l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Një ndër veprat më të arrira të publicistit, poetit e shkrimtarit, tashmë të mirënjohur Sakip Cami

“LANÇ në Dibër”, vepër dinjitoze në fondin e letërsisë sonë dokumentare

Halil Rama

“LANÇ në Dibër” është padyshim ndër veprat më të arrira të publicistit, poetit e shkrimtarit, tashmë të mirënjohur Sakip Cami, duke mbushur kështu vaakumin e krijuar për një nga periudhat më të lavdishme të historisë së Shqipërisë.
Nëse i madhi, Prof.dr.Kristo Frashëri na la si trashëgimi veprën shumëdimensionale “Historia e Dibrës” nga lashtësia deri më 1939 (të cilën, ndoshta nga pamundësia moshore, apo nga ndikime të jashtme njerëzore, nuk arriti ta çojë më tej në periudhat e mëpasme historike), ashtu si dhe historiani ynë i shquar Moisi Murra, historinë e pesë viteve të okupimit nazifashist dhe të luftës së paepur kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tij merr përsipër ta ndriçojë me fakte dhe argumente Sakip Cami.
Kur nisi punën për këtë vepër, duke e patur mik e bashkëpunëtor të ngushtë prej më shumë se tri dekada, miqësisht i thashë: “Kam besim të plotë në punën tuaj studimore, por shmangiu sa më shumë interpretimeve!”.
Por kur e përfundoi së shkruari dhe ma dha për redaktim, konstatova me kënaqësi kontributin e vyer të z.Cami për një vepër tejet dinjotoze.
“LANÇ në Dibër” është libri që hedh dritë për ngjarje e fakte të mbetura disi në errësirë, ose të shtrembëruara qëllimisht e të pasyqruara si të tilla nga historiografia e viteve të para ‘90-tës.
Në katër kapitujt e librit jepen detaje dhe fakte të panjohura për veçoritë e LANÇ në Dibër dhe në Dibër të Madhe, për formacionet luftarake dhe luftimet e zhvilluara, për heronjtë dhe dëshmorët sidhe lista e dëshmorëve të Dibrës sipas Arkivit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në tërësinë e fakteve dhe humbjeve të panumërta në njerëz dhe në materiale të një Evrope që u shkatërrua tërësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, S.Cami evidenton ato që ndodhën në Dibër. Përmes faktesh të pamohuara, duke u ndalur veçmas në përcaktimin e kufijve kohorë të kësaj Lufte (Kufirin kohor e përcaktojnë ardhja dhe largimi i pushtuesve që është 7 prilli i vitit 1939 dhe ikja e tyre më 28 nëntor 1944) autori i kësaj vepre rendit ngjarjet në mënyrë kronologjike.
Brenda këtij kufiri kohor evidenton ngjarje dhe fakte, ku padyshim përveç tiparit çlirimtar të kësaj lufte që është determinant, nënvizon edhe tiparet e një lufte që u bë për pushtet, (që kurrësesi nuk mund të konsiderohet luftë civile) por pa e zbehur kështu tiparin e saj kryesor, atë çlirimtar e liridashës.
Mjaftojnë këto fakte për t’u bindur në konkluzionin se edhe në Dibër periudha e Luftës së II-të Botërore rezulton si periudha e konfliktit ushtarak më të përgjithshëm e më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit, për të shuar sa më shumë jetë njerëzish si dhe për të shkatërruar sa më tepër vlera materiale, kulturore, etnografike, historike, e të tjera, të krijuara nga brezat njerëzorë ndër shekuj.
Sakip Cami këtë e bën më së miri nëpërmjet historisë së çetave luftarake (Të Dibrës e të Gollobordës), duke u ndalur veçmas tek Lufta kundër fashistëve italianë në Dibër; Lufta kundër nazistëve gjermanë në Dibër si dhe tek Lufta e njësive të mëdha partizane.
Analizën e veprës e ka bërë në mënyrë të hollësishme prof.dr.Bernard Zotaj në parathënien e saj, por unë dua të përçoj tek lexuesi mesazhin e domosdoshmërisë së pasurimit të bibliotekës së tij me këtë libër që zë vend të veçantë në fondin e historiografisë sonë të viteve 40-të të shekullit të kaluar. Kjo edhe pë faktin se nga mënyra dhe stili i veçantë i të të shkruarit, faktet dhe analizat që sjell, “LANÇ në Dibër” është një vepër që pasuron dukshëm fondin e letërsisë sonë dokumentare.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes