l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Skluptori përmetar Gjergji Lipe është duke gdhendur në gur portretin e tj, frymëzim nga gazeta “Veterani”

Të bashkuar, si në kohët e luftrave për liri e pavarësi të Kosovës

Rrahman PARLLAKU*
Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit

Kur kujtojmë Konferencën e Bujanit, duhet të shikojmë ngjarjet që e paraprinë atë e sidomos ato që e pasuan. Në kushtet kur nuk u aprovuan këto vendime nga ish udhëheqja Jugosllave e Luftës dhe kur heshti në mënyrë të papranueshme edhe ajo shqiptare, e vunë në pozitë shumë të vështirë udhëheqjen e Luftës në Kosovë dhe nxitën forcat shoviniste serbo-Malazeze për të bërë masakra si ato të Drenicës, Tivarit e në gjithë hapësirën ku banonin shqiptarët. Kjo edhe për faktin se nuk u realizua plani i akademikut shovinist Sava Çubrolloviç për spastrimin etniik të shqiptarëve.
Plani i Sava Çubrolloviçit dështoi, për meritë të pjesëmarrjes në mënyrë masive të kosovarëve në Luftën Antifashiste Naciopnalçlirimtare të drejtuar nga i paharruari Fadil Hoxha, që e shkëputi Kosovën nga lidhjet me boshtin nazi-fashist dhe e bashkoi me Aleancën Antifashiste të popujve, të drejtuar nga Anglia, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Plani i propozuar nga Çubrolloviçi mbeti në sirtarët e Titos, pasi ai nuk mund të përzinte nga trojet e tyre familjet e 50.000 shqiptarëve që po luftonin kundër forcave naziste, të inkuadruar në brigadat partizane kosovare, në ushtrinë jugosllave e në brigadat e Divizionit V-të që unë komandoja në luftimet në Sanxhak e në Bosnje.
Me rezistencë të papërkulur dhe me këmbëngulje të patriotëve që bënë Luftën Nacionalçlirimtare, të intelektualëve patriotë e të rinisë, brenda atyre hapsirave që lejontere gjimi i Federatës, ruajtën gjuhën, shkolluan rininë, hapën Universitetin e Prishtinës dhe institucionet akademike e kulturore: të gjitha këto hapën perspektivën për zhvillim, që ngriti lart ndjenjat kombëtare; u bënë bazë për lëvizjen Çlirimtare; u krijua elita që do të udhëhiqte Lëvizjet e Studentëve e rinisë patriotike. Kjo nxori në krye Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, udhëheqësin e rezistencës kundër shovinizmit serb dhe e bëri të njohur problemin kosovar në opinionin ndërkombëtar, që kish lënë në errësirë Mbledhjen e Dejtonit, ku morën pjesë republikat e ish jugosllavisë, e jo Kosova, megjithëse edhe ajo ishte pjesë Kushtuetuese e Federatës. Ai bëri që të ndihet në Europë, Amerikë e botë, se ka një problem të pazgjidhur për shqiptarët në Federatën Jugosllave; problem që duhej të zgjidhej, me dashjen apo pa dashjen e serbëve, të mbrojtësve e përkrahësve ndërkombëtarë. Kjo zgjidhje erdhi, megjithëse me shumë sakrifica të popullit kosovar, me daljen në fushën e betejës të legjendarit Adem Jashari e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mundësoi pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të NATO-s, për t’u dhënë goditjen përfundimtare ushtrisë e paramilitarëve serbë dhe që ndihmuan në çlirimin e popullit të Kosovës.


U jemi mirënjohës për jetë, atyre dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Unë e quaj vehten me fat që po marr pjesë në përkujtimin e kësaj ngjarjeje historike në kryqytetin e Kosovës së lirë e demokratike. Nga ana tjetër, e ndjej vehten pjesëmarrës të këtyre ngjarjeve, pasi drejtova luftimet e Brigadës së 3-të partizane që kish ardhë në ndihmë për çlirimin e Kosovës. Në luftimet e zhvilluara u plagosa e më rodhën disa pika gjaku në këtë tokë. Gjithashtu në moshën 80-vjeçare u përfshiva me Organizatën e Bashkuara të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare që drejtoj, në bashkimin e 64 organizatave e shoqatave jo qeveritare dhe isha në Këshillin Koordinues të tyre, që u morën me pritjen e vëllezërve e motrave kosovare, të përzënë me dhunë nga trojet e tyre prej bandave të Millosheviçit; me sistemimin e tyre në familjet e qytetarëve tiranas, që i prisnin me dashamirësi; në kampet e ngritura enkas për ta, për kujdesin shëndetësor e të tjera. Në këtë mënyrë u përpoqëm të japim kontributin tonë modest në këtë luftë. Jo pa qëllim i solla në vëmendjen tuaj këto pak raste, por për të dëshmuar se kemi qenë, jemi e do të jemi sërish bashkë, si në kohët e vështira të Luftrave për liri e pavarësi të Ko-sovës.

*FJALA NË TRYEZËN SHKENCORE ME RASTIN E 70-VJETORIT TË KONFERENCËS SË BUJANIT - Prishtinë, me 13.12.2013.



Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes