l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Shtëpia e Gabajve ka 75 vite që 4 fotografi qëndrojnë pranë njëra-tjetrës

Familja Gabaj i dha Atdheut katër dëshmorë


Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Familja Gabaj në Ramicë

Në Ramicë të Smokthinës Familja Gabaj u aktivizua e gjitha në Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo familje u përfshi si një e tërë në luftë, e cila sakrifikoi deri edhe jetën e gjyshes dhe të nipëve të saj. Shtëpia e Gabajve ka 75 vite që 4 fotografi qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. Këtë familje patriotike dhe atdhetare lufta i mori gjyshen dhe tre nipat e saj të ranë për lirinë e Atdheut. Për Smokthinë e veçantë është trimëria, atdhedashuria, burrëria dhe kënga. Kënga e smokthinjotëve është një variant i këngës polifonike labe. Këngët e trimërisë shtegëtojnë përmes gjurmëve të 80 djemëve dhe vajzave të Smokthinës të rënë në luftë. Në veçanti për tre djemtë e familjes Gabaj dhe gjyshen e tyre.
Në këtë 75 vjetor të çlirimit të Atdheut rishfaqën ditët e luftës, vargëzimet e lartësive të fshatit Ramicë, përballë lumit Shushicë. Tek ky vargëzimi i kodrave, kudo kanë lënë gjurmë të pashlyeshme heroizimi luftëtarët e Br. V S. Në këto kodra dhe në breg të lumit të Shushicës, janë bërë luftime nga brigada. Ishin vite me luftime të ashpra. Shtëpitë e smokthinjotëve i vinte në shenjë topi i gjermanit, ndaj këndojnë për ngjarje: Në Ramicë u zu tapeja,/ Plot me gjak u mbush xhadeja. Ishin të rralla ditët pa krisma mitralozësh e pa buçima topash. Operacionet e armikut në Luginën e Mesaplikut ndiqnin njeri-tjetrin. Armiku kërkonte t’i gjunjëzonte smokthinjotët që ishin balli i qëndresës. Dërgonin nazistët gjermanë njësi special me emra të ndryshëm drejt Luginës së Mesaplikut. Secili batalion dhe regjiment ishte i egër dhe i papërmbajtur. Por edhe smokthinjotët ishin të patundur dhe nuk u tërhoqën nga pozicionet. Në një radhë me 80 djemtë e vajzat partizane të rënë dëshmorë ishte dhe gjyshja Sartë Gabaj. Ajo përcolli nipat e mbesat e saj në çetat e brigadat partizane, ndërsa vet edhe pse e moshuar e ndjente veten pjesëtare të luftës.

Gjyshe Sarta

Sarta Murat Gabaj lindi në Ramicë në vitit 1865. Tërë jetën e saj ajo u muarr me punët e shtëpisë dhe me rritjen e edukimin e fëmijëve. Për dëshmorët e familjes Gabaj në Ramicë të Smokthinës flitet dhe për gruan qëndrestare, gjyshen e palodhur dhe të përkushtuar ndaj nipëve e mbesave, për të cilët gjyshe Sarta e kishte zemrën flori dhe fjalën mjaltë. Gjyshe Sarta priti dhe përcolli në vatër kryengritës dhe e trima të hershëm të familjes Gabaj, mjfat luftëtarë. Ajo i nisi bijtë e saj në luftën e vitit 1913-1914, për mbrojtjen e Janinës dhe për luftën me andratët grekë duke ju uruar “diell tu bëhet rruga dhe shtatë drita ju lëshoftë syri!”. Përsëri i dërgoi djemtë, tashmë dhe nipat në Luftën e Vlorës në vitin 1920. Ajo ishte dhe vetë një luftëtare e palodhur. Bashkë me gra të tjera përcillnin në vijat e luftës bukë e fishekë dhe tërhiqnin nga vijat e luftës luftëtarët e plagosurit dhe të rënë.
Në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare gjyshe Sarta ishte e moshuar, por e papërkulur. Në zemrën e gjyshe Sartës kishte bërë me kohë fole dashuria e zjarrtë për luftëtarët e lirisë dhe urrejtja për pushtuesit. Në ditët e Operacionit të Dimrit, më 5 janar 1944, në shtëpinë e saj, hynë me rrëmbim disa ushtarë nazistë të shoqëruar nga ballistë. Gjyshe Sarta këmbeu fjalë të serta me ballistët. Ushtarit nazist, kur i shpjeguan fjalët që ju tha gjyshe Sarta i zbrazi asaj në gjoks automatikun. Gjyshe Sarta u bë kështu dëshmorja e parë e familjes. Për të u thur kënga: Nënë Sartën e munduan,/ Trupin me gozhdë ia shpuan,/ Vdiq me plumb në kraharruar,/ Nënë Sartën e vranë,/ Se kish djemtë partizanë,/ Sarta e Gabe, grua plakë,/ Vaditi tokën me gjak. Është shpallur dëshmor i atdheut me vendim nr. 93, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Më i riu partizan ishte Shameti

Shamet Llano Gabaj lindi në Ramicë në vitin 1926. Pasi kreu pak arsim, filloi punë në një shoqëri italiane në Vlorë punëtor krahu. Porargohet nga puna e rëndë dhe shkon në fshat duke u marrë me punët e bujqësisë dhe të blegtorisë. U përfshi në LANÇ në 1942 me organizatën e rinisë antifashiste dhe doli partizan kur ishte 17 vjeç dhe u rreshtua partizan në Br. V S më 20 janar 1944. Shameti ishte më i riu në moshë nga djemtë e Gabe, që doli në mal partizan.
Dimri i vitit 1944 kaloi me luftime të ashpra në luginën e Mesaplikut dhe në mallet përreth saj. Në fillim të pranverës luftimet zbritën në luginat e në kodrat në afërsi të Vlorës. Ditet e fundit të marsit, në ballë të luftimeve, bien në fushëm e nderit partizanët Meno Qerimi, Malo Elmazi dhe Merjeme Gjomemaj, në Peshkëpi të Vlorës. Këtu u dëgjua për herë të fundit dhe zëri i djaloshit Shamet të thërras: “Para partizanë!” Po zërin ia preu në mes plumbi... Ai ra më 31 mars 1944. Luftëtarët e lirisë floën për bëmat, guximin, trimërinë dhe i kënduan: Shamet Gaba vetëtimë,/ Vuri në kapele yll,/ I dha dyfekut fishekun,/ U hodh e doli te bregu,/ U godit me plumb në sisë,/ Ra, si bie një lis. Është shpallur dëshmor i atdheut me vendimi nr. 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Ra në lagjen Qobrat të Gjakovës

Gani Bajram Gabaj lindi në Ramicë në vitin 1921. Kreu arsimin fillor në fshat dhe u muar me punët e bujqësisë dhe blegtorisë. Pushtimin fashist e priti me rrevoltë. Nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak dhe dezertoi nga ushtria në gusht të vitit 1942. Bëhet anëtar i çetës partizane ‘Plakë” në dhjetor 1942 dhe mori pjesë në të gjitha luftimet që kreu kreu kjo çetë, si në Luftën e Gjormit, të Selenicës, të Drashovicës të vitit 1943. Më tej u rreshtua në formacionet luftarake të Br. V S që më 28 nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës. Mori pjesë në të gjitha luftimet e brigadës në Shqipëri dhe deri në tokat e Kosovës. Më 4 tetor 1944, pranë Gjakovës në përleshje më pushtuesin ra në krye të detyrës.
Resul Bedo vite më vonë do të shkruante. Ishin një grup luftëtarësh që luftuan në Gjakovë në tetor të vitit 1944. Mes tyre ishte dhe Myslim Selimi, komisar batalioni në Br. V S. Në listën e dëshmorëve që ju kërkonin eshtrat gjendej dhe emri i Gani Gabaj. Disa ditë kërkuan në lartësitë mbi qytet, te Ura e Erenikut dhe në lagjet e qyteti. Kur u ngjitëm te kodra, mbi lagjen Qobrat të Gjakovës, Myslim Selimi tha, këtu u vra Ganiu. Në lartësinë Qobrat u muarr kënga: Gani Gabaj në Gjakovë,/ U hodh përmbi mitralozë,/ U hodh në tym e në flakë,/ Doli në Lagjen Qobrat. Është shpallur dëshmor i atdheut me vendimi nr. 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Ra në luftë me bandat e diversantëve

Lelo Jazo Gabaj lindi në Ramicë në kohën e zhvillimit të Luftës së Vlorës, 1920. Punoi për bukën e gojës si çoban në Himarë, në Ujë të Ftohtë në një shoqëri italiane e më tej në minerën e Selenicës. U përfshi në LANÇ-in gjatë vitit 1943, ku ishte luftëtar i batalionit vullnetar territorial të Shullërit. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Gjorm, në Selenicë, në Kaninë e në Drashovicë. U rreshtua në formacionet e para partizane që u bënë repartet e Br. V S që në nëntor të vitit 1943. Në luftimet e bërë nga Br. V S, në Kropisht, Peshkëpi, më 31 mars 1944 Lelua e varrosi me duart e tij vëlla Shametin dhe u betua se “do t’ia marr hakun”. Luftoi në Vlorë, në Gjirokastër, në Përmet, në Tomoricë, në Mat e në Dibër deri në tokat e Jugosllavisë.
Pas çlirimit të Atdhut, u gradua oficer dhe kreu detyrën e komandant të kompanisë. Ishte pjesëtar i Divizionit të Popullit dhe në përpjekje me bandat e diversantët, më 24 korrik 1950 dha jetën në Muhur të Peshkopisë. Dhe prapë këngë: Njëzetekatër korriku,/ Vjen në Ramicë lajm i zi,/ U vra Lelo trimi, djaloshi i ri,/ Në Dibër në Peshkopi,/ U godit në befasi. Është shpallur dëshmor i atdheut me Nr. vendimi 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Përjetësuar në këngë
Populli i ka ngritur shumë këngë kësaj familje dhe luftëtarëve të saj. Kënga më e bukur është vetë historia e saj. Familja Gabaj me tre djem që nga Ramica në Gjakovë, i lau rrugën e lirisë me gjak... Emrin e Familjes Gabaj dhe të bijve të saj janë përjetësuar në këngët e popullit. Për dëshmorët e Familjes Gabaj është shkruar vazhdimisht në shtypin e kohës, pasi ata ranë për lirinë e atdheut dhe mbeten gjithnjë yje që ndriçojnë. Këtë shkrim për dëshmorët e Familjes Gabaj të Ramicës po e mbyll me një varg kënge: Djemt e Gabajve asllanë,/ Ngulur shkëmb në istikamë,/ Aty ku luftuan ranë.






Rrahman Parllaku

Kryetari i OBVL-së,
(gjeneral-lejtnant në
pension, Hero i Popullit)


 

Arkiva e gazetes