l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL

Tre vite pa Qemal Gegollarin,
intelektualin që promovoi vlera qytetarie

 

Nga Halil Rama

I afirmuar si pjesë e elitës së Ushtrisë Shqiptare, por edhe si publicist, poet e prozator, që zë vend nderi në historinë e letrave shqipe, Qemal Gegollari ka hyrë me dinjitet në analet e kësaj historie. Ai kultivoi dhe promovoi vlera qytetarie, që në etapa dhe forma të ndryshme, në ecjen e njerëzve me kohën e për kohën, nëpërmjet kontributit të tyre modest dhe historik, kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë, mesazhe modeste e komplekse, dialogimin e së kaluarës, qartësinë e së tashmes dhe udhën e së ardhmes, ndjenja të shpallura këto, për të kuptuar vazhdimësinë e jetës, krenarisë dhe përjetësisë, vlera që sigurojnë identitetin e qytetarisë dhe dhe inteligjencës.
Qemal Gegollari ishte biri i një familjeje me tradita e emër të mirë, nga Gjergjenica e krahinës së Oparit, ku gjenden të kombinuara, mençuria, bujaria, fisnikëria e zemërgjerësia, që ai do t’i mëshironte e perfeksiononte ato gjatë gjithë karrierës së tej prej afro pesë dekadash.
Në distancë e kam njohur para më shumë se katër dekada, kur ai drejtonte një nga njësitë më të rëndësishme ushtarake, brigadën e Artilerisë në Ish-Korpusin e Burrelit. Bashkëkohësit e vlerësonin komandantin për ato tipare të thjeshtësisë e të komunikimit me drejtues e ushtarë të thjeshtë, por edhe me qytetarë të Burrelit me të cilët qante hallet e tyre të punës e të jetës.
Rezultatet e suksesshme në punë, shumë shpejt sollën edhe vlerësime, për guximin e rrallë, qëndrimin heroik në frontet më të vështira dhe për marrëdhëniet e tij korrekte në shoqëri e familje.
Autori i dhjetëra rregulloreve për modernizimin e ushtrisë, drejtuesi i talentuar, miku më i shtrenjtë i oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve e qytetarëve, nderohej gjithnjë prej tyre.
Kësisoj, ky intelektual shumëdimensional do të kishte një karrierë gjithnjë në ngjitje, të admirueshme për kolegët e bashkëpunëtorët e tij të shumtë.
Ai kishte marrëdhënie shumë të afërta me ta, ndaj edhe e vlerësonin si një ndër ushtarakët elitarë që do të jepte një kontribut të rëndësishëm në modernizimin e konsolidimin e ushtrisë shqiptare, si dhe në veprimtarinë e OBVL-së e OUPLSH-së.


Dijet dhe njohuritë e tij kulturore, Qemal Gegollari i shpalosi edhe në veprimtarinë letrare e publicistike. Si zë i njohur në fushën e letrave, fillimet e tij marrin udhë në gazetën “Luftëtari” ku botonte herë pas here shkrime me tematikë të veprimtarisë së Ushtrisë Shqiptare.
Ndërkohë emri i Qemalit zë vend edhe në organe të tjera të shtypit si në gazetën “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, “Ushtria Popullore” etj. Jeta në pension i favorizoi me shumë kohë për krijimtari. Njeri kurajoz, i cili me vullnetin e tij bëri të akumulojë më shumë kulturë në botën e letrave për t’u bërë i njohur edhe në gjini e lloje të tjera letrare si në “kronika historike” monografi të figurave të shquara, poezi dhe prozë.
Kjo punë e palodhur dhe hulumtuese bëri që 14 botime veprash të mbajnë autorësinë e tij, të cilat tashmë ndodhen të arkivuara në Bibliotekën Kombëtare, pa lënë mënjanë botimin periodik të gazetës “Opari” pasqyrë e ngjarjeve dhe historisë së vendlindjes. E gjithë kjo veprimtari ka treguar se sa e ka dashur Qemali vendlindjen e tij, se sa i lidhur ka qenë me popullin e asaj krahine dhe se sa me dashuri e vërtetësi ka evidentuar luftërat për liri e pavarësi kombëtare të oparikëve. Kontributi i tij e kalon gjeografinë e krahinës, sepse është kontribut edhe për historinë kombëtare.
Si njeri tepër dinamik, në lëvizje dhe kërkim të pasosur njohurish dhe vlerash, ai ishte shumë i lidhur me funksionet shumë të përgjegjshme, të cilat i kreu me devotshmëri, kompetencë e profesionalizëm të lartë deri në majat e Ushtrisë Shqiptare.
Gjithë ky aktivitet i dendur e mjaft produktiv i një personaliteti shumëdimensional si Qemal Gegollari na bën të hulumtojmë më shumë rreth jetës dhe produktit që ai la pas në të mirë të shoqërisë dhe të zhvillimit ekonomiko-shoqërore të vendit.
Të lësh pas një emër të mirë është vlerë njerëzore për shoqërinë dhe krenari për familjen, të afërmit e miqtë. Dhe Qemal Gegollari e la emrin e mirë.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes