l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

KONFERENCA

Sfidat e sotme dhe çështjet rajonale të sigurisë

 

Halil RAMA

Zhvillimet e fundit në rajonin Ballkanik nxjerrin në pah domosdoshmërinë e mbizotërimit të një klime më të fortë besimi dhe respekti reciprok. Po ashtu kërkohet të forcohet më shumë bashkëpunimi midis të rinjve të Ballkanit për të respektuar vlerat, traditat dhe kulturën e vendeve fqinje. Në këtë kuadër, Konferenca e 21-të Ndërkombëtare e Këshillit Atlantik të Shqipërisë, që u mbajt në Tiranë, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Zyrës së Diplomacisë Publike të NATO-s me temë: “Reflektime për një të ardhme paqësore dhe të sigurtë të Ballkanit Perëndimor” theksoi rolin e madh që duhet të luajnë Shoqëria civile në tërësi dhe Këshillat Atlantike në veçanti.
Në këtë konferencë ku morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, nga Organizata e Rinisë Atlantike në Bruksel, etj, dr. Arian Starova, President i Këshillit Atlantik, u përqëndrua në disa aspekte të gjendjes së sotme të sigurise në Ballkanin Perendimir si dhe në rolin që po luan në këtë situatë shoqëria civile dhe Këshilli Atlantik.
Konferenca u përqëndrua në shprehjen e ideve dhe zgjidhjeve mbi sfidat e sotme dhe çështjet rajonale të sigurisë, përshpejtimin e procesit te integrimit, shfrytëzimin e të gjitha mundësive të vendeve tona dhe të këshillave të tyre atlantike për forcimin e sigurisë dhe arritjeve të deritanishme në Ballkanin Perëndimor, etj.
Në fjalet e mbajtura, komentet dhe diskutimet që vijuan, veç vlerësimit mbi arritjet që vendet e rajonit kanë bërë në forcimin e institucioneve demokratike, në forcimin e paqes dhe sigurisë u nënvizuan edhe fenemonet negative që cënojnë klimën e besimit dhe bashkëpunimit .
Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, ndërsa vlerësoi kontribiutin e Këshillit Atlantik të Shqipërisë në ecurinë e proceseve të integrimeve euroatlantike, e vuri theksin në domosdoshmërinë e forcimit të kapaciteteve qeverisëse dhe konsolidimin e shtetit ligjor në vendin tonë dhe ne vendet e rajonit. Natyrisht që një nga çeshtjet e nxehta që u diskutuan ishte dialogu Kosovë - Serbi dhe gjetja e rrugëve më efikase për rifillimin e tij dhe gjetjes së një zgjidhjeje finale. U hodhën idé dhe u theksua nevoja për një luftë e përpjekje më të mëdha ndaj fenomenit të nacionalizmit agresiv që shpesh vihet re në vendet tona, për të intesifikuar më tej luftën kunder korrupsionit që ku më shumë ku më pak, ka prekur të gjitha vendet e rajonit. Me interes ishin mendimet e dhëna në drejtim të projekteve madhore ekonomike në rajon si element shumë i rëndësishëm për bashkëpunim, mirëqënie e siguri rajonale, si dhe për rolin më të madh dhe të veçantë, që vendet e Ballkanit Perendimor duhet të luajnë për Dialogun Mesdhetar në kuadër të Inciatives së Stambollit për Bashkepunim. Konferenca u ndal edhe në rolin që Aleanca Atlantike ka luajtur gjatë gjithë historisë së saj 70 vjeçare për sigurinë dhe paqen në botë, por veçanërisht për paqen në rajonin tonë.
Folësit nënvizuan rëndësinë që merr sot parandalimi i sulmeve terroriste. Në këtë kuadër u kërkua një bashkërendim më i mirë i shërbimeve të inteligjencës së Aleancës, për të evidentuar të gjithë elementet e dyshuar dhe për t’i mbajtur ata nën kontroll të pandërprerë në të gjithë territorin ku shtrihet NATO. Konferenca theksoi gjithashtu rëndësinë që merr sot forcimi i kapaciteteve ushtarake të NATO-s; përshëndeti dhe solidarizohet me hapat e fundit politike dhe ushtarake që Aleanca ka marrë si pasojë e provokimeve të vazhdueshme që po bëhen, sidomos ndaj vendeve balltike.
Ajo theksoi njëkohësisht se është shumë e rëndësishme që të intensifikohet lufta ndaj dezinformimeve dhe fushatave dashakeqe kundër NATO-s, fenomen ky që ka marë përmasa shqetësuese kohët e fundit. U dha ideja që të shikohet mundësia për krijimin e një qendre në vendin tonë e cila të merret pikërsiht me parandalimin e këtij fenomeni.
Konferenca tërhoqi vëmendjen edhe në përmirësimin e punës së medias në trajtimin e çeshtjeve të NATO-s. Kjo për faktin se media në vendin tonë gjithnje ka qenë miqësore me NATO- dhe i ka bërë jehonë ngjarjeve të saj më të rëndësishme, por vihet re shpesh që në emisione televizive apo në median e shkruar ftohen analistë që nuk janë të fushës, jo shumë të aftë për të analizuar situata të veçanta etj.
Konferenca përshendeti ftesën që NATO i bëri Maqedonisë së Veriut për t’u pranuar në Aleancë. Ajo theksoi nevojën e vazhdimit të politikës së dyerve të hapura në rajonin tonë dhe kërkoi që Kosova të institucionalizojë marrëdhëniet e saj me NATO-n. Gjithashtu u përshëndetën hapat konkrete të ndërmara nga Asociasioni Atlantik i Kosovës për t`u antarësuar në Shoqatën e Traktatit të Veriut në Bruksel, fillimisht si vëzhgues. Këtu u theksua edhe roli i rëndësishëm që ka luajtur në këtë drejtim Keshilli Atlantik i Shqiperise.






Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes