l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Lamtumira

NUK KA VDEKJE PËR NJERËZ
MADHËSHTORË SI GJENERAL PARLLAKU

Shpendi TOPOLLAJI

16 shtatori, dita kur i dhamë lamtumirën e fundit gjeneral Rrahman Parllakut, ishte një ditë e lumtur për parajsën dhe një ditë e pikëllimit të thellë për të gjithë ne. Por dua të besoj se kushdo e ka të qartë, se ajo ditë kalonte përtej pikëllimit, pasi ne nuk po i hidhnim disa grushte me dhe një burri të rrallë dhe me kontribute të jashtëzakonshme në shërbim të popullit dhe atdheut, por po varrosnim vetë historinë e gjallë të Shqipërisë. Dhe pikërisht për këtë, gjeneral Rrahman Parllaku, jo vetëm i meritoi si pak kush titujt e lartë “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, por dhe u cilësua njëzëri, një legjendë e vërtetë. Me jetën e tij prej mbi një shekulli, ai i dha vendit, shumë më tepër nga ç`mori prej tij, ndaj dhe me ndershmërinë, trimërinë, shpirtmadhësinë, përkushtimin, modestinë, fisnikërinë, atdhedashurinë, por edhe pamjen prej kreshniku që e karakterizonte, ai mbeti përfaqësuesi tipik i të gjithë vlerave dhe virtyteve të racës tonë. E gjithë rruga plot tallaze prej nga kaloi jeta e tij; sukseset, pengesat, vështirësitë, privacionet dhe vuajtjet që e ndoqën, pra kurajua, durimi, shpirti i paepur dhe guximi me të cilat ai i përballoi pa u thyer asnjëherë, dashje pa dashje të kujtojnë lavdinë dhe kalvarin e Krishtit dhe shumë njerëzve të tjerë që mbetën në memorien e popujve si pika referimi, modele që duhen ndjekur dhe simbole krenarie.


Duke i qëndruar përherë besnik sentencës sokratike se “Secili ka detyrë për të kryer, dhe detyra më e lartë është kërkimi i të vërtetës, i drejtësisë dhe i mirësisë”, ai, i urti e gojëmbëli, ai njerëzori deri në kufijtë e të pabesueshmes, ai edukatori me shembullin vetiak, që do ta kishin zili edhe korifejtë e pedagogjisë, u kthye për këdo që e njohu, punoi apo dëgjoi intervistat e tij, që mori pjesë në takime të ndryshme, apo lexoi artikujt e shumtë në faqet e gazetave dhe librat që botoi, në një figurë e pastër si kristali, në një yll të ndritshëm udhërrëfyes drejt mirëkuptimit, paqes e përparimit. Në çdo rrethanë që u ndodh, edhe kur fati i ktheu krahët dhe e goditi pa mëshirë, duke e mbyllur poshtërsisht në hekura, ai asnjëherë nuk predikoi hakmarrje, veçsa theksoi nevojën e mirëkuptimit dhe harmonisë mes nesh. Kudo që e çoi ky fat, apo detyrat e ngarkuara, ai mbeti po ai: biri i denjë i Kukësit, drejtuesi sypatrembur i guerilasve të Vlorës, komandanti i talentuar i Njësive të mëdha partizane, mbrojtësi i zjarrtë i idealeve të Luftës Nacional - Çlirimtare, mirënjohësi ndaj familjeve që e mbrojtën gjatë ilegalitetit dhe zhvillimit të luftimeve si birin e tyre, Të gjithë ne që kemi qenë mvartësit e tij, e kujtojmë përherë me nderim e respekt të veçantë, këtë komandant e komisar të F.U.D. të Korpusit, Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes apo zëvendës ministër të këtij dikasteri, që dinte të kujdesej, t`i ndihmonte dhe përkrahte oficerët e ç`do rangu. Veç të tjerash, proverbiale mbetet vëmendja dhe dashuria atërore e tij për nxënësit e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, prej nga, thosh, dalin kuadrot më të mira të ushtrisë.


Gjithmonë e kam pyetur veten se a mund të ketë ndonjë rast tjetër në të gjithë planetin që një ish luftëtar njëqind vjeçar, të rrezatojë aq energji e freski intelektuale dhe trupore, si dhe një kujtesë fenomenale, si madhështori Rrahman Parllaku. Se a nuk ishte ai njeriu që nuk u ankua kurrë, dhe pa ja ditur për vitet që i rëndonin mbi supe, gjente forca të jepte gjithçka kishte nga përvoja e vet për lirinë e Kosovës? Dhe a nuk ishte po ai që drejtoi me aq kompetencë, OBVL, duke e shndërruar atë në një institucion të vërtetë demokratik, me synim pajtimin kombëtar. A nuk ishte pikërisht ai, që në ç`do takim ndërkombëtar ku merrte pjesë, me diskutimet e tij të mençura e plot argumente, dinte të fitonte simpatinë e cilitdo auditor? Gjeneral Rrahmani punoi sikur do të rronte edhe njëqind vjet të tjera, pasi ai ishte një mendje e hapur dhe ndihej tërësisht i lirë, ashtu sikurse thosh Benedikt Spinoza se “Njeriu i lirë mendon më shumë për jetën se sa për vdekjen.”
Kjo është edhe arsyeja përse për njerëz të tillë lumturohet parajsa dhe pikëllohemi ne.
Data 16 shtator që përkon me 77 vjetorin e Konferencës së Pezës, duket se është më e gjetura dhe më e bukura, për të mos thënë se është si e dekretuar nga Qielli, për t`i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu e gjenerali si ai, që mbeti deri në fund zbatuesi më besnik i vendimeve të saj, për bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Ja përse edhe të gjithë shqiptarët e rrethojnë me aq dashuri gegë - toskën Rrahman Parllaku dhe lusin të pushojë i qetë mes njerëzve më të mirë të Kombit tonë.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes