l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Nishani: Mbështetje pa rezerva ndaj Forcave të Armatosura

Presidenti i Republikës dekreton emërimin në detyrë të Komandantit të Forcave Ajrore, Gjeneral Brigade Vladimir Avdiaj

Kreu i Shtetit dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, SH.T.Z. Bujar Nishani priti më 20 gusht 2015në një takim Komandantin e ri të Forcave Ajrore të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Vladimir Avdiaj të cilit i dorëzoi dekretin e emërimit në detyrë. Të pranishëm ishin Gjeneral Major Jeronim Bazo, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe pjesëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.
Presidenti Nishani fillimisht uroi Gjeneral Brigade Avdiaj për marrjen e detyrës së lartë duke shprehur vlerësimin dhe besimin e Tij për kryerjen me sukses të kësaj detyre.
Në vijim, përgjatë takimit të zhvilluar, Kreu i Shtetit vlerësoi maksimalisht arritjet, por dhe sakrificat e gjithë pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, duke u ndalur tek kontributet e forcave ajrore në funksion të arritjes së sigurisë në vend përgjatë dy dekadave të fundit. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vlerësoi në mënyrë të veçantë arritjen madhore të vendit, anëtarësimin në NATO, si një nga sukseset kulmore të Shqipërisë, duke theksuar se qënia vend anëtar i NATO-s sjell në vijimësi nevojën për rritjen e standardeve të Forcave të Armatosura për t’u përballur me sukses jo vetëm me sfidat e brendshme, por dhe me ato në nivel global.

Presidenti Nishani theksoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm do të vijojë të ketë në qendër të vëmendjes vlerësimin dhe mbështetjen pa rezerva ndaj Forcave të Armatosura duke theksuar angazhimin e Tij për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen sot ato. Njëkohësisht, në vlerësimin e Kreut të Shtetit mbetet e nevojshme që këto sfida të adresohen me buxhetin e nevojshëm në mënyrë që të arrihen dhe forcohen standardet e arritura, si dhe të ballafaqohen me sukses ato që shfaqen në vijimësi, qoftë në rrafshin civil apo dhe atë ushtarak duke nënvizuar faktin se siguria mbetet gjithnjë e kërcënuar.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandanti i Forcave Ajrore shprehën falënderimet e tyre për vlerësimin dhe mirënjohjen e shprehur nga ana e Presidentit Nishani për arritjet e Forcave të Armatosura përgjatë dy dekadave të fundit duke u angazhuar për vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve profesionale dhe institucionale në përballimin me sukses të çdo sfide dhe të proceseve integruese në të cilat është përfshirë vendi ynë.

Forcat e Armatosura, të angazhuara për të përballuar emergjencat civile

Zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zhvilluan në mjediset e Komandës Mbështetëse një takim mbi emergjencat civile në vend. Fjalën e hapjes e mbajti gjeneral brigade Ylber Dogjani, i cili informoi mbi punën e bërë për përballimin e emergjencave civile për vitin 2015, sipas strukturave përkatëse.



Strukturat e Forcave të Armatosura ndoqën me vëmendje situatat e krijuara dhe vendosën në gatishmëri asetet e deklaruara në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile për t’u ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, në mbështetje të kërkesave të shtabeve të Emergjencave Civile, të ngritura për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e shiut në jug të vendit, si dhe temperaturat tepër të larta gjatë muajit gusht.

Në fjalën e tij zëvendësministri i Mbrojtjes, u shpreh: “Falënderoj strukturat e Forcave te Armatosura për angazhimin në lartësinë e duhur për përballimin e emergjencave gjatë këtyre ditëve të nxehta të sezonit të verës”. Në vijim, zëvendësministri Koçi theksoi se “qytetarë të shumtë por edhe nëpunës të shtetit shkojnë me pushime, por shteti nuk është me pushime. Shteti shërben dhe është në krye të detyrës. Këtë e dëshmon edhe veprimtaria e FA gjatë kësaj periudhe. Përballimi i emergjencave të rënda civile është pjesë e misionit të FA. Angazhimi me trupa, mjete tokësore, ajrore dhe detare ka dëshmuar nivel të lartë gatishmërie dhe efikasitet në përballimin e situatave të vështira të shkaktuara nga temperaturat e larta apo papërgjegjshmëria e dorës së njeriut. Është rasti për të përmendur bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme dhe me autoritete të pushtetit vendor. Ndërkohë kjo analizë na ndihmon për të ecur në rrugën e reformave edhe në fushën e përballimit të emergjencave civile”.

Në përfundim të fjalës së tij, z. Koçi përcolli dhe mesazhin e ministres së Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli për të gjithë FA të angazhuara në këto operacione, në ndihmë të komunitetit.
Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm FA, gjeneral major Jeronim Bazo falënderoi të gjithë të pranishmit dhe vlerësoi punën e bërë nga strukturat e FA në përballimin e Emergjencave Civile gjatë gjithë vitit. Ai citoi se tashmë FA disponon asetet e nevojshme për përballimin e Emergjencave Civile e deri në emergjencat teknologjike. Bashkëpunimi dhe koordinimi midis strukturave në FA ka qenë në nivelin e duhur, çka tregon dhe profesionalizmin e demonstruar gjatë gjithë situatave.

Në këtë takim ishin të pranishëm pjesëmarrës nga të gjitha forcat si, Forca Tokësore, Forca Ajrore, Forca Detare, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, Policia Ushtarake, Agjencia e Sistemeve të Ndërlidhjes e Informacionit, Batalioni i Mbështetjes në SHP, si dhe komanda mbështetëse në rolin organizator të këtij takimi.
Gjatë këtyre operacioneve strukturat e FA u angazhuan në:
• Operacion kërkim – shpëtimi për evakuimin e 243 banorëve.
• Operacioni SAR në Memaliaj të qarkut Gjirokastër.
• Zhbllokim nga inertet në disa akse rrugore.
• Transportim dhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore për popullsinë dhe bazës ushqimore për bagëtinë.
• Forcimin e argjinaturave në Lagunën e Nartës dhe urën e Mifolit.
• Uljen e nivelit të ujit në ujëmbledhësin e Manskurisë në Golem, Kavajë.
• Shuarje e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit si, në fshatin Kaçinar, Balldren, Kakariq, dhe Shëngjin të qarkut të Lezhës. Në fshatin Shikaj të qarkut të Kukësit,në fshatin Krastë të qarkut të Durrësit, në fshatin Tërnovë të qarkut Dibër, në fshatin Melgushë të qarkut Shkodër, në fshatin Poshnjë të qarkut Berat si dhe në fshatin Cakran të qarkut Fier.

Për realizimin e këtyre operacioneve janë angazhuar në të gjithë Forcën e Armatosur 720 trupa, 90 mjete transporti, 2 qendra mobile, 1 autoambulancë, 5 zjarrfikëse, 6 motobarka, 12 gomone si dhe 11 motopompa thithëse. Në mënyrë më të detajuar për realizimin e këtyre operacioneve informuan përfaqësuesit e të gjitha forcave përkatëse.

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes