundër shfrytëzimit dhe shqiptarët ndjehen më krenarë se kurrë për kontributine tyre në Luftën e Dytë Botërore.

Rezistenca ndaj pushtuesit
Më 7 prill 1939 prill brigjet shqiptare u lanë me gjakun e bijve patriotë të Shqipërisë. Për sfidën e parë të rezistencës në Evropë ndaj nazifashizmit që bënë këta bij, shkruan edhe faqet e shtypit demokratik në Angli e kudo. Ato paralajmëruan popujt e botës për tragjedinë në afrim që i priste dhe treguan se si luftohet mënxyra fashiste. Të rënët e 7 prillit janë: Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi, Isak Metalia, Ramazan Velia, Ismail Reçi, Ibrahim Osmani, Hamit Vashko Pas pushtimit prej Italisë në prill 1939, 100,000 ushtarë italianë dhe 11,000 kolonistë u vendosën në Shqipëri. Faza e parë, prill 1939-tetor 1941: karakteristike ishte qëndresa antifashiste. Pushtuesit u pritën jo me lule, por me “lulet” e vezmeve, me plumb ballit. Simbol i kësaj rezistence “Ishte Mujo Ulqinaku, një kapter, që lufton e vdes me nder”.

Karakteri i rezistencës kundër forcave pushtuese
Rezistenca shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një lëvizje kundër forcave pushtuese italiane (deri në 1943) dhe më pas kundër forcave gjermane në Shqipëri, lëvizje e cila çoi në çlirimin e suksesshëm të vendit më 29 Nëntor 1944.
Rezistenca në Shqipëri u bë aktive pas mposhtjes së italianëve në luftën kundër Greqisë, e cila filloi më 28 tetor 1940. Fillimisht slogani i ndërtimit të “Shqipërisë së Madhe”, në të cilën italianët premtuan për të përfshirë një pjesë të madhe të Çamërisë, lejoi autoritetet kolaboracioniste për të mobilizuar disa mijëra vullnetarë për ushtrinë (përveç trupave të rregullt). Shembja e sulmit italian në Greqi shkaktoi një krizë midis trupave të rregullt, të cilët refuzuan të merrnin pjesë në luftime të mëtejshme, si dhe në trupat vullnetare, të cilat u shpërbënë. Me kalimin e kohës, numri i grupeve luftuese dhe detashmenteve partizane, të përforcuara nga dezertorë të ushtrisë ishte rritur në mbi 3,000 burra. Në nëntor, në Lezhë, ushtarë kryengritës të cilët refuzuan të shërbenin më tej në njësitë italiane, zhvilluan një betejë kundër një ekspedite italiane duke vrarë 19 vetë dhe duke plagosur rëndë 30 të tjerë, para se të tërhiqeshin drejt maleve. Në të njëjtin muaj, një detashment partizan i zuri kurth një kolone transportuese italiane gjatë rrugës për në Gjirokastër. Disa italianë u vranë. Më 17 maj 1941, një i ri i quajtur Vasil Laçi i bëri atentat mbretit Viktor Emanualit III duke e qëlluar me armë.

Konferenca e Pezës
Më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Më vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacional-Çlirimtar. Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë, një fshat pak kilometra distancë nga Tirana. Protagonistë të këtij kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet. Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini (më vonë Hoxha). Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.
Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Njohja e Luftës antifashiste të popullit shqiptar nga Aleatët e Mëdhenj
Po të mos kishte filluar e zhvillohej Lufta Nacionalçlirimtare, kombi shqiptar do të kishte shkuar në humnerë bashkë me nazifashistët dhe do të ishin plotësuar lakmitë grabitqare sllavo-greke për copëtimin edhe të shtetit shqiptar, për të cilat punonin edhe qeveritë mbretërore greko-serbe në egzil.
Ishte zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare që përfshiu gjithë Shqipërinë dhe që vetëm brenda vitit 1942 ishin krijuar 22 çeta partizane nga Konispoli në Jug deri në Malësinë e Gjakovës në Veri, jehona e kësaj lufte bëri që ministrat e jashtëm të Anglisë-Iden, i Bashkimit Sovjetik, Mollotov dhe i SHBA-Hell në Dhjetor 1942 të bënin deklaratën “që dëshëronin ta shihnin Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe të vendoset pavarësia e saj. Forma e regjimit dhe e qeverisë që do të vendoset në Shqipëri do të jetë një çështje që do ta vendosë vetë populli shqiptar në fund të luftës”.
Megjithëse në këtë deklaratë qeveria angleze mbante një rezervë kur shprehej se “e sheh çështjen e kufijve shqiptarë pas Luftës si një çështje që duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes”. Kjo deklaratë ishte mbështetje për qeveritë greko-jugosllave në egzil që përgatisnin plane për copëtimin e Shqipërisë.

LUFTA E KODRËS SË KUQE
Lufta e Kodrës së Kuqe është një nga luftimet më heroike të zhvilluara në qytet gjatë vitit 1942. Vojo Kushi (shih) komandant i njësiteve guerile të Tiranës, bashkë me shokët e tij Sadik Stavileci dhe Xhorxhi Martini (shih) më 7.10.1942, u gjendën të rrethuar befasisht në shtëpinë e patriotes Ije Farka, bazë e rëndësishme e Partisë në lagjen Kodra e Kuqe të kryeqytetit. Komunistët kishin si armatim një automatik, tre revolverë dhe një sasi të vogël bombash dore. Në operacion merrnin pjesë 200-300 fashistë me 6 tanke e autoblinda, që drejtoheshin nga drejtori i përgjithshëm i polieisë dhe prefekti i Tiranës. Armiku hapi zjarr me të gjitha llojet e armëve dhe bëri disa sulme për të mposhtur qëndresën heroike të komunistëve, por u thye me humbje. Pas 4 orë luftimesh ranë në fushën e betejës Xhorxhi e Sadiku. Kundër Vojo Kushit armiku hodhi në sulm dy tanke, që rrëzuan murin e shtëpisë dhe çatinë e dhomës ku ai luftonte. Heroi u vërsul mbi njërin prej tyre, me qëllim që të hapte kapakun e çeliktë dhe të asgjësonte ekuipazhin, por u godit për vdekje nga tanku tjetër. Epopeja zgjati 6 orë. Ajo çoi peshë popullin e Tiranës dhe pati jehonë të madhe në të gjithë vendin.

LUFTA E GJORMIT
Lufta e Gjormit është gjithashtu një nga luftimet më të mëdha, me pjesëmarrje të gjerë të forcave partizane dhe të popullit të qarkut të Vlorës gjatë fazës së parë të Luftës ANÇ. Më 30 dhjetor 1942 komanda italiane hodhi në drejtim të Mesaplikut dy regjimente milicësh e karabinierësh fashistë dhe më se një mijë mercenarë të tradhtarëve Halil Alija e Selim Kaloshi, të përforcuar me artileri, autoblinda dhe të mbështetur nga aviacioni, nën komandën e konsullit (kolonelit) Klementis. Operacioni, më i madhi deri atëherë, kishte për detyrë të asgjësoheshin partizanët, të çarmatosej dhe të terrorizohej popullsia. Komiteti qarkor i Partisë për Vlorën dha kushtrimin që armiku të pritej me luftë. Së bashku me partizanët, u ngritën më këmbë me armë në dorë rreth 1500 fshatarë trima të Vlorës, të Kurveleshit e të Mallakastrës dhe me qindra të tjerë u vunë në gatishmëri. Forcat kryengritëse u drejtuan nga Hysni Kapo (shih). Luftimet më të ashpra u zhvilluan në afërsi të fshatit Gjorm. Me luftën heroike të partizanëve dhe të popullit të armatosur, me gjithë tradhtinë e një çete balliste që dezertoi nga fronti i luftës, mësymja e armikut u ndal dhe u thye më 1 janar. Forcat partizane më 2 janar kaluan në sulm kundër forcave armike, që ishin rrethuar në fshatin Gjorm. Fashistët pësuan disfatë duke lënë në fushën e betejës më se 60 të vrarë bashkë me komandantin e operacionit, Klementis. Nga forcat kryengritëse mbetën 7 të vrarë e disa të plagosur. Lufta e Gjormit qe një shembull i shkëlqyer i qëndresës popullore dhe i lidhjes së ngushtë të forcave partizane me popullin e armatosur. Një ndihmesë të shquar dhanë në këtë luftë gratë labe, që luftuan
krah për krah me burrat dhe djemtë e tyre. Kjo luftë, «epopeja e Vlorës», pati jehonë të thellë në gjithë Shqipërinë. Ajo i dha vrull luftës çlirimtare dhe thelloi krizën në radhët e fashizmit.

Midis dorëzimit të Italisë dhe pushtimit gjerman
Me rrëzimin e regjimit fashit të Benito Mussolinit dhe dorëzimin e Italisë në 1943, ushtria dhe policia italiane e vendosur në Shqipëri u thye. Luftëtarët shqiptarë shpartalluan pesë divizione italiane dhe rekrutët italianë u dyndën drejt forcave guerile. Komunistët morën kontrollin e shumicës së qyteteve jugore, përveç Vlorës, e cila ishte bastion e Ballit Kombëtar dhe nacionalistët e lidhur me LNÇ morën kontroll mbi një pjesë të mirë të veriut.
Agjentë britanikë që punonin në Shqipëri gjatë luftës ushqyen luftëtarët shqiptarë me informacion të pavërtetë se Aleatët po planifikonin një pushtim madhor të Ballkanit dhe i kërkonin grupimeve shqiptare që të bashkonin përpjekjet. Në gusht 1943, Aleatët bindën udhëheqësit komunistë dhe ballistë për të nënshkruar Marrëveshjen e Mukjes e cila do të koordinonte operacionet e tyre guerile. Dy grupimet me kalimin e kohës i dhanë fund çdo bashkëpunimi për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi statusin e pasluftës së Kosovës. Komunistët donin ta rikthenin rajonin nën Jugosllavi pas luftës me shpresën se Tito do ta dorëzonte Kosovën mbrapsht paqësisht, ndërsa nacionalistët e Ballit Kombëtar kërkuan ta mbanin rajonin.

Marrëveshja e Mukjes
Marrëveshja e Mukjes ishte një marrëveshje e nënshkruar më 2 gusht 1943 në fshatin Mukje midis nacionalistëve të Ballit Kombëtar dhe komunistëve të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Të dy forcat do të punonin së bashku për të luftuar kontrollin e Italisë mbi Shqipëri. Megjithatë, një mosmarrëveshje u shfaq mbi statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar sugjeroi të luftohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan fuqishëm. Balli Kombëtar i etiketoi komunistët si tradhtarë të Shqipërisë dhe shpesh i quante ata “qen të Titos” ndërsa partizanët akuzuan Ballin Kombëtar për bashkëpunim me Fuqitë e Boshtit, duke ndezur një luftë civile midis tyre që do të zgjaste një vit.

Krijimi i një ushtrie homogjene çlirimtare

Më 17-22 shkurt 1943 në fshatin Labinot, u mbajt konferenca e parë e Partisë Komuniste Shqiptare. Vlerësimi i situatës politike dhe ushtarake në vend çoi në përfundimin se duhej të krijohej një ushtri homogjene çlirimtare. Një vendim në lidhje me taktikat e luftimit gjithashtu u mor; udhëheqësit e njësive duhej të ndërmerrnin veprime me forca më të mëdha. Më 17 maj, 12 detashmente partizane nën komandën homogjene sulmuan një garnizon italian në Leskovik, i cili mbronte një kryqëzim rrugësh të rëndësishëm. Partizanët e rrethuan ngushtë qytetin dhe ndërmorën sulmin. Mbi 1,000 trupa italiane e kontrollonin qytetin. Beteja zgjati tre ditë. Komandanti i garnizonit kishte kërkuar mbështetje ajrore, por para se ajo të mbërrinte, partizanët e kishin marrë qytetin. Italianët humbën disa qindra ushtarë dhe sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh. Në fund të qershorit italianët filluan një ekspeditë ndëshkuese ndaj partizanëve në rajonet e Mallakastrës dhe Tepelenës. Dy mijë partizanë zunë pozicione mbrojtëse në qafat e maleve. Në përplasjen e parë, italianët u detyruan të zmbrampsen, por ata u rikthyen më 14 korrik me tanke, artileri dhe avionë. Pas katër ditësh luftime, partizanët kishin pësuar humbje të rënda dhe u tërhoqën në pjesët më të larta të maleve. Përgjithësisht, në periudhën maj-korrik italianët kishin humbur me mijëra vetë dhe shumë ishin plagosur.


Pas marsit 1943, LNÇ krijoi batalionin e saj të parë dhe të dytë të rregullt, të cilat rrjedhimisht u bënë brigada, për të vepruar përkrah njësive më të vogla ekzistuese. Rezistenca ndaj pushtimit u rrit shpejt pasi shenjat e dobësisë italiane u bënë të dukshme. Në fund të vitit 1942, forcat guerile shkonin jo më shumë se 8,000-10,000. Nga vera e 1943, kur përpjekja italiane u shemb, pothuajse e gjithë pjesa e brendshme malore kontrollohej nga njësitë e rezistencës.
Lëvizja Nacional Çlirimtare zyrtarisht themeloi Ushtrinë Nacional Çlirimtare në korrik 1943 me Spiro Moisiun si shef ushtarak dhe Enver Hoxhën si oficer politik. Kishte 20,000 ushtarë të rregullt dhe guerrilë në fushëbetejë në atë kohë. Megjithatë, veprimtaritë ushtarake të UNÇ zhvilloheshin po aq kundrejt armiqve politikë të Partisë Komuniste, duke përfshirë parti liberale, nacionaliste dhe monarkiste të paraluftës, sa zhvilloheshin kundrejt pushtuesve.

Lidhjet me Aleatët dhe ndihma
Britanikët ishin përpjekur për të organizuar operacione ndërlidhëse në Shqipërinë e pushtuar prej Italisë në fillim të 1941, nga ajo që atëherë ishte një Jugosllavi neutrale. Këto tentativa u braktisën shpejt pasi Italia dhe Gjermania pushtuan Jugosllavinë. Pas kësaj, nuk u bë asnjë përpjekje për të kontaktuar grupet e rezistencës shqiptare deri më 17 prill 1943, kur M.O.4, një degë e organizatës ndërlidhëse SOE, dërgoi një mision të komanduar nga Kolonel Toger “Billy” MacLean, me Major David Smiley si i dyti në komandë.
Në vend që të hynin pa asnjë ide në mënyrë të menjëhershme në Shqipëri, misioni u vendos në Greqinë veriperëndimore ku grupe britanike po operonin bashkë me guerilët grekë. Nga atje, ata shkuan në Shqipëri në këmbë ose me mushka.
Pas disa përpjekjeve të dështuara, misioni bëri kontakt me LNÇ. Furnizimi i parë me armë dhe pajisje u mor në 27 qershor. Furnizime të mëtejshme u bënë për LNÇ të cilët ishin grupi dominant në Shqipërinë jugore dhe u përdorën për të pajisur “Brigadën e Parë Partizane”.
Më vonë në 1943, SOE e rriti madhësinë e misionit në Shqipëri. Komandanti i ri ishte Brigadieri Edmund Frank Davies i Pushkëve Mbretërore të Ulsterit (mori pseudonimin “Trotski” në Sandhurst për shkak të “bolshevizmit të disiplinuar” në karakterin e tij[, me Kolonel Toger Arthur Nicholls si Shef Shtabi.
MacLean dhe Smiley u tërhoqën në bazën e re të SOE në Bari për të raportuar. Megjithëse ata vunë re se komunistët e LNÇ ishin më tepër të interesuar për të siguruar pushtetin politik pas luftës sesa për të luftuar gjermanët, ata rekomanduan që SOE të vazhdonte që t’i furnizonte, ndërsa përpiqej për të arritur një marrëveshje midis LNÇ dhe grupeve të tjera të rezistencës. Në janar 1944, gjermanët sulmuan dhe morën zyrat qendrore të misionit britanik. Brigadieri Davies u zu rob ndërsa Kolonel Toger Nicholls vdiq nga tronditja pasi shpëtoi të mbijetuarit.
Gjatë pjesës së mbetur të 1944, SOE vazhdoi të furnizonte LNÇ, pavarësisht ankesave të MacLean dhe Smiley, që tani ishin duke vepruar në grupe ndërlidhëse me grupin e Abaz Kupit dhe Ballin Kombëtar në Shqipërinë e veriut, se LNÇ po i përdorte këto armë kundër armiqve politikë dhe jo gjermanëve. Smiley, MacLean dhe Julian Amery u evakuan në Itali në fund të tetorit. SOE refuzoi për të evakuar Abaz Kupin në të njëjtën varkë dhe ai u arratis vetë prej vendit, duke u marrë prej një anijeje të Flotës Mbretërore në Adriatik.

LANÇ, krenari kombëtare
Ne shqiptarët kemi të drejtë të krenohemi për Luftën e lavdishme, Antifashiste Nacionalçlirimtare që çoi në çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashitë.
Ne krenohemi me 70 mijë partizanët që bënë atë luftë vendimtare për çlirimin e vendit .
Ne krenohemi sepse me luftën e sakrificat mbinjerëzore, dhe gjakun e dhjetra mijëra dëshmorëve u bëmë pjesë e bllokut antifashist të popujve të botës, të kryesuar nga aleanca anglo-sovjeto-amerikane. Në momentin historik populli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo që jetonte në trojet e tij etnike u bashkua me forcat e lirisë kundër atyre të errësirës.
Në bazë të kësaj lufte e sakrificave që bëmë, ne siguruam jo vetëm pavarësinë e Shqipërisë por të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për vetëvendosje e të shqiptarëve kudo që jetojnë, të drejtën për të qëndruar në trojet e tyre etnike. Kjo ishte fitorja e dytë më e madhe në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit në Vlorë.







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes