l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Dod N. Luli i dhuron qytetit të Fushë-Arrësit një memorial madhështor historik kushtuar Dr. Terenc Toçit me “Qeverinë e Kimzës” të drejtuar prej tij,1911.

“Qeveria e Përkohshme e Kimzës”

Xhemal Meçi
Studiues, “Mjeshtër i Madh”

1-Dod Nikollë Luli, një bisnesmen modest, por me shpirt të madh për të pasqyruar vlerat etnokulturore e historike të vendlindjes, Lumziut të Spaçit të Mirditës e më gjerë; më 18 qershor 2019 i dhuroi qytetit të Fushë- Arësit të rrethit Pukë memorialin historik madhështor “Qeveria e Përkohshme e Kimzës” me të 22 anëtarët e saj të kryesuar prej atdhetarit arbresh Dr. Torenc Toçi.
2.Përgatitja e memorialit dhe vendosja e tij në piedestal i ka kushtuar dhjetra mijëra ero, por është i kënaqur që ia arriti këtij qëllimi në prani të qindra arstorëve e pukas si dhe të ftuar prej Tirane, Shkodre, Malësia e Madhe, Dukagjini, Nikaj –Merturi,deri prej Rome e SHBA (USA).
Parasëgjithash, duhet parë qoftë edhe përmbledhtas kuadri historik për kohën kur erdhi ky atdhetar i shquar arbëresh për të kryer një mision të madh historik, për të ndihmuar kryengritjet antiosmane në shkallë kombëtare deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, të” Atdheut Amë”, siç e quante ai Shqipërinë, Atdheun e të parëve të tij arbëreshë.
Vitet 1909, 1910 u shoqëruan me kryengritje të fuqishme antiosmane, të drejtuara prej atdhetarëve: Idriz Seferi, Isa Boletini, Sylejman Vokshi, Haxhi Rrustë Kabashi etj. Kryengritjet u sulmuan prej mijëra ushtarësh osman me armët më moderne të kohës, deri me artileri malore, që dogjën e shkretuan fshatra të shumtë, sidomos në Kosovë. Shefqet Turgut Pasha sulmoi barbarisht në luginën e Kaçanikut,fshatra mbarë të kësaj lugine, duke pasë nën armë 40 mijë forca ushtarake.


Këto i shprehin edhe këngët historike të asaj kohe:

1. “Na u nis pushka n’ Kaçanik,/Tuj luftue nat’e dit!/Kaçanik he të raft pika!/Që s’po din ç’ka asht hika!/ 6 sahat t’u ther me thika./ Me thika n’dor’ 6 sahat,/ Deri sa notoi kali në gjak”.
2.“Turgut Pasha me ushtri,/ Isa Begi me shqiptari,/N’Carnalevë s’le turk me hi!”.
3.“Ka shkue zani n’at Mirditë,/Dy mijë trima kanë dalë komitë,/ Se s’janë msue me u koritë/ Hajt, Mirditë, të dalt nami!/Në shtat krajla t’ka shkue zani”!
4.“Kuvendon Krajli me Mbret”:/ - A ka Puka hyqymet,/ Që s’ e ban zap atë milet!
5.”Halil Musa me Zenel Agen 2000 pukas te i kan bashkue,/N’ Shehrit t’ Shkodrës na i kan shti për me i hek kto petkazi,/ Se lypin taksa e askeri ç’ ka s’ ka qen ndojher në Malsi!”.
“N’at Stamboll po kndon gazeta:/ S’i nep armët Ndoc Mark Deda./-Besa, armët nuk i
nap,/ Për pa i la zaptijet n’gjak,/Për pa i vra çata zapti,/Se ktu i thonë Berishë me Pukë e Malsi”.
6.“Mark Koliku nuk bjen n’dorë pa perzie gjak me borë!/ Bashkë me çetë me armë në dorë
Kështu, Brigjet e Iballes: Berishë, Mertur, Mzi, Dardhë kishin formuar dhjetë çeta luftëtarësh, që e mbanin zonën të çliruar e të mbrojtur.
Kjo situatë kryengritjesh ishte mbështetëse për veprën e Dr. Terenc Toçi, i cili i gjeti Malet e Veriut të gatshëm për kryengritje të përgjithshme antiosmane. Prandaj ndjeu frymëzim e shtytje për misionin e tij historik për çlirimin e pavarësimin e Shqipërisë së robëruar. Kështu, i vendosur e me vullnet të jashtëzakonshëm i përndritshmi Dr. Terenc Toçi zbarkoi në brigjet e Malit të Zi, kaloi nga Cetina, ku bashkoi rreth vetës revolucionarët shqiptarë, të gatshëm për përkrahje të Terenc Toçit, si: Kolë Marka Kola, Gjomarkaj me qëndrim në Cetinë, i cili u tregua i gatshëm duke i dhënë shoqërues edhe sekretarin e tij besnik Zef Shantojen nga Shkodra.
I kënaqur nga kjo pritje e siguria, u ngjit maleve: në Malësinë e Madhe, Dukagjin e Nikaj-Mertur, derisa kaloi Drinin dhe hyri në Bugjon, ku e priti vëllazërisht Frrok Bajraktari i Thaçit. Pritja aq e ngrohtë dhe e përzemërt sikur e çlodhi dhe e çliroi nga ai udhëtim i vështirë përmes shtigjeve shkëmbore me borë e akull, derisa kaloi Drinin e hyri në viset e Pukës, ku u mirëprit bujarisht.
Si u çlodh dhe mori bekimin dhe premtimin e Thaçit, bashkë me bajraktarin e tij trim e besnik, Frrok Bajraktarin e shoqëruesit nga Mbishkodra e Nikaj-Mertur, trokiti në kullën historike të bajraktarit të Berishës, Prend Uka, burrë kreshnik e fisnik, bujar e kanunar i urtë e trim, i mbrojtur prej çetës së Ndoc Mark Dedës e vëllezërve të tij, bashkë me çetën e Mark Kolikut të Berishës Eper e rrethinë.
Dr. Terenc Toçi, i fuqizuar dhe i ushqyer shpirtërisht u nis për në Fan të Mirditës, ku në Klos festohej me miq më 24 e 25 prill festa e Shën Markut, ku zhvillohej edhe një panair pranveror bashkë me Lurë, Lumë pjesërisht dhe Dibër e Pukë.
Gjatë udhëtimit për siguri kaloi mbi Kabash e Bicaj, ku mori premtime edhe nga bajraktarët e Kabashit e të Pukës: Vocërr Bajraktari e Halil Musa.


Dr. Terenc Toçi, i gëzuar sa s’ka nga bashkimi myslimanë e katolikë në Pukë, si dhe lidhjet e ngushta Pukë-Mirditë, siç thonin vëzhgues të huaj kalimtarë: “Pukë e Mirditë-gjithmonë aleatë”.
I siguruar prej trimave të Thaçit e të Berishës, arriti mirë e shëndosh në Klos të Fanit natën e Shmarkut, ku kishin filluar të vinin miq të shumtë që brohorisnin ardhjen e Dr. Terenc Toçit në vatrat e tyre bri lumit Fan,“Në zemër të Shqipërisë”.Më 26 prill në një kuvend të madh , mbajti fjalimin shumë emocionues: “vëllezër Shqiptarë! Sot gjendem këtu në një ditë të vështirë dhe të gëzueshme për shpirtin tonë, duke qenë shqiptar me gjak, fis, me shpirt e me zemër, kam menduar me braktisë shtëpinë dhe familjen time dhe gjithë fuqinë që kam, me e dhënë jetën për çlirimin e Atdheut tim e të gjyshërve të mi dhe për me e ba bashkë Shqipërinë e shqiptarëve!”
Rëndësi ju dha listës së formësimit të anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme të Kimzës, ku u përfshinë edhe Prend Uka (flamurtari i Berishës), dhe Frrok Kola, flamurtari i Thaçit, në të 24vetët e shënuar për Qeverinë e Përkohshme të Kimzës, themeluar më 27 prill 1911.(përfaqësuesit e formësimit të kësaj Qeverie:!> Terenc Toçi;2.Preng Tuc Doda, Fan; 3.Dedë Frroku,Kuzhnen, 4. Ndue Perdeda , Gojan; 5. Dod Bardhoku, Kthellë; 6. Kol Marka Kola, Orosh; 7.Gjelosh Kola, Shosh; 8. Pren Uka, Berishë; 9.Frrok Kola, Thaç; 10.Sadri Luka, Theth; 11.Gjon Difi, Mertur; 12.Mark Sokolaj, Nikaj; 13. Qerim Ndou,Toplanë;14.Prel Tuli, Mertur; 15. Ndue Marka Lleshi, Fan;16.Ndue Ndrec Lazri, Dibërr; 17.Ndue Gjon Ndoci, Kuzhnen, 18.Ndue Frrok Deda, Spaç; 19.Zef Ndoci, Kimëz(Munellë,Spaç); 20.Ndue Gjon Ndoci, Kuzhnen; 21. Geg Filip Çuni, Shkodër; 23. Preng Marka Gjeta,Kthellë; 24. Ndrec Gjegja, Kthellë).
Duke parë rëndësinë historike të kësaj veprimtarie atdhetare të Dr. Torenc Toçit në këto treva të Maleve të Veriut me qendër në Mirditë, kryetari komunës së Gjegjanit, Mark Mesuli, studiues i pasionuar i kësaj zone e më gjerë e përjetësoi në botimin e Tij të rëndësishëm “ Një kullë në Histori,Qeveria e Kimzës 1911, ngjarje e Pavarësisë ( Tiranë, Mirgeralb, 2007, 110 f.), ku përfshihen kumtesat dhe përshëndetjet për sesionet shkencore kushtuar (95 e 100-vjetorit të Qeverisë së Kimzës, 2005 e 2011) , që shënoi një sukses përkujtimor historik.
Për të mos mbetur me kaq njohje kjo ngjarje e rëndësishme historike,duke mos e lënë të zbehej në vëmendjen e brezave, sidomos te brezi i ri, Dod Nikoll Luli prej Lumziu, edhe pse me banim në Tiranë, nuk shkëputet dot prej vendlindjes, duke e vizituar stinë mbas stine dhe duke nxitur shkrime e botime për te. Por kësaj here vendosi të kryej një akt ndërtimor memorial me interes historik ndërkrahinor, ku përfshihet përgjithësisht Shqipëria e Epërme, memorialin për Qeverinë e Përkohshme të Kimzës,1911, ku gdhenet profili i Dr. Terenc Toçit dhe vargu i gjatë i 24 emrave të pjesëtarëve të kësaj “Qeverije të Përkohshme. Zbulimin e memorialit dhe fjalën e rastit e mbajti kryetari i Bashkisë Fran Tuci. Për të marrë pjesë dhe kumtuar në këtë ceremoni kishin ardhë edhe nga Akademia e shkencave, Tiranë: prof. dr. Marenglen Verli, prof. dr. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, prof. dr. Rexhep Uka, dr. Mark Pal Nika, studiuesi ingj. Kol Deda, si dhe studiuesit nga Puka, Xh. Meçi e Mark Mesuli. Përshtypje të veçantë lanë edhe të ftuari, i nipi i Dr. Terenc Toçit Dr. Terenzio, D’ Alena Toçi nga Roma, Itali. Po kështu kishte ardhë nga USA (SHBA)për të përshëndetur një nipi i të përshndritshmit pader Gjergj Fishta. Të cilët morën si dhuratë “KOMANI, Ana Drinit, Delmace, Pukë, trashëgimi Iliro-Arbërore. Më së fundmi për të gjithë të ftuarit në lokalin turistik te Ura Brah Nezë shtroi një drekë përshëndetëse e falënderimi me plot bujari organizatori e drejtuesi i kësaj veprimtarie model i përkushtuari Dod N. Luli.
Edhe pse kjo “Qeveri” nuk pati jetë të gjatë e vazhdimësi në misionin e saj, për shkak të ndërhyrjes së Austro-Hungarisë për rivalitet e zona influence me Italinë fqinj, kjo ngjarje i afroi më shumë malet mes tyre për të arritur deri në fitoren e 28 Nëntorit 1912.


Me këtë, memorial, i nderuari Dod Nikoll Luli sjell edhe mesazhin, shembullin e Tij për të ndihmuar për raste të tilla, si sponsorizuesi Fran Gjok Daka të monumentit kushtuar MIGJENIT bashkë me nxënësin e Tij ideal , ZENELIN. Po kështu vepra e Tij është mesash edhe për bashkitë: Fushë- Arës e Pukë, të cilat duhet t’i kushtojnë vëmendjen e duhur monumenteve për personalitete vendas si: Pashk Curri, Elez Selimi, Ymer Puka, i cili qe pjesëmarrës në 4 revolucione, duke luftuar në Spanjë me gradën major, derisa vritet më 1944, në luftë kundër pushtuesve nazist, në përkrahje të rezistencës franceze.
Ditët kalojnë, por kalimtarët vendas e turist sa herë kalojnë bri këtij memoriali gjigand, pyesin me admirim se si u arrit gjithë kjo përkujdesje e palodhur e Dod N. Lulit.
BIBLIOGRAFI, Plasari, Aurel- “Si (nuk) u shpall Pavarësia më 1911”. Gazeta “55”, Tiranë, 10 shkurt 2002, fq.41-50; Mesuli, Mark- “Një kullë në histori” ;”Qeveria e Kimzës 1911, ngjarje e Pavarur”, Tiranë, 2007, (108 faqe); Leka, Pashk- “Personaliteti i lënë në hije, dom Nikollë Kimza”;Brahaj, Jaho- “Faqe mesjetare nga zona e Kalivares”;Xhemal Meçi- “Qeveria e Përkohshme në Kimëz të Mirditës”, fq. 63-68.Marku, Pal Nikollë- “95-vjetori i Qeverisë së Përkohshme të Kimzës”. Fq.58-62;Deda, Pashk- “Në tavanin e kullës, një “kuti me letra” e Qeverisë së Përkohshme”., fq. 49-51.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes