l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Cikël me poezi, nga vëllimi “Bëhu mik me diellin”

Vizion gruaje ...

Nga Liljana Muça

Për nënën

Ka mbetur fjalë mjalti pa thënë për ty
A nuk je ti det i gjërë që fal dashuri?
Dashurisë tënde i falim prap dashuri
Rininë tënde, jo s’e lëmë të vdesë
I japim nga shpirti, mishi e gjaku ynë
E kësisoj ti nënë, kurrë nuk vdes.

Shtigjet e gruas

Grua,
mos humb në shtegun e humbur
të skllavërisë
Kalo në shtegun e artë të yjeve
për të qënë Përmendore e Lirisë.

Faqen mos ja kthe shuplakës
së marrëzisë
Kapërceje shtegun e krisur të xhelozisë
Për të qenë me të vërtetë
Përmendore e Lirisë.

Nuk i fale dashuri...

Një vilë e ngrite si në përralla
Dhe veten mbret e vure,
mbret pa andralla
Zgjodhe për mbretëreshë
Një vajzë të bukur si zana
Me florinj e mbulove
Çuditërisht me pranga!
Mendove se i fale pasuri pa kufi
Po çfarë vlere kishin ato
Kur nuk i fale kurrë dashuri?!

Të pres

Të pres kur të agojë dita
Merri agimit veshje të trëndafilta
Të pres kur të vesojë vesa
Meri tërfilit veshje të gjelbërta

Të pres kur të bjerë perëndimi
Merri mbrëmjes çaste ngazëllimi
Të pres kur të dalin yjet
Merri natës freski nga pyjet.

Gruas

Gruas mos ia mat lirinë te pragu
Gruas mos i thuaj je qoftëlargu
Për të qënë në shpirt, i qetë së paku.

 

Vdekja e dashurisë

Sa herë ti harron të jetosh
Dashuria vdes.
Sa herë ti harron të kuptosh
Përsëri dashuria vdes
Sa herë nga vetja ti mund të dalesh
Dashuria vdes
Sa herë kur ti s’mund të falësh
Dashuria vdes.

Dashuria s’është pronë

Më fluturon vetmitar
Shpirti përgjysëm,
shpirti i ndarë
U deshëm sa shumë
pa anë,
por ti ngrite piramida
me fjalë
për t’i ngulur së kufij marrëzie.

Ç’poshtërsi,
perlë hipokrizie!
Dashuria s’është pronë
për ndryshe s’do quhej dashuri
pa frymëmarrjen tënde, LIRI.

Pashë

Pashë një njeri, burrë
Që tërhiqte zvarrë një grua
Pashë një burrë,
që s’kishte burrëri
Pashë një njeri, grua
Që rezistonte me një burrë
Pashë një grua,
burrëreshë grua.
Pashë një njeri
Sa çudi!!
Njeri, që nuk ishte njeri.

Trille

M’u vyshkën edhe trëndafilat
sa e sa orë duke të pritur
Se ti ngahera bën ca gjëra...
për të t’quajtur si të lajthitur.

M’u vyshkën edhe trëndafilat
Kot që s’ia dhashë një vajze tjetër
Se ti ngahera bën ca gjëra...
Që nuk i hedh dot as në letër.

 

Fytyra e dashurisë

Dielli u dashurua me detin
Me një puthje të zjarrtë
U mbyt në të.

Hëna u dashurua me mëngjesin
me një puthje të pafajshme
u tret në të.

Ajo u dashurua me dikë
Në një pritje të gjatë
U mplak pa të.

 

Kur bie mbrëmja

Shelgjishtet buzë lumit kanë varur degët
Dhe flladi valët ngre e barin tund
E mrekulluar pas kësaj bukurie
Nuk mund të rri e heshtur, nuk mund.

Ç’e bukur kjo mbrëmje, si një vajzë e bukur
Jehonën përcjellin grykat dhe lumi zhurmon
Shtrin krahët mbrëmja, mbi kodra bie muzgu
Pa shpirti më ndizet dhe zdi ku shkon.

Zgjim
Mëngjesi me vesë zbriti i pikëlluar
Dita me përtesë sikur u zgjua.

Dielli shigjetoi nga maja e malit
Vajzës iu zgjua ëndrra e mallit.






Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes