l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Me dhanë pushkën pa luftue/...ma mirë vdekë se me u marrue...”! (VISARET E KOMBIT - Tiranë, 1939 / IV, f.88)

Mark Deda - PLAKU LEGJENDAR I BJESHKËVE TONA


Mark Deda (1840-1910) është dëshmori i parë që Berisha dhe Puka dhanë për liri e Pavarësi. Ai është pinjoll i një prej kullave të Malësisë, që bijtë e saj kanë lënë histori të lavdishme ndër breza në luftë për liri e pavarësi me pushtuesit osmanë, serbë e malazezë, duke ia kushtuar jetën atdheut tonë të dashur. Kullë e cila gjendet në lagjen Belshina të fshatit Berishë të rrethit të Pukës, kontributi i së cilës për liri e pavarësi Kombëtare shtrihet që nga koha e Tanzimatit.
Mark Deda (Dëshmor i Atdheut), nga martesa e tij me Lenën, bijë Toplane nga dera e Dedë Kolës kishte tre djem: Ndoc Mark Deda (Dëshmor i Atdheut); Mëhill Mark Deda (Dëshmor i Atdheut); Gjergj Mark Deda (Qytetar Nderi Komuna Iballë).
Marku, u rrit në Berishë në luginën e Drinit, në zemër të maleve kreshnike shqiptare, në një prej zonave të njohura për bujari, trimëri dhe atdhetari, që u bënë virtyt i formimit të tij, shembull për brezat pasardhës. Marku, ishte bashkëmbrojtës i traditave në autonominë e maleve që prej zbatimit të Reformave të Tanzimatit.Ai nuk u tërhoq nga idealet për liri e pavarësi as nga presioni i madh që ushtronte Porta e Lartë.
Mark Deda bashkë me trimat e tjerë të zonës, u bë përkrahës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare deri në Plavë e Guci dhe të udhëheqësve të Lidhjes, Dega Pukë, si Ismail Agë Kryeziu, Musa Puka, etj. Edhe në vitin 1882-1885 Mark Deda merr pjesë në kryengritjen për lirimin e krerëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ( Xhemal Meçi, Gazeta “Koha Jonë” Tiranë me 04 .06. 2016, f.14) Musa Puka, Ismail Agë Kryeziu (Dekoruar për veprimtari patriotike me 1978) kryengritje e organizuar nga Mustaf Agë Kryeziu, etj. (Dokomentat arkivorë Nr3/1Prot.,datë 18.08.2014 dhe Nr.5/2Prot., datë 04.03.2016, Muzeu Historik Pukë) me qëndrimin e tij të guximshëm, tëhoqi rreth vetes luftëtar liridashës me të cilët u bë simbol i qëndresës në viset për rreth Drinit, në anën veriperëndimore të Pukës e jashtë saj.
Luftrat e pareshtura të malësorëve kundër pushtuesit osman tregonin revoltën e tyre në rritje në shkallën më të lartë të ndërgjegjësimit kombëtar për liri e pavarësi. Megjithatë pushtuesit Osmanë nuk hoqën dorë për shtypjen e këtyre kryengritjeve dhe çarmatosjen e popullit. Për këtë qëllim ata dërguan herë pas here ekspedita të dhunëshme të cilat ushtronin terror ndaj banorëve dhe kërkonin çarmatosjen. Në këtë periudhë të vështirë e plot rreziqe djaloshi trim i berishës, Dëshmor i Atdheut Ndoc Mark Deda, duke kaluar fshatrave e lagjeve të Berishës, duke shprehur edhe mendimin e vendosur të popullit , deklaroi haptas se “nuk do t’i dorëzoj armët për së gjalli”. Më 1910, kur u kërkua me forcë zbatimi i ligjeve të Qeverisë Xhon Turke, Ndoci, prijësi i një prej çetave të kësaj zone, nuk pranoi, as taksa, as çarmatosje, as nizamërinë , detyrim ushtarak. Në Korrik të këtij viti, me ardhjen në Pukë të Shefqet Turgut Pashës në krye të një ushtrie të madhe, u bë presion i fortë ushtarak për dorëzimin e armëve që mbaheshin në popull. Në ato zona ku kishte prijës, si në Berishë: Ndoc Mark Deda i cili kishte rënë në sy nga pushtuesit si drejtues çete, organizues dhe prijës popullor, kundër pushtuesit, mblidhnin burrat dhe në qendër të fshatit i torturonin egërsisht, si e si që fshatarët nëpërmjet keqtrajtimit e dhunës të dorëzonin prijësit e çetave. Kur nuk ia arrinin qëllimit as kështu, merrnin masa të tjera me anë të xhandarmërisë e prej forcash ushtarake që t’i ndiqnin kudo duke përdorur edhe pabesira e pusira nga më të ndryshmet. Në këto kushte Ndoci së bashku me dy vëllezërit e tij Mëhillin dhe Gjergjin u arratisën në mal. Arratia në këto kohëra të vështira që po kalonte vendi ishte bërë një dukuri e zakonshme, por pas disa muajsh arratije, ata vendosën që të ktheheshin në shtëpi me datën 5 dhjetor 1910 pasi ishte një “Natë e Madhe” dhe populli e festonte sipas traditës Natën e Shënkollit, por një spiun, kishte njoftuar xhandarmërinë duke thënë se “Ndoci gjendej në shtëpi”. Kështu pa vonuar Kulla u rrethua nga forca të shumta ushtarake e të xhandarmërisë, të armatosura me mjetet luftarake më të mira të kohës. Ndoci vet i treti vëlla: me Mëhillin ,Gjergjin dhe babë Markun, vendosën së bashku që kurrësesi të mos dorëzoheshin. Luftimet filluan dhe forcat armike qëllonin mbi shtëpi nga të gjitha anët, por Ndoci doli me të shpejtë përmes të shtënave të armëve të zjarrit të forcave pushtuese duke hapur një front të ri në sulmin ndaj armikut, të cilët po qëllonin mbi shtëpi pa pushim, ai për të dalë u ndihmua edhe nga pema e manit e cila ndodhet në cep të shtëpisë dhe i shërbeu si mburojë i cili nga plumbat dhe gjylet e topave gjysma e tij më vonë u tha dhe gjysma tjetër ruhet edhe sot, i cili njihet si “Mani i Ndoc Mark Dedës”.
Me hapjen e frontit të ri të luftimeve nga Ndoci u zhvillua një betejë tepër e ashpër jehona e armëve ushtuan në luginën e Drinit, trimat nuk u mposhtën, por goditën pa pushim armikun, aq sa në kampin e zaptive filloi tërheqja në panik duke marrë mbi shpinë trupat e viktimave dhe të plagosurve të tyre, ndërsa Ndoc Mark Deda me vëllezërit e tij dhe pjesëtarët e çetës që i erdhën në ndihmë si Mehmet Ali Doçi, Demë Prendi, Koc Marku (ish korrier i Bajram Currit), Vëllezërit Koliku, Vat Martini i ndoqën zaptitë më luftime në mbi 2km, deri te “Lisi i Lekës”. Gjatë kësaj beteje u plagos Ndoci me të dy vëllezërit e tij Mëhillin dhe Gjergjin, ndërsa i ati i tyre Mark Deda gjatë luftimeve ra dëshmor në moshën mbi 70 vjeçare, dëshmori më plak i çetës. Porosia e fundit para vdekjes e atdhetarit trim Mark Deda për të bijtë që: “Për të gjallë mos me u dorzue, / por me vdekë tuj luftue !”
Nga ana e armikut pati tetë të vrarë mes të cilëve edhe Çaushi (Komandati i garnizonit ushtarak ) si dhe të plagosur të shumtë. Ndoc Mark Deda e kishte paralajmëruar prej kohësh “Hyqimetin” (Përfaqësuesi i qeverisë osmane, i Portës së Lartë) se Berisha nuk i dorëzon armët për së gjalli dhe se po t’i kërkojë ndokush ato, do të gjakosej nga dora e popullit të saj.
Këto luftime krejt të pabarabarta me forcat armike, ishin traditë në këto male siç tregon Frang Bardhi në vitin 1638 kur e vizitoi zonën e Iballës dhe Berishën i cili shkruante: “...N’Evropë nuk gjendën as nuk janë gjetur trima si këta, që kaq rrënim t’u kenë sjellë osmanëve “...besohet se në Evropë nuk gjendën burra armësh më të mirë se këta kundër armikut. Burrat e kanë për nder të vriten sidomos me ushtri të mëdha, një i vetëm shkon me guxim e futet në mes të 15-20 ushtarëve armik, jo së largut e me zjarr, jo fshehurazi, por ballë për ballë, me siguri gjë e pabesueshme për ata që nuk e dinë.
Këtë ngjarje epokale të qëndresës sonë kombëtare, sado me humbje dhe pasoja, gjatë së cilës Ndoci tregoi guxim e vendosmëri, duke dhënë shembull në komunitet, duke u bërë simbol i qëndresës Shqiptare, dhe nje figure e pavdeksehme e vetmbrojtjes Shqiptare, gjë që aq mirë e portretizon “Artist i Merituar” Prendush Gega, bashkëkohës i zhvillimit të ngjarjes në një prej këngëve më të fuqishme të krijimtarisë së tij: “N’at Stamboll po kndon gazata / si nap armët sa të jetë jeta / sa të jetë jeta armët si jap / për pa i la zaptit me gjak.…”
Kenga e Ndoc Mark Dedës është kënduar aq shumë me një shtrirje që nga Shqipëria, Kosova si dhe në të gjitha trevat ku flitet shqip deri SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës ) prej emigrantëve që jetojnë atje. Për më tepër, Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër, 1983, ansambli artistik i Pukës e ka hapur programin me këngën e Ndoc Mark Dedës. Në këtë festival prej dekadash zbrisnin aty nga brenda e jashtë Atdheut me një bukuri të rrallë veshjesh dhe entuziazëm mahnitës, shoqëruar me veglat muzikore të gjithfarshme, grupet më të mira të ansambleve folklorike për konkurim. Gjithashtu edhe ansambli “Rugova” i Kosovës ka bërë hapjen e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 2009 me këngën e Ndoc Mark Deda e përzgjedhur prej tyre pasi këngëtari Kosovar, Bajrush Doda me këtë këngë kishte sukses të jashtëzakonshëm në mbarë Kosovën duke e ngritur publikun në këmbë me brohoritje (Xhemal Meçi, “Poeti i Kabashit”, Puka që në lashtësi - 6,Tiranë 2014, f.201-202; f.202-203; f.233-236). Jeta dhe veprimtaria patriotike në shërbim të atdheut e Mark Dedës është vlerësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë përmes Komisionit Qendror të Statusit “ Dëshmori i Atdheut”, me vendim Nr.708 datë 11 Janar 2017 duke e shpallur atë “Dëshmor i Atdheut”, dhe familjes së tij i jep simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut” .
Simbolet “Familje e Dëshmorit të Atdheut, për Dëshmorit e Belshinës: Mark Deda, Ndoc Mark Deda, Mëhill Mark Deda, Certifikata “Qytetar Nderi” i Komunës Iballë e Gjergj Mark Dedës, si dhe fotoportretet e tyre të përgatituar nga piktori Mahmut Gashi, ruhen nga pasardhësi i tyre, studiuesi, Inxhinier Kol Dedaj, Qytetar nderi Bashkia Pukë, autor i disa librave e botimeve. Në përgaditjen e këtij shkrimi modest për lexuesin u mbështeta në materjale arkivore si dhe në shkrimet e historianit Xhemal Meçi (Mjeshter i Madh) në botimet e mija të mëparëshme, etj., për këtë bërthamë e simbol të vetëtdijes sonë kombëtare. Në mbyllje bashkangjitur gjëndet një poezi, për këtë pishtar të trojeve tona iliro-arbnore-Shqipëtare me titull:Plaku legjendar i bjeshkëve tona.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes