l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Prof. Çabej thekson se kudo në trojet tona gjejmë një mori lojërash të ndryshme

“KANU VIGAJSH” NË TË DREJTËN
KANUNORE POPULLORE SHQIPTARE

Nga

Xhemal MEÇI, (Kabashi)

Ja sesi shprehej At Shtjefën Gjeçov Kryeziu për “ Kanu Vigajsh: “Herët-herët kur s’ka kenë pushka ndoshta, në të dam të kufive qitej në punë gurapeshi për kufij të afërta, e (ndërsa ) për të largtat bahej nji rrasë a gur sa bindi me nji, burrë “dmth me u ngarkue me të. Dy flamurët (bajraqet) e ngatërruem do të gjejshin ka nji burrë të fuqishëm e të damtë e kufive do t’u lehej atyne”. ...si i NEN- FANSI në Fushlugje në Malshejt të bjeshkës Orosh-Lurë. (Kanuni i Lekë Dukagjinit Shkodër, 1933, § 261-264, fq.39).
Le t’u referohemi disa praktikave të mbledhura vitet e fundit, për të ilustruar konkretisht zgjidhje të tilla konfliktesh,”ME KANU VIGAJSH”.
1.Fushlugje (fushës) në verilindje të Malshetit të Oroshit (Mirditë- Lurë), për të cilën e ka fjalën edhe at Sh. Gjeovi, ishte një prehër fushëze me një burim uji , që gurgullonte direkt nga thellësia e tokës, një nga mrekullit, tepër e çmuar për kullosën e pasur verore të Malshejtit, ku mungonte uji i pijshëm për barinjtë e bagëtinë. Deri më 1730 Lura e Oroshi nuk kishin penguar njëri-tjetrin në atë kullosë dhe burim jetëdhënës te Fushlugje. Po me shtimin e banorëve dhe të bagëtive, filluan mosmarrëveshjet. Lura thoshte se Oroshi nuk kishte pjesë në Fushlugje. Kurse Oroshi ngulte këmbë se Fushlugje ishte pjesë e bjeshkës së vet, e Malshejtit. Asnjëra palë nuk bënte lëshime. Mosmarrëveshjet u shndërruan në konflikte. Por me ndërhyrje të krenëve të fisesve fqinj Lurë dhe Orosh u morën vesh që ta pleqëronin në vend. Te Lteri i Shën Gjinit afro 2.5 km nga Fushlugje. Ku u tubuan dhjetra burra. Pleqtë e dy bajraqeve nuk po gjenin zgjidhjen e pranueshme për të dy palët. Mori leje (i Nen- Nenfansi) Gjokë Prenga i Gziqit: “Burra, ju e dini se për ksi kufesh ka “Kanu Vigjajsh”. E morën fjalën pleqtë e Lurës: “Gjurin po e caktojmë na. Kufe ta bajë Oroshi”. Zgjodhën në Kodër Malth, pak më në lindje të Mtesë, një gur me peshë rreth 250 kg. “Ki gjurë pesh n’krah, ku t’bin, past met kufe!” Oroshësit u stepën. Kushti ishte shumë i rëndë, ndofta i papërballueshëm. Këtë dëshironte edhe Lura. Përsëri ndërhyri i Gziqsi: “E marr û per Oroshin, por due me m’ lanë hisetar bjeshke brez mbas brezi , si e kanë pasë të parët tanë me Orosh.” Kushti u pranua! Tre vetë u deshën që t’ia vinin mbi shpatulla. Gjokë Prenga ishte bariu më i fortë i Gziqit. Me moshatarët e tij kishte fituar sa e sa herë në gara me gurapeshë me gurin sa “bindi” me “kush i del”. Në këto gara ishte bërë i njohur si i fuqishëm. Tani i duhej të tregonte forcën e guximin e tij para atyre malësorësh; të cilët për çdo hap që hidhte e ndiqnin me ankth. Duke duruar peshën tepër të rëndë e vapën e qershorit, mundi më në fund të përshkonte 2’5 km livadhe alpine prej Malthi deri në të dalë te Fushlugje. Guri i hedhur nga shpatullat e tij, u ngul me gjëmim në tokë për një të tretën. Me atë ditë i mbet emri “Gjuri i Gziqit”. ( Unë kam shkuar dy herë atje. Herën e dytë shkova më 1982,si arrita të siguroja aparatin për foton, që t’ia bëja atij guri legjendar, sepse ai gur, për të cilin e ka fjalën edhe At Sh Gjeçov Kryeziu, ka vlera të mëdha etnografike jo vetëm për Mirditë e Lurë, por shumë më gjerë).
Kujtimi i Gjokë Prengës u ruajt në mendësinë e popullit në formë gojëdhënash derisa e dëgjoi edhe At Sh. Gj. Kryeziu, ndërsa barinjtë e Mirditës e ruajtën për ta pasur kufi paqeje e shembull nxitje për gara të tilla.


2. Aty nga fillimi i shek.XIX Kaçinari ngriti zërin kundër Kuzhnenit që po i binte në qafë për ujin e Fushë –Lahes në bjeshkë. Kuzhneni thoshte se vetë Kaçinari ia kishte shitur do male e kullota. “Mal e kullota po, por ujin, jo”-ngulmonte Kaçinari. Kuzhneni këmbëngulte “, se s’ ka si dahet ai ujë nga kullota”. Mosmarrëveshja mori përmasa konfliktesh. Më në fund u mblodhën në Fushë-Lahe pleqtë e pajtimit të të dy palëve. Pranuan që uji të merrej me “Kanu Vigajsh”, me “kush e prek gurrën i pari”. Ai që do ta prekte gurrën i pari, do të fitonte ujin për katundin e vet. Secili katund nxori më të mirin vrapues. Vrapuesit u radhitën në fund të fushës. U dha shenja e nisjes. Të dy barinjtë u lëshuan me vrap. Kur iu afruan burimit, i kuzhnensi nisi të shkëputej. I kaçinarsi duke e parë se po mbetej prapa, i hodhi gurrës kësulën, kurse i kuzhnensi e preku me dorë.
Pleqtë e të dy palëve, për të shuar konfliktin, pleqnuan me këtë arsyetim: “Te di e preken gjurren niheresh, i kaçinarsi me kësulë, i kuzhnensi me dorë. Ujët të dahet mes tine me një gurrë krrabe”. Kështu u mbyll kjo grindje e gjatë. Barinjtë për nder të tyre, në kujtim plot dashamirësi e mirënjohje i vazhduan brez pas brezi garat në vrapim nëpërmjet lojës “kush e prek gurrën i pari”.
3. Rreth vitit 1870 filluan grindjet mes Kthellës e Oroshit për pyllin e Shkallgjanës. Si njëra, si tjetra palë shtronte arsyet e veta. U mblodhën krentë e Mirditës dhe thanë që kufiri të caktohej me “Kanu Vigajsh”, me “kush e ngul spatën aq thellë, sa pala tjetër t’mos e shkulte dot! Kthellës i ra shorti që ta ngulte spatën aq thellë, sa të mos mund e nxirte i oroshësi kërkues. Oroshsit po ta shkulnin spatën pa ia thyer bishtin, do ta shtynin kufirin deri ku e kishin kërkuar.
Prej Kthelle, Malajsh doli Ndrecë Prengë Marku, i cili e nguli spatën me aq forcë në arrnej (një lloj bredhi), sa oroshsit nuk mundën ta nxirrnin. Prandaj kufiri mbeti ku nguli spatën i Malajt. Për kujtim mbet shprehja: “Me spatë të Ndrec Pre’ Markut”do të mbetet kjo punë. Pra, për rastet kur bëhej fjalë për forcë e drejtësi, thuhej: “Si me spatë të Ndrec Pre’ Markut e paçim lanë”. etj. (Xh. M. “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Varianti i Mirditës, Tiranë,2002,, f. 326,327).
4. Në Iballe, Pukë, ende ka mbetë shumë i gjallë kujtimi për Bekë Zymerin e Buçajve, që e fitoi gjahun me Kanu Vigajsh me “kush ia del me e nxjerr prej ujt”. Ishte dimri i vitit 1902. Kishte rënë shumë borë. Bekë Zymeri heton gjurmën e një kaprolli që kishte zbritur në Breglumi. I vihet mbrapa. Pas tij u lëshuan shumë të rinj, që po luanin nëpër borë. Me Kanu të Lekë Dukagjinit çdo ndjekës pas gjahut bëhet pjesëtar i tij. Po numri i ndjekësve u bë shumë i madh. Më në fund, kaprolli mbet në Pusin e Vatajt. Pusi ishte shumë i thellë. Ndjekësit hodhën shumë borë në të, sa uji u trash aq shumë, kështu kaprolli nuk e çante dot. Atëherë Beka tha: “Jena ba shumë pjestarë. Kaprollin le ta marrin çaj që hidhet në pus dhe e kap”. Askush s’e mori guximin të hidhej. Më në fund u hodh vetë Beka me gjithë rroba dhe e nxori me not kaprollin prej pusit të ftohtë akull. E vuri mbi shpinën ku i kullonte gjahu dhe u largua për në shtëpi. Të gjithë e uruan njëzëri e me brohori: “E hangsh me të shëndoshë, o Bekë Zymeri!”. (Xh. M. “Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës.Itali, 1966,, Botimi i Dytë, Shkodër, 2019, f.176, Neni,366)
Këtu del qart se këto ngjarje u kanë dhënë shkas lojërave popullore, të cilat janë baza e kalitjes fizike e morale të atyre pjesëmarrësve në këto gara.
II.)Lojëra të tjera popullore që lidhen me këto janë: .”Kush e merr flamurin”, loja “jesir” , loja “o baj e mos gabo. Kush gabon, i duhej me e bajt shoqin mbi shpinë dhe “me ec me njanen kamë” Po kështu kush e vret shejin, si edhe vrapime me kuaj. (“EtnografiaShqiptare, Tiranë, VI, 1975).”
Pra, janë edhe lojërat popullore ato që shërbyen për kalitjen fizike e morale të të parëve tanë, por njëkohësisht janë ata njerëz, që japin shkas për një zhvillim të mëtejshëm e cilësor të lojërave tona popullore, sidomos të atyre lojërave që forcojnë vullnetin, kalitjen fizike, edukojnë gatishmërinë e sakrificën, virtytin e madhështinë morale. Praktikat e mësipërme dëshmojnë se lojërat popullore ishin bërë ushqim shpirtëror e moral i masave. Te lojërat tradicionale masat nuk shihnin thjesht vlerat argëtuese e çlodhëse, por edhe forcën e tyre morale, optimizmin për të ardhmen, harenë, gjallërinë dhe forcimin e besimit në vetvete, forcimin e shëndetit e të kalitjes fizike. Prandaj ishte kjo arsyeja që lojërat popullore ishin aq masive për të gjitha moshat dhe sa herë që zhvilloheshin, kishin gjithmonë një auditor mjaft entuziast.


Prof. Çabej duke çmuar lojërat popullore thekson se: “kudo në trojet tona gjejmë një mori lojërash të ndryshme. Kanë lojërat e tyre fëmijët e mitur e kalamanët pak më të mëdhenj, po kanë të vetat edhe djemtë e rritur, veç këtyre, edhe vajzat. (E.Çabej, Et. Shqip fq.7, VI/1975).
Është kjo arsyeja që lojërat pranoheshin me respekt e dashuri jo vetëm nga ata që i luajnë, por edhe nga prindërit dhe të moshuarit, të cilët gëzohen kur i shohin fëmijët e tyre nipërit dhe mbesat, të rinjtë e të rejat, pavarësisht nga mosha tek zhvillojnë me shkathtësi e zotësi lojëra e sporte të ndryshme. Prandaj është kjo arsyeja që prindërit e të moshuarit këshillojnë fëmijët e të rinjtë sa herë i shohin pa humor e të mefshtë: “Shkoni e luni me shokë (a shoqe)!”, “Shkoni e luni, mos rrini kështu!”
Fituesit e zotëruesit në shumë lojëra popullore, shiheshin në popull me dashamirësi e respekt. Ishin të mirëpritur jo vetëm në gosta, festa, gëzime e dasma, por edhe në kuvende e pleqërime, sepse prania e tyre sillte hare, gëzim, optimizëm, ripërtëritje shpirtërore, besimin në fitore etj. Në popull besohej se në lojëra popullore nuk mund të fitojë njeriu shpirtngushtë, ziliqar, egoist a servil e lajkatar, por njeriu që është i virtytshëm, që e do jetën e hareshme, këmbëngulës, plot shkathtësi e mprehtësi, që nuk e duron padrejtësinë, të cilën e do dhe e mbron me besim në forcat e veta. Prandaj edhe Mjeshtri i Sportit pukas, Përparim Laçi, në veprimtaritë e tia turistike, krahas sporteve, për të forcuar kalitjen e të rinjve u ka dhënë rëndësi edhe lojërave popullore sidomos në alpinizëm: “Me kush ia del në gjitje të shkëmbit,si te Shkambi Zanave, Qerret, Pukë etj.


Kështu, është kjo arsyeja që masat popullore bartësit e lojërave popullore, e sidomos fituesve në garat e tyre u kanë besuar edhe për zgjidhjen e çështjeve vetjake duke i pranuar deri si zbatuesit më të denjë për “Kanu Vigajsh”, që, siç thotë etnografi ynë i shquar At Shtjefen Gjeçov Kryeziu, atdhetari, Mësuesi i Populit:“do të njihen ndër “Kanune Vigajsh”, për arsye qi për t’fituemt e tyne ka punue fuqia e Zotit për të shporrë marren e korinë”.(KLD, Shkodër,1933,fq. 39).
Prof. dr.Bajram Xhafa, duke diskutuar për këtë temë, u shpreh, (nëntor 2019), se studimet e kohëve të fundit po arrijnë në përfundimin se në lashtësi ,diku nga rrëzët e Alpeve e deri në Gjallicë, Korab, dhe në të dy anët e Drinit e të Fanit kanë jetuar banorë vigaj, që duhet të ishin vazhdues të banorëve mijëvjeçar Iliro-pellazgë. Ndoshta në mbështetje të këtij pohimi hedh dritë edhe emri i një lagjeje me emrin VIGJA (lagje Vigja, Viga), në të ngjitur për në fshatin e Kimzës drejt Munellës.

*Studiues, “Mjeshtër i Madh i Punës” - Kumtesë e mbajtur në Zym të Hasit, në sesionin shkencor,të 30 nëntorit 2019.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes