l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

ISUF VESELI (Demaj) dhe KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”

Kur do të kemi një histori kombëtare të njësuar?

 

Kadri Tarelli

Si mësues dhe punëtor i letrave në histori, mendoj të shpreh e të ndaj me kolegët, një shqetësim: Kur do të kemi një histori kombëtare të njësuar? E them këtë pasi, kur më duhej të përgatisja një fjalë të shkurtër për jetën dhe veprimtarinë e Isuf Veselit, kisha vetëm një foto të pjesëtarëve të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”, të themeluar në Shkodër, në nëntor të vitit 1918. ku jepen emrat e anëtarëve, mes të tjerëve shkruhej emri i Isuf Veselit.
Rilexova edhe një herë tekstet e historisë së Universitetit të Tiranës, disa monografi, si: “Bajram Curri”, të Skënder Drinit, “Hasan Prishtina” të Prof. Dr. Muhamet Pirraku, “Niman Ferizi. Pishtar i arsimit shqip”. Monografi nga Shevqet Canhasi. Të tre veprimtarë të Komitetit. Vazhdoj më tej: “KOSOVA” vështrim monografik, botim i Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës, Prishtinë 2011. Më pas shfletova edhe Librin “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, (përmbledhje kumtesash). Tiranë, 2004. Mos të themi edhe tekstet e historisë të shkollave të Mesme dhe 9-vjeçare në Republikën e Shqipërisë, ku secili autor punon për qejf të vet. Në emër të reformës së teksteve, kam përshtypjes se, “kërkuam të vemi vetulla…..”, thotë populli.
Çuditërisht, në të gjitha këto libra dhe tekste mësimore nuk jepet përbërja e Komitetit, vetëm përmenden dy ose tre drejtues të njohur, ose asnjëri prej tyre. Të gjitha më shtyjnë të bëj pyetjen, pse? Dhe nuk gjej përgjigje.
Pse janë kursyer për të shtuar edhe 2-3 rreshta më tepër, kur bëhet fjalë për studime drejt për drejt të temës përkatëse? Unë e di nga përvoja, se secili shkruan aq sa di dhe aq sa do, ndaj përgjigjen le ta japin autorët, pasi unë e gjeta zgjidhjen në dy shkrime në internet, ku flitej gjerë e gjatë për krijimin dhe programin e kësaj organizate politike mbarëkombëtare, ku përmendet edhe përbërja e plotë e komitetit.
Për fat të mirë, në të gjitha tekstet publikohet kjo fotografi, por pa emrat e shënuar poshtë. Vetiu lind një pyetje: Ç’vlerë ka kjo foto, kur në tekst nuk janë emrat e pjesëtarëve, në mënyrë që nxënësi, studenti, apo cilido nga ne t’i njohë, mbase edhe të mburret me të parët e tij, të cilët bënë histori?
Historia e fillim shekullit XX, në prag dhe pas shpalljes së Pavarësisë, është shumë e trazuar, për fatin dhe mbijetesën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lufta Ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Lufta e parë botërore, kryengritjet dhe pushtimi i trojeve tona nga fqinjët dhe fuqitë ndërluftuese. Viti 2018, habitshëm i lidh bashkë disa ngjarje madhore të historisë së shqiptarëve: Viti i Skënderbeut, heroit ton Kombëtar, në 550-vjetor të vdekjes, 140-vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, 110-vjetori i Alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit dhe 100-vjetorin e KMKK.
Për ta bërë të njohur këtë organizatë atdhetare, që unë me bindje e emërtoj: “Qeveri e Kosovës në emigracion”, po citoj:
1. “Ndonëse pagëzimi i organizatës ishte Komiteti i Kosovës, nga pika e parë e programit themelues të kësaj organizate, shihët që nuk ishte qëllim vetëm çlirimi i territoreve të Kosovës, por e terë territoreve shqiptare të pushtuara nga serbo-malazezët”. Prof. Dr. Lush Culaj. Kumtesa: “Shekulli i Komitetit Mbrojtja e Kosovës 1918-2018”. Prishtië: 21, Mars, 2018
2. Pas një debati tri orësh, Komiteti. MKK do të ketë këtë përbërje: Hoxha Kadri Prishtina (kryetar), Hysni Curri (nënkryetar), Halim Gostivari (nënkryetar) dhe Bedri Pejani (sekretar). Anëtarë u zgjodhën: Sali Gjuka, Isuf Veseli, Sadik Ramë Deçani, Neshi Hoxhë Sadiku, Avdush Kastrati, Jahja Begolli, Hamdi Zajmi, Niman Ferizi, Rrok Perrolli, Tahir Zajmi, Kahreman Begolli dhe Ibrahim Gjakova-Çaushi. Anëtarët e nderit ishin: Hasan Prishtina (mungonte në takim sepse ishte në Vjenë bashkë me 36 prijës shqiptarë për të vizituar familjen e Franc Jozefit, që kishte vdekur kohë më parë), Bajram Curri, Mehmet Delia, Azem Bejta, Naxhip Draga, Aqif Blyta, Ramë Vllasa, Ilaz Raçaku, Nak Berisha, Dan Doroci. Pa e komentuar, por jo pa qëllim, po citoj një thënie, që na vjen nga lashtësia: Pas një beteje, luftëtarët e quajtën “shqiponjë”, komandantin e tyre Pirron e Epirit, dhe ai u a ktheu: “Unë jam shqiponjë, por krahët e mi jeni ju”.
Programi: “Në të gjitha pikat shpreheshin qartë parimet themelore politike e ushtarake të forcave kryengritëse. Në nenet 1, 2, 3, dhe 4, thuhej se kryengritësve shqiptar u ndalohet rreptësisht dhunimi, plaçkitja, djegia e shtëpive, kishave e ndërtesave të tjera si dhe vrasja e robërve të luftës. Në nenin 12 thuhej se “Nderi i vajzave dhe grave serbe do te mbrohet si nderi i shqiptareve”. Dr. Jahja Lluka. Tema; Të restaurohet shtëpia historike ku u krijua “Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës”. Portali VOAl. Nëntor 06, 2018.
Siç nënvizova më lart, mes anëtarëve të komitetit është edhe Isuf Veseli, për të cilin kanë shkruar edhe të tjerë:
Dr. Muhamet Shatri, në kumtesën e tij: “Të dhëna biografike mbi disa veprimtarë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkruan: Bardh Isuf Gashi, bashkë me Isuf Veselin e Kryedrinit (Radavci), e me shumë burra të Podgurit, luftoi me heroizëm kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze. Libri “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, “përmbledhje kumtesash). Tiranë, 2004. Faqe. 175-175. Botuar nga Akademia e shkencave e Shqipërisë. Instituti i Historisë - Tiranë. Instituti i historisë - Prishtinë.
Bajram Halil Gashi, në librin e tij “Ah Shqipni… mos thuj mbarova”, kushtuar legjendës së folklorit shqiptar, Dervish Shaqa, Demush Neziri dhe grupi kosovar. Ku pasi vendos fotografinë, e cila flet më shumë se një libër, të cilën e ndeshim gati në të gjitha shkrimet dhe botimet, kushtuar Komitetit MKK, kur shkruan për odën e burrave, thotë:
Isuf Veseli është nga Radavci i Komunës së Pejës. Ishte bashkëluftëtar me Haxhi Zekën. Të dy këta luftëtarë ishin tmerri i Turqisë dhe për shovinistët serb. Ai ishte dënuar me vdekje nga Turqia. Pjestarë të kësaj familje: djali Vesel Beka, vëllai Mehmet Veseli, ishin internuar në Turqi për veprimtari kombëtare.
Haxhi Zeka, selinë e tij e kishte në kullën e Isufit. Aty u bënë shumë kuvende, besatime e tubime, besëlidhje e pajtim gjaqesh. Të gjitha lëvizjet patriotike gjatë atyre viteve, zanafillën e kishin në kullën e Isuf Veselit.
Një ngjarje e ruajtur në gojdhana: Tek po rruhej, Haxhi Zeka po i thotë Isufit: “Isuf! Shkijet, s’don me ma lan vendin kund, po don me më vra. Në më vrafshin, qe besa, Kosova mbet’ nën Serbi. Edhe në u çlirofshi, e serbin kojshi, bythën rehat prej Serbije, s’keni me e ba”.
Ushtria serbe kishte pësuar disfatë në vendkalimin e Xhlepit. Luftëtarët shqiptar, me në krye Isuf Veselin, kishin ba kërdinë në serb. Pas kësaj disfate, pushtuesi serb, nën komandën e Velashkoviçit, për hakmarrje kërkon kokën e Isufit, por ai jo vetëm e shpërfill, por edhe e kërcënon, duke i dërguar ultimatumin, se “Lufta kundër teje ende s’ka fillue”. Për pasojë të qëndrimit dhe të kundërshtimit, fillojnë bombardimet e kullës me gjyle topi. Kulla shkatërrohet tërësisht deri në themel, duke i vënë zjarrin dhe duke lënë në qiell të hapur dhjetra familjarë të familjes së madhe të shtëpisë “Veseli”.
Kjo përforcohet nga Dr. Nevila Nika, në kumtesën: “Hoxha Kadri Prishtina-Kryetari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Ajo shkruan:
- Hoxha Kadriu, letër proteste, më: 12. Shkurt, 1921, drejtuar Ministrive të Punëve të Jashtme të Fuqive të Mëdha dhe Lidhjes së Kombeve: “…. Serbia pushtoi Kosoven për herë të dytë dhe me qëllim që të humbasë racën shqiptare, ndoqi një politikë shumë të egër. Burgjet u mbushë plot me shqiptarë, gjithë katundet e krahinave Podgor e Rugovë të Pejës, i dogji dhe i shkatërroj, një pjesë të popullsisë e vrau dhe ata që mbetën, i detyroi të arratisen maleve, ose në mërgim”. Kumtesë. Libri. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Përmbledhje kumtesash. Akademia e shkencave Tiranë. 1984. Faqe 177.
Ishte ky qendrim dhe këto veprime luftarake të kaherëshme të tij, që Isuf Veselin e bënë të njohur në mbarë Kosovën, prandaj ai ishte zgjedhur anëtar i Komitetit “Mbrojtja kombëtare e Kosovës”, që ishte një ngjarje madhore për kohën. Isuf Veseli (Demaj), vdes në vitin 1936, por shtëpia e madhe pati plot burra të vyer. Aktiviteti i tij atdhetar, u vazhdua nga pasardhësit e tij.
Kur përmenda këta heronj të shqiptarisë, mendoj: Cilido nga ne do ta kishte lakmi, që t’i kujtohej emri dhe vepra edhe mbas 100-vjetësh, siç solla këtu, diçka nga jeta dhe vepra e Isuf Veselit.
Historia e shqiptarëve po na mëson, se liria nuk dhurohet, por fitohet dhe, lufta, gjaku dhe përpjekjet qindra-vjeçare të atdhetarëve të përkushtuar për komb e flamur, solli përmbushjen e gjysmës së detyrës dhe dëshirës: Çlirimin e Kosovës. Ndërsa brezat, do ta përmbushin ëndrrën: bashkimin e Kombit. Paçim fat dhe jetë që ta shijojmë edhe ne!
Në mbyllje, po kujtoj porosinë e Bedri Pejanit: “Mosni djema! Nuk zgjidhet çështja shqiptare në bashkëpunim me serbo-sllavët”.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes