l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

FJALA

Simbol i mbijetesës, qëndrimeve dhe vlerave

Myfit GUXHOLLI*

Familjarë bashkëluftëtarë, bashkëpunëtorë, miq e dashamirë!
Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë po i japim lamtumirën Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, partizanit dhe komandatit fitimtar antifashist, qëndrestarit të pamposhtur të burgjeve komuniste, veteranit me arsye dhe zë të kthjellët në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë, kryetarit të Organizatës tonë të Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Ai ishte dhe mbetet model i mbijetesës, qëndrimeve dhe vlerave.
Vetëm para pesë muajsh atë e patëm mes nesh në jubileun e 100 vjetorit të tij, si dëshmitar okular të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, sublimitetit dhe vlerave, arritjeve dhe gabimeve historike, luftërave dhe qëndresave, ëndrrave dhe shpresave, që rriteshin e veniteshin nën një mbijetesë shekullore.
I lindur në Veri të Shqipërisë dhe rritur e formur në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme, Gjeneral Parllaku e njohu Atdheun gjeografik me pëllëmbë, duke qenë prezent në të gjitha ngjarjet dhe sfidat e kohës, si pjesëmarrës aktiv në bëmat e mëdha në luftën për liri, dinjitet shoqëror dhe demokraci.
Ai lëviz në historinë e shekullit të tij, hijerëndë me vyrtyte të larta, me përkushtim kombëtar, qytetar e shoqëror me ndikim të fuqishëm publik.
Jetën dhe veprën e tij nuk e nxënë kufijtë e Shqipërisë shtetërore, por atë do ta gjejmë në luftëra dhe përpjekje dhe në viset e tjera shqiptare, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të shqiptarëve.
Siç u shpreh mbrëmë Presidenti i Republikës, Z.Ilir Meta: “Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve.
Rrallë gjen shembuj të personalitetit ku të jenë jetësuar në mënyrë kaq mjeshtërore vetitë e karakterit të një patrioti, të një ushtaraku të mençur, fisnik, të ndershëm dhe patriot.
Rrugëtimin 100-vjeçar, Gjenerali Parllaku e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare.
Në jetën dhe veprën e tij janë ulur këmbëkryq urtësia e burrit të malësisë, trimëria, shpirti i lirisë dhe atdhedashuria e luftëtarit antifashist dhe e komandantit partizan, si dhe angazhimi qytetar plot përkushtim.
Si uji i kristaltë i lumit të bjeshkës ka rrjedhur jeta e këtij njeriu që sfidoi kohët dhe regjimet, me përkushtimin ndaj kombit, i pathyeshëm në betejat që iu imponuan apo i zgjodhi që të bënte përgjatë 100 viteve.
Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore.
Duke u shprehur familjes Parllakut, të afërmve, bashkëluftëtarëve, bashkëpunëtorëve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, shpreh bindjen e OBVL-së se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh!
Lamtumirë Gjenerali ynë fitimtar!
U prefsh në paqe.
Parajsa qoftë vendbanimi juaj i përjetshëm!

* FJALA E NENKRYETARIT TE OBVL NE CEREMONINE E LAMTUMIRES TE
GJENERAL PARLLAKUT - Tiranë, më 17.09.2019.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes