l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

HISTORIA

MALESIA E GJAKOVËS - TROPOJA NË LUFTËN
ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE (1939-1945)

Ismet Balaj

Edhe populli i Malësisë së Gjakovës-Tropojës e priti me urrejtje të thellë e me shqetësim të madh pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste më 7 Prill 1939. Në ditët e para të prillit, kur u mor vesh se Italia fashiste do ta pushtonte vendin tonë, kudo shpërthyen protesta të fuqishme. Në qendër të nënprefekturës mblidheshin për ditë qindra malësorë, të cilët protestonin me parulla: Poshtë Italia Fashiste”, “Rroftë Liria”, ”Rroftë Shqipëria”, “Duam armë”, “Duam armë”. Qeveritarët vendor e qendror heshtën. Mbreti dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u arratisën jashtë shtetit. Shqiptarët mbetën pa prijës, të çoroditur, të çorganizuar. Qëndresa e shqiptarëve në portet Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin që e fortë, por fashistët kishin marrë masa të gjithanshme dhe arritën t`i pushtonin, pastaj edhe gjithë Shqipërinë..

NJËSITET E PARA DHE ÇETA E MALËSISË KUNDËR FASHIZMIT
Nga protestat dhe demonstratat, deri te njësitet e armatosura kundër pushtuesve, kaluan më se dy vjet. Gjatë kësaj periudhe u bënë disa aksione individuale. Këtë ngadalësim e kanë shkaktuar faktorë të shumtë të brendshëm e të jashtëm. Po shumë ndikuan faktorët ndërkombëtar ku mbizotëronte ideja se Boshti Romë-Berlin-Tokio është i pathyeshëm. Paria mbajti qëndrim pajtues ose u vu në shërbim të italianëve. Lëvizja dhe lufta antifashiste nacionalçlirimtare edhe në rrethin e Tropojës u organizua nga poshtë. Duhet kuptuar se nuk ka qenë kjo periudhë paradë suksesesh, por ndeshjesh shumë të ashpra mendimesh, të kundërta që çonin në edhe në ballafaqim me armë.
Në korrik të vitit 1941 Grupi Komunist i Shkodrës dërgoi në Tropojë, Beqir Ndoun. Ky takohet me Hysni Zaimin që ishte nësues në Rrugë të Gashit, Kërrnajë. Përsëri në dhjetor të atij viti PKSH e dërgon në Tropojë dhe e ngarkon me detyrë mobilizimin e njerëzve në luftë. Lidhjen do ta mbante me Gjakovën ku ishte formuar celula e parë komuniste shqiptare me Emin Durakun sekretar për Gjakovën, Malësinë (Tropojën) dhe Podrimën. Ai u përpoq sa mundi të përhapte idetë antifashiste të luftës; bashkëpunoi edhe me individë të ndryshëm, kryesisht nga shtresa të varfera e të mesme të popullsisë, por edhe nga me individ nga radhët e parisë Tropojës, pse lufta do të ishte gjithëpërfshirëse. Si rrjedhim në pranverë të vitit 1942 u krijuan tri njësite partizane, i Gashit, i Krasniqes dhe i Bytyçit. Më 3 maj 1942 në shtëpinë e Zeq Hysenit në Tpla formohet celula e parë e PKSH për Malësinë e Gjakovës me Beqir Ndoun, Veli Niman Doçin, Mal Sadik Malaj, Zeq Hyseni, Ali Ukshin Margjeka. Celula mori përsipër udhëheqjen politike të luftës.
Lidhja e bashkëpunimi i njësiteve me njëri-tjetrin çoi në organizim më të lartë luftarak, në atë të çetës antifashiste që u emërua Çeta e Malësisë. Kjo ishte çeta e dytë në Shqipëri pas asaj të Pezës. Kështu me 12 maj 1942 u bë takim i tri njësiteve te Guri i Lumit në Grykë të Dragobisë. Çeta zgjodhi komandant Ram Mujen, komisar Fadil Hoxha, z/komandant Shaban Haxhi Paci nga Bytyçi, Mal Sadik Malaj nga Gria, Ali Ukshin Margjeka nga Bujani, Ram Sadiku nga Luzha, Rexhep Zeqa nga Tplani, , Imer Zeneli nga Kovaçi, Ahmet Sadria nga Luzha, Hasan Haxhi Paci, Idriz Dini. Ishte një sukses i rëndësishëm, sepse ishte çetë e përbashkët me komunistëve me nacionalistët me të njëjtin qëllim: luftë kundër pushtuesit italian për çlirimin e vendit.
Kjo veprimtari organizuese dha efektet e para; këputen linjën telefonike në Qafë të Luzhës dhe në Ahmataj; Prenë litarin e lundrës (trapit) mbi Drin në Vaun e Fierzës nëpërmjet të cilit lidhej Tropoja me Pukën. Gjatë verës u kryen edhe disa aksione kundër postave të xhandarmërisë në Babinë, Dragobi, Kolgecaj. Në korrik u prenë linjat telefonike midis Gjakovës dhe Pejës. Çeta mori pjesë aktive edhe në aksionin kombëtar të prerjes së linjave telefonike, tela e shtylla në Bytyç, në Qafë të Luzhës, në Okol të Gashit etj duke paralizuar komunikimin shtetëror e ushtarak në gjithë Shqipërinë. U shtua numri i të arratisurve nga ushtria. Ata dilnin kaçakë në mal e pastaj një pjesë e tyre i bashkoheshin çetës së malësisë. Kështu bënin edhe ata që nuk pranonin të shkonin ushtarë . Çeta kryente punë sqaruese e bindëse që fshatarët t`i mobilizonte në luftë. Kjo ishte shumë e vështirë, sepse përplaseshin qëndrime, pro e kundër luftës. Në anë të pushtuesit ishin njerëz me influencë, që kishin njohje e autoritet në popull.
Heqja e kufijve të 1913 dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nga ana e Italisë krijoi një mëndësi të re, sikur pushtuesi na kishte çliruar. Në fakt, Kosova dhe territoret e tjera shqiptarëve jashtë kufijve politik të vitit 1913, ishin ndarë në tri zona pushtimi italian, gjerman dhe bullgar. Këto zona u quajtën “toka të liruara” dhe u administruan nga “shteti shqiptar”; u hapën shkolla fillore dhe Shqipëria dërgoi mbi 560 mësues. Aministratorët e komunave e prefekturave ishin shqiptarë. Gjithë këto për shumë njerëz krijuan bindje profashiste. Me gjithë këtë lëvizja u shtua me luftëtarë, lëkundi një masë njerëzish për politikën dredharake të italianëve; vuri në ndjenjë frike administratën dhe postat e xhandarmërisë.
Çeta e Malësisë bënte takime e aksione të përbashkëta me çetën “Zenel Hajdini” dhe “Emin Duraku” të Kosovës. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1942 dhe vitit 1943 u shtuan aksionet e përbashkëta të tri çetave. Përmendim: Aksionin e prerjes së linjave elefonike Gjakovë-Pejë-Prizren; atentatit kundër spiunëve Beqir Maloku e Nazmi Kryeziut; pjesëmarrje në demonstratat me 28 nëntor 1942 në Gjakovë ku morën pjesë 4000 vetë; me 2 janar aksioni kundër një autokolone ushtarake italiane në rrugën Prizren-Ferizaj ku u vranë disa ushtarë; aksioni në rrugën Gjakovë-Pejë në shkurt 1943 kundër punonjësve të financës, megjithëse ishin të shoqëruar me xhandarë, u morën 25mijë franga. Këto u përdorën për nevoja të çetave. Në kohë të shtimit të terrorit fashist, në janar-shkurt 1943, tri çetat u tërhoqën e u vendosën në Shkëlzen, jashtë rrezikut.

KRIJIMI I KËSHILLIT ANTIFASHIST NACIONALÇLIRIMTAR PËR MALËSINË E GJAKOVËS 10 MARS 1943. AKSIONI NË QAFË-SHLLAK TË SHUMËRISË
Fitoret e arritura në vend dhe në botë u shtuan besimin forcave antifashiste që të dendësonin aktivitete antifashist. Edhe në Malësinë e Gjakovës-Tropojë lindi nevoja e ngritjes së luftës në një shkallë të re. Me porosi të celulës së partisë, më 10 mars 1943 në fshatin Bërbat-Shkelzën u bë mbledhja e 25 përfaqësuesve partizanë e nacionalistë, të cilët pas diskutimeve për gjendjen e detyrat që dilnin, zgjodhën Këshillin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar të Tropojës të përbërë me 7 anëtarë kryesie. Ata zgjodhën kryetar Tahir Hoxhën, i cili nuk e pranoi detyrën dhe u largua. Ky veprim shënoi krisjen e parë midis forcave partizane dhe atyre nacionaliste. Mbledhja zgjodhi Veli Niman Doçin kryetar. Këshilli ngarkoi me detyra anëtarët për ngritjen e këshillave në të gjitha fshatrat e rrethit; forcimin e besimit për fitoren e luftës ; shtimin e çetës më luftëtarë të rinj; sigurimin e ushqimit dhe të strehimit të çetistëve. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe luftëtarë nga Kosova.

AKSIONI I ÇETAVE NË QAFË-SHLLAK TË SHUMËRISË
Detyra kryesore e këshillit ishte zgjerimi i luftës. Çeta e Malësisë dhe “Emin Duraku” e kryen një aksion të rëndësishëm kundër një autokoloonë që po udhëtonte nga Shkodra për në Prizren. Çetistët, më 15 mars, kaluan Drinin duke u lidhur me litarë, zunë pritë në Qafë-Shllak të Shumërisë. Sulmi ishte i befasishëm dhe rezultati pozitiv. Pati disa ushtarakë të vrarë e të plagosur. U shkatërruan 10 automjete; u morën 32 pushkë, 2 mitraloza; disa arka me fishekë; një sasi e madhe veshmbathje e ushqime. Forcat partizane kaluan përsëri Drinin dhe më 17 mars u përqëndruan në Malin e Dobrejt të Luzhës. Ndërkohë forcat ushtarake italiane, në shënjë hakmarrje, hynë në fshatin Mëgull, vranë disa burra të pafajshëm dhe dogjën tetë shtëpi.
Analiza që iu bë këtij aksioni, nxori në shesh kontradikta të thella midis pjesëmarrësve. Komandanti i çetës Ram Muja doli hapur kundër aksioneve, hoqi dorë nga detyra dhe bashkë me disa të tjerë, u largua. Çeta pësoi një tronditje të thellë. Komandant u emërua Shaban Haxhi Paci. Çeta mori emrin e ri “Bajram Curri”; ndërsa ajo “Emin Duraku” u largua nga Malësia e Gjakovës. Kjo mori përsipër që të shtojë aksionet, sepse vetëm me aksion e luftë do të fitohej liria.
Armiku shtoi forcat ushtarake në qëndër të Tropojës. Reaksioni u gjallërua dhe bashkë me italianët e shtoi aktivitetin. Në Okol të Gashit, në korrik, u bë një mbledhje e organizuar nga paria, ku morën pjesë nga gjithë Malësia. I deleguar nga Tirana ishte Ded Qoku, një profashist, i cili shpalli amnistinë për të gjithë ushtarët e arratisur, kërkoi vendosjen e besëlidhjes për të luftuar partizanët me çdo mjet. Besëlidhja nuk ia arrit qëllimit për shkak të konflikteve të ashpra që u shfaqen. U bë thirrje për një bashkim të ri forcash. Por situata po ndryshonte me shpejtësi që çoi në kapitullim Italinë Fashiste me 8 shtator.

Besëlidhja e Malësisë së Gjakovës më 28 gusht te Ura e Valbonës në Kolgecaj
Çeta nëpërmjet anëtarëve njoftoi për këtë tubim dhe për rëndësinë e tij, duke synuar bashkimin e të gjithëve në Frontin Nacionalçlirimtar. Por edhe paria nga ana e saj kishte bërë thirrje që të krijonte një front kundër partizanëve. Morën pjesë afro 1000 vetë. U shpalosën pikëpamje e qëndrime krejt të kundërta. Çeta partizane “Bajram Curri” hodhi kushtrimin për bashkim të gjithë njerëzve pa dallim feje, ideje, shtrese shoqërore e krahine, të gjithë bashkë luftë kundër pushtuesve. Folën me këtë rast: Veli NImam Doçi, Beqir Ndou, Fahri Ramadani, Hasan Haxhi Demaliaj, Mal Sadik Malaj e tj, të cilët treguan arsyet pse ishte bërë ky tubim. Shumica e pjesëmarrësve u shprehën në krah të luftës për çlirim.
Ky tubim ishte deri atëherë suksesi më i madh i celulës së partisë dhe i çetës për të bindur popullin që të luftojë kundër fashizmit.

Lufta për çlirimin e Gjakovës nga italianët më 7-10 shtator 1943
Forcat ushtarake italiane që ndodheshin në Huk të Tropojës, nga fundi i gushtit, kishin ikur fshehurazi natën për në Gjakovë, ku ishin grumbulluar rreth 4 mijë ushtarë e karabinierë italianë dhe bashkëpunëtorë të tyre nga Gjakova me rrethinë. Çeta “Bajram Curri” mbas Besëlidhjes së 28 gushtit shtoi radhët dhe më datën 7 shtator, në koordinim më çetën “Emin Duraku”, “Zenel Ajdini” dhe njësitin e Hasit rrethuan Gjakovën. Me gjithë pengesat që sollën tradhëtarët Hasan Kryeziu e Ismet Shaqiri të Gjakovës, u zhvilluan tri ditë luftime të ashpra. Ato përfunduan me fitorën e forcave partizane, të cilat çliruan qytetin më datën 10 shtator; u liruan më se 40 të burgosur politikë. Forcat ushtarake italiane dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, me humbje të shumta në njerëz e materiale, u larguan. Në këto luftime ranë dëshmorë 28 luftëtarë si Sherif Nuh Gjonaj, Ibish Zymer Imeraj, Halil Hamëz Malaj, Hasan Ahmet Malaj, Brahim Syl Mustafaj e tj. U plagosën mbi 40 partizanë të tjerë. Shumica e pjesëmarrësve në luftime u kthyen nëpër fshatrat e tyre.
Në rrethana të tilla në Gjakovë zbarkuan forcat ushtarake gjermane. Çeta u tërhoq. Pas disa ditësh udhëtimi arriti në Plavë e Guci në ndihmë të luftës që bënte atje çeta e kësaj krahine.

Nga çeta, në tri batalione partizane
Besëlidhja e Malësisë ndikoi në shtimin e partizanëve. Prandaj pas lufts në Gjakovë , në Gjyriq të Plavës u formua batalioni partizan “Bajram Curri” me afro 200 vetë. Komandant u zgjodh Shaban Haxhia, komisar Qamil Brovina, z/komandant Mal Sadik Malal dhe z/komisar Enver Dajçi. Në luftime me çetnikët malazezë ranë dëshmorë komandanti i çetës së Plavës dhe të Gucisë, Hajro Shahmanaj, Hysni Zaimi, komisar i kompanisë së tretë të batalionit “Bajram Curri” e tj. Pushtimi gjerman solli probleme të reja edhe më të ndërlikuara. Forcat reaksionare, shumica nga paria vendase që u shërbyen fashistëve, u bënë mbështetësit kryesorë të gjermanëve. Kësaj situate edhe më të vështirë duhej përgjigjur me shtimin e forcave në krah të luftës. Me punën e celulës së partisë dhe të këshillave nacionalçlirimtare u rrit numri i partizanëve. Prandaj me 26 nëntor 1943 në fshatin Tpla, me 27 në Livadhin e Shtjerrave po në Tpla, u formua batalioni Rinia me 150 të rinj me komandant Jaho Mulosmanin, komisar Mehmet Dermanin dhe z/komandant Hasan Isuf Haklaj; njëkohësisht u formua edhe batalioni territorial me komandant Mehmet Mulosmanin, komisar Xhaferr Vokshi, z/komandant Isuf Çuj Qerimaj. Të dy këto batalione rrinin të shpërndarë, por në rast thirrje, mblidhëshin menjëherë në vendin e caktuar. Në këtë prag dimri në Tropojë me rrethinë kishte, 4 batalione përfshi edhe batalionin “Përlat Rexhepi” të Shkodrës që ishte në fshatrat Gri, Geghysen, Tpla e Degë.

(Vijon në numrin e ardhshëm)




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes