l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ekipi kosovar i kërkim-shpëtimit ishte ndër të parët, që në orën 4:30 të mëngjesit pas tërmetit të 26 nëntorit, erdhi në ndihmë të viktimave në Thumanë

Nderimi për ata që shpëtojnë jetë njerëzish

HALIL RAMA

Mirënjohja, si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut, merr dimensione të reja kur u adresohet atyre që shpëtojnë jetë njerëzish. Veçanërisht në këto ditë të kobshme për kombin shqiptar, pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti apokaliptik me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter, mesnatën e 26 nëntorit, që u mori jetën 50 njerëzve, mirënjohja u adresohet të gjitha atyre që kontribuuan në nxjerrjen e trupave të tyre nga gërmadhat dhe në shpëtimin e qindra të tjerëve. Dhe nuk qenë të paktë ata që kontribuuan në lehtësimin e dhimbjeve e pikëllimit mbarëshqiptar. Ndaj, edhe të premten në darkë, më 29 Nëntor (ditën e jubileut të lavdishëm të 75-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut), pas katër ditë kërkimi intensiv, gjeneral brigade, Manushaqe Shehu, në funksionin si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura nderoi me Certifikata Mirënjohje ekipin kosovar të kërkim-shpëtimit, të kryesuar nga Kapiten Kreshnik Nimani. “Mirënjohja, si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut është më kuptimplote në këto ditë të vështira për të gjithë ne. Ajo ju takon Ju që si ekip kosovar erdhët të parët dhe dhatë një kontribut të veçantë në shpëtimin e disa jetëve dhe në nxjerrjen e disa të pajetëve nga gërmadhat. Në këto ditë të vështira, Ju u bëtë shembull frymëzimi edhe për forcat tona të armatosura”, u shpreh ndër të tjera numri dy i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Vetë gjeneral Brigade, Manushaqe Shehu, e vetmja grua shqiptare me këtë gradë madhore dhe në një funksion kaq të rëndësishëm, ishte bashkë me ekipin kosovar në ndihmë të personave që u ndodhën nën rrënoja, si pasojë e tërmetit që shkatërroi një qytezë të tërë në Thumanë, ku mori jetën e 24 personave (24 viktima të tjera në Durrës, 2 në Kurbin dhe një në Tiranë) dhe shkatërroi dhjetëra pallate e shtëpi banimi. Në përfundim të këtij misioni, ajo i falënderon përzemërsisht dhe shpreh mirënjohje për heronjtë e këtyre ditëve të paharrueshme dhimbjeje kombëtare.

Vlerësimi maksimal i gjenerales shqiptare është për këtë trupë të shkëlqyer djemsh e vajzash, të bukur, të fortë, të aftë, të disiplinuar dhe të palodhur deri në përmbushjen me sukses të misionit, si produkti më spektakolar që ka nxjerrë lufta e Kosovës, në funksion të paqes së dinjitetshme. Efektivët e skuadrave të kërkim-shpëtimit të ardhur nga Kosova, ekipet e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës ishin të parat që mbërritën, duke u përqendruar në Durrës dhe Thumanë, në punën për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe personave që humbën jetën nën rrënoja.
Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu i ka falënderuar njësitet e specializuara nga Kosova, duke nënvizuar mirënjohjen për solidaritetin e treguar si dhe duke evidentuar profesionalizmin dhe gatishmërinë e lartë, si dhe kurajën e pashembullt që ata dëshmuan, duke na bërë krenarë të gjithëve.
“Ekipi kosovar i kërkim-shpëtimit ishte ndër të parët, që në orën 4:30 të mëngjesit pas tërmetit të 26 nëntorit, erdhi në ndihmë të viktimave në Thumanë. Me një angazhim maksimal mbresëlënës vetëm më 26 nëntor, në bashkëpunim me forcat shqiptare dhe ato greke, shpëtuan në Thumanë 17 jetë njerëzish”, pohon gjeneral Brigade Manushaqe Shehu. Ajo është e vetmja grua shqiptare që mban këtë gradë. Numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (nga data 16 janar 2018 e në vijim kryen detyrën e zëvendësshefit të SHP të FA) vjen në këtë funksion mjaftë të rëndësishëm pas një karriere të shkëlqyer në të gjitha nivelet e Ushtrisë Shqiptare. Shqiptarët, sot më shumë se kurrë, ndihen krenarë me profilin e numrit dy të Forcave të Armatosura të RSH, doktore e shkencave, gjenerale dhe juriste, Manushaqe Shehu. Mbi të gjitha, tek ajo spikasin vlerat njerëzore që i demonstroi përkrah vëllezërve tanë kosovarë edhe në këto çaste tragjike për kombin tonë.
Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri, ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare. Shqipëria përjetoi panikun, por dhe solidaritetin më të madh pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit, që fatkeqësisht la pas 50 viktima, ndërkohë që mbi 100 persona (41 të mbijetuar në spitale) kanë marrë lëndime. Por, nga ana tjetër, forcat speciale të Policisë, ato të armatosura, zjarrfikësit, kryqi i kuq dhe forca të Ushtrisë e Policisë kosovare ishin të gjithë në terren në operacione të vështira të kërkim-shpëtimit mes rrënojave të personave të mbijetuar.


Mrekulli dhe lajme të gëzueshme janë përcjellë në mesin e kësaj tragjedie, ku ndonëse prej orësh të tëra nën rrënoja janë shpëtuar të gjallë me dhjetëra persona. Dhe ndërkohë që e gjithë Shqipëria është në këmbë dhe të gjitha strukturat shtetërore dhe ato bashkiakë të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës e Kurbinit janë në gatishmëri të plotë, duke evidentuar pallatet e banesat e dëmtuara, janë me dhjetëra individët që ofrojnë ekspertizën e tyre falas në këtë proces.
Njëri prej tyre, gazetari i mirënjohur nga Prizreni, Bashkim Hisari, u adreson mirënjohje publike bashkëqytetarëve të tij, që treguan gatishmërinë për të hapur dyert e banesave dhe shtëpive të tyre për vëllezërit dhe motrat nga Shqipëria. Vetë z.Hisari si nënkryetar i OVLANÇ të Kosovës, që ditën e parë pas tragjedisë, shfaqi gatishmërinë për të strehuar ndonjë familje veteranësh nga Durrësi apo Thumana, ndërsa dje shkruante në faqen e tij në “Facebook” statusin me titullin “Bravo çunat e Lidhjes së Prizrenit”, që grumbulluan ndihma të konsiderueshme në veshmbathje, ushqime e ilaçe dhe i sollën me dy kamionë në Durrës e Thumanë. Në të njëjtën linjë me të edhe ing.Maksim Vinçani (nënkryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar), ndonëse në pension, shprehu gatishmërinë t’iu bashkohet ekipeve greke të ekspertizës që kanë mbërritur prej ditësh në vendin tonë. I gatshëm të veprojë sipas përvojës dhjetëravjeçare dhe veçanërisht të këtyre viteve të fundit në disa hidrocentrale, si në Mirditë, Korçë, Gramsh etj., por edhe si njohës i mirë i greqishtes që mund të komunikojë lehtë me ekspertët e ardhur nga Greqia.
Grupeve te ekspertëve të kobnstatimit të dëmeve nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëtnorit 2019 iu bashkua vullnetarisht edhe ing.Kol Deda, njëherësh sekretar organizativ i OBVL. Ai kreu një mision fisnik, jo vetëm me ekspertizën e tij, por edhe me fjalëne ngrohtë e miqësore për familjet e dëmtuara.


Si Maksim Vinçani dhe Kol Deda janë qindra të tjerë nga të katër anët e Shqipërisë dhe nga hapësira mbarëshqiptare në botë, të gatshëm të angazhohen me ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të kontribuojnë financiarisht për rindërtimin e banesave të shembura nga tërmeti apokaliptik. Ata meritojnë nderimin dhe mirënjohjen e thellë të të gjithë shqiptarëve.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes