l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Me okupimin e Kosovës, pas vitit 1990, ekstremistët serbë kanë dëmtuar dhe demoluar shumicën e përmendoreve të LANÇ

GJENDJA E MONUMENTEVE TË LANÇ -it NË
KOSOVË, SHQETËSUESE DHE E DHIMBSHME


Nga Bashkim Hisari

Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare (LANÇ), padyshim është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë së popullit kosovar dhe rruga më e drejtë që ata zgjodhën kur vendosën të luftojnë kundër okupatorit nazi-fashist. Me vendosmëri dhe me dëshirë të zjarrtë, duke mos kursyer asgjë për të mirën e popullit, kryen veprën madhështore. Kundër hordhive fashiste, për çlirimin kombëtar, luftuan mbi 53.000 kosovarë prej të cilëve 6.200 flijuan jetën për liri dhe të mirën e popullit të Kosovës.
Pas aprovimit të Ligjit për mbrojtjen e veteranëve dhe invalidëve të LANÇ, në vitin 1946, në të gjitha qendrat komunale në Kosovë dhe vendet e tjera ku janë zhvilluar beteja, janë ngritur monumente për ngjarjet, heronjtë dhe dëshmorët e LANÇ. Ato kanë qenë të mbrojtura nga organet shtetërore. Për to, deri në vitin 1990, janë kujdesur Shoqatat e Veteranëve të LANÇ në komuna.
Me okupimin e Kosovës, pas vitit 1990, ekstremistët serbë kanë dëmtuar dhe demoluar shumicën e përmendoreve të LANÇ ku kanë qenë të shënuar emrat e heronjëve dhe dëshmorëve shqiptarë.
Gjatë muajit qershor të vitit 1999, disa ekstremistë, vazhduan të dëmtojnë dhe demolojnë përmendoret me emrat e dëshmorëve.
Me formimin e organeve të pushtetit lokal, pas luftës së fundit në Kosovë, në vend që të sigurohet përkujdesja dhe ruajtja e monumenteve të LANÇ, disa kryetarë të komunave, merrnin vendime për rrënimin e këtyre monumenteve. Të tilla vendime janë marrë në komunën e Prizrenit, Podujevës, Vitisë, Vushtrrisë, Rahovecit etj.
Fatkeqësisht tendeca të tilla po vazhdojnë. Po demolohen, dëmtohen dhe shkatrrohen përmendoret, pllakat përkujtimore, shtatoret, varrezat. Po u hiqen emërtimet e shumicës së rrugëve, shesheve, shkollave, organizatave dhe institucioneve që i mbanin emrat e heronjëve dhe dëshmorëve të LANÇ.
Pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës janë të revoltuar dhe të zhgënjyer nga paligjshmëria që lejon abuzues të tillë të shpëtojnë nga drejtësia. Ata po shprehin shqetsimin dhe po vlersojnë se në këtë fazë kur po ndërtohet dhe demokratizohet shteti i Kosovës, nuk ka gjë më ofenduese e më të ulët se sa të dëmtohen e demolohen monumentet e LANÇ, të injorohen veprat dhe të nënçmohen meritat dhe gjaku i derdhur i dëshmorëve për liri dhe pavarësi.
Në të gjitha komunat e Kosovës janë themeluar komisione për emërtimin e rrugëve dhe të shesheve. Në këto komisione janë caktuar përfaqësuesit e partive politike, por jo edhe përfaqësuesit e veteranëve të LANÇ dhe ekspertë e personalitete me autoritet për ç’arsye disa rrugëve, shesheve e institucioneve u janë dhënë emra të personave që nuk i njeh askush, madje edhe me të kaluarën e dyshimt. Në shumë komuna mungojnë emra të heronjëve, dëshmorëve dhe njerëzve të merituar që kanë lën gjurmë në LANÇ, në fushën e politikës, shkencës, kulturës dhe sportit.
Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Naciona-Çlirimtare të Kosovës (OVLANÇ) kanë vizituar komunat dhe kanë zhvilluar biseda në lidhje me mbrojtjen e monumenteve dhe kanë konstatuar se shumica e monumenteve janë demoluar e shkatrruar dhe se janë hequr emërtimet në shumicën e rrugëve, shkollave dhe institucioneve që kishin emrat e heronjëve dhe dëshmorëve antifashist. Ata kanë konstatuar se edhe kohëve të fundit ka tendenca dhe po shfaqen dukuri dhe përpjekje të individëve që të njollosin Luftën Antifashiste duke rrënuar ose dëmtuar pllakat përkujtimore, përmendoret, shtatoret dhe lapidarët e heronjëve dhe dëshmorëve kosovarë që dhanë jetën për liri dhe vetëvendosje.


Kryesia e OVLANÇ të Kosovës, pasi analizoi gjendjen e monumenteve të LANÇ, vlersoi se dëmtimet dhe demolimet e monumeteve të heronjëve dhe dëshmorëve nga ana e individëve të papërgjeshëm janë sjellje të papëlqyeshme që në jetën shoqërore risjellin në kujtesë gjëra të kaluara, ngjallin tmerr të padurueshëm dhe zhvlesojnë vlerat dhe meritat e LANÇ. Andaj, Kryesia më 29 maj 2019, iu drejtua me një shkresë të gjitha institucioneve dhe organizatave dhe kërkoi përkrahjen, ndihmën dhe angazhimin e tyre për të siguruar që të respektohet kontributi i popullit shqiptar në Luftën Antifashiste, të mbrohen monumetet dhe objektivisht të vlersohen meritat e tyre dhe frytet e fitores ndaj fashizmit. Mirëpo, deri më tash nuk ka asnjë përgjegje dhe nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim sidomos për të përmirësuar gjendjen e dëmshme dhe të dhimbëshme të monumenteve të LANÇ.
Të gjitha këto dëshmojnë se aktualisht, në Kosovë, institucionet dhe organizatat përgjegjëse kanë vendosur idealet e LANÇ në skajet e hapësirës publike, që do të thotë se është eliminuar mundësia që këto ideale të rëndësishme të jenë më afër të gjitha shtresave të qytetarëve. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës janë të revoltuar dhe të zhgënjuer nga paligjshmëria që lejon abuzuesit të shpëtojnë nga drejtësia. Ata shprehin shqetsimin për dukuritë korruptive, nepotizmin, për keqëpërdorime tjera e sidomos për mungesën e forcimit të sundimit të ligjit si dhe për çështjet socio-ekonomike, arsimin, shëndetësinë, punësimin, largimin e qytetarëve kosovarë…
Të shpresojmë se pas zgjedhjeve të ardhshme të jashtëzakonshme që po paralajmërohen, do të vlersohen në mënyrë objektive dhe do të mbrohen frytet e fitores dhe do t‘iu tregohet gjeneratave të reja realiteti i Luftës Antifashiste, shpesh i harruar, padrejtësisht i mohuar dhe i shtrembëruar kohëve të fundit.


Kontribut në këtë drejtim duhet të japin njerëz të cilët janë të bindur se tranzicioni i shoqërisë nuk ka alternativë për zgjidhjen e problemeve evidente, në këtë kontekst edhe të çështjeve që kanë të bëjnë me LANÇ. Kosova ka nevoj për politikanë të cilët kanë integritet, rezultate të prekshme në punën e tyre e jo politikanë të cilët nuk kanë sens për të dëgjuar se ç’farë flet populli por në veshët e tyre recitojnë dhe përsërisin gjërat e preferuara për ta që shpesh nuk janë reale dhe të arsyeshme. Minimizimi i vlerave të së kaluarës nuk e eliminon historin, mbase historia e shqiptarëve në të gjitha kohërat është shkruar me shkronja të arta për shkak të sakrificave për liri dhe pavarësi.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes