l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PRFIL

Gjenerali që sfidoi kohërat

HALIL RAMA

Më 17 prill 2019, gjenerali i tri epokave, Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, mbushi një shekull jetë. Ai lindi, u rrit dhe mbeti patriot. Lufta Antifashiste, mbrojtja e vendit gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, “lufta e bërrylave”, ftohtësia e qelive të burgut ku kaloi rreth 17 vjet, Lufta e Kosovës më 1999, krijimtaria publicistike dhe aktiviteti intensiv në mbështetje të proceseve demokratike e të shtetit ligjor, e forcuan karakterin e tij.
Jeta e këtij gjenerali, që është memoria historike e kombit nis në Novosej të Kukësit, kur më 17 prill 1919 lindi një djalë që u quajt Rrahman Latif Parllaku. Me ato që bëri gjatë jetës, me zgjuarsinë dhe guximin e tij, duket sikur trashëgoi cilësitë e Ali Matës, një paraardhës shumë i pashëm nga ai fis, të cilin turqit e kërkonin me llagapin “Parllak”, që në turqisht do të thotë “i ndritshëm”.
Pas shkollës fillore që e kreu në Shishtavec, Rrahman Parllaku detyrohet ta lërë fshatin dhe të fillojë punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit në Cakran të Mallakastrës, e më pas në Selenicë të Vlorës, ku u njoh me mjerimin dhe shtypjen e egër që u bëhej punëtorëve të minierës së bitumit.
Pushtimi i vendit nga Italia fashiste dhe shpirti patriotik i vlonjatëve, që e kishin ende të freskët epopenë e lavdishme të 1920-ës, si dhe plagët e gjakosura të Kosovës martire të shkëputur nga trupi i Shqipërisë mëmë, kalitën te djaloshi lumjan ndjenjën e revoltës dhe dëshirën për liri.
Ëmbëltorja “Selim Parllaku”, ose ëmbëltorja “Kosova” u bë qendër e organizimit të rezistencës antifashiste në Vlorë dhe “Krajli”, siç e kishte pseudonimin Rrahmani, punonte në lokal, pa dyshuar askush se merrej me veprimtari guerrile.
Që nga marsi 1942 e deri në dhjetor 1943, “Krajli” ishte një nga udhëheqësit e njësiteve guerrile të qytetit të Vlorës. Më pas ai doli në mal, sepse kontributi i tij kërkohej në ballë të betejave për çlirim, ku u ngarkua me detyra të rëndësishme, të cilat i kreu me sukses.
Nis kështu rrugëtimi i gjatë i tij nëpër male e pyje, nga njëra zonë në tjetrën, nga Shqipëria e Jugut në Shqipërinë e Mesme e atë të Veriut, madje deri tutje për çlirimin e trojeve të vëllezërve kosovarë. Nga njëra betejë në tjetrën, në luftë e përpjekje të vazhdueshme përballë një armiku të egër, por edhe kushteve tepër të vështira të terrenit e të motit të ashpër, ai u kalit si një luftëtar e drejtues i zoti.

 

“LUFTË CIVILE ME PUSHTUESIN BRENDA NUK MUND TË KETË”
Gjenerali që luftoi fashizmin dhe sfidoi komunizmin, Hero i Popullit dhe një prej figurave më qendrore dhe emblematike të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në një intervistë për gazetën “SOT” hedh poshtë tezat antishqiptare të një të ashtuquajture “Luftë Civile”. Duke evidentuar vlerat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar, luftë e lavdishme kjo që e radhiti Shqipërinë përkrah forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore, Anglisë, SHBA-së dhe ish-Bashkimit Sovjetik, gjeneral Parllaku shprehet se kurrsesi nuk mund të ketë “Luftë Civile” në një vend të pushtuar nga të huajt, siç ishin fashistët italianë dhe nazistët gjermanë. Gjenerali di të tregojë, sepse ai gjen mënyrën si ta shfaqë kujtesën, ashtu siç ka qenë. Në portretin e tij ne shohim një pjesë të historisë kombëtare dhe ndiejmë emocione. Prandaj e vlerësojmë shumë gjykimin e tij nëse duhet quajtur lufta si një faqe lavdie e historisë së popullit tonë, apo një luftë civile. “Luftë civile me pushtuesin brenda nuk mund të ketë… Ne luftuam kundër pushtuesve nazifashistë, duke u bërë pjesë e bllokut antifashist të popujve të botës”, shprehet gjenerali shekullor.
Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, në sajë të punës së palodhur dhe aftësive të tij, gjeneral Parllaku arriti të bëhet një nga drejtuesit e lartë të ushtrisë sonë. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë ai u ndesh me skenarët projugosllavë për bashkimin e shtetit dhe të ushtrisë shqiptare me Jugosllavinë dhe luftoi për shkatërrimin e tyre. Me të njëjtën vendosmëri, ai luftoi edhe pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, kur ushtarakët dhe udhëheqja sovjetike u përpoqën t’ia rrëmbenin Shqipërisë nëndetëset nga Baza e Pashalimanit… Por Pashalimani dhe Gjiri i Vlorës ishin kafshata që nuk kapërdiheshin aq lehtë, sepse mbroheshin nga djem nënash të drejtuar me mençuri e guxim nga ushtarakë të zotë, mes të cilëve ishte edhe gjeneral Parllaku.
Ai ndihet sot më krenar se kurrë me ushtrinë që kishte vendi ynë, për krijimin, konsolidimin e modernizimin e së cilës punoi për tri dekada me përkushtim e profesionalizëm të lartë.

FITIMTARI I TRI KOHËVE
Gjenerali Rrahman Parllaku është ndër të paktët partizanë që jetojnë dhe dëshmojnë histori të tri kohëve, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist.
Pas 30 vjetësh shërbimi të përkushtuar si ushtarak, ky gjeneral i famshëm i Luftës Nacionalçlirimtare dhe i ushtrisë shqiptare, do të shpërblehej nga regjimi i E. Hoxhës me 25 vjet burg, si pjesëtar i së ashtuquajturit “Grupi Puçist i Ushtrisë”, së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, që u dënuan me pushkatim. Por gjenerali nuk u ligështua nga balta e pistë, me të cilën deshën ta damkosnin si tradhtar. Ai arriti të mbijetojë në ato kushte ku kaloi 17 vjet të jetës së tij.
Dhe pas daljes nga burgu më 1991, nuk u pajtua me amnistinë e Ramiz Alisë, por ndoqi procedurat gjyqësore për të fituar pafajësinë. Në rekursin e bërë nga Parllaku, Gjykata e Kasacionit vendosi, më 20 korrik të vitit 1994, prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që e cilësoi atë fajtor dhe pushimin e akuzave të mësipërme.
Gjeneral Parllaku, që nga vitit 1998, drejton me përkushtim Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it, duke e bërë atë deri anëtare të denjë të federatave botërore e europiane të veteranëve.
Sot, ai është 100 vjeç. Sot, ne kemi përpara një hero të gjallë, një komandant të asaj lufte, që e çliroi Shqipërinë nga pushtuesit e huaj dhe luftoi edhe për çlirimin e Kosovës e viseve shqiptare në Ish-Jugosllavi.
Sot kemi përpara një gjeneral, që, ndonëse në moshë të thyer, në vitin 1999 shkoi në mbështetje të UÇK dhe të veprimeve luftarake të NATO-s në Kosovë. Sepse Gjenerali duhet të ishte atje, ku kërkohej edhe ndihma dhe kontributi i tij. Atje ku e thërriste zëri i Kosovës, për të cilën a shprehet: Sot, ne kemi përpara njeriun kurajoz që në momente të rëndësishme nuk ka qëndruar gojëmbyllur, as përpara figurave të mëdha të politikës botërore, kur është cenuar padrejtësisht emri i shqiptarëve.
Ja pra, ky është gjeneral Rrahman Parllaku, kryetari i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar (OBVL).
Ai ia doli mbi të gjitha furtunat e jetës, doli fitimtar nga Lufta Antifashiste, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe sot është gjenerali më i vjetër, por me mendje të re që mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në NATO. “Heroi i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Rrahman Parllaku, kujtoi betejat në luftën për çlirimin e Tiranës, ndërsa theksoi në këtë 100-vjetor të tij se jeta është e këndshme me të mirat e të këqijat e saj. Ai shprehu mirënjohjen ndaj kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim që i bëhet në përvjetorin e lindjes.

KURRË NUK ËSHTË VONË PËR T’U BËRË MBËSHTETËS AKTIV I PROCESEVE DEMOKRATIZUESE
Gjeneral Parllaku dhe bashkëluftëtarët e tij ndihen krenarë për gjithçka kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në shërbim të atdheut e kombit. Prandaj, edhe vlerësimet dhe nderimet ndaj veprës së gjeneralit janë plotësisht të merituara.
Me gjeneral Parllakun ndihen krenarë të gjithë miqtë e shokët që e rrethojnë. Ndihen krenarë familjarët e tij, që e kanë Rrahmanin përmendore të gjallë të traditës dhe të virtytit të tyre familjar të trashëguar ndër shekuj.
Emri dhe veprimtaria e gjeneral Parllakut është bërë e njohur nëpërmjet angazhimeve të ndryshme, ku ai është i pranishëm vazhdimisht.
Gjithashtu, publiku ka mirëpritur edhe librat e ndryshëm të shkruar nga gjenerali, siç është ai me titull: “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre”, “Kosova, ëndrra e jetës sime”, dhe librin e sapobotuar me shtatë kapituj në 466 faqe “Një shekull në memorie”.
Me një kujtesë të jashtëzakonshme, me një mendjemprehtësi të madhe, gjeneral Parllaku ka bërë analiza brilante të situatave të vështira e delikate që ka kaluar vendi dhe ushtria jonë. E veçanta e gjithë “ligjëratave” të tij në shtypin e kohës dhe në veprimtari promovuese të librave kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare e heronjve të saj, ka qenë gjykimi i tij tepër i saktë, konciz, realist, pa mllefe, pa paragjykime… Ai e ka vlerësuar gjithnjë lart Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, arritjet dhe përpjekjet e popullit jo vetëm në rindërtimin e Shqipërisë së pasluftës, por edhe ato në fushën e arsimimit, shërbimit shëndetësor, zhvillimit në tërësi të vendit, përfshirë edhe arritjet në mbrojtjen e fuqizimin e ushtrisë…si dhe këto vite të demokracisë e pluralizmit.
Përveçse me dekoratën e lartë “Nderi i kombit”, gjeneral Parllaku është nderuar këto pesë vitet e fundit me medalje mirënjohjeje e titullin “Qytetar Nderi”, nga kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z.Aldrin Dalipi, nga Këshilli i Qarkut Kukës, ndërkohë është pritur me madhështi e nderuar si fitimtari i tri kohëve nga bashkëluftëtar e bashkëkombës në Gjakovë e Prizren, por edhe më Malin e Zi, Kroaci e Beograd….
Kjo, për faktin se gjeneral Rrahman Parllaku ia doli mbi të gjitha furtunat e jetës. Doli fitimtar nga Lufta Antifashiste, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në luftën për pavarësinë e Kosovës dhe sot është gjenerali më i vjetër, por me mendje të re që mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ushtrisë shqiptare në NATO. Nga jeta e këtij Matuzalemi na ulet këmbëkryq historia.
Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur… Nga veprimtaria e gjeneral Parllakut si veteran në këtë çerek shekulli të demokracisë mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë.







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes