l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ali Mus Lushaj vazhdon të përmendet me respekt edhe sot nga të gjithë ata që e kanë njohur

Shoqëria ka nevojë gjithmonë për burra fisnikë e shërbëtorë të dëvotshëm

Ismet Balaj, studiues

Ali Mus Lushaj ishte njeri nga këta. Ai u lind më 1928 në Shipshan të Malësisë së Gjakovës –Tropojës. Është i një familje me një histori që kushdo që ta kishte do të ndjehej mirë e ballëndritur përpara të tjerëve. Me jetën dhe veprën e vet në shërbim të shoqërisë shkroi emrin që vazhdon të përmendet me respekt edhe sot nga të gjithë ata që e kanë njohur.

Tradita

Shekulli i njëzetë ishte shekulli i ngjarjeve të mëdha, veçanërisht për kombin shqiptar. Shipshani e ka ndritur Malësinë e Gjakovës (Tropojën) me vepra në shërbim të atdheut gjatë këtij shekull. Vëllazëria Lushaj është njëra prej 12 vëllazërivë që ka fshati. Gjyshi i Aliut, Zenel Mehmeti, ka marrë pjesë aktive në kryengritjet e mëdha popullore të viteve 1900-1912 në luftë kundër ushtrisë turke. Qëllimi i kësaj lufte ishte çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi pësëqintvjeçar osman dhe fitorja e Pavarësisë. Në luftimet që u zhvilluan në pranverë-vjeshtën e vitit 1912, ra heroikisht dëshmor i atdheut duke luftuar në Qafë të Morinës. Xhaxhai i tij, Niman Uka, ishte kundërshtar i regjimit të Zogut, sepse ishte përkrahës i forcave demokratike të kohës me Bajram Currin dhe pasuesit e tij. Në këto rrethana, duke kaluar kufirin shtëtëror, është vrarë nga forcat serbe duke luftuar me armë në dorë.
Babai i Aliut, Musa, vazhdoi traditën e të atit, Zenelit, në luftërat që u zhvilluan gjatë viteve pas pavarësisë së Shqipërisë. Serbët e malazezët e pushtuan Shqipërinë e Veriut gjatë viteve 1912-1915. Lufta ishte e pabarabartë në forca e mjete, por edhe qëndresa shqiptare anëkend vendit ishte e fortë. Edhe në këtë përiudhë sakrificash të mëdha, ku gjithë Kosova e bashkë me të edhe Malësia e Gjakovës u bë një kasaphane, ku u vranë me mijëra njerëz e u dogjën dhjetëra fshatra. Qëndresa e Shipshanit ishte e madhe. Ndër luftëtarët e tij, u shqua edhe Mus Zeneli. Po ende pa mbaruar një luftë e një pushtim, Austrohungaria, mbasi pushtoi Serbinë me 1914-e në vazhdim më 1916-1918, kishte “radhën “ e pushtimit të Shqipërisë për interesat e veta perandorake. Kudo vendosi një regjim të egër, por edhe kundërshtimi ndaj pushtuesve të rinj ishte i pandalshëm. Puna angari, mobilizimi ushtarë, marrja me forcë e drithërave të bukës dhe e bagëtisë për furnizimin e ushtrisë ishin disa nga masat e padurueshme, prandaj kudo shpërthyen revolta mbarëpopullore. Ndër kundërshtarët e kësaj shtypje të re u ngrit, edhe me luftatarë të tjerë edhe Musa, i cili edhe u zu rob bashkë me dhjetëra malësorë të Tropojës, edhe të Kosovës. Për siguri u dërguan në Zhur-afër Prizrenit, ku kishte përgatitur kampin e përqëndrimit të kundershtarëve. Në kujtesën e njerëzve është regjistruar kjo kohë e vështirë vuajtje e mjerimi si “koha e Nëmcës, (Gjermanisë)”.
Mbas Luftës së Parë Botërore ai bashkë me të tjerë, u bë luftëtar për liri e përparim të Shqipërisë. Mori pjesë në lëvizjet për demokraci e zhvillim gjatë viteve 1920-1925 si idhtar i Bajram Currit, Hasan Prishtinës e të tjerë udhëheqës të mëdhenj të Kombit. Për këtë dha kontributin e tij për fitoren e forcave demokratike në Revolucionin Demokratik borgjez të vitit 1924. Me dështimin e tij, vazhdoi të ishte në opozitë të qeverisë të kryesuar nga Ahmet Zogu, që, i ndihmuar nga Serbia, u rikthye në Shqipëri në dhjetor 1924 dhe u vu në krye të shtetit shqiptar për afro 15 vite si kryetar shteti e pastaj mbret i shqiptarëve. Qeveria gjatë kësaj kohe vendosi kudo një regjim të rreptë. Përndjekja e opozitarëve ishte një nga drejtimet e veprimtarisë gjatë gjithë kohës së qeverisjes. Kështu edhe vëllazëria Lushaj u ndodh gjithnjë e përndjekur. Në këto rrethana, xhaxhai i Aliut, Niman Uka, u detyrua që të largohet nga Shqipëria e të emigroi në Jugosllavi. Por në përpjekje me forcat ushtarake serbe në kufi, u vra nga rojet kufitare të Serbisë.

Aliu…..
Në këtë truall të begatë qëndrese e ngjarjesh të dhimbshme u lind, u rrit dhe u edukua Ali Mus Lushaj. Në odat e burrave ku zhvilloheshin kuvende për probleme të ndryshme, kryesisht patriotike, se si të çliroheshin nga shtypja e egër dhe shfrytëzimi i pa shpirt i një regjimi anadollak feudalo-çifligarë, ai mësoi se rruga e vetme ishte pjesëmarrja në lëvizjet e organizuara për demokraci. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste e nxiti edhe më shumë shpirtin e të riut Ali Lushaj, që të aktivizohej si të parët e tij në fillim të shekullit, edhe ai në luftën e re antifashiste që kishte marrë përsipër çlirimin e atdheut nga çdo pushtues dhe vendosjen e një rendi demokratik. Ai e kuptoi se pa çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit, nuk mund të kishte as zhvillim e as përparim demokratik. Në këto kushte morën “udhë” dhe u kaliten tiparet themelore, virtytet qe do ta shoqëronin gjithë jetën.
Në moshë ende pas mbushur 15 vite jetë, merr pjesë aktive në luftën e malësisë së Gjakovës-Tropojës për çlirimin e qytetit të Gjakovës nga pushtuesit italianë, më 6 shtator 1943. Këtu mësoi mirë dhe provoi për herë të parë se liria e demokracia mund të vinin vetëm nga lufta e përbashkët e të gjithë shqiptarëve kundër të huajve. Pikërisht këtu u pagëzua si luftëtar i lirisë dhe hyri në batalionin partizan “Rinia” që u themelua në nëntor të këtij viti. Me krijimin e batalionit partizan “Bajram Curri” u bë luftëtar i tij. Duke qenë partizan i këtij batalioni, mori pjesë në një seri aksionesh që ky batalion zhvilloi gjatë viteve 1943-1944, si kundër operacionit gjerman të shkurtit 1944 që u zhvillua në gjithë rrethin e Tropojës, e veçanërisht në Bujan dhe Degë; aksione kundër gjermanëve që u zhvilluan në zonën Pejë-Gjakovë gjatë verës së vitit 1944; në aksionin për çlirimin e minierës së Kamit nga pushtuesit gjermanë, të cilët e shfrytëzonin për interesa të armatimit të luftës me robër të nacionaliteteve të ndryshme nga Ballkani, shtator 1944 etj. Me krijimin e Brigadës së XV Partizane Sulmuese në nëntor 1944 me çlirimin e Tropojës, Ali Lushaj rreshtohet në radhët e saj, pastaj disa nga partizanët e kësaj brigade, një ndër ta ishte edhe Aliu, u inkuadruan në Brigadën e III Partizane Sulmuese ( e Tiranës). Si një nga partizanët më të rinj të kësaj brigade, ai përballoi udhëtimin e gjatë e të vështirë gjatë dimrit 1944-1945 në Kosovë dhe deri në Sanxhak të Bosnjës. Ky udhëtim prej më shumë se njëmijë kilometra në kushte dimri, bore e të ftofti të acartë, nuk e mposhtën të riun e partizanin Ali Musa. Përkundrazi, duke qenë bashkë me shokë në llogore lufte, të veshur e të mbathur keq; pa prapavi që t`i furnizonte me ushqim minimal për të jetuar e përballuar kohën e luftës dhe vështirësitë ishte problem shumë i madh i kohës; në kushte ushqimi duke ngrënie një herë në 24 orë nëpër shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës, por edhe të Sanxhakut të Bosnjës, ata e mbajtwn edhe me patate të mërdhira, të ziera vetëm me uj. Sa edhe lufta, u bë rrezik jete edhe përhapja e sëmundjes se tifosë së morrit të kuq, që solli jo pak vdekje, çka vinte nga kushtet e vështira të higjenës në ato ditë dimri. Kështu Ali Lushaj u kalit, karakteri i tij u bë qëndrestar përpara çdo situate. Ai kishte si prinjës idealet e të atit, te xhaxhait e të gjyshit, por edhe të partizanëve , të shokëve që i kishte në krah natë e ditë, nga ora në orë, nga dita në ditë në këtë marrshim e përballje me ushtritë gjërmanë, ... Si shkollë të parë në këtë fushë të jetës pati ushtrinë Nacional Çlirimtare . Gjithnjë jetoi me rrezikun e vrasjes nga çasti në çast, aq sa dikur as qe çante kokën se cili do të ishte fundi i tij, ashtu si shokët e tij , veç populli shqiptar të fitonte e të garantonte lirinë.
Në kohë pushimi, por edhe gjatë natës nëpër shtëpitë, ku partizanët ndaheshin nga kryepleqët për të kaluar natën, Ali Lushaj mësoi të shkruajë e të lexojë nën dritën e zbehtë të një bishtuku. Kështu ai provoi edhe vetën se sa i fortë ishte në këtë moshë rinie të hershme. Kuptoi se për të fituar, për të përparuar duhet qëndresë, besim, shpresë e veprim me guxim për arritjen e qëllimeve.


Liria u fitua me grykën e pushkës të partizanëve luftëtarë. Filloi një epokë e re për shqiptarët. Punuan dhe jetuan me besim e shpresë për një të ardhme më të mirë. Disa prej ish partizanëve, u bënë administratorët e parë të përiudhës së pasçlirimit. Ndër këta ishte edhe Ali Lushaj. Fillimisht ai u mor me rindërtimin e vendit, organzimin e rinise per kryerjen e aksioneve të ndryshme që kërkonte përiudha. Përvoja e luftës ishte e madhe.
Çdo gjë mund të fitohet me besim, shpresë e, guxim e veprim , duke mos kursyer as shëndetin, as kohën, as moshën ende të re. Bashkë me rininë e fshatit, ndihmuan familjet pa krahë pune e në varfëri ekstreme atëherë kur këto përfshininë shumicën e shtëpive të fshatit. U meremetuan ura, u hapen rrugë të fshatit e të bjeshkëve, zgjeruan dhe rregulluan rrugën për në Gjakovë e për në qëndër të rrethit që ishte Tropoja në vitet e para. Aliu, duke përfituar nga përvoja e luftës, ishte një aksionist i dalluar. Në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi (1947-1948 ishte një komisar që drejtonte jo me zhurmë e bujë, por me mend dhe shembull konkret, me parimin: Kështu duhet punuar, hajde të punojmë bashkë. Duke u prirë të tjerëve, të tjerët e ndoqën pas. Ai fitoi respektin dhe dashurinë e shokëve aksionistë. Edhe aksionet vullnetare ishin shkolla formimi dhe edukimi, shkolla përgatitje për të punuar sa më mirë e për të jetuar me nder e fisnikëri.
Natyrisht punët dhe detyrat që kreu Ali Lushaj pothuaj gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, nuk është e nevojshme t`i listojmë ato, prandaj dua të veçoj disa nga më të rëndësishmet.
1.Ishte drejtori i parë i bankës në qytetin Bajram Curri në vitet. Gjatë kësaj përiudhe ai jo vetëm e vuri mbi baza e kritere shkencore, si gjithë bankat e tjera në Shqipëri, por organizoi një njohje të mirë në popull të mundësive që u afronte banka për kreditimin e qytetarëve të ndryshëm për ndërtim shtëpiash, për blerje bagëtish, për ngritje e hapje dyqanesh dhe afrimin e kredive për të mundur zhvillimin me ritme të mira në ngjitje të ekonomisë së tregut të vogël e të mesëm. Në këto vite për herë të parë morën kredi edhe shumë fshatarë, të cilët ndërtuan shtëpi të reja, shtëpi të cilat qëndrojnë edhe sot. Banka u kërkonte atëherë projektin duke pasur parasysh kërkesat e reja për shtëpi një katesh të tipit Elbasan, si edhe të ndërtimeve dy katesh, duke mos lejuar përdorimin e katit të parë për mbajtjen e bagëtive. Kjo ndikonte në formimin e një koncepti të ri për higjenën dhe pastërtinë edhe në familjet fshatare.
2.Po kështu disa vite ka qenë Kryetar i Kooperativës së Artizanatit së rrethit. Nga tre reparte, si rrobaqepësi, këpucari, berberë, hapi edhe të reja, si ai përpunimit të frutave, si reçel, pekmes, marmalatë, të pijeve alkolike, gështënjës, etj. Në këtë kohë po bëhej një përpjekje për përhapjen e zakoneve të reja, në luftë kundër zakoneve të vjetruara, vëmendjen e perqëndroi edhe në veshmbathjen e njerëzve. Tropojanët jetojnë në një vend malor dhe me klimë të ashpër, prandaj mbanin gjatë tërë vitit edhe rroba të leshta, shumica e të cilave pasi përpunoheshin në vanica, dilnin të trasha, të nxehta e të rënda. Po me rroba të tilla dilnin edhe ne punë gjatë stinës së verës. Për t`i u përgjigjur kushteve të reja u hap edhe reparti i ruajtjes së traditës dhe formimit të traditave të reja në këtë drejtim. U synua që këto rroba për gjatë stinës së verës dhe kohës së punës të zëvendësohen me rroba të linjta, që ishin edhe me kosto të ulët dhe më higjenike. Njëkohësisht u ngrit edhe reparti i rrobaqepësisë për ruajtjen e traditës, për rroba burrash dhe grashë. Në këtë mënyrë u bë një ndryshim i dukshëm edhe në këtë fushë. Kjo traditë vazhdon edhe sot.
3. Ka qenë edhe Kryetar i Kooperativës Bujqësore të Bashkuar Dragobi, Qerem, Valbonë e Bradozhnicë . Kjo është zonë krejt malore: shumë pyje e shumë pak tokë arë. Në këtë kopërativë gjatë drejtimit prej Ali Lushajt mori zhvillim të vrullshëm blegtoria, sidomos shtimi i tufave me dhi, mbasi për ato kishte ushqim për dimër e për verë gjethet e drurëve të ndryshëm si ah e shkurre.
Për arritje në këtë fushë kjo koopërativë mori edhe flamurin e garave socialiste që zhvilloheshin në ato vite për të nxitur zhvillimin më mëtejshëm të ekonomisë.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes