l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

“ Tirania më e egër është ajo që vepron nën hijen e ligjshmërisë dhe del me flamurin e drejtësisë” - Montoskjé

Përralla e të gjithëpushtetshmit

Nga Liljana Muça

Dikur e dikur... në kohë të largëta na ishte njëherë një perandor. Përsëri dikur... na ishte njëherë një i gjithëpushtetshëm, i cili me çmenduritë e tij mendonte se zotëronte universin dhe dirigjonte kohën.
Por një ditë, në një kohë, në një pikë të kësaj Toke, kur dielli si gjithmonë ndriçonte për të gjithë njëlloj, kur koha pa çarë kokën për kërkënd ecte me metrin e saj. Ai, i gjithëpushtetshmi, si papritur, por edhe pritur, u gjend fare i pafuqishëm, siç i munduri glaudiator nga më i fuqishmi glaudiator.
Nuk deshi ta besonte dhe madje as ta pranonte. Por... oh, sa i pafuqishëm po ndjehej! Nuk ishte më Supremi. Paskësh një Suprem tjetër më të madh, të cilin nga tribunat e << fitorjeve >> e kishte mohuar, e kishte sharë, por tani... oh, ai të bëka të të vijë mëndja vërdallë!
Në çast, të gjitha orenditë e dhomës, i pa kokëposhtë. Në atë vorbull marramendëjeje dhe lëmshi filozofish, me mundim të madh mundi që të frenonte mendimin në thënien e mosdëshirueshme se; “Bota qenka me rrota”. Cili filozof ta kishte thënë; Sokrati, Niçja, Makiaveli apo kush tjetër?!
Nuk po i kujtohej se kush ta kishte thënë-botën me rrota- ndoshta asnjëri nga këta, por ama filozofia e Makiavelit se; “Mjeti përligj qëllimin” iu kujtua fare qartë, ngaqë e kishte patur fort për zemër thënien e tij. Ja atje në fund të dhomës, në tavolinën këndore, ishte një mjet. Ishte një poçe e madhe kineze, dhuruar për ditëlindje me mbishkrimin e një miku idealesh. Po ashtu, ishte një mjet edhe bastuni i fortë larë me flori, i cili kishte ardhur nga Franca prej një miku tjetër idealesh. Eh, Franca...! Nëse ndokush me qëllimin dashakeqas do të ishte gjendur si “papritur” në dhomën e tij. Ai ato “dhurata të paqme” do t’i kishte kthyer në mjete ndëshkuese, mjafton që me ato të godiste kokën e një kokëboshi që kishte guxuar të ngjitej në Olimp. Hodhi sytë nga poçja. Ishte aty por me kokë poshtë.
Në tavolinën e tij të punës, gjysëm shekulli më parë e në vazhdim, mbi të bardhën ishte vulosur e zeza, ishte prangosur liria, ishte vrarë jeta dhe të gjitha këto, në emër të lirisë. Sepse të gjithë tiranët e kësaj toke kanë besuar tek liria e vetvetes, duke e siguruar atë tek shtypja e popullit të tyre. Ai i gjithpëpushtetshmi, diskriminimin, intrigat, klanet dhe kurthet e gatuara ne kuzhinën e shtrigave i kishte patur mjet pune që do të thoshte; baltë mbi të vërtetën, të cilat kjellët përmbushin Qëllimin e Zi, të nënshkruar me Stilografin-Mjet prej qelibari.


“Urdhëroj, të pushkatohet”!
“Urdhëroj, të internohet”!
“Urdhëroj, të zhduket pa lënë gjurmë”!
Eh, bota me rrota! Gjuha filloi të trashet dhe ndjeu se s’do mund të fliste dot më. Gjoja po i thahej dhe fryma po i zihej. Provoi një siklet të jashtëzakonshëm. Sytë iu zgurdulluan, jashtë mase frikshëm.
Personeli, edhe pse ashtu i shtrirë, kur rrugën e kishte marrë për tjetë botë, ia pati përsëri frikën.
Ai bëri t’iu bërtasë e t’i godasë, por nuk mundi... Dhoma filloi të rrotullohej e të rrotullohej dhe çdo gjë brënda atyre kontureve humbi formën për të marrë një tjetër formë, atë të një honi të zi e gjigand. E pa veten se po përpihej nga shtjella e atij honi me gojë stërmadhe. Dikur e kishte injoruar Danten duke thënë; “Broçkulla”! Mendimi i fundit ishte: “Po më pritka ferri”. Si, shumkërkush që ikën nga kjo botë me një peng në zemër, edhe të gjithëpushtetshmit i mbeti një peng. Kishte dashur të hartonte një dekret të posaçëm ku në atë fletë ogurzezë të shkruhej: “Njerëzve u lejohet të marrin frymë vetëm me lejen time” Por... zuri shtratin, si tani. Hija e vdekjes nuk e kurseu me krahët e saj të gjatë. Personeli mori frymë lirshëm, teksa e panë ashtu të shtrirë pa jetë. Nga dritaret e hapura hyri një fllad i ngrohtë pranveror me aromën e luleve të prillit. Ishte Prill... Ajri nuk ishte i ndaluar dot, as edhe Liria.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes