l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ndër fiset më të lashtë, më autokton dhe trungu më antik dhe më i përhapur ndër territoret e fiseve të tjera shqiptare

BERISHA QË NË LASHTËSI

Nga Kol DEDAJ*

Çdo pëllëmbë toke e viseve iliro - arbnore ka në tabanin e saj lavdinë dhe simbolet e bijve të saj. Një ndër këto treva është edhe ajo e Berishës Legjendare, e cila është pjesë përbërëse e viseve të Pukës e shtrirë në bregun lindor të lumit Drin dhe rreth 220 km nga Tirana, Kryeqytet i vendit. Përmes këtij shkrimi po përpiqemi të ndriçojmë sadopak historinë e saj të lavdishme që në lashtësi. Emri i Alpeve të Shqipërisë është emër librash i cili është futur në fondin e shqipes me sa dimë ne, së pari nga Hani (Georg von Han), kurse gjuha e popullit nuk e njeh; u fut vetëm me fillimin e mësimit në shkolla në gjysmën e parë të shekullit të XX. Tradita popullore njeh dy grupe bjeshkësh: Bjeshkët e Namuna që janë të gjitha malet që i përmbledhin Alpet e Shqipërisë dhe Bjeshkët e Zeza.
Strabioni, i cili jetoi nga vitet 63 para erës së re deri rreth viteve 20 pas erës së re, në veprën e tij të njohur GEOGRAPHICA, në librin e VII, shpjegon se ky emër përkon me zonën ku janë Alpet e Shqipërisë. Ndërsa arkeologu i njohur Prof. Dr.Kal Pach në librin e tij “ILIRIKA” Tiranë 1926, fq.6, shprehimisht thotë se “Beritscus-Berishë është emër i moçëm, me të cilin quheshin Alpet e Shqipërisë....”Berisha është një emër që ka shumë rëndësi për etnicitetin e popullit tonë e që nuk është analizuar më parë, si dhe ka një vjetërsi 2000 vjeçare. Ka kohë që studimet etnografike e kanë vënë në dukje se fisi i Berishës është një nga fiset më të vjetër të Shqipërisë së veriut (Jaho Brahaj, Rilindja, 20 Nëntor 1993, f.6).
Emri Berishë në rrjedhën e shekujve shfaqet me trajta të ndryshme gjuhësore si: Beritscus, Beri, Beriscus, Berisso, Berissa, Alsiqa, Alshiqe, Besossia, Ilishka, Bukurisha e Mugurusha, Berissii-t, etj. Por vetë emërtimin Alsiqe /Alshiq gjendet në disa trajta të saj të tilla si: Alscichie, Alscicia, Alscigeia, Liscichiea, Alsiccia, Alsichio, Alsigi (Peter V. Bartl, ALBANIA SACRA, Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, Dioqzese Sappa, Germany 2014, f.18-19).

Berisha qysh herët ka pasur flamurin
Berisha qysh herët ka pasur flamurin e vet dhe këshillin e pleqve të kuvendit të zgjedhur nga katër mahallet e fisit: Desku; Doçi; Teta; Pogu (Maroj). Veshja e burrave ka qenë me tirqe, xhamadan, me kapuq të bardhë e të rrumbullakët prej leshi, shamija e kuqe e lidhur rreth kokës, brezi me një mozaik ngjyrash lidhur në mes, çorape të qëndisura si dhe opinga prej lëkure. Ndërsa për veshjet e grave në tarditë ka qenë xhubleta, paraniku e pështjellaku me punime leshi dhe mbajtja e shamisë në kokë, ku me shumë preferohej shamija e kuqe. Me kalimin e kohës në gjysmën e dytë të shekullit të XX këto veshje i shohim me pak në përdorim, ato erdhën duke u zëvendësuar me veshje më të thjeshta, më të lehta, e më të përshtatshme. Në raste mortesh gratë visheshin me të zeza dhe me shami të zezë në kokë (Nikollë Pjetri,”Berisha një pamje e përgjithshme etnografike”, Tiranë 2006, fq.60-67). Gjurmë të lashta të kësaj treve vijnë deri në ditët e sotme edhe përmes toponimeve të shumta që nga ato të hershmet të periudhës iliro-romake të tilla si: Podi i Valungës, gjendet në Shopel, ka qenë një fushë e gjatë me një krua, e cila me kalimin e kohës është gërryer nga lumi i Karonit. Kjo fjalë është latine. Edhe në Itali ka “Valle Lunga”; Kroi i Valungës gjendet po në Shopel, apo topinimi “Belshinë (Bel-shinë),, i cili është një vend me një panoramë shumë të bukur, me një fushë-pamje nga lumi i Mërturit, tek Maja e Kashit e deri tek gryka e Tozhit dhe më tej përgjatë rrjedhës së Drinit përballë me Toplanën e viset e tjera të Dukagjinit: “Bel,,-i bukur (latinishet) dhe “ Shinë,,-shndrit, shquhet (latinishte), “Belshinë-shndrit bukur,, apo toponimi, “Trovna,, - Trovare (latinisht) e gjeta; Bjeshka e Berishës, gjendet në Berishë të Epërme, por toponime të Berishës gjenden edhe nëpër botë. Në Itali gjendet ura “Beriscus,, në “la Sardenja., etj.
Toponimi Lisi i Kuvendit, gjendet në lagjen Katund të fshatit “Katundit të Kishës” poshtë kroit të Kishës dhe ishte vendi ku fisi i Berishës kuvendonte dhe merrte vendimet;
Përroi i Gjakut, gjendet në “Katund të Kishës” sipas legjendës janë zhvilluar luftime tepër të ashpra derisa i gjithë përroi është bërë i kuq nga gjaku;
Kala Qytezë, gjendet në lagjen Desk të “Katundit të Kishës” ku ishte edhe kisha e Alshiqes ose sikurse njihet edhe me emrin kisha e Zojës së Berishës;
Guri i Deskut, gjendet në lagjen Desk të fshatit “Katund i Kishës”, mbi të cilin Desku ndërtoi edhe kullën;
Shpella e Deskut, gjendet po në këtë lagje, në raste sulmi të forcave armike përdorej për strehimin e banorëve;
Lisi i Lekës, gjendet tek “Fusha e Celigratit” dhe është një vend historik, për të cilin legjenda thotë, që aty Lekë Dukagjini kuvendonte me krerët e zonave;
Hurdha e Mitrit, gjendet në “Grykë të Malit” për të cilën legjenda thotë se dy ndër gjeneralët kryesorë të heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vëllezërit Dhimitër dhe Nikoll Berisha, në atë lëndinë mes maleve krijuan një “hurdhë” për ushtarë që do të pushonin dhe përgatiteshin për betejat e ardhshme;
Hurdha e Dragojve, gjendet në “Grykë të Malit” sipër hurdhës së Mitrit;
Shpella e Ndoc Mark Dedës, gjendet aty ku Drini “kalon nën një kodër” apo siç njihet edhe “tek then Drini Qafën” është vendi ku u strehuan Ndoci me vëllezërit e tij të plagosur pas betejës së “5 dhjetorit 1910”;
Podi i Ndoc Mark Dedës, gjendet në Belshinë, vendi ku Ndoci priste krerët për bisedime, por edhe vëzhgonte afrimin e forcave pushtuese pasi ka një fushë me pamje të gjerë nga veriu në jug e nga lindja në perëndim të zonës përreth;
Mani i Ndoc Mark Dedës, gjendet në Belshinë, në cepin jug-perëndimor të kullës së të atit Mark Deda dhe është pema e manit e cila e ndihmoi Ndocin për të çarë rrethimin në luftimet e Belshinës me 5 dhjetor 1910. Mani në gjysmën e tij u dëmtua nga plumbat dhe gjylet e topave dhe me kalimin e kohës u tha, kurse gjysma tjetër është edhe sot. Fama e Ndocit ishte përhapur në mbarë vendin, në shumë krahina ai thërritej Ndoc Mark Gega duke e nënkuptuar e simbolizuar atë me gegëninë nga rridhte origjina e pastër e tij (Ton Zmali, Shetitari i Buklisit vëllimi II, Tiranë 2017, f.19);

Republika e Venedikut e njihte Berishën që në mesjetë
Në mesjetë, Republika e Venedikut e njihte Berishën dhe madje kishin marrëdhënie me njëra tjetrën, megjithëse nuk ishin vende kufitare. Në shekullin e XV Republika e Venedikut kishte nën sundim Shkodrën dhe Danjën (Dejë). Në këtë periudhë Republika e Venedikut kishte nënshkruar marrëveshje me Berishasit, duke marrë si detyrim: që të mos shtrihej në malësinë e Berishës, si dhe ta furnizonte atë me drithëra dhe kripë. Kurse Berisha do të ruante autonominë e vet të plotë, si dhe do të mbështeste Venedikasit në raste të një sulmi nga forcat Osmane në territorin nga lumi Drin dhe deri në rrjedhën e epërme të lumit Fan i Madh. Ndërmjetës me Venedikun për zbatimin e marrëveshjes ishte Dispina, e veja Gjergj Aranitit, e vjehrrit të Skëndërbeut, e cila ishte emëruar vojvodë në Venedik (Oliver Schmitt, “Arbëria Venedike”1392-1479, Tiranë 2007, f.496), njëmarrëveshje e tillë nënkuptonte atë që Berishës i jepej vlera e një principate. Janë të shumtë autotrë që e pemendin këtë trevë si më të vjetër në trojet shqiptare disa prej të cilëve po i japim në vijim: Gjurmët e fisit Berishë na kthejnë prapa, para periudhës Romake (Carleton S. Coon, “The Mountains of Giants,,Cambridge, Massachusetts,USA, 1950, f.45);
Berishasit janë ndër më të vjetrit banorë në trojet etnike shqiptare.. (Ismet Balaj, Gazeta “Metropol,, Tiranë 21.06.2010); Berisha ka të ngjarë të jetë fisi ndër më të vjetrit në tërë Shqipërinë e Veriut (Franc Nopça, “Fiset e malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre”, Tiranë 2013, f.222); Fisi i Berishës është i vlerësuar një herë e një kohë duke u konsideruar si një ndër fiset kryesore të principatës së Dukagjinit (Giussepe Valentini, “E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare”, Plejad 2007, f.268.); Sipas këtyre autorëve e gojëdhënave fisi i Berishës është fisi më i lashtë dhe më fisnik ndër gjithë fiset shqiptare, si dhe ata janë banorë rrënjas, autokton (Përsonazhet Kryesore të Shqipërisë, Vendi, fisi, populli gjatë luftës së Parë Botërore, Tiranë 2016, f.157-158; f.171;198); Berisha është e dëgjuar, sepse është fisi kryesor i malësive të Dukagjinit (Enie Reise durch die “Hochlandergaue Ober albanins”, f.49); Berishasit për të mbrojtur mbijetesën e origjinës iliro-arbërore, u tërhoqën në malet e Pukës, në këndin më verilindor ku lartësohej Alshiqja dhe Qllumi me mbi 1400m, poshtë lagur prej lumit Drin, që u vinte hark, duke i bërë më kështjella natyrore se ishin, pothuasje të paarritshme (Xhemal Meçi, “Koha Jonë”, Tiranë 04. 06. 2016, f. 14); Berisha ka qenë një fis i madh jo vetëm si territor, por edhe si popullsi, me 1465 ajo kishte 12 mijë banorë ( Oliver Schmitt, “Arbëria Venedike”, Tiranë 2007, f.496) për kohën kur bëhet fjalë një shifër tepër e madhe kjo. Në katundin Berisso (Berisha) në provincën Buenos Aires, Argjentinë, e cila është pjesë e zonës urbane të Komunës, “Greater La Plata” e cila ka një popullsi prej rreth 95 mijë banorë ( regjistrimi i vitit 2001), thuhet se jeton edhe një komunitet mjaft i gjërë Arbëreshë. Ku rrënjët e tyre, zënë fill tek pasardhësit e Skënderbeut, që u shpërngulën në Argjentinë shekuj më parë (Sociedad Albanesa de Berisso (Berisa). Aktualisht, ata janë në Argjentinë aq shumë, sa që kanë krijuar shoqatën “Shoqëria Shqiptare e Berishës,, – “Sociedad Albanesa de Berisso,, kanë edhe kishën e tyre, si dhe qendrën kulturore Arbëreshe ( Fahri Xharra: Arbëreshët, shëmbëlltyra jonë e përjetshme,Berishajt e Buenos Aires në Argjentinë , Revista Drini, 23.08.2018). Por edhe në ditët e sotme thuhet “ fis Berishë gjen kudo në botë” fakt i cili ka tërhequr edhe vemendjen e medjave. Në studimin e bërë nga gazeta më e madhe sportive në vend “Panorama Sport” , në editorialin “Mbiemri i rekordeve,,.. rezulton se së paku 99 futbollistë të moshës nga 17 deri 32 vjeç që luajnë në “liga” të ndryshme në botë, që nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia, Skandinavia e deri në Australinë e largët kanë mbi shpatullat e tyre mbiemrinBerisha duke e konsideruar si mbiemrin më të përhapur në sektorin e futbollit (Gentjan Alinani, “Panorama Sport” Mbiemri i rekordeve 99 futbollistë kanë mbi shpinë...Berisha, datë 11 Nëntor 2017, f.2 ). Ky është vetëm vëzhgimi i një sektori, atij të futbollit dhe menjëherë del në pah madhësia, shtrirja e kontributi i këtij fisi legjendar. Por madhështia, kontributi dhe shtrirja e këtij fisi është dukshëm në të gjitha aspektet e jetës, në art, kulturë, shkencë, ekonomi, politikë, sport, etj. Berisha nga tradita konsiderohet si njëri nga fiset më të moçme të Shqipërisë së veriut, dhe i njohur për vetitë morale shumë të larta, kujtojmë thënien lapidare “Berishë burrnia” (Giussepe Valentini, “E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare”, Plejad 2007, f.268.); Fisi i Berishës është një nga fiset më të sojmë të Shqipërisë dhe gëzon autoritet të madh ( Theodor Ippen, “Malësia e Shqipërisë veriperëndimore,, f.59). Njerëzit e këtij fisi janë të famshëm për: trimëri, besnikëri, bujari, fisnikëri, mikpritje e punë të tjera të mira (Domeniko Pasi,”Njeriu në përgatitje dhe në Dioçezën e Shtatë Bajrakëve”. Instituti për Evropën Lindore, Romë 1933, Vëllimi-I, f.296). Berisha është tejet e mirënjohur për mikëpritjen e saj bujare e gdhendur në urimin e që i zoti i shtëpisë i drejtohet mysafirit: “me nderë tënde e mirë se erdhe,,unikale kjo në viset shqiptare, për vlerësimin dhe respektin madhështor që i bëhet mikut. Berishasit e donin dhe e vlerësonin shtetin e së drejtës, sa ja shprehen edhe Edit Durham duke i thënë se pse nuk kishte sjellë ushtarë me vete që të krijonte një qeveri të re. Berishasit i thanë asaj: “ Na sill ushtarë, pastaj na i merr pushkët dhe le të krijohet një qeveri e re dhe ne kemi për t’u bindur”.

“Besnikëria, kurajo, mikëpritja është e shkruar në librin e shpirtit të këtyre malësorëve….”
“Besnikëria, kurajo, mikëpritja është e shkruar në librin e shpirtit të këtyre malësorëve ...” (Edith Durham , Shqipëria e Epërme një udhëtim në Shqipërinë e Veriut të vitit 1908, f. 8, f.197). Por këto vlera dhe vyrtyte nga me të lartat njerëzore janë të përjetësuar në proverba të mbartura në shekuj të tilla si: Berishasit mund të jetojnë në rrasë të gurit!;Berishasin edhe po e nxore në majë të malit, atje ka me ditë me jetue si zotni. Berishasi edhe i mbytur në ujë, ka fillue me zanë peshk, për mos me humbë kohën kot, etj. Këto dhe shumë të tjera tregojnë se si berishasi, me punë, me zgjuarsi, me kurajo, kudo dhe në çdo rrethanë din t’ja rregullojë jetesën vetes me dinjitet dhe fisnikëri.Fisi i Berishës, sipas traditës popullore dhe sipas studiuesve dhe autorëve të ndryshëm si: Marin Barleti, Giussepe Valentini, Carleton S. Coon, Franc Nopça, Edith Durham, Frang Bardhi, Gaspër Gurakuqi, Xhemal Meçi, Jaho Brahaj, Nikoll Pjeteri, Ismet Balaj, Kol Dedaj, etj., e kanë përcaktuar si ndër “fiset më të lashtë”, më autokton dhe trungu më antik dhe më i përhapur ndër territoret e fiseve të tjera shqiptare aq sa mund të themi se prej saj mund të kenë rrjedhë pjesërisht edhe pesë degë të tjera: Merturi; Kuçi; Lohja; Kelmendi; Arrni: Fisi i Mërturit njihet se është i një gjaku me Berishën (Franc Nopça, “Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre”. Tiranë 2013, f.219);Fisi i Kuçit ka qenë një degë e fisit të Berishës. Toponimi i Kuçit është ndër më të përhapurit në të gjithë Shqipërinë në: Reç, Rjoll, Nikaj, në Shkodër; në Seman pranë Fierit; në Tomoricë, në Kurvelesh, pranë Shushicës së Sipërme; në rajonin e Bilishtit e Kuçin e Zi në rajonin e Korçës, në atë të Shijakut e Roskovecit, në Kurbin; në Suharekë; në Tuz e Zetë të Malit të Zi etj.; Fisi Lohja, duhet të konsiderohet si fis i ardhur nga Kuçi, kësisoj nga Berishajt;Fisi i Kelmendit, është i ardhur nga fisi i Kuçit; kësisoj nga Berishajt, ashtu siç provohet nga toponimi “Fusha e Berishës” që në fund të shekullit të XV; Fisi i Arrnit (Giussepe Valentini, Edrejta e komuniteteve në traditë shqiptare, Plejad Albnologjike 2007, f.269, f.319; f.331- f.333; f.341). Por, të shumta janë edhenëndegët e fisit të berishës të shpërndara në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, etj. etj. Tradita popullore themelin e origjinës e tregon në Berishë, Pukë, ku kemi dhe faltoren shumë më të lashtë me emrin ndoshta me një parashtesë të shtuar nga latinishtja gjatë pushtimit romak Alto-Shiqe-jam, Kishë që i përkushtohet Zoja e Berishës/Alshiqes e që përkujtohet e festohet pikërisht në ditën që tradita gojore kalendarike shekullore e nderon si: “Dita e Bjeshkës,, e që përkon me ditën e ‘’Baba Tomorrit” ku shohim lidhjet e lashta ndërkrahinore të besimeve të moçme pagane të të parëve tanë. (Jaho Brahaj, Rilindja, 20 Nëntor 1993, f.6).Por, Zoja e Berishëspër vetë famën e madhe të sak, adhuruesit e identifikonin si Aferdita e Veriut (Prel Milani, Zoja e Berishës, Shkodër 2017, f.109). Të shumta janë figurat e ndritura të Berishës të cilat në çdo etapë të historisë kombëtare kanë dhënë kontributin e tyre, por në pamundësi për t’i përshkruar të gjithë po japim disa prej tyre. Tanush Berisha , luftëtar i shquar i viteve 1272. Nënshkrues i dokumentit të dërguar Perandorisë Bizantine të Lindjes, në Napoli të Italisë, në dhjetor 1272 nga disa krerë shqiptarë; Lalë Ndreka / Lale Drakli figurë e shquar kombëtare e fillimit të shekullit të XVI për veprimtarinë e tij politike, diplomatike, luftarake, Kont, kreu i fisit të madh luftarak të Kuçit, Anëtar i Lidhjes Ballkanike, organizator dhe pjesëmarrës në disa kuvende shqiptare dhe Ballkanike të tillë si: Kuvendi i krerëve të Ballkanit në Kuç me 16 korrik 1614, kuvendi i krerëve të Ballkanit në Beograd 1620, etj.( Giussepe Valentini, “E drejta e komuniteteve në traditën shqiptare”, Plejad 2007, f.286; f.331- f.333). Dhimitër Berisha dhe Nikoll Berisha, u shquan si komandatët më besnikë të Skënderbeut në fitoren ndaj ushtrisë Osmane në betejën e 1456, kur Moisiu tradhtoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, ndërmjet më fisnikëve të tjerë të atij vendi dhe kryetrimave të rinisë, ishin dy vëllezër nga familja e lashtë e berishëve, Dhimitri dhe Nikolla, ndihmën e të cilëve Skënderbeu e kishte të shënuar e të dendur (MarinBarleti, Historia e Skënderbeut, f.445; Dhimitër Shuteriqi, Moti i madh, përmbledhje e dokumentuar për historinë shqiptare të viteve 1379 -1479; f.99, f.208). Hasan Prishtinaose siç njihet ndrysheHasan Berisha, në vitin 1908 zgjidhet deputet i krahinës së Kosovës në parlamentin Osman, më tej përmes një memorandumi me 14 pika i kërkoi Portës së Lartë bashkimin e të gjithë trojeve, forcave Kombëtare shqiptare dhe autonominë e Shqipërisë. Organizatori kryesor i Kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, ministër në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit. Në vitin 1922 Këshilli i Lartë e ngarkoi në hartimin e qeverisë së re ( Nikollë Pjetri,”Berisha Etnike Puka dhe shtrirja e saj ndër shekuj”, Tiranë 2009, f.11-12); Mark Deda u dallua së bashku me shumë berishas e me të tjerë pukjanë në mbrotje të trojeve kombëtare deri në Plavë e Guci. Po kështu Marku u ngrit në kryengritjen e vitit 1885 në mbrojtje të udhëheqësve lokal të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të dënuar rëndë. Gjithashtu do ta gjejmë Mark Dedën më 1858, edhe në kryengritjen kundër Tanzimatit, reformë e sunduesve osmanë për heqjen e autonomisë së Maleve (Xhemal Meçi, “Koha Jonë”, Tiranë 04. 06. 2016, f. 14), dhe ja kushtrimi i tij frymëzues ndër shekuj: “ Më dhanë pushkën pa luftue ! / ...ma mirë vdekë se me u marrue...”! ( VISARET E KOMBIT, Tiranë,1939 / IV, f.88 . Me këto ndjenja edukoi edhe bijtë e tij, që nuk iu bindën Shefqet Turgut Pashës me 40-mijë forca ushtarake, që zbritën në viset e Pukës (Xhemal Meçi, “Koha Jonë”, Tiranë 04. 06. 2016, f. 14), ku në betejën e Belshinës 1910 vranë zaptitë e çanë rrethinin, bëtejë e cila përbën një epope të lavdishme të qëndresës sonë kombëtare e cila u perjetësua në vargjet lapidare: “Në Stamboll po këndon gazeta / Nuk po lidhet NdocMark Deda / Si jep armët sa të jet jeta; Sa të jet jeta armët si jap, / Për pa i la zaptit me gjak,/Për pa i la qata zapti...” ( VISARET E KOMBIT, Tiranë 1944 / X, f158). Kjo këngë u shndërruar në hymnine trevave të Bjeshkëve të Epërme (Ton Zmali, Shetitari i Buklisit vëllimi II, Tiranë 2017, f.22-23).Të shumtë janë bijtë e trevës së Berishës që luftuan dhe u flijuan për lirinë e atdheut në vijim po jepen Dëshmorët e Atdheut që Berisha i dha vendit, duke i çuar ata deri në përjetësi, të gdhendur me shkronja të arta, Në panteonin e lirisë, në prehrin e “Nënës Shqipëri”: Mark Deda, Ndoc Mark Deda, Mëhill Mark Deda, Pjetër Ndu Prendi, Sokol Cub Marku, Vat Marash Marash, Lek Ndue Berisha, Ded Ndue Ndoja, Gjok Llesh Lleshi, (Kol Dedaj, Në panteonin e Lirisë, Tiranë 2018,f.75-78). Këtu u munduam të hedhim dritë mbi një treve që ka shumë rëndësi për identitetin e popullit tonë, siç është Berisha, që ka një vjetërsi mbi 2 000 vjeçare dhe në të ardhmen kërkon një studim gjithpërfshirës për vlerat kombëtare që mbart. Mbylljen e këtij shkrimi po e bëj me varrgjet e mëposhtme të krijuara enkas dhe të titulluara: “Berisha Legjendare” si një sinteze të asaj që u përshkrua më lart.
*Anëtar i Kryesisë së OBVL




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes