l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Resul Resulit duhet t’i akordohet titulli “Dëshmor i Atdheut” dhe të nderohet për veprën e tij

DËSHMORËT NË RRËNJËT E LIRISË SË SHQIPTARIZMIT

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Shqipëria jonë e shtrenjtë, atje ku flitet shqiptarçe nga brezat arbërorë janë të përbashkuar nga gjaku, gjuha, kultura, flamuri, tradita e besa. Brezat nuk mund të harrojnë kurrë të rënët për tokën arbërore, heroizmin në luftë në mbrojtje të tokës arbërore. Është koha të fshijmë “pluhurin” e harresës sepse ndërgjegjia kombëtare e shoqërore kërkon të memorizojë historinë e kombit të nëpërkëmbur, të sulmuar e të lakmuar, është koha për të rihapur një çështje kaq e munguar për dhënien e statusit “Dëshmor”, sepse që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri më sot kanë rënë në fushëbeteja më shumë se 50 mijë shqiptarë të rënë për liri, pavarësi e demokraci. Në piedestal të kombeve qëndron gjaku i të rënëve, i bijëve që kanë shkruar epope trimërie e guximi, sakrifice, që nuk mund të harrohen. Për këtë arsye luftëtarit Resul Resuli/Onjea dhe gjithë luftëtarëve shqiptarë që gjakun e derdhën për Atdhenë, bazuar në Ligjin nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”; i cili ka hapur dritën jeshile për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut” duhet t’i akordohet titulli dëshmor dhe të nderohet për veprën e tij, sikurse gjithë bijtë e kombit shqiptar që gjakun e derdhën për Mëmëdheun, për truallin arbëror. Ky është detyrim i madh i amanetit të brezave për sot si dhe për vitet e dekadat që vijnë, sepse dëshmorët janë amanet i përjetësisë dhe shenjtërisë të të gjithë kombeve.

Në Shqipërinë e gjyshërve, ku emri profetik “Resul” rritej e madhështohej në beteja

Djali i Fushëbardhës Resul Beqo Resuli (Onjea) lindi në trevën labe të Gjirokastrës në vitin 1869. Ishte koha kur vendlindja e tij sikurse gjithë Krahina e Kardhiqit në Labëri e më gjerë vuanin nga sundimi osman. Gojëdhëna thotë se, emrin ja vuri gjyshi. E quajti “Resul”, me këtë emër profetik, që do të thotë “Profet”, sepse të tillë e donte ai, por të tillë e donte edhe koha e misioneve të mëdha. Fëmijëria e tij ishte e vështirë si gjithë moshatarët.
Arsimimi për kohën ishte ishte privilegj vetëm i shtresës së administratës civile e ushtarake osmane, dhe në fakt zhvillohej vetëm në mejtepet në osmanllisht. Por sikurse gjithë fëmijet e të rriturit në atë kohë mësonin vetëm gjuhën e nënës, gjuhës amëtare shqipe, por dhe osmanllisht të nevojshme për kohën sepse cdo lloj dokumentacioni ishte në osmanllisht. Fëmijëria e Resulit shkoi shpejt dhe u burrërua duke mësuar bëmat e të parëve të tij të ardhur nga fshati Vajzë e Vlorës e të vendosur në kodrat pranë Kofolesë në kufi me Zhulatin, në Fushëbardhë. Ditët kalonin kodrave, maleve e atyre pak lëndinave e fushave të fshatit, për të siguruar minimalist jetesën, ndërsa në mbrëmje rreth vatrës ushqeheshin me fukarallëkun e kohës, por dhe me frymën e traditës atdhetare, mësonin trimëritë e betejat e lebërve shekujve, për nizamët që kosharet osmanë mobilizonin çdo vit jo pak por 14000 djem ushtarë në të gjithë sanxhaqet/prefekturat e Shqipërisë në Rumeli. Por për rastet që dovleti lëshonte kushtrim “Vatan koruma için/për mbrojtjen e vatanit” në “harb zamani”/kohë lufte, numri i të mobilizuarve sërish rritej që përfshinte edhe redifët dhe vullnetarët. Resuli kur u rrit në moshë u bë zot i vetes dhe familjes. Erdhi koha e martesës sepse nizamllëku duhej që disa gjëra t’i bëje në kohë, të martoheshe dhe të bëheshe me fëmijë “ishte detyrë”, për të siguruar vazhdimësinë. E tillë ishte tradita familjare që kur kishin ardhur në “nomenë e re”, në Fushëbardhë, kur ishin vendosur prej Vajzës së Vlorës. Në Fushëbardhë kishin ardhur rreth mesit të viteve 1850, nga katër vëllezër tre prej tyre: Azemi, Asimi dhe Bequa; ndërsa vëllai i katërt Myniri qëndroi në fshatin Vajzë, “për ta mbajtur zjarrin ndezur”, në vatanet e të parëve, pasardhësit e degës së të cilit janë sot gjenden në Amerikë dhe në Tiranë. Erdhi dita e dasmës dhe Resul Beqo Resuli/Onjea, u martua në verën e 1890, kur ishte 21 vjeç. Dasma ishte sipas traditës labe me miq e të ftuar të shumtë nga Fushëbardha, krahina e kardhiqit e deri në Vajzë të Vlorës. Shpejt u bë me fëmijë i lindi djali i parë Avdiu në vitin 1892 dhe vajza e tij Simitja që e quajtën Simite në vitin 1895. Edhe pse ishte djalë i vetëm Resuli, ju përgjigj thirrjes “për nizamë”, ndërkohë që pas kishte lënë prindërit, bashkëshorten dhe dy fëmijët në moshën pesë e tre vjeçare. U përcoll me shpresë të rikthimit, sepse ishte djalë i vetëm pa vëlla e pa motër. Rënia në fushëbetejë u prit si një gjëmë familjare. Eshtrat nuk ju kthyen por vetëm mandate dhe fermani osman, se ra për vatanin në krye të detyrës. Kaq vlente jeta. Koha kaloi dhe shpejt u rritën fëmijët Avdi Resuli (Onjea) dhe vajza Simite Resuli (Basho). Jeta rrodhi më tej dhe miqësitë e krushqitë u forcuan me miqësi të reja, por nuk u harrua as orige Vajzës së Vlorës, që shikohej si “derëbabe”, për djemtë e vajzat që rriteshin në fisin Resuli në lagjen fushëbardhase “Onjea”.

Kur djemtë shqiptarë shkonin ushtarë për Perandorinë Osmane
Djemtë shqiptarë sikurse edhe djemtë e Fushëbardhës dhe Labërisë i merrnin askerë dhe i çonin në Skelat shqiptare fillimisht e më tej djemtë i merrte vaporri osman “Daut”, që mbushej me të rinj shqiptarë për të bërë shërbimin e detyrueshëm ushtarak 7 vjeçar. Anija “Daut”, ishte bërë një emër i njohur për skelat bregdetare shqiptare sepse conte në kazermat ushtarake të Portës së Lartë “ajkën e djalërisë” shqiptare, në zbatim të “fermanëve” famëkeqe, që Sulltanati mbushte radhët ushtarake për të mbajtur pushtetin e pushtimit me gjak, me zjarr e hekur. Njerëzit në brigjet shqiptare e quanin “Anija e Dhembshurisë”, të dhimjes dhe dashurisë, të mallëngjimit dhe shpresës, sepse ndër vendet ku shërbenin arnautët/shqiptarët ishte dhe Jemeni sikurse ishte çdo copë tokë e sulltanatit në 8 milionë km² në tre kontinente. Jemeni njihej veçanërisht nga këngët e popullit: “Ah o Jemen,/trëndafil prej bari,/vallë kush shkon,/pse s’kthehet më për së gjalli?.”.Në vitin 1896 nga Fushëbardha u mobilizuan disa askerë/ushtarë nga strukturat mobilizuese osmane dhe që u dërguan fillimisht në kazermat e Stambollit. Prej andej katër prej tyre u dërguan në Jemen, ndërmjet të cilëve dhe Resul Resuli. Një ngjarje luftarake detyroi Portën e Lartë dhe Këshillin e Luftës së Osmanëve që të bënte riorganizim forcash. Kështu fushëbardhasit u rikthyen pas disa muajsh sepse kishte shpërthyer lëvizja për ishullin e Kretës, të njohur në zonën greke. Askerët u afruan me anije për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e ishullit, që historia e njeh si “lufta greko-osmane për çështjen e Kretës”. Kronologjikisht ngjarjet luftarake zhvilloheshin në atë që njihet si “Lufta e tretë për Vilajetin e Janinës të 1897-tës, ku në plan të parë del dhe vorbulla e madhe e lakmive ballkanike, një stacion lufte që për shqiptarët dhe çështjen shqiptare dëmtimi i tokave të perandorisë në këtë periudhë ishte humbje për truallin shqiptar. Në mars 1897 gjendja në hapësirën shqiptare u acarua dhe më shumë. Pjesa jugore e Shqipërisë rrezikohej nga forcat greke, por edhe nga ndërhyrja e shteteve të tjera të Ballkanit, Serbisë e Bullgarisë. Trupat greke ishin në kufijtë e Thesalisë të vilajetit të Janinës, ndërkohë që luftonin për Kretën. Në vilajetin e Janinës, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare dhe shumica e parisë shqiptare nuk pranuan t’i jepnin Sulltanatit ushtarë se do t’i ruanin forcat për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Grekët nuk patën sukses për pushtimin e Kretës në mesin e shkurtit të 1897. Greqia e shtriu luftën në Thesali dhe në vilajetin e Janinës, ku sulmoi forcat osmane më 12.4.1897. Sulltanati luftën kundër Greqisë e paraqiste si luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Atdhetarët shqiptarë, udhëheqës të lëvizjes kombëtare, përballë rrezikut të pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, u detyruan të ndryshonin qëndrimin dhe ta përballonin me forcat e tyre agresionin grek.
Gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit shkruante: “Në fillim të luftës greko-osmane, kur grekët luftonin për Kretën, për ta bashkuar ose për autonominë e saj, shqiptarët, të krishterë e myslimanë, simpatizuan luftën e grekëve dhe deklaruan se nuk i japin Sulltanatit ushtarë për luftën. Por, kur Greqia donte të rrëmbente Maqedoninë e Epirin, domethënë Shqipërinë, simpatitë u kthyen në zemërim, dhe “..u lëshuan të mbrojnë mëmëdheun e tyre”. Porta e Lartë, premtoi tituj, shpërblime e privilegje në administrimin e vendit dhe bëri për vete parinë shqiptare si dhe siguroi mobilizimin e forcave “vullnetare” shqiptare, që u hodhën në luftë kundër ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë, në vilajetin e Janinës. Ushtria greke pësoi disfatë të rëndë në frontin e Janinës dhe u shpartallua plotësisht në tri javë në një luftë të përgjakshme. Lufta pati edhe të rënë të shumtë si ushtarë edhe vullnetarë shqiptarë. Pothuaj luftatarët osmanë në shumicën dërmuese ishin ushtarë nizamë shqiptarë, të cilët ishin të bindur në mbrojtjen e truallit arbëror.

Kënga që u shkrua dhe u këndua që në luftë në Vilajetin e Janinës dhe në Labëri
Ndër djemtë e Fushëbardhës që luftoi dhe u vra trimërisht për Vilajetin e Janinës ishte dhe Resul Beqo Resuli 28 vjeçar, që ra në fushëbetejë në pranverën e 1897-ës, babai i dy fëmijëve. Trupin nuk ja çuan në vendlindje në Fushëbardhë, por sollën vetëm “fermanin-mandatë”, me fjalët: “Shehit, rënë për vatanin!”. Shokët e tij bashkëluftëtarë përpara se të vinte mandati sollën këngën, që ishte “Autobiografia” më domethënëse e të rënëve, e dokumentuar me gjakun dhe “arkivin-këngë”. Ata trima fushëbardhas që mbetën gjallë dhe mbuluan shokët në Janinë, sollën më të papërsëritshmen, këngën labe që kënduan në Stamboll, në Jemen dhe në Janinë, që edhe sot e kësaj dite pas 122 vjetësh na shërben si një “arkiv gjigand” trimërie, me fonde-arkivore, që shkruajnë e dokumentojnë lavdinë e shqiptarëve. Kënga që erdhi nga qendra e Vilajetit të Janinës që u këndua brez pas brezi thotë: “Fushëbardhë t’u rritën djemtë/Të luftojnë për dovlet,/Djalë i vetëm pa vëlla,/Luftove me pashallarë/Resul Beqo djalë i rrallë/Gjakun derdhe për vatanë,/ O Janinë, Janinë xhani,/Del se të kërkon junani,/Të të ndajë nga vatani,/ Nuk më lënë djemtë levendë,/Që plumbin presin në këmbë...”. Kjo është kënga që që lindi në xhephane lufte, u dokumentua dhe u shkrua në “arkivin-këngë” të historisë dhe u këndua në gjithë Labërinë. Prandaj ka marrë me vete pavdekësinë, meriton nderim në altarin e burrave të kombit. Është pikërisht kjo këngë që më së shumti u këndua në dy fshatra të Labërisë në Fushëbardhë, por dhe në Vajzë të Vlorës në origjinën e familjes “Resuli/Onjea”. Resul Beqo Resuli/Onjea, e derdhi gjakun për truallin shqiptar dhe meriton nderimin e respektin e brezave sikurse e meriton çdo luftëtar shqiptar që gjakun se kurseu me idealin e madh: “Për Mëmëdhenë”. I tillë ishte “fati” shqiptar për 4-5 shekuj para 1912-tës, që jetën jepnin për shërbim të Perandorisë. Fakt është se me ndërhyrjen e Rusisë dhe të Fuqive të tjera të Mëdha, trupat osmane bashkë me repartet vullnetare shqiptare, e ndalën përparimin e tyre. Më 19 maj 1897, u nënshkrua armëpushimi ndërmjet Sulltanatit Osman dhe Greqisë dhe më 4 dhjetor 1897 nënshkroi Traktatin përfundimtar të Paqes. Edhe pse doli fitimtare, Perandoria Osmane, sipas marrëveshjes me Shtetet e Mëdha evropiane, e humbi Kretën, e cila u shpall “autonome” dhe “asnjanëse”, nën kontrollin e Fuqive të Mëdha. Gjaku i Resul Beqo Resulit/Onjea dhe shokëve të tij rrodhi për truallin e lirë shqiptar, pa i ditur dhe pa i njohur konjukturat e pabesitë e kohës. Ai e derdhi gjakun një dekadë e gjysëm përpara se Ismail Bej Qemali të shpallte pavarësinë shqiptare më 28 nëntor 1912.
Por djemtë që shkonin në roje të Vilajetit të Janinës, shkonin të luftonin me bindje të plotë në mbrojtje të së drejtës së tyre kombëtare, në mbrojtje të familjes, fshatit, krahinës, gjuhës, kulturës e territorit shqiptar. Djelmoshat shqiptarë që pavarësisht uniformës, formacioneve ku bënin pjesë, armatimit dhe kundërshtarit përballë kishin një ideal, Shqipërinë e lirë, të jetonin të lirë në truallin e tyre amëtar.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes