l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Autori, “Qytetar Nderi” i Dibrës, ka botuar 51 libra në harkun kohor të tri dekadave

Enciklopedia e plotë për Dibrën, punim
me vlera shkencore nga Fatos Daci

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Krahinë me histori shekullore

Përpjekja për të hartuar një Enciklopedi për Dibrën nga Fatos Daci, anëtarë i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shencave dhe Arteve në Nju Jork, SHBA, ka filluar që në vitet ’70 të shek. XX. Shkrim pas shkrimi në organet e kohës të shtypit lokal dhe kombëtar, ka arritur që gërmë pas gërme të hedhë në letër historinë e Dibrës, të kësaj krahine me histori shekullore dhe lavdiplotë në faqen e Shqipërisë.
Për të organizuar këtë enciklopedi me baza sa më shkencore dhe në funksion të qëllimit të shtruar që herët në moshën e rinisë autori Fatos Daci, si dhe me fillimin e shekullit të ri, mendimin e konsolidoi dhe filloi punën për hartimin e kritereve, të ndërtimit të zërave në tërësi e për çdo fushë, sipas madhësisë së zërit (në zë shumë i madh, i madh, i mesëm dhe i vogël), në bazë krahine, fshati, ngjarje dhe individë.
Në themel të kësaj pune shembullore autori, ka ditur të marrë të dhëna arkivore (qendrore e lokale), materiale të muzeve (në nivel qarku, rrethi dhe ato qendrore), botime të ndryshme shkencore e historike në shkallë krahine dhe kombëtare për të gjitha fushat, historik të fshatrave të hartuar në vitet 1960-1990, botim të monografive kushtuar personaliteteve të ndryshme dhe fshatrave të veçantë apo të vetë Krahinës së Dibrës, të shtypit të përditshëm dhe periodik në të gjitha kohërat.
Ndaj dhe kjo Enciklopedi përbën përpjekjen e parë për botimin e plotë në nivel rajonal por dhe kombëtar, për një kaza, sanxhak, prefekturë, qark relativisht shumë i madh (me rreth 200 fshatra) për të vijuar më pas me botime të ngjashme për fshatra dhe zona të tjera të qarkut të Dibrës, të cilat do të krijonin bazën e nevojshme për botimin e Enciklopedisë së Dibrës.

Përcaktimin shkencor i kritereve

Enciklopedia e Dibrës, që i është dhënë lexuesit, përmban rreth 2.000 zëra nga të gjitha fushat. Zërat me karakter gjeografik janë rreth 150, ku të bie në sy peizazhi gjeografik e natyror si dhe ai kulturor, veçoritë themelore të relievit dhe të individualitetit që e karakterizon Dibrën, shumëllojshmëria e dukurive, të luftërave, të arsimimit, të kulturës, të traditave, të ndarjeve administrative në sisteme të ndryshme shoqërore etj. Tek kapitulli kryesor Arsimi, zënë vend të dukshëm puna e madhe e bërë për çeljen e shkollave, rritjen dhe zgjerimin e tyre në periudha të ndryshme të zhvillimeve shoqërore, (sipas fshatrave dhe në shkallë Dibre e më gjërë) zënë pjesën më të madhe të saj me 800 zëra (nga të cilët 60 për shkolla, 45 për gazeta dhe 600 për ndodhi dhe ngjarje historike, por dhe për personalitete që kanë ndikuar në jetën politike, ushtarake, ekonomike dhe sociale të Dibrës.
Në përzgjedhjen e zëra të ndryshme autori ka mbajtur parasysh dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me Dibrën. Parë nga ky kënd, ai ka pranuar që të zënë vend të gjithë ata persona që kanë lindur në Dibër apo që kanë lindur në vende të tjera, por me prindër të lindur në Dibër, e që kanë kontribuar me të gjitha mënyrat për zhvillimin dhe përparimin e sektorëve të jetës në Dibër.
Autori Fatos Daci ka treguar një kujdes të veçantë në përcaktimin e kritereve për përfshirjen e ndodhive, të ngjarjeve dhe të dukurive dibrane në këtë vëllim të madh enciklopedik, e ndarë kjo në katër periudha:
-Në periudhën nga lashtësia deri në prag të shpalljes së pavarësisë kanë zënë vend betejat e Skënderbeut dhe të tjera pas tij, përpjekjet e bëra për çeljen e shkollave shqipe, të betejave dhe luftimeve, si dhe të drejtuesëve dhe pjesëmarrësve në to, të ruajtjes së traditës dhe të kulturës popullore etj.
-Në periudhën 1912-1939 zënë vend ngjarje historike, figura pjesëmarrëse krahinore e kombëtare në fushën atdhetare, shoqërore, intelektuale, shkencore, të administratës së lartë shtetërore dhe vendore, komandantë çetash luftarake të fshatrave e më gjërë;
-Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944), janë përfshirë beteja, aksione, formacione luftarake, komanda e vendit, këshillat nacionalçlirimtare, inaugurim të njësive luftarake, komanda të vendit dhe të qarqeve, kryetarët e këshillave të parë të formacioneve të ndryshme politike të fshatrave dhe të krahinës, luftime e përpjekje me forcat e ndryshme pushtuese;
-Periudha pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri me sot ka përfshirë drejtues të lartë në organet e shtetit, të administratës shtetërore qendrore e vendore (në organet vendore: kryetar lokaliteti, komune, bashkie, Komiteti Ekzekutiv, rrethi në të gjitha kohërat); anëtarë të organeve të ndryshme kushtetuese në Dibër. Emra drejtuesish në fushën e artit, arsimit, kulturës, letërsisë, shkencës, mjekësisë, folklorit, vlera njohëse për fshatra dhe vetë krahinën e Dibrës, si dhe botime memoralistike ku evidencohet kryesisht jeta dhe lufta shumëshekullore në Dibër dhe me rrezatim deri në shkallë vendi.

Pasqyrim i plotë dhe konkret
Ngjarjet historike krahinore apo dhe ato në nivel fshati trajtohen në rreth 350 zëra enciklopedisë, prej të cilëve rreth 70 janë zëra shumë të mëdhenj, 90 zëra të mëdhenj dhe rreth 190 zëra të mesëm dhe të vegjël. Përcaktimi i toponimisë së vendeve në bazë fshati, vendndodhja dhe kuptimi i emërtimit të disave prej tyre, përfshijnë rreth 260 zëra.
Enciklopedia e Dibrës është e ilustruar dhe me shumë foto nga luftërat, monumente, ndërtesa karakteristike në fshat dhe në qytet, pajisje shtëpiake dhe veshje për jetesë, grupe artistike dhe sportive, si dhe tabela të ndryshme me të dhëna nga fusha e arsimit, kulturës, mjekësisë dhe të ndarjes territoriale dhe administrative, të cilat e bëjnë enciklopedinë më konkrete dhe me statistika të veçanta. Në të janë vendosur 237 fotografi që tregojnë objekte dhe ndërtesa karakteristike, grupe popullore, shkolla, qendra sociale, si dhe 100 fotografi me pamje të përgjithshme të peizazhit natyror dhe kulturor, të qendrave të banuara, të objekteve të kultit, monumente, lapidarë, veshjeve popullore, instrumenteve të ndryshme muzikore karakteristike të krahinës, grupeve polifonike etj.
Në përbërjen e Enciklopedisë, sipas fushave, si zë më vete apo dhe në zëra të tjerë të ndryshëm, gjejnë trajtesa konkrete çështje të tilla si në kapitujt Arsimi, Kultura, Mjeksësia dhe Ndarja Territoriale dhe Administrative. Kjo është një risi e veçantë, e ndërtuar me kujdes dhe që e orienton lexuesin në sytha konkrete që e bëjnë më të këndshëm leximin dhe marrjen e njohurive rreth një problem konkret.

Punim me vlera shkencore
Me këtë punim të gjerë dhe të shtrirë, Enciklopedia e Dibrës e autorit Fatos Daci jep një pasqyrim të plotë dhe shkencorë të ndodhive, historive, të ngjarjeve kulmore, të traditave shekullore, të një zone të njohur në historinë kombëtare, por dhe më gjerë. Punimi ka vlera shkencore, gjuha shqipe është mjaft e pastër dhe e qartë, burimet arkivore janë të sakta dhe të plota, literature për shfrytëzimin e tyre është mjaft e bollshme.
Përmbajtja e gjërë e kësaj Enciklopedie bën të mundur që kjo të ketë dhe një rreth të gjërë përdoruesish, në radhë të parë për banorët e Dibrës, si dhe kudo ndodhen brenda dhe jashtë vendit, për studentët e universiteteve, për mësuesit e nxënësit e klasave të larta dhe të shkollave të mesme. Por kjo do të jetë shumë e dobishme dhe me vlera njohës dhe për të gjithë kryetarët e njësive vendore, të bashkive dhe të prefekturës, për specialistët e shkencave natyrore e shoqërore, për ekonomistët e sociologët, për gazetarët e punonjësit e mediave dhe specialistë të tjerë thuajse nga të gjitha fushat e dijes, si dhe për publikun e gjërë.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes