l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Një prej anëtarëve të shtabit të batalionit ishte nga radhët e partizanëve shqiptarë, Sami Kotherja

Rruga e lavdishme e Batalionit “Antonio Gramshi”

Kol.Ing.Myfit GUXHOLLI
Kryetar i OBVL

Në kohën kur ushtria fashiste e Musolinit u detyrua të kapitullonte për shkak të luftës së forcave antifashiste të ushtrive aleate, SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë, në Shqipëri ndodheshin me mijëra ushtarë italianë. Në këtë kohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare u bëri thirrje reparteve të ish ushtrisë italiane që t’u dorëzoheshin forcave të UNÇl shqiptare dhe së bashku me ushtrinë tonë, të hidheshin në luftë kundër nazifashistëve gjermanë. Pati nga ata ushtarë që e kuptonin se kjo ishte një luftë e padrejtë për të okupuar territore, siç veproi Musolini me vendin tonë, që e okupoi dhe deshi ta bashkonte Shqipërinë me Italinë. Një pjesë prej tyre, patriotë të vendit të tyre e pranoi thirrjen dhe u bashkuan me ushtrinë tonë Nacionalçlirimtare, me gjithë armatimet e tyre, duke përbuzur kërcënimet e oficerëve të ushtrisë italiane të kapitulluar tashmë. Ushtarë e oficerë italianë që nuk donin të bashkoheshin me ushtrinë gjermane kaluan në male dhe u bashkuan me partizanët shqiptarë.
Në këto rrethana komanda dhe shtabi i Brigadës I Sulmuese vendosën të krijonin një batalion më vete, ide kjo që u pëlqye dhe u miratua nga ish-ushtarakët italianë të ardhur në brigadë. Kështu, më 9 tetor 1943, me shumicën e këtyre ushtarakëve lindi batalioni i emërtuar “Antonio Gramshi”. Efektivi i tij në krijim kapte numrin 137 luftëtare. Pjesa tjetër e mbetur u fut në përbërje të nënreparteve të brigadës. Ushtarakët italianë i zgjodhën vet drejtuesit e batalionit të tyre. Komandant u zgjodh nënoficeri Tercilio Kardinali, komisar politik Alfredo D`angelo, nënkomandant përzgjodhën Xhuzepe Montin kurse zëvendëskomisar Dominiko Bogatain. Një prej anëtarëve të shtabit të batalionit ishte nga radhët e partizanëve shqiptarë, Sami Kotherja.
Batalioni u organizua me dy kompani, e para, që përfshinte edhe komandantin dhe komisarin, numëronte 42 veta; e dyta, përveç komandës, përbëhej nga 88 luftëtarë. Veprimtaria e përditshme dhe ajo luftarake e batalionit drejtohej nga shtabi i tij, i cili përbëhej nga 5 anëtarë. Pranë shtabit u mbajt një skuadër me 7 luftëtarë, me përberje 2 korrierë (lajmëtarë), 1 infermier, 2 këpucarë, 1 berber dhe 1 intendent.
Ndërkohë, një numër tjetër ish-ushtarakësh italianë, hynë në shërbimet, por edhe drejtperdrejt në radhët e batalioneve të kësaj brigade. Veçanërisht të parapëlqyera prej tyre ishin shërbimi i intendencës, ai i sanitetit (i shëndetësisë) dhe artileria e brigadës. Tipik ishte shërbimi sanitar, ku mjeku dhe 4 infermierët ishin italianë, ashtu si dhe ai i armës së artilerisë, me nënkomandantin dhe dy anëtarë të tjerë. Koha provoi se këta ushtarakë, me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre dhanë një ndihmesë të jashtëzakonëshme dhe të pazëvendësueshme për mbarëvajtjen e shërbimeve të mësipërme.


Batalioni partizan italian u përshtat dalëngadalë me jetën dhe veprimtarinë, si dhe me taktikën e veçantë të luftës që kryente kjo njësi, si formacion i një ushtrie të tipit vullnetar që ishte, duke i u përgjigjur mjaft mirë detyrave që i ngarkonte komanda dhe shtabi i brigadës. Batalioni nisi të përballej në veprime luftarake me nazistët, me një shkallë të lartë vështirësie, si me 15 nëntor 1943, në qytetin e Beratit, ku luftoi heroikisht, madje në rrethim për afro pesë orë, kundër më se 2.000 forcave naziste. Në këtë luftim mbetën të vrarë 10 luftetarë. Por batalioni ia doli të çante unazën e rrethimit të shtërnguar nazist, pikërisht duke u ndarë në grupe të vegjël, sipas koncepteve të taktikës së luftës partizane. Pas kësaj ngjarje batalioni “Antonio Gramshi” u riorganizua në shkurt 1944, kohë kur u bë një riorganizim i vet brigadës. Tashmë efektivi i batalionit kishte zbritur në 105 luftëtarë. Më pas, në kuadrin e veprimeve luftarake të Brigadës I Sulmuese, e cila merrte pjesë në operacionin mësymës të Divizionit I Sulmues në zonat në veri të lumit Shkumbin, gjatë muajve qershor-korrik 1944, mori pjesë edhe batalioni “Antonio Gramshi”. Pikërisht në luftimet shumë të ashpra, që u zhvilluan në fshatin Çerenec të Dibrës, më datën 8 korrik, batalioni luftoi me ashpërësi dhe heroizëm ndaj forcave naziste në këtë kuotë kyçe. Në luftim ra duke luftuar në krye të batalionit, komandanti i tij, T. Kardinale.
Prej 10 tetorit 1943 deri 20 Nëntor 1944, nga batalioni “Antonio Gramshi” ranë dëshmorë 15 partizanë, kurse 24 u plagosën. Më tej, ky batalion, mori pjesë me sukses edhe në luftimet gjatë operacionit të madh të forcave të Korparmatës së Parë të UNÇ-së për çlirimin e Tiranës, kryeqytetit të vendit, më nëntor 1944.
Me çlirimin e plotë të Shqipërisë, Komanda e Përgjithshme e UNÇ-së, urdhëroi që, mbi bazën e batalionit “Antonio Gramshi”, të thirreshin e të organizoheshin përreth kësaj bërthame, ish-ushtarakë italianë të shpërndarë anembanë Shqipërisë. Kështu (më 6 shkurt 1945) lindi brigada “Antonio Gramshi”. Pak kohë më pas kjo brigadë u shndërrua në divizion, i cili mbante të njëjtin emër. Në muajin maj 1945, më në fund, kjo njësi ushtarake me kombësi italiane, nën kujdesin dhe me interesimin e Komandës së Përgjithëshme të UNÇSH-së dhe të qeverisë shqiptare, në marrëveshje me qeverinë italiane të pasluftës, u riatdhesua në Itali, e përcjellë me një ceremoni të posaçme.

Kardinali vdiq si hero larg atdheut të tij...

(NGA DITARI I NJë PARTIZANI ITALIAN, EFEKTIV I BATALIONIT “ANTONIO GRAMSHI”)

8 Korrik 1943 – Brigada e I-rë e Divizionit të I-rë gjendet në Gollobordë të Dibrës. Forcat armike të vendosura në Çerenecin e Sipërm godasin në befasi Batalionin e I-rë të Brigadsë së I-rë që ndodhej në rrugë. Aty pranë ndodhej dhe Batalioni “Antonio Gramshi”. Sulmi u krye me komandantin Kardinali në ballë, kundër 800 xhandarëve, ballistëve e milicëve të udhëhequr nga ushtria gjermane.
E pashë Kardinalin para se të nisej në mësymje. Ishte tërë gëzim. I shkëlqenin sytë dhe ishte i kënaqur për misionin që i kishin ngarkuar në një sektor të rëndësishëm.
- Do t’i zhdukim me mësymjen tonë,-më tha.
Kjo kompani u hodh tre herë në mësymje dhe zbrapsi tre herë kundërmësymjen e armikut. Në krye të kompanisë, që mësynte vetëm, sulmonte Kardinali, duke u bërë shembull për partizanët. Luftimi zhvillohej i rreptë, por Kardinali nuk tërhiqej. Duke qenë ai në krye vazhdojmë të godasim armikun në këtë sektor të rrezikshëm.
- Në sulm shokë,-dëgjohet zëri i Kardinalit, që pas pak minutash ishte gati duke vdekur. Tre partizanë e ngrejnë dhe e tërheqin nga vendi…
- Vazhdoni sulmin shokë...unë po vdes...Jam i lumtur…. Vdes për idealin!
Dhe Kardinali, që me luftën e tij në brigadë kishte fituar të drejtën të bëhej anëtar i PKSH, vdiq si hero, larg atdheut të tij...vdiq duke u treguar shokëve partizanë të batalionit të tij rrugën e lavdisë...

Epopeja e LANÇ ishte një nga më të lavdishmet e popullit tonë

Epopeja e LANÇ ishte një nga më të lavdishmet e luftrave të bëra nga populli ynë për liri dhe pavarësi. Pa këtë luftë e cila na bëri të njohur nga aleatët tanë të mëdhenj, nuk do të ishte arritur çlirimi i vendit nga okupatori nazifashist.
Kjo luftë ishte vendimtare për vendin tonë, sepse na u njoh nga aleatët; në të kundërt, nëqoftëse nuk do të ishte njohur do të përfundonim në kampin e atyre që humbën luftën, me pasojë ndarjen e Shqipërisë mes neofashistëve grekë, ish-Jugosllavisë e Malit të Zi. Pra Shqipëria nuk do të ekzistonte.
Po citoj disa referime për Shqipërinë si aleate antifashiste, mbajtur në Konferencën Shkencore: “Shqiptarët dhe koalicioni Antifashist në Luftën e Dytë Botërore”, organizuar nga Akademia e Shkencave me rastin e 75-vjetorit të çlirimit:
1.Prof.Roderik Barleu (Britani e Madhe): “Politikat britanike kundrejt “rezistencës” në Shqipëri 1941-1944 ndikuan politikat britanike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”
2. Akademik Bernd J. Fischer – Rezultatet e fitores partizane në Shqipëri: Këndvështrimi Amerikan (i vëzhguesve amerikanë): “Më la përshtypje rinia dhe energjia e elitës së re; udhëheqësit partizanë për të udhëheqeur Shqipërinë në shekullin e XX”.
3.Prof. Lia Tosi (Itali) shprehet se një pjesë e ushtrisë italiane që nuk iu bind urdhërit për bashkimin me ushtrinë gjermane dezërtoi dhe u bashkua me forcat e Brigadës së V Sulmuese shqiptare për të luftuar krah për krah me partizanët shqiptarë. Komanda e Brigadës së V Sulmuese me urdhër të saj formoi Batalionin e VI të Brigadës. Kështu që ushtarët italianë gjetën shoku-shokun dhe luftuan së bashku. Po kështu ushtarë italianë pati dhe në brigada të tjera. Dokumenta arkivore tregojnë se nga partizanët italianë ranë dëshmorë 114 veta.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes