l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO Air Chief Marshal Sir Stuart Peach, vizitë zyrtare në vendin tonë

Për një Shqipëri anëtare të denjë të NATO-s

Kryetari i Komitetit ushtarak të NATO Air Chief Marshal Sir Stuart vlerëson kontributin e Shqipërisë në operacionet dhe misionet e Aleancës, si dhe rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerëson mbështetjen e dhënë nga Komiteti Ushtarak i NATO-s për projektin e Bazës Ajrore të Kuçovës, duke garantuar se bashkëpunimi me Aleancën ka një rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe rajonale. Gjatë takimit me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Marshall Sir Stuart Peach, më 23 korrik 2019, në selinë e Presidencës në Tiranë, Presidenti Meta siguroi se Shqipëria do të vijojë kontributet e saj në misionet në Afganistan, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Rumani, Mesdhe, etj.
Duke e vlerësuar si legjitime kërkesën e NATO-s për ndarjen e drejtë të barrës së përgjegjësive, Kreu i Shtetit theksoi se i ka kërkuar Qeverisë t’u përmbahet angazhimeve zyrtare të Shqipërisë, duke rritur vit pas viti buxhetin deri në 2% të GDP në vitin 2024.
“Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj.
Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndryshojë rrugëtimin këtij projekti strategjik.
Do punoj pa u lodhur për një Shqipëri të qëndrueshme, demokratike dhe anëtare të denjë të NATO-s, që siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg gjatë vizitës së Tij në Tiranë, ka në zemër demokracinë”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Gjithashtu, Presidenti Meta nënvizoi se roli dhe prezenca e NATO-s në rajon është faktor kyç për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e Tij ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për integrimin në NATO dhe ngritjen e Forcave të Armatosura, si “kontribut shtesë për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”.

 

Gjeneral Peach vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon

Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s gjeneral sir Stuart Peach zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, aty ku u zgjodh dy vjet më parë në krye të strukturës drejtuese ushtarake të Aleancës. Gjeneral Peach i Forcës Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, u prit me truprojë nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Më pas kreu i Komitetit Ushtarak të Aleancës u prit në takim nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, me të cilën diskutuan për situatën e sigurisë në rajonin tonë. Gjeneral Peach vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon dhe kontributin e vendit tonë në misionet e NATO-s. Temë e diskutimit ishte e investimi i NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës, për të cilën dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë strategjike që ka ky investim, jo vetëm për Aleancën, por edhe për vendin tonë.

 

Bashkëpunimi ushtarak Shqipëri - Itali është i rëndësishëm

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e Mbrojtjes, midis Republikës së Shqipërisë me Republikën e Italisë për vitin 2019, me ftesë të komandantit të Forcës Tokësore të Forcave të Armatosura shqiptare gjeneral brigade Albert Mullai, në datat 15 - 16 korrik 2019, komandanti i Forcës Tokësore të Forcave të Armatosura italiane, gjenerallejtënant Salvatore Farina dhe ekipi që e shoqëron zhvilloi një vizitë pune në vendin tonë.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë gjenerallejtënant Farina u prit në një takim të veçantë dhe nga zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Manushaqe Shehu.
Gjeneral brigade Shehu, pasi e uroi gjeneral Farinën dhe ekipin që e shoqëron për mirëseardhjen në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis dy vendeve në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Në mënyrë të veçantë gjeneral brigade Shehu u ndal në bashkëpunimin e frytshëm në operacione e misione ushtarake në kuadër të Aleancës, arsimimin, edukimin ushtarak si dhe në stërvitjet.
Ky bashkëpunim dhe mbështetje në fushën ushtarake, ndër vite ka qenë i shkëlqyer dhe me tendenca për konsolidim të mëtejshëm, siç është edhe bashkëpunimi ndërmjet Forcës Tokësore italiane dhe shqiptare, bashkëpunim i cili me siguri do të jetë tepër i frytshëm falë edhe kësaj vizite.
Gjithashtu gjeneral brigade Shehu i uroi atij dhe ekipit që e shoqëron vizitë të suksesshme në Komandën e Forcës Tokësore, si dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri.
Nga ana i tij gjeneral Farina, pasi falënderoi gjeneral brigade Shehun për pritjen e ngrohtë dhe tepër miqësore, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar në këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen. Duke çmuar kontributin në operacione e misione të Aleancës, sidomos në RSM (Train Advise Assist Command, TAAC - West, Herat) dhe KFOR, gjeneral Farina u shpreh se ka ardhur koha që bashkëpunimi midis dy forcave tona tokësore të strukturoret në terma kohore afat-mesme (2-3 vjeçare) duke përfshirë trajnime, kurse dhe stërvitje të kombinuara dhe të përbashkëta, gjë e cila do të rriste efiçencën e bashkëpunimit.
Të dy bashkëbiseduesit, duke vunë në dukje se vizitat reciproke të lidershipit civil dhe ushtarak të dy vendeve kanë ndikuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis tyre, shprehën bindjen se bashkëpunimi ushtarak Shqipëri - Itali është i rëndësishëm, jo vetëm në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, por edhe si dy vende anëtare të NATO-s dhe do të njohë gjithmonë rritje në interes të përbashkët.
Më herët, komandanti i Forcës Tokësore të FA italiane, gjenerallejtënant Salvatore Farina, u prit në një takim kortezie dhe nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi.



Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në operacionet dhe misionet e NATO-s
Pas ceremonisë së pritjes me truproje nderi, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO Air Chief Marshal Sir Stuart Peach zhvilloi një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.
Gjeneral brigade Kollçaku pasi e njohu Air Chief Marshal Peach me zhvillimet më të fundit të FARSH u shpreh se Shqipëria është e vendosur në angazhimin për të përmbushur shpenzimet për Mbrojtjen sipas asaj që është rënë dakord në Samitin e Wellsit duke e siguruar atë se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në operacionet dhe misionet e NATO. Nga ana e tij, kryetari i Komitetit ushtarak të NATO Air Chief Marshal Sir Stuart vlerësoi kontributin e Shqipërisë në operacionet dhe misionet e Aleancës, si dhe rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan çështje me interes të Aleancës dhe mbi situatën në rajonet ku NATO është e angazhuar në misione dhe operacione, si dhe vlerësuan si shumë të rëndësishme solidaritetin dhe unitetin mes vendeve të Aleancës për t’i bërë ballë sfidave me të cilat ajo përballet.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes