l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Gjeneral Parllaku ishjte dhe mbetet simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike

Testamenti i atdhedashurisë

Halil RAMA

E përbashkëta e qindra mesazheve të personaliteve publike e politike, si dhe qytetarëve të thjeshtë nga Shqipëria, Kosova e diaspora, në librin e ngushëllimeve që Protokolli Zyrtar i Shtetit hapi në ceremoninë e lamtumirës së gjeneral Parllakut, është atdhedashuria, si i vetmi testament që na la Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit. “Nëse dikush duhet quajtur sfidant i kohërave, ky është pa asnjë dyshim gjeneral Rrahman Parllaku. E sfidoi varfërinë në bjeshkët e Sharrit, sfidoi pushtimin e vendit me armë, shpirt e zemër; luftoi për çlirimin e Shqipërisë, sfidoi diktaturën dhe u la brezave një shembull të madh virtyti dhe idealizmi”. Do të mjaftonte qoftë dhe vetëm ky shënim në librin e ngushëllimeve, i dy personaliteteve të letrave dhe politikës, Arta Dade e Namik Dokle për të profilizuar gjeneralin legjendë në kufirin e tri kohëve.

Por në qindra mesazhet e ngushëllimeve për gjeneralin që “u fik në paqe dhe iku në këmbë” (siç shprehet gjeneral Piro Ahmetaj), kupton fare lehtë se Ai iku duke i lënë Familjes, bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve, shokëve e miqve në gjtihë hapësirën mbarëshqiptare të vetmin testament, atë të atdhedashurisë…
Gjeneral Parllaku ishte ndër të paktët partizanë që jetoji dhe dëshmoi histori të tri kohëve, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist.
Ai ia doli mbi të gjitha furtunat e jetës, doli fitimtar nga Lufta Antifashiste, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe deri para një jave ishte gjenerali më i vjetër, por me mendje të re që mbështeste anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në NATO dhe integrimin e saj në BE.
Vetëm para gjashtë muajsh, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Bashkia e Tiranës e nderoi atë me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”. Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi Parllakun si një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste, si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike. Dhe në të vërtetë Ai qe kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.
Shqiptarët ndjehen krenarë me jetën dhe veprën e Heroit të Popullit dhe Nderit të Kombit që bëri gjithshka në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së gjeneralit janë plotësisht të merituara.
Me gjeneral Parllakun ndihemi krenarë të gjithë . Ai ishte dhe mbetet përmendore e gjallë e traditës dhe e virtytit familjar të trashëguar ndër shekuj.
Opinioni publik ka mirëpritur edhe librat e ndryshëm të shkruar nga gjenerali, siç është ai me titull: “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre”, “Kosova, ëndrra e jetës sime”, dhe librin e sapobotuar me shtatë kapituj në 466 faqe “Një shekull në memorie”.
Me një kujtesë të jashtëzakonshme, me një mendjemprehtësi të madhe, gjeneral Parllaku ka bërë analiza brilante të situatave të vështira e delikate që ka kaluar vendi dhe ushtria jonë. E veçanta e gjithë “ligjëratave” të tij në shtypin e kohës dhe në veprimtari promovuese të librave kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare e heronjve të saj, ka qenë gjykimi i tij tepër i saktë, konciz, realist, pa mllefe, pa paragjykime… Ai e ka vlerësuar gjithnjë lart Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, arritjet dhe përpjekjet e popullit jo vetëm në rindërtimin e Shqipërisë së pasluftës, por edhe ato në fushën e arsimimit, shërbimit shëndetësor, zhvillimit në tërësi të vendit, përfshirë edhe arritjet në mbrojtjen e fuqizimin e ushtrisë…si dhe këto vite të demokracisë e pluralizmit.

Nga jeta e këtij Matuzalemi na ulet këmbëkryq historia

Nga jeta e këtij Matuzalemi na ulet këmbëkryq historia. Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur… Nga veprimtaria e gjeneral Parllakut si veteran në këtë çerek shekulli të demokracisë mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë.
Në spiralet e historisë, Gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet duke patur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës. Vështirë të përmbledhësh në pak radhë, në kuinesencë, motivimin e personalitetit të tij, zhvillimin konjitiv e psikomotor të këtij djaloshi që ngjitej nga Novosej i Kukësit në Tribuna të larta shtetërore, në hero të popullit të tij, në drejtues madhor ushtarak, duke ndryshuar variablat në kontekste politike në funksion të mbijetesës dhe qëndresës, nga udhëheqës i shquar në të dënuar me burg, nga triumfator në grigjë të rrezikut për jetën, nga piedestali i kuadrit të dobishëm në stigmën e “njeriut të rrezikshëm”, ekstreme këto që provokuan në personalitetin e Tij, qëndrime dhe vlera të larta politiko-shoqërore në raportin e ndjenjave të forta estetike midis dashurisë dhe urrejtjes. Këtë volum ideor dhe estetik e përcjell përgjatë shekullit të jetës së tij, një burrë shtetar, një organizëm vital, një mendje koherente dhe një vizion largpamës dhe perspektiv.

Heroi që fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë

Retrospektiva dhe perspektiva kanë një prerje të artë në personalitetin e Gjeneral Parllakut, atë e përshkon frymëzimi dhe dashuria për Atdheun e tij, si leitmotiv vijues mbikohor që çliron në rrethana tipike energji shpirtërore pozitive në luftën e jetës. Jeta e Tij është një shembëlltyrë e rrallë që na fton të kuptojmë se jeta meriton të jetohet kur luftohet fort dhe fitohet. Si një ushtarak, korrekt, i shquar ai mbështetej në skrupuj të fortë të moralit kombëtar, me pikëvështrim të qartë dhe të kthjellët, duke ngjitur një nga një shkallët e karrierës ushtarake, si një gjigand hijerëndë që ngjitet i sigurtë në bedenat e kalasë. Kalaja e pushteteve në kohë të ndryshme dhe situate të ndryshme pati dhe shembje morale e politike, por këto nuk e dobësuan dhe përulën Gjeneral Rrahman Parllakun, këtë soj të fortë shqiptari që me mençuri diti të manovrojë në spiralet e rrezikshme të historisë shqiptare.
Heroi i luftës në terren, i luftës dhe përballjes në gjygje ushtarake, përballoi burgje e privime dhe fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë. Jeta iu afrua Heroit herë me tufa me lule herë duke u derdhur mbi të me tërë egërsinë e saj. Rrallë gjen shembuj të tillë të personalitetit ku të jenë ngjizur e plazmuar në mënyrë aq mjeshtërore vetitë e karakterit të një intelektuali patriot, të një drejtuesi e komanduesi të aftë ushtarak, të zgjuar dhe trim, të thjeshtë dhe të ndershëm, të bukur në trup, shpirt dhe mendime. Ai është një model i ardhur nga genocidi komunist si dëshmitar i gjallë për të kuptuar dhe vërtetuar peripecitë dhe traumat që kaloi ky popull i orientuar dhe i ideologjizuar gabimisht nga rryma dhe korrente të huaja.
Mbi 20 vjet në krye të Shoqatës së Veteranëve të Luftës, me ndershmëri dhe principe të larta morale ka kontribuar në ndriçimin e mjaft skenave dhe protagonistëve, të vërtetave dhe kërkimeve historike duke dhënë edhe në moshë pensioni, një ndihmesë të vyer në emancipimin politiko-shoqëror e demokratik të shoqërisë. Si një lundërtar i shquar ai e drejtoi varkën e shpëtimit duke kapërcyer me sukses tallazet e historisë deri në brigjet e paqëta të demokracisë që po jetojmë. Jo vetëm gjatësia kohore e jetës por dendësia dhe përmbushja e saj me veprime, qëndrime dhe vlera në përmbajtjen e saj, e bën këtë figurë të lartësohet në nderimin tonë shoqëror, ku zëri dhe mesazhet e Tij dëgjohen deri në organizata famoze ndërkombëtare. Në këtë vështrim Gjeneral Rrahman Parllaku përbën një shembull frymëzimi për atdhedashurinë dhe përkushtimin qytetar.




Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes