l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

20 vjetori i Çlirimit

Vizitë historike e Clinton dhe Albright në Kosovë

 

Në ditën e madhe për popullin e Kosovës, në 20-vjetorin e çlirimit e ndërhyrjes së NATO-s, në Prishtinë ishin të pranishëm ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright.
Në agjendën e 20 vjetorit të lirisë ishte edhe aktiviteti “Ecja për Liri”. Kryeministri Ramush Haradinaj, në kuadër të aktivitetit “Ecja për Liri”, mori pjesë edhe në përurimin e bustit të Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Gjithashtu, kryeministri Haradinaj, mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës me emrin “Bulevardi Bill Klinton”, e cila u bë afër shtatores së presidentit Klinton në Prishtinë.


Kryeministri Haradinaj ka falënderuar qytetarët që sot festuan me dinjitet dhe qytetari të lartë, shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. “Populli i Kosovës, qytetarët tanë, institucionet tona, të ndërtuara në shtetin e lirë të Kosovës, sot iu bashkuan me dinjitet dhe festuan me qytetari të lartë, shënimin e 20 vjetorit të NATO-s, ashtu siç e meriton, një vend i lirë, demokratik dhe i rreshtuar përkrah aleatëve tanë. Faleminderit qytetarë të dashur. Faleminderit Kosovë!”, ka thënë kryeministri Haradinaj. (Express)

 

Kosova nderon Bill Klintonin për ndërhyrjen e NATO-s në luftën e 1999

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton mori Urdhrin e Lirisë të Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi pasi mbërriti në Prishtinë për të përkujtuar 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë
Ish-presidenti amerikan Bill Klinton dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: BIRN.
Kosova nderoi Bill Klintonin për rolin e tij në urdhërimin e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, që çoi në përfundimin e luftës 20 vjet më parë.
“Ju falënderojmë për vendimin e drejtë për të ndaluar gjenocidin serb gjatë vitit 1999. Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën. Historia e Kosovës është një histori suksesi të përbashkët. Ju jeni heroi ynë,” i tha presidenti Hashim Thaçi Klintonit.
“Unë do të jem gjithmonë krenar për faktin se isha presidenti i Shteteve të Bashkuara kur ju kishit nevojë që dikush të ngrihej dhe të thoshte mjaft më me spastrim etnik, mjaft më me njerëz që largohen nga shtëpitë e tyre, mjaft më me vrasje civilësh të pafajshëm, duhet të ketë një mënyrë tjetër,” u përgjigj Klinton.
Ish-presidenti amerikan mbërriti në Kosovë përpara përkujtimoreve që dp të mbahen të mërkurën me rastin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në vend.
Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Madlen Ollbrajt është gjithashtu në Kosovë, ku një statujë e saj do të inaugurohet në Prishtinë të mërkurën.
NATO nisi fushatën 78-ditore të sulmeve ajrore kundër Serbisë në vitin 1999 në një përpjekje për të detyruar presidentin e atëhershëm Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përfshinte spastrime dhe vrasje të gjera etnike të civilë shqiptarë të Kosovës.
Pas tërheqjes së trupave të Millosheviçit në qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në vend. Forca e NATO-s në Kosovë, KFOR, është vendosur në vend që nga ajo kohë.

 

Pullat postare “20 Vjetori i Lirisë”

Prishtinë, 11 qershor 2019 - Në kuadër të tematikës “20 Vjetori i Lirisë”, Posta e Kosovës promovon pesë pulla postare me imazhet e miqve më të mëdhenj që i ka populli ynë, Presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton, dy Sekretareve të Shtetit, zonjës Madeleine Albright dhe Hillary Clinton, Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, si dhe Komandantit Suprem të NATO-s, gjeneralit Wesly Clark në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me nderime të larta e pritën dhe i dhuruan pullën e parë postare të punuar në bronz me imazhin e mikut tanë më të çmuar amerikan, që sot arriti në Kosovë, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton.
Këto personalitete botërore janë meritore që përkrahen luftën e drejtë të UÇK-së, organizuan Konferencën e Rambujesë për Kosovën, morën vendimin për fillimin e bombardimeve të NATO-sndaj ushtrisë pushtuese ish jugosllave, shpëtuan popullin shqiptar të Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi serb.
Populli i Kosoves do t’u mbetet përjetësisht mirënjohës këtyre personaliteteve dhe shteteve anëtare të NATO-s që ishin të rreshtuara në krah me të drejtën tonë historike, ato hynë triumfalisht në Kosovë, më 12 qershor 1999, si dhe jemi shumë falënderues për qëndrimin e tyre 20-vjeçar në ruajtjen e paqes.
Filatelia e Postës së Kosovës është përkujdesur që përmes pullave postare të nderojë miqtë e popullit të Kosovës në 20 vjetorin e lirisë, ashtu siç e nderuam ditë më parë edhe ish Presidentin e SHBA-ve, Woodrow Wilson për përkrahjen që i dha kombit shqiptar para 100 vitesh në Konferencën e Paqes në Paris.
Ju faleminderit përjetësisht miqve të Kosovës!
Zoti ju bekoftë Ju dhe familjet e juaja!
Urime gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës 20 Vjetori i Lirisë!
Lavdi e përjetshme gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për Liri!




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes