• Presidenti i Republikës së Shqipërisë SHT Z.Ilir Meta shprehet se Kongresi i Lushnjes
rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij
100-vjetori i Kongresit të Lushnjes,
vendimet e atij Kuvendi mesazh reflektimi

TIRANË, 21 janar 2020 - Presidenti i vendit Ilir Meta, ka kujtuar sot 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, duke e cilësuar atë një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në historinë kombëtare, pas asaj të shpalljes së Pavarësisë. Në një postim në “Facebook”, kreu i shtetit shprehet se Kongresi i Lushnjes rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij.
POSTIMI I PLOTË I
PRESIDENTIT ILIR META:
Kongresi i Lushnjes, 100-vjetorin e të cilit festojmë sot, është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë.Kongresi i Lushnjes rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij, krijoi Kushtetutën e parë të vendit, zgjodhi të parën trupë legjislative mbi baza pluraliste, dhe shprehu vendosmërinë e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
100 vjet më vonë, vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar.
Koha i thirri burrat e shquar atdhetarë shqiptarë me bindje të ndryshme politike në vitin 1920 për t’i vënë mendjen dhe energjitë e tyre në shërbim të kombit e për të shpëtuar Shqipërinë.Nderimi për ta e për veprën e tyre është sot obligim, por edhe një detyrë që në emër të idealeve që frymëzuan ata, të ecet drejtë për ta bërë atdheun tonë një vend të qëndrueshëm dhe frymëzues për brezat e rinj, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në një Shqipëri demokratike dhe anëtare të Bashkimit Europian.
Sot festohet 100-vjetori i Kongresit të Lushnjes, një prej më të rëndësishmëve në historinë e kombit tonë shqiptar. Kongresi i Lushnjes ka zhvilluar punimet që prej datës 21 deri më 31 janar të vitit 1920. Ky kongres ka luajtur rolin më të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar, pasi qëllimi i mbajtjes së këtij kongresi ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në këtë kongres kanë marrë pjesë rreth 50 përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.
|