l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

• Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ ka për qëllim ruajtjen, propogandimin dhe pasurimin e traditave patriotike dhe luftarake të popullit tonë ndër shekuj dhe veçanërisht ato të LANÇ të popullit shqiptar. Ajo do të punojë për të rritur dhe forcuar dashurinë për atdheun dhe për realizimin e aspiratës së madhe të bashkimit kombëtar

OBVL - Përvoja e 25 viteve, garanci për suksese të mëtejshme në 2020

Kol.Ing.Myfit GUXHOLLI
Kryetar i OBVL

Që me krijimin para 25 vitesh, OBVL përcaktoi në pltaformën e saj përpjekjet për bashkimin e veteranëve të LANÇ në një organizatë të vetme. Në themel të veprimtarisë së saj ka qenë vlerësimi realisht i historinë e luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E.Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ. Pas viteve ‘’90 dhe ndryshimeve demokratike që ndodhën në Shqipëri, një kontribut dha edhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL). Është i njohur kontributi i saj gjatë procesit të ndryshimeve demokratike e deri më sot.
PAK HISTORI
Para tri dekadash, një grup intelektualësh - ish partizanë, udhëheqës të luftës NCÇl dhe luftëtarë, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist morën iniciativën për krijimin e një organizate që do të funksiononte e vepronte në të mirë të Shqipërisë dhe demokracisë.
Qysh më 1993 punohej për krijimin e kësaj organizate dhe më 1994 u shpall grupi nismëtar i krijimit të OBVL prej 39 vetash. Në përbërje të këtij grupi ishin: Dr.Ymer Dishnica, Andon Sheti, Alfred Moisiu, Deli Balili, Edip Ohri, Rrahman Parllaku, Sadik Bekteshi, Ernest Jakova, Hamit Keçi, Irakli Bozo, Kiço Ngjela, Muhamet Prodani, Nurie Bozo, Nexhip Vinçani, Nreçi Plasari, Myfit Guxholli, Skënder Malindi, Dashamir Ohri, Josif Zegali, Myftar Tare, Nexhmi Ballka, Xhavit Qesja, Zenepe Ashiku, Selfixhe Broja, Liri Belishova, Tanush Shyti, Zekie Prodani, Sami Vinçani, Taqo Adhami, Tahir Voshtina, Guri Shyti. Më vonë u shtua grupi nismëtar dhe me 30 anëtarë të tjerë si: Ali Butka, Bedri Shehu, Elami Hodo, Haki Jupasi, Hysni Daja, Islam Bushi, Janaq Budina, Koço Qafëzezi, Musa Shehu, Mentor Belegu, Manol Konomi, Neshat Iliazi, Petrit Malindi, Skënder Godo, Sami Haderi, Sotir Budina, Sitki Bushati, Koço Leshnja, Kol Jakova, Munir Kroi, Myzafer Mati, Shefqet Mëzini e Sheraf Gjebrea.
Siç shihet në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e deri ministra.


Kuvendi i parë themelues i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (OBVL) në krye të saj zgjodhi personalitetin e shquar Dr. Ymer Dishnica. OBVL i bëri thirrje Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare për bashkim, por me kushtin e zgjedhjeve të reja në bazë dhe në qendër të veteranëve, të ndryshimit të statutit dhe programit, të rishikimit të historisë së LANÇ, të dënimit të krimeve të komunizmit. Këto kërkesa u refuzuan nga Komiteti Kombëtar i Veranëve të Luftës Nacional Çlirimtare. Menjëherë pas zgjedhjes, Kryesia e OBVL ju vu punës për përgatitjen e projektligjeve që do të vinin në vendin e merituar figurën e respektuar të veteranit të LANÇ dhe propozimin e miratimin e tyre në parlament, duke e vënë kështu veprimtarinë e saj mbi baza ligjore, në interës të veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve. Më këto ligje u ligjërua figura e respektuar e veteranit të LANÇ. Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ u shtri rrufeshëm në gjithë Shqipërinë: Në Tiranë me kryetar z.Muhamer Spahiu, Korçë, me kryetar Z.Haxhi Runi, Elbasan me kryetar z.Sami Vinçani, Durrës, me kryetar z.Idriz Hoxha, Shkodër me kryetar z.Muharrem Bushati, Lushnjë me kryetar.z.Iliaz Ahmeti, Krujë me kryetar z.Fadil Veseli; Lezhë me kryetar z.Loro Gjeçi, Tropojë me kryetar z.Hamit Neziri; Fier me kryetar z.Nazif Ago, Mat me kryetar z.Ismail Muharremi, si dhe në të gjitha rrethet e vendit. Vlen të përmendet kontributi i veteranëve Fluturak Vinçani (Korçë), Genc Ballanca (Durrës), Osman Xhindoli (Shijak), Jorgji Terca(Tiranë), Xhemal Meçi (Pukë), Agim Dylgjeri (Elbasan), Ali Demushi(Shkodër) etj.
Që nga krijimi i saj në korrik 1994, OBVL ka mbajtur shtatë kuvende kombëtare.
Organizata jonë e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, më 18 korrik të vitit të kaluar mbushi 25 vjet nga krijimi i saj. Para tre muajsh, më 1 Nëntor 2019, OBVL mbajti Kuvendin e saj të VII-të Kombëtar, që zhvilloi punimet tek Akademia e Shkencave në Tiranë, ku përveç delegatëve nga 12 degët e kësaj organizate në 12 qëraqet e vendit, morën pjesë dhe përshëndetën edhe zv/Ministri i Mbrojtjes Petro Koçi si dhe Gjeneral Brogade Manushaqe Shehu – zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH-së. Ky Kuvend ishte i një rëndësie të veçantë, për vetë momentin historik në të cilin u mbajt, në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut.
Organizata jonë, në këtë Kuvend, bëri një ndryshim cilësor në përbërjen dhe strukturën e saj organizuese e drejtuese. Megjithëse të vonuar, kurorëzuam përfshirjen në organizatë të pasardhësve, të parashikuar në Statutin tone, të miratuar që në mbledhjen themeluese dhe në Kuvendin tonë të parë.
Duke bërë këtë ndryshim në strukturë e përbërje, mendojmë se gjallërojmë Organizatën, për të përmbushur në vazhdim detyrat fisnike e historike të kujtimit të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe të atyre që megjithëse bënë sakrifica sublime në luftë, për fat të keq e pësuan nga regjimi diktatorial. Në këtë Kuvend ne vendosëm që të vazhdojmë me brezat e ardhshëm, të mbrojmë lavdinë e asaj lufte heroike, ta ndihmojmë historinë të thotë të vërtetën. Ndërkohë, Gazeta “Veterani”, organ i OBVL pasqyroi dhe pasqyron vazhdimisht veprimtarinë e kësaj organizate dhe ka ndihmuar në realizimin e objektivave dhe detyrave të saj.

Vazhdimësia e OBVL nëpërmjet pasardhësve të veteranëve
Që në themelimin e saj para 25 vitesh, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇl përcaktoi në dokumentat e saj themeluese, vazhdimësinë nëpërmjet pasardhësve të veteranëve. Në më shumë se dy dekada veprimtari intensive, krahas themeluesve, ish-veteranë të LANÇl, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të ushtrisë shqiptare, si Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, Skënder Malindi, Edip Ohri, Hamit Keçi, Tahir Voshtina, Shaban Reçi, Liri Belishova, Myfit Guxholli, Sotir Budina, Genci Ballanca, Fluturak Vinçani, Isuf Imeraj e dhjetra figura të tjera të shquara, pasardhësit e tyre kanë qenë të pranishëm. Dhe jo vetëm si figurantë, apo në sfond, por si pjesë vitale e kësaj organizate me një histori të lavdishme.
Jo vetëm përvoja shqiptare, por edhe ajo botërore evidenton domosdoshmërinë e vijueshmërisë së aktivitetit të organizatave të veteranëve të luftës. Është fakt që në veprimtaritë e ndryshme me karakter politik, patriotik e social, gjithmonë ka qenë i dukshëm kontributi i madh dhe i përhershëm i veteranëve. Por gjithsesi është e pamundur vijueshmëria e aktivitetit të OBVL, pa e trashëguar traditën tek më të rinjtë.
Në korrik 2016, në një Konferencë rajonale të organizatave të veteranëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, që u mbajt në Zabljak të Malit të Zi, përveç, Prof. Dr.Ljubomir Sekuliq, si organizator, spikatën edhe dhjetra të rinj, si përfaqësues të organizatave të veteranëve të Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë e Bosnje-Hercegovinës. Midis tyre edhe Presidenti i Federatës Botërore të Veteranëve, norvegjezi Dan Vigo Bergtun, i cili ishte rreth 40 vjeç.
Ajo që ra në sy në këtë event të rëndësishëm ishte prania e shumë pasardhësve të veteranëve. Nëse norvegjezi 40-vjeçar Dan Vigo Bergtun, vinte si President i Federatës Botërore të Veteranëve, kryetarja e Org.Veteranëve të Kroacisë ishte një e përafërt me të në moshë, si bija e një gjenerali kroat me emër. Të tillë ishin edhe përfaqësuesit e Serbisë e të Sllovenisë.
I solla këto shembuj për të evidentuar rolin që kanë pasardhësit edhe për vijueshmërinë e OBVL-së. Edhe në veprimtaritë e saj kanë qenë dhe janë prezentë në vijimësi zonjat e nderuara: Tatjana Parllaku, Arlinda Keçi, Mirjana Ohri, Marjana Zegali, Natasha Tahiri, Bujana Jakova, si dhe zotërinjtë: Sakip Cami, Maksim Vinçani, Muharrem Gjoka, Azis Keta, Kol Deda, Ilir Malindi, Natasha e Dashamir Tahiri, e disa të tjerë, vajza e djem të themeluesve e drejtuesve të OBVL-së. Por tashmë, që prindërit sa vijnë e largohen në moshë, është koha që ato të marrin përgjegjësi konkrete në organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të kësaj organizate. Për më tepër, kur si pjesë vitale e saj janë bërë herë pas here edhe ikona të artit e kulturës sonë kombëtare, si artistet e popullit Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, apo edhe ish-ministrja e Arësimit Tefta Cami, nga pasadhësit e drejtpërdrejtë kërkohet një angazhim më i madh, që ata të trashëgojnë Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar (OBVL), historia e së cilës është me të vërtetë një hisori suksesi.
OBVL njihet tashmë si organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Këto vlera janë përqafuar e propoganduar nga pasardhësit e denjë të veteranëve, si ish ushtaraku gazetari e shkrimtari i njohur Sakip Cami, nga historianët, studjuesit e publicistët e mirënjohur Xhemal Meçi e Nikolla Sudar, nga Ing.Kol Deda e Liljana Muça (Gegollari), por janë dhjetra të tjerë, ish ushtarakë të devotshëm, të mirëpritur në radhët e strukturat e OBVL.
Me prurjet e reja në organizatën tonë, si pasardhës, duke na u bashkuar edhe pasardhës të denjë veteranësh, si shkrimtari i mirënjohur Lutfi Hanku, ing.Maksim Vinçani, intelektuali Shuaip Methasani, veprimtari shembullor Muharrem Gjoka, kol.Azis Keta etj, shpreh bindjen për një të ardhme të sigurtë të OBVL.
Nëse organizata jonë nderohet e respektohet dhe i dëgjohet fjala kudo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Prishtinë, Gjakovë e Prizren, apo edhe në veprimtari promovuese, siç ndodhi kohët e fundit në promovimet e librave të kryeredaktorit të gazetës “Veterani”, Z.Halil Rama si dhe të ish ushtarakëve Sakip Cami, Kujtim Boriçi e Demir Rusi, është koha që ata pa asnjë mëdyshje të bëhen pjesë e kësaj organizate. Ish ushtarakë të shquar, të pranishëm në këto promovime, si gjeneral Dilaver Laçi, Ismail Shulku, Sokol Agolli e të tjerë do të ishin trashëgimia e vyer e kësaj organizate, anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve. Ata kanë se ç’të mësojnë nga bilanci i pasur i veprimtarive, jo vetëm produktive, por edhe cilësore të OBVL, të fokusuara në konferenca shkencore e sesione jubilare, por dhe në botime produktive e cilësore.

TRADITA VAZHDON
Veteranët e LANÇ duan të ringjallin ato virtyte të shqiptarëve, të treguara gjatë shekujve, për t’i vënë përsëri në shërbim të Nënës Shqipëri, në udhën e re të vështirë të lirisë e të demokracisë, pajtimit dhe të bashkimit kombëtar, të vëllazërimit e të përparimit europian, të cilat u shprehën në idetë themelore të Konferencës së Pezës, bashkim pa dallim feje, krahine e ideje, me parrullën: bashkim, bashkim, bashkim në luftën kundër pushtuesit. Komunizmi si sistem dështoi dhe u shemb. Në Shqipëri diktatura komuniste i shërbeu Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që e kthyen Shqipërinë në një burg të izoluar nga bota, e shkatërruan vendin ekonomikisht dhe nëpërmjet luftës së klasave i vranë njerëzit fizikisht dhe moralisht. Me këto veprime Enver Hoxha na zhgënjeu në rradhë të parë, ne veteranëve, ish luftëtarë të LANÇ dhe të gjithë popullin. OBVL ka dënuar diktaturën që u shëmb për të mos u kthyer më dhe veçanërisht krimet e saj.
Por në këtë qëndrim, me gjithë përpjekt tona për të patur mirëkuptim, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ ka vazhduar me po atë platformë të krijimit të tij që në vitin 1957, si një nga levat e PPSH dhe e diktaturës së Enver Hoxhës. Ky Komitet nuk shpreh dhe përfaqëson më interesat dhe ndryshimet reale demokratike të vendit tonë. Këto veprime dhe qëndrime krijuan pakënaqësi, mosbesim e përçarje. Kjo u vërtetua edhe në festimet me rastin e 75-vjetorin të çlirimit të Atdheut, kur u vendosën kurorat dhe u nderuan të rënët tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. OBVL nuk u ftua të ishte pjesë e festimeve të këtij jubileu të lavdishëm.
Gjithsesi në veprimtarinë e saj 25 vjeçare ajo ka një bilanc dhe përvojë shumë të pasur dhe një histori suksesi.
E themeluar dhe e njohur zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë (para tre vitesh edhe me Vendim të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë”, OBVL është bashkim vullnetar i ish - luftëtarëve të LANÇ, pasardhësve të tyre, ish-ushtarakëve si dhe i gjithë qytetarëve shqiptarë që mbrojnë dhe propogandojnë vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ është një organizatë patriotike pluraliste dhe e pavarur nga asnjë parti politike.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ ka për qëllim ruajtjen, propogandimin dhe pasurimin e traditave patriotike dhe luftarake të popullit tonë ndër shekuj dhe veçanërisht ato të LANÇ të popullit shqiptar. Ajo do të punojë për të rritur dhe forcuar dashurinë për atdheun dhe për realizimin e aspiratës së madhe të bashkimit kombëtar.
Si edhe gjatë 25 viteve të shkuara, OBVL edhe gjatë vitit 2020 do të kontribuojë për historigrafinë shqiptare, për pasqyrimin me vërtetësi dhe pa politizime të LANÇ.
Kjo organizatë do të ndihmojë për ruajtjen e pastër të idealeve të luftës NÇl. Ajo do të vazhdojë të dënojë veprimtarinë e kolaboracionistëve që bashkëpunuan me armikun.
OBVL në veprimtarinë e saj do të bashkëpunojë me të gjitha shoqatat dhe organizatat patriotike, sidomos në veprimtaritë përkujtimore për të nderuar të rënët dëshmorë të kombit në luftërat për liri, pavarësi dhe demokraci të popullit shqiptar, për përjetësimin e veprës së tyre.
Ajo do të kujdeset dhe ndërhyjë pranë organeve përkatëse, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e varrezave, lapidarëve dhe objekteve historike të luftës.
Edhe gjatë vitit 2020, OBVL do të bashkëpunojë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me organet e pushtetit vendor për përkujtimin e ngjarjeve historike të LANÇ, jubileve dhe figurave të saj.





Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes