l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

STUDIMI

74 VITE MË PARË U KËRKUA NGA KOSOVA QË TË
BASHKOHET ME SHQIPËRINË, POR U ANEKSUA NGA SERBIA

Nga Bashkim Hisari

Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore qëndrimi jugosllav rreth statusit të Kosovës evoluoi. Deri në vitin 1943, ishin marrë shumë vendime, arritur marrëveshje për vetëvendosje sipas vullnetit të popullit të Kosovës, të bashkohej me Shqipërinë.
Ish udhëheqësi i Jugosllavisë, Josip Broz Tito fillimisht shumë qartë kishte përkrahur këtë ide. Ai në vitin 1946 në një intervistë për agjencinë amerikane “Associated Press” hapur ka thënë se Kosova dhe territore të tjera shqiptare që ndodheshin në federatën jugosllave, do t’i kthehen Shqipërisë..“Nëse komunistët vijnë në pushtet në Shqipëri, ajo (Kosova) mund të jetë nën juridiksionin e Tiranës “.
Edhe dora e djathtë e Titos, Eduard Kardel, me rastin e vizitës së tij në Moskë i kishte thënë Stalinit se Kosova do t’i jepet Shqipërisë.
Kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, theksonte se marshall Tito i ka premtuar në fund të qershorit të vitit 1946, se Kosova dhe territore të tjera me shumicë shqiptare do të jenë pjesë e Shqipërisë.
Megjithëkëtë, Këshilli Antifashist i Çlirimit Popullor të Jugosllavisë (AVNOJ), në seancën e dytë të tij më 29 nëntor 1943, vendosi ta krijojë Jugosllavinë federale ku sllavët e jugut do të jetonin në gjashtë republika. Në Rezolutën e miratuar Kosova nuk u përmend. Ideja e vetëvendosjes jo vetëm që nuk u respektua, por në mënyrën më të vrazhdë u shkel dhe u quajt si vendime armiqësore.
Përkundër faktit që mijëra kosovarë në brigadat partizane bashkë me ato të Shqiprisë luftuan italianët dhe gjermanët jo vetëm në territorin e Kosovës por edhe në territoret e Serbisë, Malit Zi e Bosnje-Herzegovinës dhe u çliruan nga nazi-fashizmi, Kosova në rrethana të turbullta politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake në vitin 1945, u ripushtua dhe u aneksua. Ndërmje shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë u ngrit muri i ndarjes dhe çështja e Kosovës e trevave tjera ngelën nën ish-Jugosllavi dhe të pazgjidhur.
Lidhur me statusin e Kosovës dhe për të diskutuar për çështjet e tjera aktuale një delegacion i Kosovës që kryesonte Mehmet Hoxha, kryetar KANÇ-it për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, i zgjedhur në Konferencën historike në Bujan shkoi në Beograd për të biseduar me Titon. Antarët e delegacionit, përfaqësues të popullit të Kosovës dhe Rrafshit të Dugagjinit ishin: Qamil Luzha, Halim Spahiu, Mehmet Krileva, Ahmet Nishku, Ahmet Efendi Mitrovica, Demë Taraki, Hilmi Zariqi, Rifat Berisha, Ismail Haxhi Kaçaniku, Vesel Rexhepi, Ukë Sejdi Grabanica etj.
Ata detajisht kishin përshkruar terrorin që po ushtrohej në gjithë Kosovën nga rregjimi ushtarak e policor që ishte vendosur nga Jugosllavia në fillim të vitit 1945. Treguan shëmbuj konkret të vrasjeve të shqiptarëve të pafajshëm në sy të familjeve. Andaj, kishin kërkuar të bëhen ndryshime të mënjëhershme, duke theksuar se populli i Kosovës ka luftuar për liri e drejtësi shoqërore edhe kundër robërisë së mbretërisë jugosllave, me qëllim që edhe shqiptarët të jenë të barabartë në të gjitha fushat me kombet e kombësitë e tjera në Jugosllavi dhe se duan paqe e mirëkuptim midis kombësive në Jugosllavinë e re. Delegacioni i kishte përgaditur 7 kërkesa me shkrim Titos.

Kërkonin:
-Ligji agrar të përmirësohet.
-Administrata të drejtohet nga nëpunës shqiptarë dhe të flitet gjuha shqipe.
-Në Kosovë shqiptarëve t`u lejohen shkollat në gjuhën shqipe, të kenë mësues shqiptarë dhe këta t`ia kërkojnë Shqipërisë mësues derisa të përgatisin kuadrot në Kosovë në mënyrë që sa më shpejt të zhduket analfabetizmi që ishte 96% e populatës.
-Shitblerjet e tokave që janë bërë me kërcënime nga serbët të mos pranohen.
-Të burgosurit e pafajshëm të lirohen.
-Shqiptarët të kenë të drejtën e flamurit të kombit të vet
-Shqiptarëve t`iu njihet e drejta për vetëvendosje.

Politikani dhe diplomati Jugosllav, arbreshi nga Zara, Josip Gjergja, që ishte pjesmarrës në takim në shënimet e tij shkruan se Titoja ka dëgjuar me durim e kujdes kërkesat dhe, në sy të delegacionit, ato i ka vlerësuar si të drejta dhe ka thanë se do kërkoj përgjegjësve, që të bëhehshin ndryshime rrënjësore për zhvillim e përparim të qytetarëve të Kosovës dhe kishte shtuar se po krijohet Jugosllavia e re e cila në krahasim se çfarë ka qenë Jugosllavia e vjetër, do jetë ndryshe për shqiptarët e Kosovës dhe Rrafshit të Dugagjinit. Ai ishte shprehur se në shtetin e ri, shqiptarët do të ndihen të barabartë me qytetarët dhe nuk do të nënçmohen prej askujt. Që të krijohet Jugosllavia e tillë na duhet ndihma e shqiptarëve si popull. Pa këtë ndihmë ne nuk mund ta kryejmë detyrën tonë. Është dëshirë e jona që ai popull ma mos të ndiqet. “Populli shqiptar do t’i ketë të gjitha të drejtat dhe patjetër duhet t’i ketë, sepse ai atje është numerikisht më i madh, sepse ai atje është bazë”, kishte thënë Titoja dhe në fund kishte shtuar se “shqiptarët për herë të parë në histori, vetë do të vendosin për fatin e tyre”.
Megjithëkëtë, shqiptarëve u refuzuan të drejtat e tyre. Kriteret dhe premtimet e pushtetit jugosllav për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës nuk u morën parasysh. U injoruan faktet se viset shqiptare përbënin një tërësi territoriale, ishin kompaktë nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar.
Përkundër kësaj më 8 shkurt 1945 në Kosovë vendoset Administrimi Ushtarak. Dhjetë ditë më vonë udhëheqja më e lartë jugosllave në Beograd, kishte debatuar për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj.
Nga e tërë ajo që u fol me atë rast doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë sipas tyre ishte, “Kosova e Metohija t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria të hyjë në federatën jugosllave, por, meqenëse rrethanat ndërkombëtare nuk ishin të favorshme për një hap të tillë, Kosova e Metohija duhet ti bashkohen Serbisë” Kishte edhe aso propozime që Kosova ti takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një “histori të ngjashme dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët”.
Përpjekjet e liderëve kosovarë që të realizohen aspiratat e tyre nuk u respektuan. Në Arkivën e Jugosllavisë ekziston dokumenti ku përshkruhet biseda e Fadil Hoxhës me Edvard Kardelin, zhvilluar më 21 shkurt 1945 në Beograd. Aty shkruan se Edvard Kardeli kishte pyetur Fadil Hoxhën se çfarë kishin biseduar me Gjillasin dhe Rankoviqin lidhur me fatin e Kosovës. Fadil Hoxha ishte përgjegjur se në atë takim kishte folur vetëm Miladin Popoviqi, se takimi kishte qenë i shkurtër dhe se nuk është lejuar të takohen me Titon. Përfundimi i takimit kishte qenë se Miladini nuk është pajtuar që Kosova të ndahej si Sanxhaku. Në këtë takim me Fadil Hoxhën, këtë qëndrim Kardeli e kishte pranuar, por, kishte kërkuar prej tij që ta shfaqi mendimin për Kosovën. Lidhur me këtë, Fadil Hoxha kishte konkluduar se nëse pyetet ai dhe populli shqiptar i Kosovës dhe Rrafshit të Dugagjinit, kjo trevë gjithmonë shqiptare dhe meqë ishte dëshmuar edhe me prova duke dhënë kontribut në Luftën Antifashiste Nacionaçlirimtare krah për krah me popujt e Jugosllavisë dhe me popullin e Shqipërisë, kjo trevë gjithmonë shqiptare duhet t’i takonte Shqipërisë.


(Në vitin 1944, si komandant kryesor Fadil Hoxha kishte rreshtuar në brigadat antifashiste të Kosovës 53.127 luftëtarë, prej tyre 87% ishin shqiptarë. Ata bashkë me dy divizione të Ushtrisë Nacionaçlirimtare të Shqipërisë, faktorizuan shqiptarët dhe Kosovën që mos të coptohen tokat e tyre sikur që u nda Sanxhaku).
Por, në Kuvendin Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që është mbajt me 7-9 prill të vitit 1945 në Beograd, ku nga Kosova kanë marrë pjesë si mysafirë Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët edhe kanë diskutuar në emër të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, dhe në emër të popullit të Kosovës, Dushan Mugosha kishte shprehë dëshirën që Kosova t’i aneksohet Serbisë. “Ju përcjelli përshëndetjet dhe “dëshirat e popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit... të shqiptarëve, serbëve e malaziasve, që t’i bashkohemi Serbisë federale vëllazërore”ishte shprehur Mugosha.


Edhepse në fund të fjalimit të tij kishte vënë në dukje se “ne nuk e kemi marrë akoma këtë vendim në Kuvendin tonë, për shkak se në Kosovë ekziston pushteti ushtarak. “Dëshira”u shpreh pa u pyetur populli dhe për të u diskutua gjërësisht në instancat më të larta partiake dhe shtetrore dhe ajo u shëndrrua në program politik e më vonë në ligj shtetëror. Kuvendi i Serbisë e konvertoi dëshirën në vendim dhe e pranoi aneksimin e Kosovës në Serbi duke e paraqitur atë si shprehje e vullnetit të vetë popullit të Kosovës.
Akti formal i aneksimit të Kosmetit, Serbisë në mënyrë arbitrare u bë në Kuvendin e Këshillit Popullor të Kosovës dhe Rrafshit të Dugagjinit, të mbajtur më 08 – 10 Korrik 1945 në Prizren.
Ishte ky një tubim i një trupi jo të zgjedhur nga populli ku morën pjesë 137 delegatë dhe të ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptarë të cilët survejoheshin nga njerëz të armatosur të UDB-së. Në të nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të aleatëve të tjerë të luftës, që do të ishin garantë, se, pas përfundimit të luftës, çështja e Kosovës do të zgjidhej në bazë të dëshirës dhe vullnetit të lirë të popullsisë shumicë.
Në Kuvend u miratua Rezoluta, që në një mënyrë mund të quhej dokumenti i parë zyrtar që legjitimoi aneksimin e Kosovës nga Serbia. Në mes tjerash thuhej: “Kuvendi Popullor Krahinor i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit deklaron, unanimisht, se popullsia e kësaj Krahine , si edhe të gjithë popujt e Jugosllavisë, nuk e kanë pranuar copëtimin e Krahinës së vet, që kanë bërë okupatorët, as copëtimin e Jugosllavisë, dhe shfaq dëshirën e tërë popullsisë së Krahinës, që kjo t’i bashkohet Serbisë Federale si pjesë përbërëse e saj...”.


Sipas të dhënave rreth rezolutës dhe përmbajtjes së saj nuk u hap ndonjë debat. Shumë pak delegatë diskutuan në mbledhje. Ata, që ishin dhe shprehën pakënaqësinë dhe kundërshtimin e bashkimit me Serbinë, më vonë, patën pasoja të mëdha. U përcollën nga organet e OZN-es, e më vonë të UDB-së, u arrestuan, u dënuan me burgim kurse disa u likuiduan fizikisht. Halim Spahia i cili kishte shprehur haptas mospajtimin dhe kishte kundërshtuar vendosmërisht me fakte aneksimin e Kosovës nga Jugosllavia, hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale dhe kishte kërkuar mbetjen e saj në përbërje të Shqipërisë etnike ishte dënuar me pushkatim si armik i Jugosllavisë së re. Ai u pushkatua më 16 shkurt 1946, bashkë me Tahir Dedën, Rexhep Kabashin, Rifat Krasniqin, Kajtaz Ramadanin dhe Sefedin Ahmetin.
Me 3 shtator 1945, ligji i Kryesisë së Kuvendit Popullor të Serbisë “Mbi caktimin dhe ndërtimin e Rajonit Autonom të Kosovë-Metohisë” sanksiononte juridikisht Kosovën si njësi autonome. Kushtetuta e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë e janarit 1946 përcaktonte tërësinë e federatës me të gjitha subjektet përbërëse duke përmendur krahas Republikave edhe Krahinën Autonome të Kosovë-Metohisë në kuadër të Republikës Popullore të Serbisë.
Kështu pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar nisi një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme, likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë, në mënyrën më të vrazhdë. U shkelën të drejtat tyre dhe veprimet e tyre quheshin armiqësore.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes