l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ceremoni festive me 400 miq e të afërm të njeriut që kapërceu një shekull

Gjeneral Parllaku mbush 100 vjeç, film për jetën në luftë, diktaturë e demokraci

Gjeneral Rrahman Parllaku më 17 prill 2019 mbushi 100 vjeç, ditëlindje e veçantë, e cila u festua me madhështi, me më shumë se 400 miq e shokë, familjarë dhe bashkëpunëtorë të shumtë përgjatë një jete të mbushur me suksese dhe vuajtje. Në hotel “Tirana”, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare organizoi një aktivitet festiv, gjatë të cilit u shfaq dhe një dokumentar me skenar nga Xhelil Aliu, Halil Rama e Sakip Cami, me regji të Bajram Hoxhës, për këtë jetë të gjeneral Parllakut, të mbushur me aktivitet publik.


I intervistuar disa herë gjatë dokumentarit, gjeneral Parllaku nuk harron të vlerësojë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si pjesën më të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar, por me kujdesin që të mos vendoset shenja e barazisë mes kësaj lufte dhe regjimit komunist që u vendos pas saj në Shqipëri. Vetë Parllaku ishte një nga viktimat që kaloi 20 vjet në burgjet e komunizmit si pjesë e grupit armiqësor të ushtrisë.
“Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk ishte lufta më e lavdishme e popullit shqiptar, siç e thonë, sepse më e lavdishme ishte lufta e Skënderbeut dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. LANÇ-i ishte një luftë e lavdishme. Bëjnë gabim ata që ngatërrojnë këtë luftë me komunizmin. Luftën e bënë bijtë dhe bijat e nënave, nga 15 vjeç e lart, unë isha më i madhi i luftës, 20 vjeç. Prandaj, lufta nuk duhet mohuar kurrë”, u shpreh në dokumentar gjeneral Parllaku. Një pjesë interesante e dokumentarit ishte dhe një debat i gjeneralit me Lordin Robertson, ish-ministrin e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe e më vonë dhe sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.


Ishte periudha kur në Maqedoni, UÇK luftonte për të drejtat e shqiptarëve dhe shtetet perëndimore i cilësonin ata si terroristë. Me një ton të ashpër, në një nga takimet e Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, ku prezent ishte dhe Lordi Robertson, gjeneral Parllaku i kërkoi që luftëtarët shqiptarë në Maqedoni të mos cilësohen terroristë, por luftëtarë të lirisë, pasi ata nuk kanë bërë genocid dhe nuk kanë vrarë civilë, por po luftojnë për të drejtat dhe liritë e tyre si pakicë shtetformuese.
Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë aktivitet festiv, u shpreh se gjatë periudhës së demokracisë, gjeneral Parllaku është shembull i dinjitetit për t’i vlerësuar ngjarjet me objektivitet dhe jo për të tjetërsuar të vërtetën sipas koniukturave politike.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes