l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Me gjuhën e dokumenteve - disa momente të viteve 1923-1925

A e vranë apo u vetëvra Bajram Curri?

Ismet Balaj

Po bëhet gati një shekull që është shuar fizikisht Bajram Curri, Heroi Legjendar i Kosovës dhe i Shqipërisë. Disa herë, kur është shkruar për jetën, veprën dhe fundin e tij tragjik, është hamendësuar a e vranë apo u vetëvra ky burrë fisnik i shqiptarisë. Nga dokumentet që ndodhen në Arkivin e Shteti Shqiptar, Fondi Bajram Curri, nr. 418 si edhe në librat “Dokumente dhe materiale të lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar për liri e demokraci (1917-1941), botim i Institutit të Historisë si dhe libri:” Bajram Curri-trajtesa dhe dokumente mbi jetën dhe veprën e tij, përgatitur për botim nga Mediha Jasa Shuteriqi, ish drejtoreshë e AQSH Tiranë, që ndodhën në Bibliotekën e këtij arkivi, jepën të dhëna të plota, me të cilat, pa mëdyshje, kuptohet e vërteta historike mbi këtë personalitet të shquar të kombit tonë, se Qeveria e Zogut e ka dënuar me vdekje Bajram Currin për pjesëmarrje në ngjarjet antizogiste të vitit 1923, së bashku me 70 të tjerë. Për vitin 1923, 1924, deri në maj, Bajram Curri ka jetuar në Krasniqe te Sali Man Bajraktari dhe kushëri e miq që kishte shumë kudo që shkonte
Në këtë shkrim do të ndalëm vetëm në disa momente të viteve 1923-1925. ...Në vijim të shkresës sonë (Ministria e Luftës i drejtohet Ministrisë së drejtësisë mbi aktgjykimin e dënimin me vdekje të Bajram Currit dhe Haki Kuçit), nr.834, dt 21.03.1923...Aktgjykimet e gjykatorës së shtetrrethimit që përmbajnë dënimin e disa oficerëve, nuk na janë komunikuar rregullisht. Prandaj lutemi të na dërgohen të paktën kopjet e pjesëve të aktgjykimeve që u përkasin oficerëve të dënuem, që kështu të bajmë shënimet e duhuna në regjistra. Oficerët e dënuem janë: Kolonel Bajram Curri dhe major Haki Kuçi... Ministri i Luftës: I. Tatzoti d.v. Fondi 252, Dosja 774, fl.1.origjinal, ose në ( “Dokumente e materiale...f.117).
Telegram i Kryeministrit Koço Kota, dërguar komandantit të operacionit të Veriut, Ceno Beg Kryeziut, ku e urdhëronte të kapej me çdo kusht Bajram Curri.
Tel.nr.21, dt 9 janar 1925. Curri gjallë a dekë duhet ta zini dhe fuqinë e toij duhet ta shkatërroni krejt, duhet marrë gjithë masat kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet ma...(Fondi 252. Dosja 9, fl 1, origjinal. Për realizimin e këtij misioni luftarak, Ceno Beg Kryeziu, autorizohej nga Ahmet Zogu që “batalionin e atyshëm, ta merrte nën urdhërat e tij; në qoftëse kompanikomandantët nuk ishin të besueshëm, të emronte të tjerë besnikë...” më tej :”Ministria e Brendshme urdhëronte që një kompani prej 110 vetash të asaj komande, pa vonesë me zanë të gjithë vanat e Drinit (nga ku mund të kalohej . IB)për të mos lejuar (Currin) të kalojë në Pukë.
Tel. I komandantit të operacioneve të veriut, Ceno Beg Kryeziut, drejtuar Kryeministrit, me anë të cilit e njoftonte mbi operacionin e kryer kundër Bajram Currit dhe pasuesve të tij. Tel.nr 28 Bunjaj (Bujan-Tropojë) më 12 janar 1925 (Vetëm tri ditë pas urdhërit të Kryeministrit, i përgjigjet): Mbas një bombardimi që bamë me topa në Krasniqe (Fis i madh që ka 12 fshtëra-Tropojë), Curri me gjithë komita mori bjeshkët e Nikaj-Merturit, pa ba aspak pushkë...Për 12 orë kam dhanë urdhën të dorëzohet . Operacioni do të bahet i rreptë mbi anëtarët e Currit. Currin duhet ta lypë kjo komandë ku të gjendet...(Fondi 252.Dosja .9, fl.12 origjinal).
Fondi 252, D.799, fl. Origjinal :”Ju njoftojmë simbas një telegrami nr.23, më 30.03.1925 të Komandës së Kosovës (Komanda e Qarkut të Kosovës që përfshinte Lumën, Hasin dhe Malësinë e Tropojës), mbas një lufte të përgjakshme, që asht ba në bjeshkët e Dragobisë, i arratisuri Bajram Curri ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij Shefqet Draga kapë gjallë. (Shefqet Dragës iu kishin ngrirë gishtërinjtë e këmbëve, sa thonë që i këpuste e i hidhte në zjarr), prandaj nuk mundi të ecte bashkë me Sali Manin, bajraktarin e Krasniqes, e me nipat e tij, Avdi e Adem Bajramin, Met Veselin, nga Hasi ( ish sekretar personal i Bajram Currit) e tj.);në përpjekje kanë mbetur pesë xhandarë të vramë e katër të plagosun. Në vendndenjën e Bajram Currit janë gjetë edhe shtatëdhjetë armë. Shokët e tij janë shpërnda...dhe po ndiqen prej fuqisë operative...(Sali Mani bashkë me nipat e tij dhe Met Veselin kanë shpëtuar. Mbas disa orë udhëtimi kanë kaluar në Mal të Zi, në Plavë. Prej andej janë vendosur me banim në Gjakovë, ku kanë jetuar si emigrant politik deri më daljen e amnistisë nga Mbreti Zogu i Parë, më 1932.
Varrimi i tij u organizua nga shteti. Natyrisht, jo rrallë ka ndodhur që vrasësi të vrasë natën e të qajë ditën. U veprua kështu për të neutralizuar pakënaqësinë e madhe që shkaktoi kjo vrasje në gjithë popullin shqiptar, veçanërisht në Malësinë e Gjakovës e në gjithë Kosovën. Këtë mendim e vërtetojnë edhe faktet e mëposhtme.
Me 6 prill 1925 Hasan Kryeziu i kërkon Ministriosë Punëve të Brendshme në Tiranë 500 napoloona ari të premtuara për atë që ka dhënë njoftimin se ku gjendej Bajram Curri, siç kërkonte edhe gradimin e vrasëseve...(Fondi 252, Ministria e Punëve të Brendshme, Dosja nr.9, 51 dhe 58, viti 1925). Në fakt, komandantin Kadri Mehmeti, nga Krasniqja, që drejtonte operacionin, e graduan toger.
Pas vrasjes së Bajram Currit, Kryeministri Koço Kota i dërgon telegram prefektit të Kosovës me qendër në Krumë, Hasan Kryeziut, në emër të Qeverisë Shqiptare e falënderon dhe e përgëzon për veprimtarinë “patriotike”, që kishte kryer duke zhdukë nga faqja e dheut njeriun e “shpellave” (Bajram Currin IB.) që e kërcënonte qetësinë e Shqipërisë...”.(Bajram Curri-Trajtesa e Dokumente, fq 30).
Kënga popullore e krijuar në ato ditë vë në dukje se xhandarmëria, mbasi i kishte rrethuar në shpellë, i bën thirrje për dorëzim Bajram Currit dhe pasuesve të tij. Ai përgjigjet:...”Më ka lidhë nana nji herë në djep,/ Tash kam mbush gjashtëdhjetë vjet. /E nuk më ka lidhë as krajli as mbreti ,/ Jo po më lidhë Kadri Mehmeti... Nxuer alltinë e i ka ra veti.... Në fakt edhe fotografia dëshmon qart se plumbi e kishte marrë në ball. Vetëm ballin dhe kokën e tij ia kishin mbështjellë me fasho të bardhë. Kuptohet se e kishte vrarë vetën. Pavarësisht se kush e qëlloi, të tjerët, apo vetën, është e qartë një gjë: Nuk kishte rrugë tjetër. Vrasjen e Bajram Currit e kishte kërkuar Serbia, për të cilin kishte hedhur në tregun e vrasëtarëve me pagesë 100 mijë dinarë, sepse ishte udhëheqësi kyresor popullor me autoritet të madh në Kosovë e në Shqipëri, që kundërshtoi me forcë pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe luftonte njëkohësisht për bashkimin tërësor të popullit shqiptar në trojet e veta. Për të kundërshtuar Vendimin e Konferencës së Londrës të vitit 1913, ai shkoi edhe me një komision në Konferencën e Paqes në Parisë, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vrasjen e tij e kishte kërkuar edhe Mali i Zi. Për atë që do të kryente këtë akt, kishte vënë në dispozicion (thuhej 2 milion korona). Sepse Bajram Curri me forcat e tij e kishte thyer ushtrinë malazeze më 1912 në Qafë të Morinës-Tropojë. Në verë të vitit 1920 kishte thyer përsëri forcat ushtarake malazeze në rajonin e Malësisë së Madhe, që akoma e mbanin të pushtuar dhe përgatiteshin për të sulmuar serish Shkodrën. Sepse Bajram Curri kërkonte që me Shqipërinë të bashkoheshin edhe të gjitha krahinat shqiptare që padrejtësish nga Fuqitë e Mëdha iu kishin dhënë Malit të Zi. E kishin kërkuar edhe disa pasanikë-çifligarë të Gjakovës. Edhe ata kishin vënë rreth një milion dinarë për atë që do ta vriste, sepse Bajram Curri ishte për një shtet demokratik-liberal, pa bej e çifligarë. E kishin kërkuar kryezezët e Gjakovës, mbasi ishin në konflikt të hershëm ndërmjet veti familjet e mëdha të Gjakovës: Kryezinjtë dhe Currët. Qëndrimi dhe lufta e Bajram Currit, megjithëse të drejta e parimore, ishin kundër vendimeve të padrejta të Konferëncës së Londrës që e copëtonte Shqipërinë për interesa shoviniste të shteteve Serbi e Mali i Zi, prandaj ishte në konflikt edhe me Europen.
Kërkesat e tij për bashkim kombëtar të shqiptarëve që ndodheshin në Ballkan në një shtet të vetëm në shtetin e shqiptarëve, si edhe vendosja e një rendi demokratik, ranë në konflikt të ashpër me qeveritë e Shqipërisë, të cilat kërkonin stabilitet me një shtet të cunguar, prandaj edhe e dënuan me vdekje dy herë, më 1923 dhe në janar 1925. Nga mund e duhet të shkonte? Asnjë rrugë nuk kishte. Iu kishin mbyllë të gjitha. Të gjithë kërkonin asgjësimin fizik të tij. “Vdekja është kapak floriri, përballë dorëzimit më marre”, thotë populli ynë dhe jo vetëm.
Tradita historike e popullit tonë dëshmon se në rrethana pa rrugëdalje, zgjidhja e vetme, është vetëvrasja. A nuk u dogj në kullën Oso Kuka, për të mos u dorëzuar “shkieve”? A nuk u hodhën nga shkëmbi shumë gra e vajza suljote, kur cubat e Ali Pashës, shkuan ta djegin e pjekin Sulin e ato (femrat) t`i përdhunonin, t`i poshtëronin, ndërkohë që pashai i pa besë, i thirri burrat suljotë për kuvend për paqe në Janinë, ua preu kokat brenda në kala?
Janë mbi 120 skeda në indeksin alfabetik të AQSH, si dhe fondi 418 i Bajram Currit në këtë arkiv që ndriçojnë gjithnjë figurën madhore të këtij burri fisnik e madhështor. Fan Noli i madh, do të shkruante, në elegjinë “Shpellë e Dragobisë”...O Bajram, bajrak i gjallë,/ More nam me gjak në ballë,/ Te një shpellë e Dragobisë,/Yll i rrallë i burrërisë...







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes