l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

76-vjetori i luftës së Pojskës: Tre vëllezërit, Reshit, Muharrem e Astrit Çollaku në pozicionin luftarak

Kontributi i Familjes Çollaku gjatë LANÇ-it

Ing.Myfit GUXHOLLI*

Në Historinë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, janë të rralla ato Familje që iu përkushtuan maksimalisht kësaj lufte të lavdishme, siç ishte Familja Çollaku, me kontributin e vyer të tre djemve: Reshit, Muharrem e Astrit Çollaku.
I pari, Heroi i Popullit Reshit Çollaku, komandant i Çetës së Mokrës (Pogradec), që renditet si Çeta e parë partizane në Qarkun e Korçës dhe e dytë në Shqipëri, pas çetës së Pezës, që me krijimin e saj në 27 Mars 1942 dhe dy vëllezërit e tij, Muharremi dëshmor dhe Astriti, gazetar e funksionar I pushtetit vendor….

KUSH ISHTE RESHIT ÇOLLAKU

Reshit Çollaku, lindi në Pogradec me 1914 ku mbaroi dhe shkollën fillore. Më vonë vazhdoi mësimet në Tiranë dhe për katër vjet në gjimnaz. Pas kësaj kaloi në gjimnazin ushtarak në Romë. Vitet e fundit i bëri në Akademinë Ushtarake të Modenas ne Itali, ku e gjeti edhe pushtimi i Atdheut nga hordhitë fashiste. Kjo ngjarje e kobshme e tronditi dhe e trishtoi së tepërmi sepse u shkel liria. Në 12 prill 1939, Komanda e Akademisë, në mënyre pompoze organizon një mbledhje, gjoja me të gjithë shqiptarët që të bënin betimin ushtarak para dy flamurëve shqiptarë dhe flamurëve italiane me sëpatat e fashizmit. Komandanti i Akademisë mori fjalën nga Koloneli dhe përshëndeti. Kur filloi t’u flasë oficerëve shqiptarë se ata duhet të krenoheshin për ata flamuj, Reshiti ju përgjigj: “Ne do të krenohemi me flamurin tonë kur ta mbrojmë me gjokset tona dhe kur ta shohim këtu ne Itali, të mbajtur nga duart e ushtarëve shqiptarë si në kohën kur Skënderbeu i erdhi në ndihme Ferdinantit të Napolit, dhe jo të rrethuar nga bajonetat tuaja”. Më pas Koloneli i ftoi të gjithë ushtarakët shqiptarë të betohen, duke thëne “Lo giuro”, por ata nuk e pasuan. Gjenerali i tha Kolonelit: “A dinë italisht këta apo jo?”. Në këmbim të fjalëve të betimit, Reshiti foli përsëri: “Nuk na gënjeni me propagandën tuaj” dhe me pas vijoi: “Unë jam betuar një herë për Shqipërinë dhe një betim të dytë e quaj të turpshëm dhe korruptonjës”. Mbas bojkotimit të mësimit për tre ditë ata u mblodhën përsëri. Koloneli i ftoi përsëri për të bërë betimin përpara flamurit kombëtar, por askush nuk del përpara për t’u betuar. Atmosfera elektrizohet, gjokset filluan të ndizen, të gjithë i kanë sytë tek Reshiti, por ky tashme nuk është në vendin e tij. Duke lënë shokët pas, i qetë, i sigurtë, plot vendosmëri, me kokën lart e sytë drejtuar në fytyrën e oficerit fashist, Reshiti filloi të flasë: “Na ndjeni zotërinj, ky flamur nuk është i yni. Për çdo shqiptar të vërtetë është krejt i huaj, prandaj ne s’kemi pse të betohemi përpara një cope bezeje të kuqe që ka aq vlerë sa edhe copat e bezeve me të cilat mbështjellim këmbët”. Reshiti u përkrah edhe nga disa shokë të tjerë. Mbledhja u prish dhe Reshiti u vu në arrest. Pas disa ditësh erdhi në Shqipëri dhe mënyrë ilegale kaloi kufirin për në Jugosllavi ku u takua me shqiptarë të tjerë të arratisur. Kur u pushtua Jugosllavia ne 1941, u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij për vendin e okupuar nga fashizmi dhe qëndroi ilegal ne zonën e Mokrës. Në Shqipëri kishte filluar lëvizja e Luftës kundër fashizmit deri në çlirimin përfundimtar të Atdheut. Reshiti mbështeti menjëherë këtë lëvizje dhe u rreshtua të luftonte. Qysh ne fillim ai mori pjesë në demonstratën e madhe të 29 nëntorit 1941, duke qëndruar në radhët e para të demonstruesve. Pastaj kaloi në malësinë Mokrës dhe me pushkë e besë punoi pa u lodhur për mobilizimin e popullit në luftë. Ne 27 mars 1942 u formua Çeta e Mokrës dhe komandant i saj u caktuar Reshit Çollaku, nën udhëheqjen e të cilit ajo u bë tmerr për fashistët italianë.
Një vit më vonë, pikërisht më 17 Maj 1943, në fshatin Pleshisht të Mokrës së Sipërme, grumbullohen të gjitha forcat partizane të çetës së krahinës, forcat e çetave të vogla në bazë fshati si dhe njesiteve guerile, shndërrohen në një formacion me të gjerë partizan. Pra formohet Batalioni Partizan me komandant, akademistin ushtarak Reshit Çollaku, një patriot i flaktë që studio mundësitë për të organizuar në Mokrën kreshnike dhe trime njësi guerile, çeta partizane dhe në fund, Batalionin partizan. Ai e njihte Mokren dhe Mokrarët ashtu siç edhe ata e njihnin atë se ishte një djalë i këtyre maleve dhe e bëri Mokrën një kala të pamposhtur të LANÇ-it. Reshit Çollaku u vu në krye të forcave partizane në këto krahina dhe në krye të partizanëve mori pjesë në shumë luftime. Premtim I tij gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte: “Do t’i luftoj deri në fund pushtuesit italianë në këtë Luftë Çlirimtare, do të jem me popullin, miqtë dhe shokët e mij që kanë rrëmbyer armët dhe luftojnë kundër fashistëve italianë këtu në Mokër dhe në gjithë Shqipërinë. ”.
Reshiti kishte një kulturë dhe e njihte artin ushtarak. Ishte shumë i çiltër, i qeshur, me sy të zinj që i ndritnin në një fytyrë të mprehtë. Portreti i tij ishte portret i një komandanti partizan të matur dhe të qetë. Ai ishte vetëm trim i vendosur, fjalën që thoshte e maste, nuk fliste shumë, por fjalët i kishte rë qeshura e me zjarr”.
Reshiti mbeti i vrarë në betejën së Pojskës më 16 korriku.
Reshiti e vuri në pritë batalionin që komandonte dhe në Pojskë doli shesh për shesh, vuri në pozicion mitralozin dhe hapi zjarr gjer u godit dhe ra bashkë me disa shokë.

POJSKA E 16 KORRIKUT ‘43

Epopeja e Pojskës mban datën 16 korrik ‘43. Ajo ka në qendër të saj protagonistin kryesor, Reshit Çollakun. Gjithçka erdhi natyrshëm, si pjesë e zhvillimeve luftarake të djemve e vajzave antifashiste të Pogradecit. Si pjesë e nevojës për të zhdukur pushtuesin italian nga trojet shqiptare. Vetë beteja e njohur me emrin e zonës së Pojskës u zhvillua nga partizanët e batalionit të Mokrës që komandohej nga Reshit Çollaku, në bashkëpunim me forcat e rrethit të Elbasanit. Vendimi për të sulmuar në Pojskë u përcaktua nga shtabi operativ, para një konsulte paraprake ku u diskutua për ta dhënë goditjen aty apo në anën tjetër të Qafë Thanës. Pasi u përzgjodh goditja në zonën e Pojskës, Reshit Çollaku mblodhi batalionin dhe detajoi detyrat. Sipas planit të tij, partizanët u ndanë në katër grupe. Në krahun e djathtë (nga ana e Pogradecit) do të operonte grupi i komanduar nga Nexhat Hyseni dhe Hetem Haxhiu. Në të majtë partizanët e drejtuar nga Muharrem Çollaku dhe Xhevit Hyseni. Në qendër vetë kreu i batalionit, Reshit Çollaku, që do sulmonte me mitralozin e rëndë. Ndërkaq një grup tjetër i drejtuar nga Abaz Ago do qëndronte i tërhequr për t’i paraprirë goditjeve nga shpina. Me marrjen e urdhrit, forcat nisën lëvizjen nga vargmali në drejtim të fushës. Pavarësisht rezervave që kishte shfaqur për sulmin në fushën e Pojskës, Reshit Collaku u vu në ball të betejës duke zgjedhur pozicionin më të rrezikshëm për vete...

I PARI RA KOMANDANTI

Vetëm pak çaste pasi forcat ishin pozicionuar në të dy krahët e rrugës automobilistike, u duk motoçikleta e parë me një civil. Pas saj, 2-3 makina me ushtarë italianë. Pa mbërritur mirë në mesin e fushës, Reshit Çollaku i gozhdoi në vend me sulmin e befasishëm me mitraloz. Thirrjeve të tij “Arrendetini”, (dorëzohuni) italianët do t’i përgjigjeshin me një kundërsulm të rrufeshëm. Reagimin e tyre do ta bënte edhe më agresiv ardhja e një autoblinde me ushtarë të tjerë. Prapa saj një autoblindë tjetër dhe një veturë. Njëherazi me sulmin e Reshitit kishin filluar të godisnin nga të gjitha krahët edhe partizanët e tjerë. Përpjekja sa vinte e bëhej më e ashpër. Komanda italiane mbasi studioi situatën dhe raportin e forcave, i kërkoi shtabit epror për t’i çuar në ndihmë forca të tjera. Sakaq nga Korça, Pogradeci, Struga e Elbasani filluan të vinin përforcime. Po kështu nga liqeni hapte zjarr një motovedetë me topa dhe mitraloz. Nga ajri vepronte një aeroplan, i cili mitralonte pa pushim pozicionet e partizanëve. I gjithë ky rrebesh i kundërshtarëve fillimisht krijoi situatë kërcënuese për grupin e partizanëve që vepronte në qendër. I pari ra komandanti Reshit Çollaku. Pas tij e mori komandën Siri Kodra n/komandant i batalionit të Dumresë. Po dhe ai do të binte pas pak çastesh për ta vazhduar drejtimin Spiro Gjiknuri. Plumbi do të përshkruante ndërkaq edhe trupin e tij. Një tjetër kuadër do të merrte komandën e batalionit të gjendur në darën e rrethimit. Po edhe Ptoleme Xhuvani, ish-anëtar i komitetit të qarkorit të Elbasanit do të binte në ballë të betejës. Dhjetë martirë do t’i kushtonte beteja batalionit partizan në Pojskë deri në momentin e tërheqjes së rrezikshme. Një humbje shumë e madhe që do të ishte katastrofike pa realizuar tërheqjen. Forcat italiane pësuan një humbje jo të vogël, me 25 ushtarë të vrarë dhe shumë armatim të kapur. Pojska do të ishte ndërkaq varri i gjeneralit italian dhe tre ushtarakëve të lartë, që kishin ardhur për përforcime.

Nëna e Muharrem Çollakut: “Trimat nuk qahen. Djemtë ia fala Shqipërisë!”

Muharrem Çollaku, kuadër dhe luftëtar trim, lindi në Pogradec në vitin 1920 në një familje të herëshme patriotike. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, më pas familja e dërgoi për të ndjekur studimet në “Normalen” e Elbasanit, për arsimtar.
Qysh në fëmijëri dallohej për një temperament të gjallë e të hedhur. Në shkollë kishte tiparet e një të riu të pjekur, studjues dhe inteligjent. Në këtë kohë zienin diskutimet për gjendjen sociale e ekonomike të rënduar të vendit, si dhe për idetë e reja revolucionare. Diskutonte me zell me shokë si Veli Dedi, Emrush Myftari etj. Me ta kishte shoqëri të ngushtë nga ana ae vëllait të madh, Reshitit. Bisedat e tyre të ngushta për luftën kundër okupatorit ndikonin tek Muharremi.
Urrejta kundra fashizmit i kishte lindur vite më parë gjatë bisedave që i jati i tyre bënte me tre djemtë: Reshitin, Muharremin dhe më të voglin, Astritin.
Babai i tyre, kur shihte vrullin e djemve, nuk i ndalonte, përkundrazi i inkurajonte që të bashkoheshin me shokët në luftën për çlirimin e atdheut.
Muharremi zinte një vend të dukshëm në ato ditë të zjarrta, duke u bërë iniciator për rrëmbimin e armëve në depot e armikut.
Pas mbarimit të shkollës Normale të Elbasanit, Muharremi emërohet mësues në Kosovë, por duke parë gjendjen e rënduar nën robërinë serbe bën një propogandë intensive kundër tyre. Në Gjilan të Kosovës jetonte në një shtëpi me udhëheqësin kosovar të LANÇ-it, Fadil Hoxha. Veprimtaria e tij ra në sy ndaj dhe u detyrua të largohej nga Kosova për të mos u burgosur.
Letërkëmbimet më të vëllain, Reshitin dhe takimet me shokët antifashistë e brumosën më shumë dhe e nxitën për luftë kundër okupatorit.
Muharremi doli partizan në Çetën e Mokrës që komandohej nga i vëllai Reshiti, që me krijimin e saj. Si i ri i shkolluar i ngjiste fjala si me të rinjtë dhe me të moshuarit, ndërkohë u bë një nga luftëtarët më aktivë të çetës.
Në luftën e Pojskës, ai me një grup shokësh u caktua në krahun e majtë për të mbrojtur shokët e qendrës, ku ishte dhe komandant Reshiti. E përjetoi rëndë vrasjen e të vëllait që u përjetësua me lavdi si Hero i Popullit.
...Më 20 tetor gjermanët rrethojnë Pogradecin e çliruar nga partizanët. Muharremi me shokët e Shtabit të Korçës ishin bazuar në shtëpinë e xhaxhait të tij. Kur filloi lufta, Muharremi me të jatin dhe Nexhip Vinçanin dolën nga shtëpia për të organizuar tërheqjen. Mirëpo gjermanët kishin zënë disa pozicione kyçe, si kodra mbi shtëpinë e tyre Gjermanët hapin zjarr dhe plagoset i jati dhe vetë Muharremi, lehtë.
Gjithsesi edhe në këto kushte u munduar të tërhiqen për tek kalaja e Pogradecit që kishte lartësi dominuese për gjithë qytetin, por ajo ishte e zënë nga forcat gjermane dhe në luftim e sipër, për të shpëtuar shokët shkëmbyen zjarr me gjermanët. Fatkeqsisht ai vritet 5 metra larg majës dominuese. Gjatë varrimit të tij nëna trimreshë Qerime Ymer Çollaku u shpreh: “Trimat nuk qahen. Reshitin dhe Muharremin ja kam falur atdheut. Të rrojë Shqipëria!.
Në majën e kalasë u ngrit lapidari që përjetëson jetën e partizanit trim Muharrem Çollaku.
Në Pogradec, Heroi i Popullit është përjetësuar me emërtimin: Bulevardi “Reshit Çollaku”, ndërsa e para shkollë e mesme, gjimnaz, mban emrin “Muharrem Çollaku”.

ASTRIT ÇOLLAKU, gazetar dhe funksionar i pushtetit vendor

Astrit Çollaku ka lindur në Pogradec më 1927. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje. Mbaroi shkëlqyeshëm edhe të mësmen. Ndonëse i ri edhe ai, si dy vëllezërit, Reshiti e Muharremi, doli partizan dhe luftoi heroikisht kundra pushtuesit.
Pas çlirimit punoi si gazetar i “Zërit të Popullit”.
Më pas vjen nga Tirana në Pogradec si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv.
Heroi i Popullit Reshit Çollaku dhe dy vëllezërit, Muharremi dhe Astriti ishin djemtë e Isuf Hysen Çollakut, i njohur si luftëtar i paepur për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, i cili më 1912 ngriti flamurin e pavarësisë në Pogradec, së bashku me patriotët tjerë.


*Nënkryetar i OBVL-së






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes