l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Aktiviteti i OBVL është vlerësuar nga Presidenti i Republikës, duke na akorduar tituj nderi e dekorata për personalitete e drejtues të Organizatës

OBVL, histori suksesi

Nga Myfit GUXHOLLI*

Kuvendi i VI-të i OBVL, është i një rëndësie të veçantë, për vetë momentin historik në të cilin mbahet, në kuadrin e dy ngjarjeve të rëndësishme:
Më pak se një muaj na ndan nga festa jubilare e 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga okupatori nazifashist.
Ndërkohë, Organizata jonë e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, më 18 korrik të këtij viti mbushi 25 vjet nga krijimi i saj.Do të donim që këto dy ngjarje historike t’i festonin bashkë me kryetarin tonë, Heroin e Popullit dhe Nderin e Kombit, gjeneral Rrahman Parllakun….por fatkeqësisht ai nuk është më fizikisht mes nesh.
Pasi e drejtoi organizatën tonë me largpamësi e devotshmëri për dy dekada, zemra e tij pushoi së rrahuri më 15 shtator, duke na lënë në pikëllim të thellë…, por edhe të vendosur për të zbatuar porositë e tij, për të mbrojtur e propoganduar vlerat e LANÇ-it.
Gjeneral Parllaku ishte dhe mbetet burim frymëzimi për brezat. Ai me përkushtim të rrallë e drejtoi organizatën tonë mbarëkombëtare dhe përkushtimi i tij bëri që OBVL të anëtarësohet në Federatën Botërore të Veteranëve.
Kontributi i tij në organizimin e drejtimin e LANÇ e të Ushtrisë Shqiptare e rendit gjeneral Parllakun në krye të plejadës së gjeneralëve shqiptarë që bënë epokë.
Ne brezi, që bëmë Luftën e Lavdishme Nacionalçlirimtare dhe ju pasardhësit tanë të denjë, krenarë që bëjmë pjesë në OBVL-në e drejtuar në këto 25 vjet nga dy personalitete të shquara kombëtare: dr.Ymer Dishnica e gjeneral Parllaku, zotohemi sot se ky do të jetë Kuvendi i vazhdimësisë së OBVL-së të drejtuar prej tyre.
Organizata jonë, në këtë Kuvend, po bën një ndryshim cilësor në përbërjen dhe strukturën e saj organizuese e drejtuese. Megjithëse të vonuar, po kurorëzojmë përfshirjen në organizatë të pasardhësve, të parashikuar në Statutin tone, të miratuar që në mbledhjen themeluese dhe në Kuvendin tonë të parë.
Duke bërë këtë ndryshim në strukturë e përbërje, mendojmë se gjallërojmë Organizatën, për të përmbushur në vazhdim detyrat fisnike e historike të kujtimit të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe të atyre që megjithëse bënë sakrifica sublime në luftë, për fat të keq e pësuan nga regjimi diktatorial.
Të vazhdojmë me brezat e ardhshëm, të mbrojmë lavdinë e asaj lufte heroike, ta ndihmojmë historinë të thotë të vërtetën.
Këto që thashë, i kemi në platformën e Programin e Organizatës.
Me pjesëmarrjen tuaj në Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, shpresoj dhe besoj se në vazhdimësi, këto detyra do të zbatohen, pasi koha bën të veten; brezi ynë po shkon drejt shuarjes; kjo është e kuptueshme, pionieri i luftës, 13-vjeçari i atyre viteve të zjarrta e të lavdishme, sot është 89 vjeç.
Ju faleminderit që ju përgjigjët ftesës tonë për të marrë pjesë në Organizatë, duke pranuar Programin dhe Statutin tonë, për të çuar më përpara trashëgiminë tonë të vyer, duke ruajtur dhe propoganduar vlerat e LANÇ; vlerat atdhetare patriotike të popullit e kombit tonë. Ky është një Mision Historik, që na nderon të gjithëve.

Historia 25 – vjeçare e Organizatës tonë është vërtetë një histori suksesi
Historia 25 – vjeçare e Organizatës tonë është vërtetë një histori suksesi. Një pjesë të punës e aktiviteteve të organizatës sonë i keni të dokumentara në Librin mbi historikuin e OBVL. Shumë veteranë e familje të tyre e kanë këtë libër, po kanë mbetur ende ekzemplarë që mund t’i lexoni, ndërkohë që e gjeni të botuar të plotë edhe në faqen e organizatës tonë në internet. Aty do të gjeni punën që kanë bërë paraardhësit tuaj, për të përkujtuar e përjetësuar ngjarjet historike dhe sakrificat që bëri brezi i rinisë sonë në Luftën Nacionalçlirimtare. Në këtë libër, në formën e një enciklopedie, janë figurat e shquara që drejtuan Luftën, si dhe fatkeqësia që e gjeti popullin tonë nën diktaturën e Enver Hoxhës, sidomos me goditjen që mori elita e kombit dhe ata që drejtuan e komanduan në luftën për çlirim.
Siç thashë, Organizata jonë gjatë këtyre 25 viteve është përpjekur të përkujtojë ngjarjet historike të luftës dhe të mbrojë me konsekuencë të vërtetat e saj, duke luftuar e denoncuar publikisht shtrembërimin e fallsifikimin e historisë.
Kemi përkujtuar e propoganduar ngjarjet e datat historike, veprimet luftarake të njësive e reparteve. Këtë e kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme, sipas një kalendari të veçantë, me kohën, vendin e repartet pjesëmarrës. Ky aktivitet gjindet i dokumentuar në shtypin e shkruar, në emisionet radiotelevizive, në librat e shkruar me kujtime nga veteranë, etj. Një vend të veçantë në veprimtarinë tonë kanë zënë mbledhjet përkujtimore, me pjesëmarrje të gjerë të figurave historike kombëtare e në veçanti të atyre që i vrau, burgosi e persekutoji diktatura. Këto veprimtari janë pasqyruar gjerësisht në mjetet e informimit publik dhe plotësisht në gazetën tonë “VETERANI”.

Pasqyrim i gjerë mediatik i veprimtarisë së OBVL
Organizata jonë, nëpërmjet drejtuesve e anëtarëve të saj u ka bërë një pasqyrim të gjerë mediatik, në të gjitha gazetat e radiotelevizionet, ngjarjeve historike të luftës, kujtimit të heronjve e dëshmorëve. Veçanërisht gazeta jonë “Veterani” ka bërë një punë të madhe në këtë drejtim dhe për këtë një meritë të veçantë ka zoti Halil Rama, jo vetëm si kryeredaktor i gazetës, por dhe me lidhjet që ka krijuar me shtypin e drejtuesit e televizioneve për pasqyrimin në to të veprimtarisë sonë. Por meritë e Z.Rama është dhe krijimi i rrjetit të bashkëpunetorëve të tij të ngushtë, mes të cilëve mund të përmendim zotërinjitë: Sakip Cami, Xhemal Meçi, Shpendi Topollaj, Prof.Dr.Ana Lalaj, Kol Deda, Kadri Tarelli, Murat Gecaj, Dr.Leonidha Peppo, Zaim Sefa, etj.
Ne nuk varemi nga asnjë parti politike, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi mbajtur qëndrim kur kemi parë se po cënohen të drejtat e bashkëkombësave tanë, kudo që jetojnë. Këtë e kemi bërë me deklarata zyrtare, në shtyp dhe emisione e debate televizive.
Gazeta jonë pasqyron ngjarjet kryesore në Kosovë dhe të shqiptarëve kudo që jetojnë. Shoqatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës i dërgojmë një kontigjent gazetash për arkivin dhe për anëtarët e kryesisë së saj.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ, lidhjet me shtetin i mban me Ministrinë e Mbrojtjes, pasi organizatat e veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve kanë mbështetje të drejtpërdrejtë nga ky dikaster. Ne marrim pjesë në të gjitha aktivitetet që kanë lidhje me zhvillimet historike. Ministria na jep një subvencion nga buxheti i saj për të përballuar shpenzimet e botimit të gazetes “VETERANI” dhe të aktiviteteve tona. Ajo na ka mbështetur edhe me mjete transporti për lëvizjet e gjata e të shumta brenda dhe jashtë vendit. Marrëdhëniet tona janë korrekte dhe kemi patur mirëkuptimin e mbështetjen e duhur nga drejtuesit e ministrisë e të Shtabit të Përgjithshëm. Bashkëpunim të frytshëm kemi patur dhe kemi me Shoqatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës.
Organizata jonë është anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve të Luftës prej Dhjetorit 2003. Si organizatë jemi përfaqësuar në të gjitha kongreset e kësaj Federate me të deleguarin tonë Astrit Leka që banon në Zvicër, por edhe me delegacione të organizatës. Gjithësesi e kemi patur të pamundur të plotësonim gjithë kuotën e anëtarësisë, por kemi patur mirëkuptim.
Në këtë vit jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatorët nazifashistë do të donim një angazhim më konkret nga qeveria për organizimin e aktiviteteve përkujtimore, por kjo nuk ndodhi. Organizatat e veteranëve nuk u përfshinë në komisionin qeveritar, siç kishte ndodhur me vitet tjerë jubilarë të kësaj lufte të lavdishme. Fondet e caktuara për mirëmbajtjen e riparimin e varreve të dëshmorëve, përmendoreve e memorialeve të Luftës, u përdorën për koncertet e rinisë në Pezë.
Por duhet të pohojmë se aktiviteti i Organizatës tonë është vlerësuar nga Presidenti i Republikës, duke na akorduar tituj nderi e dekorata për personalitete e drejtues të Organizatës.

100 vjetori i lindjes të gjeneral Parllakut organizuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta rriti dukshëm prestigjin organizatës tonë
Organizimi i ceremonisë së 100 vjetorit të lindjes të gjeneral Parllakut nga Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e tij, Ilir Meta ja rriti dukshëm prestigjin organizatës tonë.
Që në themelimin e saj para 25 vitesh, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇl përcaktoi në dokumentat e saj themeluese, vazhdimësinë nëpërmjet pasardhësve të veteranëve. Në më shumë se dy dekada veprimtari intensive, krahas themeluesve, ish- veteranë të LANÇl, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të ushtrisë shqiptare, si Dr.Ymer Dishnica, Skënder Malindi, Edip Ohri, Hamit Keçi, Tahir Voshtina, Shaban Reçi, Liri Belishova, Myfit Guxholli, Sotir Budina, Jorgji Terca, Genci Ballanca, Fluturak Vinçani, Isuf Imeraj e dhjetra figura të tjera të shquara, pasardhësit e tyre kanë qenë të pranishëm. Dhe jo vetëm si figurantë, apo në sfond, por si pjesë vitale e kësaj organizate me një histori të lavdishme.
Jo vetëm përvoja shqiptare, por edhe ajo botërore evidenton domosdoshmërinë e vijueshmërisë së aktivitetit të organizatave të veteranëve të luftës. Është fakt që në veprimtaritë e ndryshme me karakter politik, patriotik e social, gjithmonë ka qenë i dukshëm kontributi i madh dhe i përhershëm i veteranëve. Por gjithsesi është e pamundur vijueshmëria e aktivitetit të OBVL, pa e trashëguar traditën tek më të rinjtë.


Para tre vitesh, në korrik 2016, në një Konferencë rajonale të organizatave të veteranëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, që u mbajt në Zabljak të Malit të Zi, përveç, Prof. Dr.Ljubomir Sekuliq, si organizator, spikatën edhe dhjetra të rinj, si përfaqësues të organizatave të veteranëve të Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë e Bosnje-Hercegovinës. Midis tyre edhe Presidenti i Federatës Botërore të Veteranëve, norvegjezi Dan Vigo Bergtun, i cili ishte rreth 40 vjeç.
Ajo që ra në sy në këtë event të rëndësishëm ishte prania e shumë pasardhësve të veteranëve. Nëse norvegjezi 40-vjeçar Dan Vigo Bergtun, vinte si President i Federatës Botërore të Veteranëve, kryetarja e Org.Veteranëve të Kroacisë ishte një e përafërt me të në moshë, si bija e një gjenerali kroat me emër. Të tillë ishin edhe përfaqësuesit e Serbisë e të Sllovenisë.
I solla këto shembuj për të evidentuar rolin që kanë pasardhësit edhe për vijueshmërinë e OBVL-së. Edhe në veprimtaritë e saj kanë qenë dhe janë prezentë në vijimësi zonjat e nderuara Tatjana Parllaku, Arlinda Keçi, Mirjana Ohri, Marjana Zegali, Natasha Tahiri, Bujana Jakova, si dhe zotërinjtë Ilir Malindi, Dashamir Tahiri e disa të tjerë, vajza e djem të themeluesve e drejtuesve të OBVL-së. Por tashmë, që prindërit sa vijnë e largohen në moshë, është koha që ato të marrin përgjegjësi konkrete në organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të kësaj organizate. Për më tepër, kur si pjesë vitale e saj janë bërë herë pas here edhe ikona të artit e kulturës sonë kombëtare, si artistet e popullit Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, nga pasadhësit e drejtpërdrejtë kërkohet një angazhim më i madh, që ata të trashëgojnë Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar (OBVL), historia e së cilës është me të vërtetë një hisori suksesi.
OBVL njihet tashmë si organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Këto vlera janë përqafuar e propoganduar nga pasardhësit e denjë të veteranëve, si ish ushtaraku gazetari e shkrimtari i njohur Sakip nga historianët, studjuesit e publicistët e mirënjohur Xhemal Meçi e Nikolla Sudar, nga Ing.Kol Deda por janë dhjetra të tjerë, ish ushtarakë të devotshëm, të mirëpritur në radhët e strukturat e OBVL.
Me prurjet e reja në organizatën tonë, si pasardhës, duke na u bashkuar edhe pasardhës të denjë veteranësh, si shkrimtari i mirënjohur Lutfi Hamnku, intelektuali Shuaip Methasani, veprimtari shembullor Muharrem Gjoka, Rajmonda Maleçka etj, shpreh bindjen për një të ardhme të sigurtë të OBVL.
Nëse organizata jonë nderohet e respektohet dhe i dëgjohet fjala kudo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Prishtinë, Gjakovë e Prizren, apo edhe në veprimtari promovuese, siç ndodhi kohët e fundit në promovimet e librave të ish ushtarakëve Kujtim Boriçi e Demir Rusi, është koha që ata pa asnjë mëdyshje të bëhen pjesë e kësaj organizate. Ish ushtarakë të shquar, të pranishëm në këto promovime, si gjeneral Dilaver Laçi, Ismail Shulku, Sokol Agolli e të tjerë do të ishin trashëgimia e vyer e kësaj organizate, anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve. Ata kanë se ç’të mësojnë nga bilanci i pasur i veprimtarive, jo vetëm produktive, por edhe cilësore të OBVL, të fokusuara në konferenca shkencore e sesione jubilare, por dhe në botime produktive e cilësore.

*Raport i mbajtur në kuvendin e VII-të të OBVL - Tiranë, më 01.11,2019.
Kol.Myfit GUXHOLLI
Kryetar i OBVL



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes