l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PORTRET

DASHURIE LUMANI,
VETERANIA E PUNËS QË NË VITET ‘70 GUXOI TË THYENTE MENTALITETET E KOHËS DUKE U BËRË VINÇIERE

Nga Xheladin ÇELMETA

Ishte 22 vjeçe kur për herë të parë filloi punë në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit (NShN) në Shkozet të Durrësit. Dhe ndoshta kurrë nuk do ta kishte menduar që në atë vend pune të zhurmshëm, mes makinerive të rënda, vinçave gjigandë, skelave e kovave masive të llaçit gjithnjë në lëvizje, si në filmat me “fanta-shkencë” ajo edhe do të dilte një ditë në pension, në vitin 1995. Kjo ndërmarrje në ato kohë kryesisht kishte si qëllim ndërtimin e pallateve parafabrikate në vend. Nga viti 1965, kur me ndrojtje filloi punë në një kantjer ndërtimi nga më të rëndësishmit në vend, siç ishte NShN-ja e Shkozetit (Durrës), e deri në vitin 1995, kur ajo doli në pension, janë plot 30 vite pune. Dashurie Lumani, sot 76 vjeçe, rrëfen për gazetën “Veterani” peripecitë që ka kaluar në këtë kantjer pune të vështirësisë së lartë; me strese, jo pak herë edhe me momente të trishta e delikate, por që ajo kurrë nuk preferoi ta ndërrojë me ndonjë vend tjetër pune më të qetë apo me më pak telashe. Mund ta kërkonte një gjë të tillë dhe mund edhe ta gjente, sikur të këmbëngulte, por ajo kurrë ndonjëherë, nuk e mendoi një gjë të tillë.

Dashuria, një nga 5 gratë e para vinçiere
E veçanta e punës që ka bërë Dashuria në NShN-në e Durrësit (Shkozet), është se ka qenë në një profesion aspak të zakontë për kohën: vinçiere. Të ishe vinçiere në atë kohë, donte të thoshte të sfidoje burrat. Dhe në një farë mënyre, në psikologjinë e meshkujve shqiptarë, kjo gjë konsiderohej gati-gati “mëkat”. Madje edhe të përflisnin. Të bëheshe vinçiere, do të thoshte “t’u hyje në pjesë burrave”. “Ashtu ishte mentaliteti atëhere”, thotë ajo dhe ne gratë e dinim fare mirë këtë gjë. Se burrat, punën e dejtimit të një makinerie të rëndë, pra, të vinçit nga një grua, asnjëherë nuk e shihnin me sy të mirë. Ne, gratë vinçiere e ndjenim se shiheshim vëngër nga disa njerëz me mentalitete aty”. Ajo vazhdon: “Më caktuan në sektorin e makinerive të rënda. Dhe unë nuk hezitova, nuk u tremba, por e pranova menjëherë sfidën. Isha e re, sapo kisha krijuar familjen time. Bashkëshorti im, Bajrami, ishte punonjës policie në Durrës, në një pozicion të tillë pune, që në atë kohë i thonin “i plotfuqishmi i zonës”. Ai atëhere mbulonte gjithë rajonin sipas detyrës së shërbimit policor. Kështu, lindëm, rritëm e edukuam 5 fëmijë, katër vajza dhe një djalë; të cilët falë nesh si prindër u bënë të zotët për veten e tyre, për familjen, por dhe për vendin e shoqërinë. Dhe jam e kënaqur”, thotë ajo. Bajrami ka ndërruar jetë disa vite më parë dhe ajo mungesën e tij sikur e “plotëson” me pritjet e përcjelljet e nipërve e mbesave, që zakonisht asaj nuk i mungojnë çdo fundjavë. Dy vajza i ka në Itali dhe dy të tjerat dhe djalin i ka këtu në Shqipëri, në Durrës. Ajo e quan jetën e saj tërësisht “të plotësuar”, sidomos kur kujton mirëkuptimin e harmoninë e mrekullueshme që kishte me bashkëshortin e saj. “Vetëm mirëkuptimi në çift, bën që familja të jetë e suksesshme në çdo drejtim”, thotë ajo, duke shtuar se “këtë gjë dua t’ja them çifteve të reja sot”.

“Aspak e lehtë të drejtoje një brigadë me 60 burra”
Kur biseda vjen tek puna, vendi dhe roli i gruas në shoqëri veterania e punës Dashurie Lumani thotë se “pa gratë asnjë punë nuk ecën përpara”. Sipas saj, gratë në kohën e saj kanë përballuar punë nga më të vështirat. Thotë se ajo atëhere, ishte jo vetëm një vinçiere, por kishte edhe rolin e brigadieres. “Disiplina e punës ishte shumë e fortë, pasi kjo diktohej nga karakteri dhe lloji i punës në NShN. Puna te makineritë e rënda të NShN-së kërkonte një kujdes maksimal. “Nuk ishte e lehtë të drejtoje një brigadë me 60 burra”, kujton ajo, duke u ndalur në një episod. “Do vinte për kontroll një nga ata lart, nga ata të Partisë. Punëtorët ishin të shpërndarë nëpër frontet e punës secili në makinerinë e vet. Menjëherë më vjen përgjegjësi dhe më thotë gjithë emocion, gati i trembur: “Dashurie, ku janë punëtorët se po vjen për inspektim një nga ata lart. Dua që për dhjetë minuta punëtorët të jenë prezent këtu”. “Jo për 10, por për 5 minuta e më pak do i keshë këtu”, i thashë. Dhe vërtetë brigada menjëherë u mblodh, sapo i sinjalizova, dhe ai që ishte si përgjegjës në sektorin tonë, sikur u çlirua nga një ankth. Desha të them që atëhere kishte kërkesë shumë të lartë llogarie në punë. Nuk kishte llafe, për pak gjë mund ta pësoje.

Adem Reka, heroi që përherë na ka frymëzuar e motivuar
Një moment mbresëlënës për të ka qenë kur ra në krye të detyrës Heroi i Punës Socialiste Adem Reka. “Unë kisha vetëm një vit që kisha filluar punë në NShN. Kur dëgjoj të buçiste radioja me lajmin se “Ra në krye të detyrës, duke manovruar me bigën e tij lundruese, Adem Reka”. Shteti menjëherë e shpalli atë “Hero të Punës Socialiste”. Ademi gjatë luftës kishte qenë partizan në brigadën e 3-të Sulmuese. Pas çlirimit, kish shkuar vullnetar në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin. Në vitin 1949 kish filluar punë në Flotën Detare e më vonë në Bigën lundruese. Siç tregonin, ai ishte shquar vazhdimisht për ndërgjegje të lartë, për guxim dhe devotshmëri deri në sakrificë. Kështu që, ai ra heroikisht në mbrojtje të pronës së përbashkët, për të shpëtuar Bigën nga valët e tërbuara të detit më 17 nëntor 1966. Për këtë akt u shpall “Hero i Punës Socialiste”. Shembulli i tij, natyrisht që ishte frymëzim për të gjithë klasën punëtore në Shqipëri. Gazetat të nesërmen u mbushën me fotografinë e heroit dhe me shkrime, të cilat propagandonin jetën dhe veprën e tij sublime. Adem Reka ka qenë heroi që përherë na ka frymëzuar dhe motivuar. Të them të drejtën, më pas, unë si vinçiere e ndjeja edhe më shumë veten krenare që punoja në një sektor të tillë të vështirë në NShN.

Qëndisja, “hobi i ri” i veteranes 76 vjeçare
Për Dashurinë asnjëherë nuk ka kohë për të humbur. Ajo gjithnjë di të “sajojë” punë edhe pse ka 76 vite mbi supe. Fotografitë e asaj kohe ajo i ruan si gjëra të shenjta. Në njërën ajo ka dalë pranë makinës së saj të tipit ZIS me vinç të montuar. Nuk mban saktësisht vitin se kur ka dalë aty, por thotë se duhet ti përkasë vitit 1972 ose 1973. Tjetra është një foto familjare ku në mes është ajo dhe burri i saj Bajrami, me uniforme policie, ndërsa fëmijët anash. Në dhomë dhe në anekse ajo ka kornizuar disa punime arti. Janë qëndizma të bëra me dorën e saj tamam në këto vite të fundit. Në njerën nga ato paraqitet një balerinë shqiptare, që sipas saj, ka pasur suksese në skenat e huaja; kurse në tjetrën është qëndisur një godinë tipike shqiptare në formën tradicionale të kullave të veriut. “Qëndisja më jep kënaqësi; kështu sikur motivohem më shumë për jetën. Më vjen keq që vajzat e sotme në moshën e pjekurisë së tyre, apo nuset e reja, nuk dinë të qëndisin. Unë qëndis akoma, thotë ajo duke qeshur, dhe nuk mëzitem kurrë nga ky avaz”.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes