l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Rreth romanit “Fermani i përgjakur”i Vasil Premçit

NJË POPULL PA HERONJ, NUK KA HISTORI

SHPENDI TOPOLLAJ

Me autoritetin e një kolane të pasur, të larmishte e mjaft të suksesshme, do ishte e pakuptimtë që për romanin e ri të shkrimtarit Vasil Premçi “Fermani i përgjakur”, të deklaronim se jemi para një befasie të këndëshme. Befasia, kësaj radhe qëndron gjetkë; te tema e guximshme dhe jo aq e rrahur në letrat tona. Ai, në këtë libër ka preferuar të trajtojë ndikimin që pati mbi vendin tonë, periudha çoroditëse e Tanzimatit (Hatt - i serif - i Gulhane; Urdhëresë dashamirëse), e ndërmarrë nga sulltan Mahmudi i II - të, që nga 3 Nëntori i vitit 1839. Për të shuar mosbindjen e disa governatorëve provincialë, ku duhet thënë se ky sulltan kishte zbutur disi edhe rebelimin e Ali Pashës, i cili që nga viti 1787, kishte ngritur në Janinë dominimin autonom, në ushtri u morën dhe këshilltarë ushtarakë si mareshalli i ardhshëm dhe shefi i shtatmadhorisë prusiane Helmuth Karl Bernhard von Moltke i cili ka lënë kujtimet e tij në “Letrat nga Turqia”, ku i ka përshkruar të gjalla eksperiencat e tij të asaj kohe. Në vazhdim, ishin përpjekjet e Abdyl Hamitit të II - të i cili përndoqi prirjet reformatore të properëndimorëve të mbledhur rreth ministrit të jashtëm Mustafa Reshid Pasha dhe që patën reperkursione të mëdha mbi shqiptarët, të cilat Sami Frashëri i ka konsideruar si pushtim të ri Shqipërisë.
Në letërsi, ku merr përparësi ana artistike me gjithë elementët e saj përbërës, nuk ka rëndësi vendimtare në jemi para të vërtetave të pakontestueshme historike, para fantazisë së autorit, apo para kombinimit të të dyjave. Vlerë themelore, mendoj se ka mesazhi dhe bukuria e të shkruarit, pra kënaqsia estetike që përftohet nga leximi i veprës. Pavarësisht kësaj, Vasili, me kulturën e tij të gjerë, edhe si ushtarak edhe si studiues e kritik, na jep një rrëfenjë, ku çdo gjë është në vendin dhe kohën e duhur. Ai ka ditur të na fusë në atë situatë me emrat, toponimet, ritet, ofiqet, ngjarjet e deri me huazime nga Kurani, në funksion të zhvillimeve. Është mjaft interesnte ajo sjellja e ngritur në moral e trashëgimtarëve, për të eliminuar deri vëllezërit që shiheshin si konkurentë për fronin sulltanor. I quajturi për mizoritë e tij “Sulltani gjakpirës”, duke vepruar si një despot i vërtetë, mori herë pas here idetë osmanike e panislamike, për të ngritur themelet e forta të perandorisë turke dhe për të vënë në vend autoritetin e tij nëpër provincat e pabindura. Dhe, natyrisht që si fillim ai zgjodhi Shqipërinë, ku edhe pse ndër vite kishin qenë të detyruar të praktikonin disa lehtësira, përsëri, banorët e këtushëm, bënin disa hilera, duke i rregjistruar djemtë si vajza, për t`iu shmangur shërbimit të gjatë ushtarak në vende pafundësisht të largëta. Dhe s`kishte zgjedhje më të mirë se ajo e Çandërllë Pashait si komandant të trupës ndëshkimore. Duke analizuar këto ngjarje, miku i vendit tonë, akademiku italian Antonio Baldaçi (A. Baldacci), ka shkruar: “Shpesh turqit kanë eksperimentuar më kot ushtritë e tyre në revolucionet e vazhdueshme në Shqipëri.” Ky ka qenë edhe fati i kësaj ekspedite e cila kishte marrë detyrë të kontrollonte fizikisht femrat tona, sidomos në krahinën e Bendës, në kundërshtim të hapur me kodin moral të shqiptarëve, të shprehura qartësisht te Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në pamje të parë, ky pasha paraqitet si të gjithë njerëzit e tjerë; ai sheh ëndrra, i kërkon shpjegime hoxhë Azapit, ka emocione, mall për fëmijët dhe të ëmën të cilës i shkruan letër ku i thotë: “Dashuria e nënës, është një det ku njeriu nuk mbytet kurrë!”, ndien trandje zemre kur dëgjon këngën e ushtarit, para së cilës edhe bilbili e pushon këngën, edhe të mbjellat e lenë përkundjen, edhe përroi nuk nxjerr zë, ëmbëlsohet kur i vinë ndër mend vargjet e dashurisë të Padishah Vefait. I tillë del edhe vetë Veziri i Madh, të cilin “Paqja shpirtërore e kishte mbrojtur për bukuri nga barra e pushtetit, që ia del t`i thyej e shtrembërojë bartësit e vet.” Mirëpo, kur vjen puna për pushtime e mizori ata, sikurse shprehet autori, udhëhiqen nga parimi “Njeriu është shumë herë më i sigurt kur ia kanë frikën, sesa kur e duan”, dhe se “Historia ka dëshmuar se Profetët e armatosur, kanë qenë kurdoherë fitimtarë, kurse të gjithë profetët e paarmatosur ishin shkatërruar.” Me këto ment ata shkojnë në Bendë dhe grumbullojnë fshatarët te xhamia në mes të fshatit, ku Pashai lexon fermanin e sulltanit, sipas të cilit ata që nuk do të nënshtrohen, do të ndëshkohen rëndë. Burrat e fshatit, ndihen keq; si mund të pranojnë ata që të humbasin nderin që e kanë të shenjtë, duke lejuar ushtarët turq të kontrollojnë gratë e vajzat e tyre? Por nga ky siklet i nxjerr nga situata Veli Alla nga lagjia Kutreq i Selitës së Malit. Ai, pasi i afrohet Pashait dhe i thotë se kur të farohen të gjithë burrat dhe djemtë e Bendës, mund t`i prekni gratë dhe vajzat tona, nxjerr koburen me mulli dhe ja zbraz në kokë gjeneralit turk. A nuk kishte ngjarë kështu edhe në betejën e Fushë - Kosovës më 1389, ku shqiptari nga Sopoti i Bërzheshtës, dikur i arratisur për hasmëri, tani oficer i carit të Sebisë, kur u zu rob, i nguli sulltan Muratit të I - rë, thikën m`u në zemër? Dhe këtu, hyn në lojë fantazia e autorit, i cili rrëkenë e gjakut e drejton nga fermani i sulltanit, ndotja e të cilit e trondit më shumë se vrasja e Pashait, hoxhë Azapin. Epo ja, kështu është kjo punë, brenda një çasti të vetëm, dikush mund të bëhet hero dhe disa të tjerëve, thotë autori, nuk u mjafton e gjithë jeta. Sidoqoftë, konkludon ai: “Një popull pa heronj është një popull pa histori”. Pikërisht këtë na e ka dhënë aq mirë Vasil Premçi, duke folur për heronjtë tanë, të cilëve Xhorxh Bajroni u drejtohej me entuziazëm: “Befas dalin nga mjegulla ngjyrë rozë të barinjve; midis skërkave ulërin ujku dhe shqiponja vjen rrotull; aty mblidhen njerëzit më krenarë në botë, siç mblidhen retë e grumbullohen stuhitë që ulen për të tronditur Adriatikun.”






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes