l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Jeta prej heroi e gjeneral Parllakut

Një shekull në memorie

Ndonëse po mbush një shekull jetë, ai ka një kujtesë fenomenale dhe erudicion të jashtëzakonshëm, që do t’ia kishin zili të gjithë. Kështu e kemi parë dhe ndjekur me interes të jashtëzakonshëm në takime e mjedise publike, si dhe në debatet, emisionet e dokumentarët televizivë. Madje, siç është shprehur shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço, “Ai është një dëshmi për kohën që kemi lënë pas, për një kohë tepër të gjatë, si dhe vetë jeta e tij”. Gjeneral-Lejtënant Rrahman Parllaku është midis nesh me barrën e 100 viteve të tij, që si rrallëkush, i mbart me freskinë fizike, me mprehtësinë e gjykimit, me fjalën që nuk bie përdhè, me gjallërinë dhe energjinë e një burri shteti. Pikërisht për këto merita, i vetmi “Hero i Popullit” i gjallë, që i mbijetoi Luftës së II-të Botërore dhe terrorit komunist është nderuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me dekoratën “Nderi i Kombit”. Ai tashmë është në prag të ditëlindjes së tij të 100-të.
Njëqind vjet është një kuotë shumë e lartë. Por gjeneral Parllaku ka meritën se e ka rritur këtë kuotë të lartë, megjithëse i është dashur të përballojë shumë furtuna gjatë jetës.
Ç’është më kryesorja e ka arritur jo i drobitur, por në formë të shkëlqyer fizike dhe mendore, një formë që do ta kishin zili edhe të rinjtë. Dhe duke perifrazuar sërish shkrimtarin e madh T.Laço:“Nga jeta e një Matuzalemi si Ai, na ulet këmbëkryq historia. Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur”….
Ndërsa publicisti e politikani i mirënjohur Luan Rama, shprehet se: “Rrahman Parllaku, në sagën e vet i ka jetuar të gjitha: mjerimin, luftën, paqen, rritjen e lavdinë, fuqinë e pushtetit, por edhe rënien prej armiqësisë së pushtetit që iu dedikua e i shërbeu me idealizëm, rilindjen e lirinë.
E përmes këtyre dallgëve, shpirti e karakteri i tij mbeti i pandryshuar, me një jetë prej heroi, si pakkush në botën që jetojmë.
Sot ai është fitimtari i tri kohëve e meriton nderim e mirënjohje prej të gjithëve”.
Më së miri, këtë model e gjejmë në faqet e këtij libri, që vjen si testament për brezat nga memoria historike e kombit….
Sa shumë emra, sa shumë vende dhe histori, sa shumë dashuri dhe mirënjohje për to, ka derdhur gjeneral Parllaku, brenda faqeve të këtij libri. Në një topografi dhe gjeografi që nga Vlora, Kurveleshi, Përmeti, Shkodra, Gjakova, dhe pse jo, gjer në Sanxhak, ai na sjell ngjarje e fakte nga Lufta e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, si një nga komandanët legjendarë të një prej formacioneve më të mëdha e më të rëndësishëm të saj. Autori i këtij libri-enciklopedi, “të merr prej dore” dhe të shëtit nëpër vende dhe ngjarje me histori të lavdishme. Aty janë: nëpër tymin e zjarrin e luftërave dhe përpjekjeve të personazheve-heronj të këtij libri, duke të grishur zemrën dhe shpirtin në kujtime dhe ëndërrime të kthjellëta plot respekt për legjendën e qëndresës gjatë LANÇ e në burgun komunist, gjeneral Rrahman Parllaku.
Janë shumë, personazhet dhe heronjtë e këtij libri. Të rrethuar me trimëri nga jehona e kohërave, por të thjeshtë, të thjeshtë deri në madhështi, vijnë e ulen pranë nesh, me fakte, me ngjarje, me jetët e tyre përmes faqeve të këtij libri.
Ajo që këtë libër e bën të veçantë në raport me dy librat e mëparshëm të gjeneral Parllakut “Mirënjohje familjeve vlonjate” dhe “Kosova,e lirë, ëndrra e jëtës sime”, është se rrok brenda tij një periudhë gati një shekullore. Autori provoi të jetë një publicist i sukseshshëm dhe tejet kompetent, me shkrime nëpër gazetat e ndryshme të vendit dhe tashmë me tre libra, një shkrimtar, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Vetë libri “Një shekull në memorie”, në pjesën më të madhe të tij të sugjeron, data, ngjarje, personazhe dhe histori që do të jenë burim referencash për studjuesite historianët, në të ardhmen. Si një enciklopedi e gjallë, autori sjell ngjarje dhe fakte të paevidentuara më parë, që mund të shërbejnë si burim për historiografinë shqiptare.

Halil RAMA
Kryeredaktor i gazetës “VETERANI”






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes