l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Homazh për akademikun që përtheu në shqip klasikë si Tolstoi, Turgenievi, Hygoi, Cvajku, Abati Prevo etj

Lamtumirë miku ynë, akademik Guri Shyti

Kol.Ing.Myfit GUXHOLLI

Është ndarë nga jeta në ditën e parë të këtij viti, z. Guri Shyti.
Ai ka lindur në vitin 1930, në fshatin Tragjas të Vlorës.
Pesë klasat e shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, pastaj bëri një klasë të shkollës tregtare të Vlorës në vitin shkollor 1941-1942.
Pas luftës hyri në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Që në bankat e shkollës së mesme provoi të shkruante ndonjë tregim, apo të përkthente ndonjë gjë nga gjuha ruse.
Pas saj u dërgua në ish-Bashkimi Sovjetik për studime ushtarake.
Pas kthimit, mbaroi studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Kimi Industriale.
Punoi në Ministrinë e Mbrojtjes, pastaj pedagog i kimisë ushtarake në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, e më vonë pedagog i Armëve të Dëmtimit në Masë në Akademinë Ushtarake, në Tiranë.
Guriu ishte, pedagog në Akademinë Ushtarake, në Universitetin e Tiranës dhe në shkolla të tjera të larta, përkthyes i letërsisë artistike dhe autor i disa librave.
Megjithëse prej shumë vitesh në pension, Guriu nuk e ndërpreu punën intelektuale deri në ditët e fundit të jetës.
Gjatë kohës ka shkruar në organe të ndryshme të shtypit, ka botuar libra për specialitetin e tij ushtarak.
Pas daljes në pension ka shkruar librin autobiografik me përjetime “Sikur të isha vetëm...”. Ndërkohë, krijimtarinë e tij më të spikatur e gjejmë në librin “Një martesë e pazakontë”, botur në vitin 2007 (Tregime, esse, vjersha.). Gjejmë këtu krijimtari sa produktive edhe cilësore të një prozatori, poeti e publicisti të mirëfilltë, ku reflektohet bota e tij shpirtërore si dhe përgatitja profesionale e akademike. Nëse tek proza e tij e shkurtër do të veçonim “Tregimet e Çimit” (mikut të rinisë me të cilin u ritakuan pas 50 vjetësh në një dasëm), apo “Lulet e pranverës”, mendimin e tij filozofik Guri Shyti e evidenton më së miri në essenë me titull “Intelektuali i mirëfilltë”, ku që në krye të herës, referuar fjalorëve encikolopedikë, shprehet se: “intelektuali është njeri i pajisur me intelekt, që ka talent dhe krijon vepra të bazuara në talentin dhe arsimimin e tij. E thënë më shkoqur, intelektuali është një njeri i mençur, i urtë dhe krijues i talentuar në fushën e veprimtarisë së tij. Nga pikëpamja njerëzore, intelektuali i mirëfilltë është human, zemërgjerë, që di t’u bëjë lëshime atyre që mendojnë ndryshe nga ai, është njeriu që dialogun me kundërshtarët e tij në mendime e ka në bazën e veprimtarisë së tij, njeri që krijimtarinë e vet intelektuale e drejton në të mirën e njerëzve, pavarësisht nga përkatësia politike, kombi apo raca….”.
Pavarësisht këtyre referencave nga fjalori enciklopedik, në të vërtetë këto virtyre mishëronte në karakterin dhe intelektin e tij, intelektuali i mirëfilltë Guri Shyti. Po në këtë këndvështrim është edhe apeli i tij qytetar për gjuhën tonë.
Por Guri Shyti të mahnit me bukurinë e fjalës edhe ne krijimtarinë e tij poetike, veçanërisht në vjershtat me titull: “Atdheut”, “Mos më lëndo”, “Gruas në 50-vjetorin e martesës, Rrëfenjë për nipin”, “Pavdekësia” etj.
Guri Shyti është marrë gjerësisht me përkthime. Ka përkthyer në shqip nga letërsia botërore, si nga gjuha ruse, edhe nga ajo italiane.
Ndër rreth tridhjet librat e përkthyer e të botuar, ka klasikë si Tolstoi, Turgenievi, Hygoi, Cvajku, Abati Prevo, Luiza Mei, Elkot, Kiplingu, Norvudi, Zveva, Kazati Modinjani, etj.
Ka përkthyer mjaftë vepra që kanë mbetur në dorëshkrim, për mungesë botuesi.
Me dinjitet i përballoi vështirësitë e jetës dhe burrërisht u përball me sëmundjen e kancerit në mushkëri deri në çastin që u shua.
Kryesia e OBVL i shpreh ngushëllime familjes dhe të gjithë shokëve dhe miqve të tij të shumtë.





Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes