l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Konferenca e Pezës lindi si nevojë e bashkimit kombëtar për luftën antifashiste. Ajo hodhi bazat e organizimit kombëtar të lëvizjes

Parllaku: Konferenca e Pezës i dha karakter
kombëtar luftës kundër nazifashizmit

Shtatëdhjetëeshtatë vjet më parë, në Pezë, u mbajt një nga konferencat më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Konferencë e cila bashkoi gjithë shqiptarët, pa dallim feje dhe ideje, në luftën kundër nazifashistëve. Rrahman Parllaku, gjenerali që luftoi fashizmin dhe sfidoi komunizmin, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, një prej figurave më qendrore dhe emblematike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, në një intervistë për gazetën “Veterani”, është shprehur se Konferenca e Pezës i dha karakter kombëtar luftës kundër nazifashizmit, duke e renditur Shqipërinë në krahun e duhur të koalicionit të madh antifashist. Ai ka deklaruar se jo të gjithë mbetën të kënaqur me Konferencën e Pezës, por aty nisi dhe mirëorganizimi ushtarak i vendit, për t’i bërë ballë forcës armike. Gjenerali ka rrëfyer me detaje se si u krijuan çetat partizane dhe si u bë organizimi i ushtrisë. Parllaku ka folur dhe për Konferencën e Mukjes, e cila erdhi pas asaj të Pezës. Por, ai ka deklaruar se kjo konferencë erdhi për të ndarë pushtetin, pasi nazifashistët po shkonin drejt kapitullimit. Sa i përket rolit të Ballit Kombëtar, Gjeneral Parllaku është shprehur se ata kanë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve.
-Më 16 shtator do të përkujtohet 77 vjetori i Konferencës së Pezës. Si protagonist i lëvizjeve të asaj kohe dhe i luftës, çfarë impakti pati kjo konferencë në rezistencën ndaj nazifashistëve?
Konferenca e Pezës është si gjithë konferencat, kongreset që kanë ndodhur në historinë e kombit tonë. Gjithnjë kur ka pasur nevojë kombi, janë bërë kuvende, janë mbledhur njerëzit dhe kanë vendosur për fatet e vendit. Përmendim Kuvendin Lidhja e Prizrenit, që është kulmi, Lidhja e Pejës dhe kuvende të tjera të vendit tonë. Edhe Konferenca e Pezës lindi si nevojë e bashkimit të popullit; pa bashkim nuk mund të thuash që e do fitoren. Bashkimi është baza e fitores! Dhe Konferenca e Pezës lindi si nevojë e bashkimit kombëtar për luftën antifashiste. Konferenca e Pezës hodhi bazat e një organizimi kombëtar të lëvizjes. Kështu do ta quaj që, bashkimi kombëtar i ka themelet në Pezë. Personalitetet që kanë marrë pjesë dihen, kanë qenë patriotë, intelektualë, si njerëz të tjerë që kanë pasur ndjenja kombëtare për të luftuar kundër fashizmit. Pas Konferencës së Pezës, lëvizja mori një zgjerim tjetër. Filluan të krijohen baza nga Jugu në Veri, dhe vetëm gjatë vitit ’42 janë ngritur 22 çeta partizane nga Konispoli në Tropojë. Filluan të krijohen Këshillat Antifashistë Nacional Çlirimtarë, që u bënë një bazë për lëvizjen në Shqipëri. Filloi të marrë formë organizimi ushtarak. Nuk po mbeteshin vetëm çetat partizane, por filluan të krijohen çetat territoriale, si dhe ato të fshatit. Filluan të krijohen batalionet e organizuara. Pra, lëvizja filloi të marrë frymë dhe të hapet në të gjithë vendin.

-Cilat ishin vendimet më të rëndësishme të Konferencës së Pezës?
Po e them me dy fjalë: Bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje! Por në rezolutë thuhet: “Shqipëri e pavarur, indipendente, e pandashme dhe demokratike”. Këto janë të rezolutës, nga aq sa më kujtohen tani. Ky është qëllimi, pra të kemi një Shqipëri të lirë, të pavarur, të pandashme, indipendente dhe demokratike.

-A arriti Konferenca që të bashkojë përfaqësuesit e të gjitha grupeve politike?
Atje u përfaqësuan të gjitha grupet. Hysni Lepenica ishte nga Balli Kombëtar. Pati dhe persona të tjerë si Bumçi, Qafmolla, Haxhiu, etj., të cilët ishin patriotë të vendosur për luftën kundër fashizmit. Partia u përfaqësua nga Ymer Dishnica, që ishte kryesori. Por, çfarë realisht solli konferenca? Konferenca solli zgjerimin e Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare në të gjithë vendin. Jehona e Konferencës së Pezës shkoi kudo në Shqipëri dhe predispozicioni i njerëzve bëri që brenda vitit ’42 të krijohen 22 çeta partizane. Kjo i dha hov tjetër luftës. U krijuan njësitë guerile në qytete, çetat partizane në krahina, pra pati një shtrirje të luftës. Si u prit? Populli ishte i predispozuar për luftën, e tregoi që kur erdhi fashizmi. U ngrit gjithë populli në këmbë, tjetër gjë që nuk e drejtoi Zogu, por populli ishte i predispozuar. Unë në atë kohë jam ndodhur në Selenicë të Vlorës dhe u ngritën të gjitha krahinat, edhe unë bashkë me ta, zbritëm për të kërkuar armë. Pra, predispozicioni ishte, rinia u bë nismëtare, bashkë me profesorët. Pjesa e mirë e profesorëve ngritën shkollat në protesta, në demonstrata. Këtu fillon historia, se lufta fillon në qytet, shkon në fshat, pastaj kthehet në qytet. Lindi lufta, u zhvillua ushtria. Mori karakter të organizuar. Duke marrë lufta karakter të organizuar, çoi në krijimin e Shtabit të Përgjithshëm. Duhej të kishte një qendër ta drejtonte.

-Kur filluan devijancat e para pas konferencës dhe çfarë kundërshtish pati?
Devijanca, mendime e kundërshti ka pasur, që te konferenca dhe pas konferencës. Por nisën kryesisht kur u krijua Balli Kombëtar. Ka pasur edhe njerëz të tjerë që kanë pasur pikëpamje ndryshe. Nuk mund të them se u pajtuan Bajraktarët e Veriut me konferencën, që të jemi realistë. Një pjesë e mirë u bashkua me okupatorin. Një pjesë tjetër mbeti neutrale dhe nuk mund të thuhet që menjëherë konferenca gjeti mbështetjen e të gjithëve. Konferenca erdhi duke u rritur. U ngritën repartet partizane, u shtri lufta, u rrit influenca dhe ndikimi për të përfshirë gjithë popullin. Kjo çoi në Konferencën e Labinotit, në krijimin e Shtabit të Përgjithshëm. Që këtu Lufta Nacional Çlirimtare merr karakter tjetër. Krijohen komandat e qarqeve. U krijuan Brigadat dhe Divizionet partizane. Lufta mori pëpjestime të gjëra. Që nga Shkodra në Tropojë, Kukës deri në Jug, ku qe lëvizja më e zhvilluar.
Bashkimi që nisi në Konferencën e Pezës, me gjithë devijacionet e më vonshme u finalizua me çlirimin e vendit pas tre vjet e gjysëm lufe të armatosur e të organizuar, duke e rendit Shqipërinë përkrah fitimtarëve të Aleancës së fuqishme të popujve.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes